top of page

Ngjarje të vërteta


Nga cikli: ”Ngjarje të vërteta”

Sakip Cami


1. Prefekti


Ishte viti 1999. Në qytetin verior kishte filluar eksodi i kosovarëve, që shpërnguleshin me forcë nga trojet e tyre. Kukësi ishte qyteti dhe qendra e parë e pritjes së tyre.Një angazhim i jashtëzakonshëm i strukturave të shtetit shqiptar. Zv. Ministri i pushtetit lokal e kishte zhvendosur zyrën në Kukës. Flinte në një hotel së bashku me shumë pushtetarë të tjerë, ushtarakë, shoferë etj.

Shumë netë të ftohta të kaluara së bashku si edhe shishe pafund konjaku të rrokëllisura për tu ngrohur.

Pas mbarimit të luftës dhe kthimit të kosovarëve në trojet e tyre, “tiranasit” u kthyen në kryeqytet.

Zv.ministri u emërua prefekt.

Hajro, një nga oficerët më të përgatitur që kishte qenë në Kukës, u lirua. OÇ’të bënte? Pa asnjë të ardhur, me fëmijë të vegjël për bukën e gojës, merr çantat dhe del e shet rroba te “Rruga e Elbasanit”.

Kalon prefekti me makinën e prefekturës dhe me të njëjtin shofer që kishte patur në Kukës. Dikush në rrugë i ngjan me Hajron. - Ore, Hajro ishte ai ? E pyet shoferin.

-Po, Hajro, i përgjigjet shoferi, e kanë liruar dhe shet rroba për të mbajtur familjen.

-Kthehu, ta takojmë, e urdhëroi Prefekti.

U takuan me mall. Në pak minuta folën për netët e ftohta që kishin kaluar në Kukës.

-Dëgjo Hajro, nesër në ora 08.00 të jesh në prefekturë.

Të nesërmen që herët në mëngjes Hajro u gjend te prefektura.

E priti shefi i personelit. Nuk është nevoja ta takosh shefin, i tha ai, sepse që tani e tutje ju do të punoni në prefekturë, në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Paraqitu edhe te financa sepse të drejtat financiare të kanë filluar para 15 ditëve. Suksese !


2. Komandant Rustemi


Ishte viti 1975. Për mua ishte viti i tretë, viti i përfundimit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve.

Ushtria sapo kishte kaluar “pasojat” e “grupit puçist”. Në batalionin e sigurimit bëhet një gjyq model “për të marrë shembull”. Dënohen maksimalisht katër oficerë të rinj. Kërkohej disiplinë e hekurt por e ndërgjegjëshme….

Në Shkollën tonë dy kursantë largohen pa leje. Alarm ! Njoftohen degët ushtarake, familjet dhe pushteti vendor. Për 48 orë kursantët u kthyen. Filloi gjyqi shoqëror si gjyq paraprak. Diskutim në organizatën e Rinisë. Në mbledhje do të merrnin pjesë një i deleguar i Komitetit të Partisë dhe Komandës si dhe një i deleguar i Komitetit të Rinisë së shkollës. Nga Komiteti i Rinisë së shkollës u caktova unë. Të gjithë ju shmangën, ndërsa unë nuk kishte nga të luaja. Në Komitetin e Partisë, komandant Rustemi tha se do të shkonte vetë. Fjala e tij ishte ligj.

Mbledhja filloi e tensionuar. Kishte flamurtarë që u shprehën të prerë për përjashtim nga shkolla. Të përjashtoheshe nga shkolla ushtarake do të thoshte të pushkatohesh politikisht. Kjo ishte shprehja që përdorej në atë kohë. Argumenti dihej: “Si mund të bëhet oficer dhe të edukojë ushtarët, një njeri që ikën nga fronti i luftës, nga detyra luftarake ??

Komandant Rustemi, autoritar deri në madhështi u kthye nga unë dhe më pyeti:”Si mendon ti o rini?

Unë ngriva dhe mbeta pa fjalë.

Pa pritur përgjigjen time ai më tha:”Janë të rinj, kanë bërë gabim, por do të përmirësohen.”

Përsëri heshta, ndonëse e kuptova se Ai donte ti ndihmonte. Ai i donte kursantët si fëmijtë e tij.

“Ngrihu o Rini dhe tua japim dorën.”

Unë u ngrita i çliruar dhe fola pa frikë e mëdyshje. Thelbi i fjalës sime ishte porosia e tij.

-Po, po, tua japim dorën, foli komandanti, akoma pa mbaruar fjalën unë.

Mbledhja mori kthesë tjetër. Të rinjtë kursantë bënë autokritikë.

Ata u bënë oficerë shumë të mirë dhe shërbyen me devotshmëri në repartet e ushtrisë.

Nuk e di a e kujtojnë këtë mbledhje dhe këtë njeri që ua mbajti ndezur shpresat ??


3. Njeriu që nuk ja mësova emrin


Në malin e Gollubicës kryheshin punime fortifikuese. Mali çahej me mina e brenda tij gjarpëronin transhe e hendeklidhje për strehimin e ushtarëve, rezervistëve e vullnetarëve.

Ndërmarrja Gjeologjike, për t’iu përgjigjur planit të detyruar kishte caktuar punëtorët e saj, kryesisht vendas.

Ishin minatorë profesionistë, por dihet që ky profesion për nga shkalla e rrezikshmërisë ngjason me atë të xhenjerit dhe të elektriçistit. Gabimi të kushton jetën. Kështu ngjau edhe me dy minatorë nga një fshat aty afër që u plagosën për vdekje nga shpërthimi i minave. Ishin të martuar dhe kishin nga katër fëmijë.

Të parët që dëgjuan shpërthimin dhe klithmat njerëzore ishin ushtarët e ndërlidhjes, të cilët vrapuan t’ju jepnin ndihmën e parë, ndërsa ndërlidhësit e turnit njoftuan me shpejtësi Brigadën e Këmbsorisë së Qytetit B.

Brigada urdhëroi repartin kundërajror që t’u shkonte për ndihmë dhe ndërkohë nisi autoaumbulancën ushtarake dhe mjekun ushtarak Sh. T.

Mobilizova një grup ushtarësh, kryesisht shoferë dhe nën drejtimin e shefit teknik, automekanik Nekiut nxorrëm treshin luftarak dhe u nisëm drejt Gollubicës. Rrugën e bëmë me kujdes, por me shpejtësi që të arrinim sa më parë, pasi jeta e dy minatorëve ishte në rrezik.

Kur arritëm ç’të shikonim?

Dy minatorët ishin mbuluar nga dheu e nga gjaku. Njërit prej tyre, një gur i ishte ngulur në fyt dhe i kishte çarë aortën e djathtë, aortën që furnizon trurin me gjak.

Gjaku vazhdonte të rridhte. Mu kujtua se gjëja e parë që duhet të bëja ishte të bllokoja rrjedhjen e gjakut. Me gishtin e madh dhe me dy gishtat kryesorë të dorës ja ndala gjakun, por gjaku nuk duhej të derdhej kot, por duhet të shkonte në tru, ku nga minuta në minuta mund të ndodhte paraliza e tij. Këtë punë e kreva vetë, pasi nuk mund t’ua besoja ushtarëve të rinj e pa përvojë.Qëndova në karroceri ku kishim shtrirë mbi një badanije edhe të plagosurin rëndë. Shoku i tij ishte jashtë rrezikut për jetën dhe në vetëdije të plotë.

Kur arritëm në qendër të fshatit Z na priste autoambulanca e ushtrisë me mjekun dhe ndihmësmjekun ushtarak. Ata pasi bënë disa ndërhyrje të specializuara u nisën në drejtim të spitalit të qytetit P

Atë natë grupi i ushtarakëve qëndroi pranë tyre derisa rreziku për jetën kishte kaluar.

Pas disa ditësh dy minatorët, tanimë të shëruar u kthyen në shtëpitë e tyre.

Po kush ishin ata, si i kishin emrat , nuk e mësova kurrë.


4. Mora ministrin në telefon.


Ky është titulli i një poezie të Martin Cukallës, në atë kohë drejtor i minierës së kromit të Bulqizës. Martini ishte poet i lindur , me frymëzim, që kishte shkruar që në rini, por puna e vështirë e drejtorit të minierës e kishte frenuar sadopak.

Ardhja e Zija Çelës në Bulqizë në një stazh 6 mujor ndikoi në rizgjimin e poetit Cukalla.

Rrinin me orë të tëra netëve në shtëpinë e ushtarakve dhe diskutonin për letërsinë. Kështu Martini largohej si pakuptuar nga stresi i punës me shumë përgjegjësi të drejtorit të minierës më të madhe të kromit në vend, të kromit që çante bllokadën.

Zijai ishte kryeredaktor i gazetës “Drita” dhe ishte komanduar një tjetër në vend të tij, por i shkonte fjala njëlloj.

Në fillim botoi një cikël me poezi të Natashës, një mësuese e ardhur në Bulqizë dhe më pas nxiste pandërprerë Martinin që ta bënte gati një cikël.

Dhe cikli u botua. Njëra nga poezitë titullohej:”mora ministrin në telefon”.

Ministri H.Ç, anëtar i BP njoftohet për poezinë. Reagimi i tij, pas sarkazmës së shokëve të tij “se ja si ta bëjnë ty vartësit” qe shumë i ashpër, por Martini ishte mal që nuk tundej.

(Për hollësi pyetni Martinin dhe Zijain se unë poezitë e mija i shkruaja nga Reparti N në malin e Gollubicës dhe çdo të dielë mezi prisja gazetën “Drita”.)


5. Gjenerali

Një miku im nga Tropoja më ka treguar:”Aty rreth vitit 1960 u bë një stërvitje e madhe ushtarake në Tropojë.

Një grup ushtarakësh, në mes tyre një gjeneral që mbante gradën e gjeneral leitnantit dhe detyrën e zv. Ministrit të Mbrojtjes erdhi në shtëpinë tonë në Tropojë të vjetër.

Gjenerali njihej nga uniforma që shkëlqente dhe shiritat e kuq e të mëdhenj. Vëllai i madh u hapi derën e madhe të avllisë dhe i ftoi në shtëpi.

-Do ta pijmë një ujë të ftohtë, tha gjenerali.

-Shpejt merr një sapllake dhe një gotë, më urdhëroi vëllai i madh.

Ishim vetem ne të dy, unë dhjetë e vëllai i madh dymbëdhjetë vjeç, por duhet të prisnim miqtë njëlloj sikur të ishte baba.

-Hyp edhe në mollë e na mblidh do mollë se sapo janë pjekur, vazhdoi me urdhërat vëllai i madh.

Ushtarakët e lartë nga Tirana pinë ujë të ftohtë mali dhe hëngrën mollë me aromë mali dhe dolën të kënaqur.

…Kaluan shumë vite. Unë shkova ushtar dhe më mbajtën nënoficer në ushtri. Shërbeva jo pak, por deri kur dola në pension.

Atë ditë dhjetori të vitit 2004 zhvillohej një ceremoni për 85 vjetorin e gjeneral Rrahman Parllakut. Një grupi ushtarakësh që po dilnim në pension na shpërndanë certifikata mirënjohje. Kur më erdhi mua rradha të tërhiqja mirënjohjen, ministri i mbrojtjes tha:”këtij tropojanit do ja japë gjeneral Parllaku.

Gjenerali mu drejtua: “ Nga çfarë vendi në Tropojë je ?

-Nga Tropoja e vjetër, ju përgjigja unë.

-Po unë kam qenë në shtëpinë tënde në vitin 1960, kur bënim atë stërvitjen e madhe. Cili je ti, ai që hypi në mollë, apo ai tjetri?

-Unë jam ai që hypi në mollë …

Kishin kaluar 44 vjet dhe gjenerali mbante mënd edhe detajet e vizitës së tij në shtëpinë time…

42 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page