Në shkollë ndërkaq, mësuesit më hiqnin herë pas here vërejtje se shprehesha ngatërrueshëm dhe përdorja disa fjalë e mbaresa, sipas tyre, të plakura e të dala mode. Gjuha e re që po flitej në shkollë më dukej e zbrazët dhe shpesh tingëllima e saj më kujtonte zhurmën e shëmtuar që lëshon një fuçi e zbrazur që shkon duke u përplasur nëpër gurë, ndërsa rrokulliset teposhtë një brinje. Gjithsesi edhe në libra, edhe në shkollë, gjeja plot fjalë që më pëlqenin e lidhesha me to, por në veçanti tronditesha, kur gjeja ndonjë fjalë ose shprehje të veçantë që së pari e kisha dëgjuar nga nëna dhe kjo më çudiste: si ka mundësi që edhe ky e paska ditur këtë fjalë të nënës sime? Më ngjante sikur dikush, i panjohur, ishte futur vjedhurazi në shtëpinë tonë dhe kishte plaçkitur fjalët tona të shtrenjta. Sepse, në fakt, gjuha që flitej në shtëpinë tonë, ndryshonte shumë nga të gjitha gjuhët që fliteshin rreth e rrotull, te fqinjët, miqtë, në shtëpitë e mësuesve, të doktorit, të nëpunësve, ose në shkollë.
Nga “Instinkti i fjalës”, libri Rrugë pa krye”
Comments