Njeriu lakmitar është në një gjendje pakënaqësie të vazhdueshme. Megjithëse ka nga të gjitha, pra nuk i mungon asgjë, kërkon gjithnjë shumë e më shumë, pa ndjerë kurrë ngopje. Jeta e tij, dashur pa dashur, shndrrohet në një vuajtje dhe makth, ngaqë është përjetësisht i turbulluar nga vrapimi i çmendur pas pasurisë.
Bota në të cilën jetojmë njeh një progres teknologjik të paparë në krahasim me të kaluarën. Çdo ditë kemi në dispozicion përherë e më shumë mundësi e mjete që na e lehtësojnë ekzistencën dhe na i shtojnë konfortin; na krijohen mënyra të larmishme për ta kaluar sa më këndshëm kohën, çka na bën që kërkesat tona në lidhje me standardet e jetesës të rriten. Diçka që dikur konsiderohej si tekë apo kapriço, për shumicën e njerëzve është bërë tashmë një nevojë themelore. Kështu, fjala vjen, mund të pohojmë se jeta nuk mund të përfytyrohet pa televizor, pa telefon, pa internet, pa makinë vetjake, por, nuk duhet të harrojmë dhe as ta anashkalojmë kurrsesi faktin që shumë familje praktikisht nuk kanë ç’të hanë.
Gjithsesi, duhet pranuar se një gjë ka mbetur e pandryshuar tek njeriu në përgjithësi: dëshira apo mania për të grumbulluar sa më shumë pasuri. Kjo e fundit është një njollë që e largon individin nga të tjerët dhe e shndrron në një krijesë egoiste e të vetëizoluar, që nuk do të dijë ç’bëhet jashtë tij. Lakmitar mund të bëhet edhe i pasuri, edhe i varfri. Sigurisht pasuria nuk është një mëkat në vetvete, ashtu sikurse as varfëria nuk është virtyt, por mënyra si i këqyrim dhe si i përdorim bëjnë që ato të quhen të mira ose të këqia. Lakmia, - jo pasuria ose mungesa e saj, - është ajo që e shndrron edhe të pasurin, edhe të varfrin, në të babëzitur. I pasuri lakmitar harron hallet e të tjerëve, ndërsa i varfri lakmitar nuk pajtohet me gjendjen e vet dhe ka smirë ndaj të pasurit. Si njëri, ashtu edhe tjetri, lidhen mish e thua me vlerat lëndore, materiale, duke i trajtuar ato si qëllimin më të epërm të jetës, duke braktisur anën më të rëndësishme: kujdesin për shpirtin. Natyrisht kjo nuk do të thotë që njeriu duhet të lerë pas dore plotësimin e nevojave jetike të familjes dhe as të kthehet në moskokëçarës e përtac, por nuk duhet t’i verë të mirat materiale në plan të parë.
Përpjekjet për të rritur mirëqenien janë të lavdërueshme kur shoqërohen me djersë e ndershmëri, jo me dredha, mashtrime e grabitje. Cilido që arrin të sigurojë të ardhura të larta me aftësi e dinjitet meriton respekt sepse një biznesmen i suksesshëm, për shëmbull, merr në punë njerëz dhe i ndihmon ata të të sigurojnë mjetet e nevojshme të jetesës për familjet. Por e kanë hak përbuzjen dhe ndëshkimin ata që venë pasuri me mjete e metoda të paligjshme, në kurriz të të tjerëve e të shtetit. Të tillë, në ekonomi e në politikë, kanë mbirë si kërpudhat pas shiut dhe nuk çahen dot ngaqë janë të lidhur dhe mbështetin njëri-tjetrin.
Në mbyllje dua të ve në dukje edhe diçka: ndarja e pronave të trashëguara po bën viktima të panumurta, po armiqëson prindërit me fëmijët dhe këta me njëri-tjetrin. Kjo është një dëshmi e hidhur se deri ku mund të arrijë lakmia - simotra e egoizmit!.
Comments