Ngërdheshja e injorancës para fytyrës së fëmijëve tanë!


Blerina Çizmja

Nga Blerina Çizmja

Kur interneti mbrëmë u ça nga Turi me kompani, unë isha e para që, megjithëse me fëmijën maturant, dyshova në gjithë zhurmën e bërë. Jetesa në një shoqëri ku ata që kanë të drejtë heshtin dhe ku paaftësia çirret e këlthet, na ka bërë mosbesues (për të përdorur fjalën më të butë të mundshme), skeptikë dhe rrjedhimisht, po na heq edhe atë fije ndjeshmëri që na ka mbetur nga të qenët njeri.

Nuk besova se kishte një të vërtetë në revoltën e të rinjve tanë, jo sepse kam besim në aftësinë e atyre që kanë zënë portat kyçe të institucioneve shkollore, administrative apo kulturore të këtij vendi. Ruajna Zot! I kam parë testet-sprova me të cilat kanë punuar deri më sot. Pyetjet kanë mungesa flagrante saktësie, çrregullime të frikshme gjuhësore dhe kuptimore, gabime elementare ortografike. Nuk besova sepse desha ta shoh me sytë e mi atë test që i vuri zjarrin rrjetit.

Le t’i lëmë mënjanë tërmetin, karantinën, mënyrën se si kaloi ky vit shkollor. Le të lëmë mënjanë edhe premtimin për një test të mbështetur në njohuri të marra më parë. Harrojini “lëshimet” që priteshin (dhe të cilat, personalisht, nuk i mbështes). I kemi çuar fëmijët në shkollë dhe presim të dalin të ditur prej saj. Dhe nëse sot ngremë zërin, nuk e bëjmë as për lëshime, as për t’iu shmangur përgjegjësisë që kërkon marrja e dijes. E bëjmë sepse kemi të drejtë; për aq sa kjo e fundit ka vlerë në këtë vend.

Le të ulemi me këmbë në tokë dhe ta shohim testin siç është. Një shembull të çfarëdoshëm do të jap. Korrigjimi do të jetë automatik. Një kompjuter ka të regjistruar algoritmin “e saktë” dhe do të pranojë si të sakta vetëm ato përgjigje që i kanë “thënë” se janë të sakta.

Cila është alternativa e saktë? Nëse në kërkesë lihet e hapur zgjedhja e grupit (pra, qytet, shkollë, ekip), secila prej këtyre alternativave mund të jetë e saktë. Ç’mendon vallë kompjuteri? Jemi në shkollë apo në kazino? Testohen dijet apo “dijet e marra” testohen sipas hedhjes së zarit?

Mora vetëm një shembull, për t’u treguar atyre që nuk janë në brendësi të çështjes, se problemi nuk është vetëm “Turi”, apo fotoja që do zbërthehej (që u ngjan atyre detyrave të klasës së parë, por që është një thikë pas shpine, sepse ti vlerësohesh pa e ditur as vetë mbi çfarë kriteri dhe për çfarë). Problem nuk janë vetëm gabimet gjuhësore, morfologjike e sintaksore trashanike. Problem është i gjithë testi. Problem është konceptimi dhe brendia e tij; problem është ngërdheshja e injorancës para fytyrës së fëmijëve tanë. Problem është kjo injorancë që pak nga pak po gllabëron gjithçka, pa u ndalur e pa turp… sepse injoranca nuk e njeh fjalën “turp” as gjuhësisht dhe as konceptualisht.

5 views

Shkrimet e fundit