top of page

Nga letra që shkrimtarët Qako Proçka dhe Qato Vjeshta...


‘UDHËZUES PËR SHITJEN E LIBRAVE’


Nga letra që shkrimtarët Qako Proçka dhe Qato Vjeshta i dërguan

Ministrit të Kulturës dhe Arteve



...prandaj kjo gjendje duhet përmbysur, përmirësuar të paktën. Është e padurueshme, esenciale, primare, kontemporane, nuk duhet toleruar. Propozojmë. Ku mund të shiten librat. Një. Në shkollat nëntëvjeçare. Dy. Në shkollat e mesme. Tre. Në Universitete. Katër. Në repartet e policisë. S’ka! Duam ta kulturojmë e ta mbrothësojmë këtë vend e këtë popull? Ja librat e Helenës, Fehmiut, Mahmudit; natyrisht, madje në krye të punës, edhe veprat tona të botuara këto kohë. Pensionistët. Duan të marrin pensionin? Tëk, futu një libër si me lezet nën sqetull. Epo ndryshe s’bëhet. Tjetri desh u dogj para ca muajsh, me gjithë libra.



E hidhte kaq kokrrën e lotit. Z. Ministër, edhe në bizneset kryesore mund të shpërndahen librat artistikë. Do regjistrohet biznesmeni? Ja edhe një libër, kultura kombëtare para së gjithash. Tjetër. Furgonat. A qen bir qeni, do të ikësh pa paguar, ë... S’ka! Bileta biletë, letërsia letërsi. Tiranë-Elbasan, një libër me poezi soset. Romanet te tragetet. Atje, katërqind faqe s’janë gjë fare. Madje ata duhet t’iu luten letrarëve: shkruani sa më shumë o derdimenë, se mbetëm tërë udhës duke fjetur. Ka kohë, z. Ministër edhe për gjumë, edhe për të lexuar. Po gjithë këto krijime, t’i hedhim poshtë se nuk duan të lexojnë pilotët dhe stjuardesat? Shteti të vërë dorë. Ua kemi bërë me dije edhe në PROMEMORJE, ESE PROMOVUESE, nuk ka rëndësi ç’e quajmë. Ka kohë që po e hartojmë. Duam të dalë sa më e pjekur. Por edhe ju nga ana juaj... Hë, edhe te Tregu. Rrinë që rrinë kot gjithë ditën fshatarët dhe këta tregtarët e vegjël? Shpërndajuni nga një libër. Një të Qakos, një të Qatos, një të Maqos... Z. Ministër, bëni kujdes me kolosët e letrave...


……………………………………………………………………….


Fragmenti është shkëputur nga romani “Kurora e Ballkanit”/ Amazon, 2016.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page