top of page

NGJYRA E POEZISË SË TIJ


HAMIT ALIAJ DHE NGJYRA E POEZISË SË TIJ Shënime mbi një cikël poetik

Nga Timo Mërkuri

I-Sa herë që lexoj poezi të Hamit Aliaj më kujtohet vargu i parë i një kënge hasjane:“Mori e mira në dritë të hënës” dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Parafytyroni ju lutem një vajzë të trevave veriore në një natë dimri tek ecën në një shpat mali nën dritësimin e hënës. Parafyty-rojeni që kjo ecje ndodh në një natë dimri me dëborë të ngrirë, ku dritësimi, si pasojë e reflektimit të dritës së hënën është gati marramendës. Për së largu, me gjithe lbyrjen e syve nga dritësimi dallon jo vetëm konturet e përgjithëshme por ndjen edhe tiparet e qeshura të vajzës tek nxiton drejt çastit të lumturisë. Prej së largu ajo vajzë duket si një zanë mali, që lëshon (apo reflekton) valë drite në çdo hap që hedh dhe ti hutohesh e ngurosesh në shikim. II-Nuk është i kotë dhe pjellë fantazie ky përfytyrim: Poezitë e Hamit Aliaj kanë një bardhësi alpine që të lbyr sytë, madje këtë bardhësi e kanë edhe pemët e poezive të tij mbi të gjelbërtën e gjetheve, edhe ujrat mbi syprinën apo valët e kaltërta, madje e kanë edhe shtëpitë ndërtuar me gur gëlqeror a të hirtë. Këtë bardhësi nëpër vargje e kanë edhe luftërat mbuluar nga kamnoi i dyfeqeve, madje e kanë edhe plagët mbi të kuqen e gjakut. Është një dritësi e bardhë që vjen prej së largu, si prej kohësrash të herëshme, si një dritë yllësish që janë shuar diku, dikur e drita e tyre në ecjen e pasvdekjes, si shpirti ndalet, mbi vargjet e poetit, thua se ai është destinacioni i mbramë apo “parajsa” e tyre. III-Në kërkim të arsyes së kësaj bardhësie sheh se fjalët nëpër vargjet e Hamit Aliaj janë gurë si të ardhura nga epika, të cilat ndonëse janë gdhendur e latuar në gjuhën standarte, ende kanë brenda tyre një dritësim epik. Do ishte e natyrëshme që mbi këto fjalë të kishte mbirë myshku i vjetërsisë, por ja që ato ndrijnë si një vajzë nën një dritë hëne. Ndoshta janë fjalë të arta a të lyera me ar apo koha ka kaluar mbi ‘to duke u fshirë myshkun e harrimit, a ndoshta yjet dhe hëna e kanë depërtuar dritën e tyre në ato fjalë dhe e ka bërë atë (dritën) pjesë struktu-rore të tyre.

HAMIT ALIAJ

IV-Ajo që është më interesante te poezia e Hamit Alisë është fakti se ngjyra e bardhë e vargjeve të tij ka “aromë”. Jo aromë gëlqereje si gjithë shtëpitë e porsa-lyera, por një përzierje aromash kohërash të ndryshme që gjithsesi të pëlqen. Aroma e ngjyrave të poezisë së tij ka diçka nga e rrënda e epikës së djeshme dhe e lehta e së sotmes, si një “aliazh” aromash. Kjo shpjegohet me faktin se “ndërtesa” e tij poetike është moderne, por “fryma” brenda saj është epike, era që hyn nga dritaret është e “kohës”, por që brenda poezisë merr diçka nga epizmi dhe “epizohet” pjesërisht edhe ajo. Në këtë proces nuk ndikon fakti se poezia flet për një temë të vjetër a të re, një dashuri a një dasëm të sotme a të djeshme, një dërgatë shtetërore për një takim a marrveshje ndërkombëtare të sotme. Ato marin epizmin dhe frymën e tij. Le ta shohim këtë process te poezia “Dërgata”: “Dërgatë e nisur qyshse s’mbahet mend Në mesnatë mbërriti, nëpër qiej pa zota Në çanta kishin natën e fantazmave perandorake Që botën e dridh tash e sa mot.

Të pret Mbretëresha e Madhe që e prite një shekull, më thanë, Po para se të shkosh, Në shenjë qytetërimi dhe për sigurinë e Mbretëreshës plakë Duhet t’i vrasësh të gjitha kafshët brenda teje… Pyll i madh, plot ushtima isha.

……………………………….

Kur mbërrita tej deteve, Mbretëresha plakë kishte vdekur Dhe pylli brenda meje s’kish më asnjë kafshë Përralla s’do kish tash e mbrapa, Me kë t’i dimëroj dimrat e gjatë” ?!

V- Kur lexon poezinë e Hamit Aliaj të duket se je diku në një majë mali dhe prej andej e hedh shikimin mbi njerëzit e ngjarjet, të cilët i sheh si nëpërmjet një tisi të hollë mjegulle. Duhet të keshë sy të fortë e mendim të qartë që të dallosh konturet fizike të njerëzve, ngjarjeve a kohërave për të cilët shkruan poeti, duhet të zbërthesh metaforën e tij tipike që ta kuptosh e shijosh poezinë. Më kujtohet një varg i poetit që e kam lexuar dikur: “Për makinë dasme patsh një breshkë”. Sigurisht që qesha kur e lexova sepse parafytyrova një nuse të hypur mbi breshkë në udhëtim dasme për te shtëpia e dhëndërit. Edhe fqinjë t'a kishte dhëndërin i duhej një muaj të mbrinte, le më po t'a kishte te fshati fqinjë. Pastaj parafytyrova nusen, një vajzë e turpshme që gjithsesi pret me padurim të mbrijë te burri, të hyjë në gjerdek e t'a përjetojë çastin magjik aq të ëndërruar e të panjohur. Dhe mendo kohën e pambarimtë të udhëtimit mbi breshkën taksi: kjo kohë është një torturë e tmerrëshme. Kështu që ky "urim" në vetvete është një mallkim epik. Muji dikur klithi që do ja digjte kullat për katërqind vjet hasmit të tij, por unë ju them se: nuk është gjë djegia e kullave katërqind vjet rresht përpara torturimit të kësaj nuseje hipur mbi breshkë. VI- Nuk e di në se e ka theksuar ndonjë autor qënien e muzikalitetit në vargjet e Hamit Aliaj, por unë ju them se në vargjet e tij ka një muzikalitet tipik. Ne jemi mësuar ta shohim muzikalitetin në vargjet e Naimit, Poradecit, Nolit, Lefter Çipës e shumë të tjerëve që shkruajnë me një varg të regullt, por ne nuk ja kemi vënë veshin muzikalitetit të poezive të Hamit Aliaj. Unë ju them se poezitë e Hamit Aliaj kanë brenda tyre një muzikalitet tipik, që nuk këndohet me këngë isopolifonike apo me këngë qytetare. Muzikalitetin e saj poezia e Hamit Aliaj e ka sa hyjnore aq dhe gjëmimtare, si të ardhur edhe ajo nga epika, me ngjyrën dhe aromën e saj, që këndohet vetëm me lahutë dhe në pak raste me çifteli. Metaforat e tij tipike nuk melodizohen veçse me tupan apo këngë të tipit majëkrahu. VII- “Hamit Aliaj është i ndërtuar prej poezie” kam lexuar diku. Hamit Aliaj është më shumë se kaq, Hamit Aliaj është një shkollë moderne e poezisë shqipe, ku ai s'ka nevojë të mbajë leksione. Mjafton që të shkruajë poezi dhe ne ti lexojmë. Do bëhemi më të bukur e më të ditur.

Sarandë, më korrik 2022

47 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page