top of page

NGUJIMI NË KULLË

Vullnet Mato


NGUJIMI NË KULLË

Tashmë kam marrë emrin, Oso Kuka,

ngujuar në kullën, ku gatuhet buka.

Sfidoj epideminë kineze Koronavirus,

që kërkon para kohe, në varr të më fus.


Në frëngjitë e kullës, s’kam pushkë,

vetëm hudhra, uiski e dezinfektus,

ta godas nga brenda, po të avitet,

me mjetet rrethanore, nëse vritet.


Ky bajloz i zi, me ushtri të padukur,

zbarkon i maskuar, mes reve strukur,

Edhe Gjergj Elez Alia, të ishte gjallë,

s’do kishte ku ta qëllonte me pallë.


Ky armik është një hiç i llahtarshëm,

shumë më i egër se çdo i mëparshëm,

vret e shuan njerëz, të moshës sime,

pa dallim ngjyre, seksi e koka pa qime.


Mbyll dyer në shkolla, teatro, markete

dhe kë gjen rrugës, e merr me vete,

ta shpjerë menjëherë në botën tjetër,

siç ka bërë dikur, murtaja e vjetër.


Mund të shpëtoj, brenda kullës të jem,

po s’kam ç’bëj, po më hyri me oksigjen

dhe duke mposhtur, të miat përpjekje,

me ndal frymën, me puthjen për vdekje.


Deri tani, mjekësia ngre duart përpjetë,

se ky i pabesë, vdes dhe mjekët vetë.

E di, që kanë medikamente pa vlerë,

shuan etjen me to, e s’i bëjnë qeder.


S’pyet për poetë, shkencëtarë, president,

gjuan me rrufe këdo, në çdo kontinent.

Raketa e thumbit të tij, godet me precizion

edhe po të fluturosh në qiell me avion...


Rrallimin që s’bën luftërat, siç tha Maltusi,

bën ky kriminel i tmerrshëm, Koronavirusi.

me fuqi shfarosëse, disa bomba atomike,

në thumbin e vet, me imtësi mikroskopike.


Ka helmin e njëmijë gjarpërinjve me emër,

të pickon befas, të ndal gjakun në zemër.

Po s’u shpik kundërhelmi, për thumbin e tij,

do bëjë në glob, më të madhen batërdi...


O Zot i plotfuqishëm, lutem mëshirës sate,

më mbro nga kjo hasmëri, lakuriqësh nate!

Se tani më shpëton, veç ti, o i madhi Zot,

mos të shkoj për lesh, nga kjo botë!...

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page