top of page

Nexhi Baushi: TI JE VETË POEZIA


TI JE VETË POEZIA

Tregim


Anna hodhi vështrimin në oborr, te pemët e pështjella nga muzgu dukeshin sikur tulateshin e rrinin ngrohtë në atë qetësi prore. Nuri hijerëndë i pyjeve të fjetur, dhe të kodrave përqark, prej të cilave frynte dihatja e boçeve të pishës dhe lirisë, i mbushnin kraharorin me oksigjenin që aq shumë kishin nevojë mushkëritë dhe shpirti i saj. Përpara dukeshin ca filiza të gjelbërta që lodronin në shkretëtirat e halleve të përditëshme, vuri re ca imazhe vere plot diell që vraponin fluturimthi përpara syve të freskët të shpirtit, ca çaste të shkurtra shplodhjeje, nga mendimet që shpesh herë e mundonin – të gjitha këto iu shpalosën me vështirësi përpara syve, duke i krahasuar me udhëtarin e lodhur gjatë gjithë kohrave. Por ajo kishte një shpirt të ri; nuk kish as frikë as droje; fushat e gjëra dhe kodrat e ndriçuara prej diellit; agimi, mesdita, nata, yjet, cicërimat e zogjve, gurgullima e ujrave – të gjitha këto i japin gjallëri shpirtit të çdo njeriu. Megjithatë, asaj i dukej, sikur e kishte flakur një vrundull ere e beftë dhe e kishte vendosur në këtë vend magjik. Kishte plasur agu i një dite të re, mrekullia e reflektimit të artë të diellit që do të shpërthente për të ngjyrosur qiellin. Ishin grumbulluar tok në një stinë, zambakët, lule-borat, manushaqet, jargavanët, zymbulat, pranvera e purpurt dhe vjeshta e praruar, drita e diellit, shirat e rrëmbyeshëm dhe vesa mëngjesore, netët e paharruara, përsëri e përsëri, në shekuj, do të përsëritet i gjithë qerthulli i kohës që rrjedh papushuar. Këtë gjë po mendonte, ndërsa rrinte ulur në verandën e shtëpisë, në një nga ato karriget e hershme që kishin mbetur që nga të parët e saj. Kaq shumë kujtime qenë mbjellë në atë shtëpi!

Nuk ndodh shpesh, që një njeri i pjekur t’i ruajë përfytyrimet e rinisë. Dhe, çudia nuk qëndron në faktin se ndokush mund t’i ruajë ato, por në atë, që të gjithë i harrojnë - e ç’mbetet në të, kur i treten ëmbëlsia dhe naiviteti i rinisë, e cila çdo gjë e sheh me sytë e zgurdulluar nga habia?

Para shumë vitesh një mik i pat thënë:

-Keni rastisur të dëgjoni gugatjen e turtullit të pyllit në qetësinë e ditës verore; iu ka qëlluar të endeni në një përrua të panjohur, që gurgullon e fëshfërin diku thellë dhe veshi s’mund të dëgjojë gjë. E dini që nën gjethet e kalbura të një viti që shkon, nën shtresën e borës, ngrenë krye lule – borat e thjeshta, sikur duan t’i përgjigjen thirrjes së kaltërsisë të qiellit pranveror. Kështu lind edhe jeta e re. Keshtu lind edhe dashuria.

Përpiqu me bindje të mbjellësh trendafil, që të ketë çelur diku një syth të mund ta mbushë të terin me gjelbërim gjithë jetë e shpresë... Por duhet përpjekje, dëshirë e synim për ta vrojtuar "tharjen", se nuk duhet të jetë e tëra kështu:

-Diku mund të jetë një vatër sythi shprese që, duhet nxitur me përkujdesjen e një njeriu, të cilin e do këtë vërtetë. Pastaj vjen befasia, me shpirtëroja, më e papritura, shenja e parë e rilindjes, së "asaj që dikur u tha". Jepi jetë të jetojë e ta jetojë, qoftë edhe sikur për me pak kohë, sa do ta dojë. Fundja, aq sa ta ketë të shkruar, pastaj, ashtu siç është në gjëndjen e filleses së mrekullisë, qëndise të renë dhe mbaje korrnizë si hajmali, të vjetrën falja dikujt, si një shembull i mirë konkret, bashkë me këto rreshta dashamirëse. Shiko përpara-mos e kthe kokën mbrapa! Nuk është e para herë që ta them.

Ajo e kishte dëgjuar me vëmendje dhe kishte nënqeshur hidhërimtë, sepse nuk kishte arritur dot të dilte nga rrjeta e ngatërruar e ndjenjave dhe s’dinte as vetë ç'të bënte apo ç'të thoshte.

-Që të pish, duhet të ndjesh etje, kishte vazhduar miku i saj.

Kurse Annës i erdhi në mendje se si dikur kishte ndjerë shumë për shokun e rinisë, atë djalë të sinqertë, fjalë pak, i vëmëndshëm ndaj çdo bisede që bënin së bashku, i zgjuar dhe me piksynime të qarta në jetën e tij. Në fillim, asaj iu duk sikur ai po hynte si fllad në jetën e saj dhe, me mëndje e lidhi pas vetes si me zinxhirë, dhe sa herë që e shihte i shkaktonte turbullime në shpirt, herë herë dyshonte në se vërtetë edhe ai kishte po ato ndjenja si të sajat, ndaj dhe kishte frikë të lidhej me të ndonëse e pëlqente mjaft. Duke e njohur nga afër, gradualisht nisi ta dojë. Ai qe kaq i mirë, po kaq simpatik, kaq serioz dhe studioz, madje kur këndonte kishte një zë të mrekullueshëm, në çdo pikpamje dhe mendimet i kishte me peshë. Diviza e tij e preferuar ishte: “Ec përpara, pa e kthyer kokën”, ia habiste përfytyrimin. I dukej sikur atë, s’e trembte asgjë -as njerzit, as “Zoti,” sepse as atë nuk e besonte, as ëngjëlli dhe as djalli. Një ditë i pat thënë:

-Ti je një mrekulli, Anna, ç’të thuash për ty, vetëm se të ka munduar ca guxim dhe nuk të ka lënë kryelartësia, që të ishe ndryshe. Ndërsa Anna e kishte kundërshtuar pak, duke i thënë:

- Më dëgjo me vëmendje Adi:

- Në se sillesh si njeri i thjeshtë, - do të përbuzin, e do të thonë, - Sa naive që je, e më pas do të mundohen të të shkelin me këmbë. Nëse pispillosesh e kapardisesh, ndonëse ndonjëherë edhe pa meritë, do të të nderojnë. Sot, shoqëria, në përgjithësi, nuk është e aftë të gjykojë për cilësitë e njeriut. I vetmi kriter i saj është se: “Ç'do të thotë bota.” E vetmja masë e saj, është ndjenja e ruajtjes së vetvetes: “A e ruajti vallë filani, nderin e tij”; "A e ruajti vallë filania virgjërinë e saj?”

Pasi i tha këto fjalë, Anna u lehtësua shpirtërisht dhe padyshim ndjeu pushtetin e saj mbi të dhe kjo qe diçka e re, aq e habitëshme, saqë të dy, sikur u turbulluan ca. Disa krela që i binin mbi ballë, i krijonin një aureolë të lehtë.

- Ti je personi më i mirë që unë kam njohur, je ëndërrimtarja më e mirë në botë. Natyrisht që mund të bëhesh poete, në të vërtetë je poete, sepse ti e jeton poezinë.

-Ti je vetë poezia, mikja ime.

32 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page