Ngjyrat e fjalës "O Jeetooo"
Nga Mentor Serjani Poet,Publicist
Shprehja " o jeto" është e vjetër,e rrallë,e bukur dhe e veçantë sa vetë jeta.Pasuri gjuhësore,kulturë e lartë komunikimi dhe krenari e veçantë me të cilën kanë të drejtë të mburren Bregasit,ajo ka brenda të gjitha ngjyrat e "ylberit shpirtëror" .Ajo është një fjalë e thjeshtë përshëndetse dhe e rrallë në leksikun e Shqipes me një ngarkesë shumfish emocionale që rrjedh thellë nga shpirti i njeriut për të shprehur dashurinë dhe mirënjohjen,trimërine e përballjen,dhimbjen dhe hakmarrjen,ndaj vetes e të tjerëve në shkallën e tyre siperore.Për sa kam lexuar,dëgjuar,parë e lëvizur në Shqipëri apo gjetkë , asgjëkund nuk e kam hasur këtë fjalë perlë që është një pasuri fatlume e jona . Asnjë studiues,shkrimtar,njeri i letrave, artit etj ,në bregdet e me gjerë nuk është marr' me këtë veçanti të veçantë.Dhe të tilla bukuri me sa duket kanë të bëjnë me të vetëm dhe të veçanta në frymorë,sende e gjithcka ,dhe do të thoni ju kush e mori këtë fjalë lapidare dhe e analizoi,studioj dhe zbërtheu kodet e saj në këtë labirinth të ndjenjave të brendshme të fjalës ?Natyrisht është fjala për djalin e vetëm të Theofan Laskës,pra Spiro Laska ,rastësia thuhet në filozofi shpreh një gjë të domosdoshme,pra kështu ndodh në fshatin e Spiros, Piqerasin,i vetëm Vasil Llaçi dhe akti i tij fatlum i dha titullin Hero i Popullit,i vetëm ky fshat që në fjalëformimin e tij ka dy foljet Pi dhe Qeras një cilësi e mikpritjes shqiptare,i vetmi në bregdet që relievi i tij i pozicionimit të fshatit i ngjan një anijeje të ankoruar në breg.Librat kur i lexon për herë të dytë,kupton në të vërtetë thelbin e tyre dhe të mbetet në kujtesë çdo gjë e mirë që ai përcjell,esencialet e tij,tamam si ai brumi i ardhur apo vera e vjetër që sa më shumë kalon koha,aq më shumë rritet vlera dhe cilësia.Vetë magjinë e kësaj fjale e kam përjetuar në vitet e shkollës tetëvjeçare kur rrugës kembësore që shkonim në Piqeras .Pershëndetjes sonë,- mirmëngjes,-gratë e brigadave të bujqësisë të dy fshatrave tona që punonin në ndihmë të njëra-tjetrës i përgjigjeshin:"SHKUAT JETOO",jehona e kësaj fjale na shoqëronte si një hymn , na tingëllonte si zilja e shkollës në periudhën shtator-qershor në pikpjekjet dhe pikëndarjet tona me ato,që ne u therisnim me emrin e pergjithshem Mëmë,apo Nënë filania duke shtuar pas mbiemrin përkatës.Por le të mos zgjatem me me parantezën time,se ndoshta ju lodh edhe zbeh bukurinë e fjalës Lexoni me poshtë sprovën e mprehtë letrare te SPIRO LASKES,që është epilogu i librit: "Piqerasi ,patronimia ,toponimia dhe gjeografia e tyre" botuar në vitin 2012 nga shtëpia botuese "Milosao" në Sarandë
.OO… JEETOOO…!!!
Nga Spiro Theofan Laska Shkrimtar
“Oo Jeetoo!”, Shprehje monopol vetëm e Bregdetit,
ekskluziviteti i së cilës ka qënë e pamundur të emigronte në
enklava të tjera dhe në popuj të tjerë. Dhe në Bregdet, ajo nuk
mund të përdoret nga gjithë popullsia. Ajo është një fjalë
shumë fisnike dhe qibare, është një klithmë poetike, në shtratin
dhe klimën e saj. Kjo klithmë poetike merr kuptim vetëm në
Bregdet, kur del nga buzët, goja dhe dhimbja e shpirtit, të
nënave të përvuajtura, me virtyte të larta, me tradita njerëzore,
me zëmër të madhe, që u dridhej zëmra dhe shpirti, jo vetëm për
të vetët, por edhe për të tjerët, duke i quajtur bijë dhe bijat e
tyre.
Oo Jeetoo! Binom me ison himarjote “oo djeemoo”! E cila
fillon me thirroren “o”, vazhdon me një “e” të zgjatur dhe
mbaron me pasthirmën “o”. Të gjitha bashkë, formojnë atë vijë
melodike, të domosdoshme për vazhdimësinë e këngës, pa të
cilën ajo do të vdiste.
Oo Jeetoo! Është një urim, një premtim dhe një besë e dhënë, një mbrojtje e karocuar, që thyen ligjin e jetëvdekjes. Është shprehje filozofike lapidare e gurrës popullore, vijë melodike e klimës shpirtërore, ku ndërthuren vuajtjet, brengat, lotët; për egzistencën, mirkuptimin, besnikërinë, tolerancën, thirrjen për paqe: për vazhdimësinë dhe përjetësinë e jetës. Oo Jeetooo!, Shprehje opozitë e sinonimeve të tjera me shumicë, si: mbret, sulltan, vezir, pasha, hirësi, ministër, drejtor, shokë, zotëri, të cilat kanë patur jetë relativisht të shkurtër dhe jo përjetësinë dhe fuqinë shprehëse të saj. Ooo Jeetooo! Është themeli i moralit dhe i virtytit njerëzor të nënave tona, është mekanizmi që vepron në jetën e tyre: duke dhënë jetë, duke dhuruar jetë, duke shtuar jetë, duke shënjtëruar jetë. Mirë Jetoo!, Të jesh mirë Jeetoo!, Me kujdes Jeetoo!, Mbërtheu të mos ftohesh jetoo! Mos ke uri Jeetoo!, Të të bëj pak bukë ta marish me vete, Jeetoo! Në këto fjalë, mplekset meraku dhe kujdesi, fatkeqësia dhe lumturia, lotët dhe gëzimi, dashuria dhe mikpritja, këshilla dhe urimi, të cilat dilnin nga zëmrat e tyre të pastra, të përvuajtura; ndërsa duart dhe sytë e tyre nuk do të rinin të qeta; ato do të shoqërojnë fjalët, duke të parë drejt në sy; për të kuptuar më tepër nga ato që dëgjojnë, kurse dora do të përkëdhel, herë krahun, herë gjoksin, herë flokët. Do të kontrollojnë si je veshur, ç’farë të mungon dhe do të lexojnë në sy, ç’farë brenge mund të të mundoj. Në fund, ato do të nxjerin diçka nga futaja, ndonjë kokër arë, fiq të thatë, portokalle; duke t’i futur me zorë në xhep. Vetëm atëhere ato do të qetësohen, por jo plotësisht, do të të shoqërojnë me shikim plot merak, deri sa të largohesh, për të kuptuar në se kishe ndonjë shqetësim. Ato e dinin se e keqja, djallëzorja, janë përherë më të fuqishme se ëngjëllorja. Ç’binte minuti nuk sillte viti. “Jeta, e djalit, e vajzës, e vëllait: ështe jeta ime. Jeta, e djalit, e vajzës, e vëllait të nënave të tjera, është jeta e tyre. Po të vdes jeta, ke vdekur dhe vetë, kanë vdekur dhe nënat e tjera, sepse edhe po të rosh, jeta s’ka më kuptim, kthehesh në një qënie që mer vetëm frymë; bëhet jeta pa kuptim, pa emocione, pa gëzime. Pa ata, gëzimet sado të vogla qofshin kthehen në lot, kurse hidhërimet, kthehen në kuje dhe bëhen të papërballushme. Jeta e tyre është më e shtrënjtë, sepse pa ta, jeta jonë s’ka më kuptim; dhe jo vetëm jeta ime, por e gjithë brezit tim. A mund të jetoj brezi im, në qoftë se do të pësoj gjë brezi fëmijve tanë?!. A ka kuptim më jeta ime pa ta?!. Po të jetojnë ata, do të jetojmë edhe ne, do të lumturohemi edhe ne me jetët e tyre. Vazhdimësia e jetës ka ligjet e veta, e reja zëvëndëson të vjetrën, e kundërta është katastrof, kataklizmo, e papërballueshme për ne”. Fjala Jeetoo! Merr pjesë gjërësisht në proçesin jetësor, në gëzime dhe hidhërime; ajo thuhet jo vetëm për të gjallët, por dhe për të vdekurit. Oo Jeetoo! qahet djali i vetëm dhe vdekje të tjera në moshë të re. Qahet jeta e tij që se gëzoi dhe, për jetët e tjera që i pikëlloi, jetën e nënave që ua ndërpreu për së gjalli Fjala Jeetoo! nuk përdoret vetëm për bijtë, bijat, vëllezrit, dashamirët, miqtë; por dhe për armiqtë. Në këtë rast fjala Jeetooo! Merr një intonacion tjetër: pasthirma shkurtohet, diftogu “ee”, e rudhë tingullin dhe shqiptimi del në trajtën “Jeto!”. Fjala “Jeto!”, tashmë është një kërcënim, një kujtes, se jeta jepet vetëm një here, si dhuratë e perëndisë. Dhëmbët shtrëngohen, buzët rudhosen, vetullat ngrysen; mirësia, dhëmbshuria, përkujdesi, ja lënë vëndin, gjithmonë e më tepër, një mallkimi. Fjala “Jeto”, tingëllon më tepër si një vendosje ekulibrash, si një kujtes për jetën që duhej jetuar, si një premtim dhe një besë e dhënë për të tashmen dhe për të arthmen; për mirkuptimin, për bashkëjetesën. Është si një dridhje shpirtërore, për të mos kaluar në rezonancë. Sepse, në fund të fundit dhe ata bij nënash janë. Ajo ka brënda tolerancën, daljen e njeriut jashtë vetes, hapjen e zëmrës ndaj të tjerëve, dëshirën për komunikim, si gjëja më sublime e nënave tona. Fjala Jeetoo! Megjithëse e ardhur që nga lashtësia, ngelet e njëjtë nga intonacioni dhe fuqia shprehëse. Është ndoshta fjala që nuk ka evoluar dhe, i ka rezistuar erozionit të kohës; duke ruajtur thellësinë dhe gjërësinë e saj. Ajo shfaqet në të gjitha aspektet e jetës; që në lindje deri në vdekje, që nga dasmat dhe deri tek varimi, për të mbetur fjalë lapidar, vetëm në buzët, gojën, zëmrën e nënave tona. Oo Jeetooo! Një iso e fuqishme statike plot lëvizje të brëndëshme, jehonë e vazhdushme, e një marsh triumfator në qiejt e shekujve, bashkë me Perënditë e Olimpit.
Comments