PESË POEZI NGA MYSLIM MASKA
NGRICË E TMERRSHME…
Bën ngricë e tmerrshme,
Gati po ngrijmë,
E vetmja gjë që mund të bëjmë
Të ndezim zjarr…
I mblodhëm shkarpat
S’kemi shkrepse!...
MUZIKË DHOME NË KATËR KOHË
1
Sa u zhveshëm,
Krisën xhamat;
Trupat tanë
U mbushën me grimca yjesh.
(Edhe dy stralle që përplasen
Vezullojnë).
Jashtë dridheshin pemët,
Sa zogjtë
S’dinin ku të uleshin…
Një këpucë e jotja digjej
Bashkë me tavolinën
Nga cigarja ime harruar ndezur.
Kush dreq e theu cigarembajtësen?...
2
S’di kush e vodhi çelsin,
Siç e di mirë që xhamat e dritareve
I morën fëmijët jashtë
Dhe i bënë balona,
Kur unë e ti
Dridheshim e digjeshim
Në krevat
Ngethyer.
Dimër të tillë paçi
Dhe në pleqëri
O njerëz.
3
Zogjtë fluturuan pa e ditur për ku!
Foletë u kalbën,
Pemët u thanë;
Qielli u bë tokë:
Sa fëmijët loznin me yjet si me prushin.
Toka u bë qiell,
Ngjyrë meiti,
Dyll:
Kur hodha sytë lart,
Qava hidhur,
Se s’pashë asnjë yll…
4
Kur morëm flake
E u shkrimë,
Heshtëm
Si llavë e ngrirë.
Atë çast
Si një gjethe e florinjtë
Ra hëna në rrugë.
E mori një i verbër
Dhe deshi ta fuste në shpirt
(Meqë atë çast sikur pa dritë!)
Po kur ndjeu ulërimë yjesh,
E hodhi prapë
Në qiell…
Comments