top of page

Niko Nikolla




(Kujtime)

Në rrugicën pogradecare “11 Janari”, buzë liqenit, krahas familjeve të mëdha Ilo, Angjele dhe Kolonja, qysh herët ka banuar familja Nikolla, e përbërë nga Sandri, tregtar i ndershëm e i mënçur, bashkëshortja dhe fëmijët: Niko, Ditkë dhe Tasi, të tre shëmbullorë. Rrënjët arumune, - të cilat Nikua nuk i mohoi kurrë, - i kanë në fshatin Belicë të Maqedonisë së Veriut, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Nikua, qysh në moshë të njomë, ishte dinamik dhe i dashur me shokët. Pa i mbushur ende të katërmbëdhjetat, doli partizan dhe përmbushi më se një herë detyra luftarake që zakonisht u ngarkoheshin më të rriturve. Shkollat, nga fillorja deri tek e larta, i kreu me sukses dhe filloi punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Aftësitë për të trajtuar me nivel të lartë profesional tema të rëndësishme të të gjitha fushave dhe guximi për të vënë në shënjestër me argumente të metat e mangësitë që vëreheshin në çdo segment të shoqërisë, e bënë të mirënjohur e të vlerësuar nga të gjithë, deri në kupolën e partisë e të shtetit. Vetë kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, duke mbajtur parasysh forcën e penës së Nikos, e quante “re e zezë”.

Kur u thirr nga Miti Tona, drejtori i Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qëndror të PPSH, për ta emëruar kryeredaktor të revistës satiro-humoristike “Hosteni”, Nikua, - që e kam pasur vëlla e shkuar vëllait, - ma hapi zemrën e më tha se detyra e re, tepër delikate, që po i ngarkohej, ishte “me të kallur”. Kemi pirë atë natë “vençe” gjersa u mbyll lokali i Turizmit të Vjetër në Pogradec dhe, megjithëse i jepja kurajo, nuk i hiqej nga mendja ai mendim. Por, fatmirësisht koha tregoi se i doli mbanë me sukses të plotë duke ia ngritur “Hostenit” emrin lart me tematikën e larmishme e rubrikat që i pasuronte dhe i freskonte parreshtur.

Guximi mbeti edhe aty tipar i pacënuar i tij. Mbaj mend se si në një rast më botoi në dy faqe të plota dy poezi të ilustruara nga Bardhyl Fico. Ishin vitet ’70 të shekullit të kaluar kur i ishte shpallur luftë burokratizmit. Në vjershën e parë tregoja se si Luani, mbreti i kafshëve të pyllit, më në fund u bind që të pranohej edhe qeni në klubin që drejtonte. “Do të bëhesh anëtar me të drejta të plota se je besnik, por me një kusht: të mos hash më m...”. Qeni shtangu, por Luani shtoi: “Ta kemi zgjidhur problemin: do të të japim çdo ditë pesë kile mish, përveç kockave”. Qeni falenderoi dhe po largohej. Ndërkaq u ndal papritur: “Dakord të mos ha m..., por erë të mos i marr?”

Në vjershën e dytë Luani ishte kryetar, jo mbret dhe, si gjithnjë, drejtues i klubit të kafshëve të pyllit. Në një mbledhje të klubit, Luani tha se duhej që anëtarët e klubit të bëheshin shëmbull për bazën përmes një autokritike të çiltër për teprimet. “Ja, filloi Luani, unë, për shëmbull, në vend të pesë zebrave që më takojnë, çdo ditë kam ngrënë shtatë”. Dhelpra, në çast ndërhyri: “Jo shtatë, por edhe dhjetë e më shumë mund të hash, se mezi të kemi, o kryetar”. Edhe autokritikat e dy nënkryetarëve të klubit, Ujkut dhe Ariiut, që kishin kollofitur çdo ditë nga dy bagëti mbi normën, u përligjën nga antarësia e klubit. Në fund të sallës po qante me dënesë Gomari, me turi të përgjakur. “Përse qan, mor Gomar?” e pyeti Luani. “Edhe unë e kam tejkaluar normën, shoku kryetar. Kam ngrënë gjemba dyfishin e sasisë që më takon”. Luani u ngrit i revoltuar në kulm dhe tha: “Ti na e paske fajin, mor jezit! Shokë nuk ka nevojë të bëjmë autokritikë”.

Qysh të nesërmen gazetari Vangjush Gambeta i pat thënë Nikos se dy poezitë e mia ishin me zarar. Nikua mori menjëherë masa: bllokoi shpërndarjen e revistës në zonat veriore dhe bëri çmos që numurat e vënë në qarkullim tërhiqeshin nga pikat e shitjes. Disa ditë më vonë, kur po pinim nga një gotë te “Tymka”, afër Sahatit, më tha: “Shpëtuam, më duket. Mua do të më hiqnin nga puna, por ty mund të të vinin hekurat, mor Kyçyk!”.

Veprimtaria krijuese e begatë e Niko Nikollës, meritat e panumurta në luftë e pas saj, si intelektual erudit dhe kuadër drejtues i shquar, me shpirt demokrat, meritojnë vlerësime maksimale.

Sa herë shoh dy shtatoret e Lasgush Poradecit e të Mitrush Kutelit në vendlindje, them se ato duhet të shoqërohen nga një panteon me figura të tjera si Gjergj Pekmezi, Jani Basho, Shaban Blloshmi, Niko Nikolla...

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page