“Netët e Bejkës së Bardhë”, aty ku nis Turizmi Kulturor dhe… syri ndryshe i Botës
Prof Dr Fatmir Terziu
Fjala „folklor“ dhe konceptet ideo-estetike për të kanë lindur prej kohësh forma të ndryshme mendimesh. Me të parën në folkloristikën europiane kuptohej dhe vazhdon të kuptohet vjershëria popullore. Me të dytën janë lidhur mjaft shkolla të studimit të fakteve si ajo romantike, mitologjike, metereologjike, antropologjike etj. Duke e konsideruar folklorin si një veprimtari që u përket „popujve primitivë“ dhe të „racës së ulët“ ku janë shfaqur dhe mendime të egra si shfaqje „foshnjërie të ngurtësisë“ dhe të „menduarit automatikisht“ natyrisht dhe me aksiomat se folklori u përket popujve të paditur, analfabetëve etj., tashmë duket se kanë marë konsiderat të tjera në disa vende. Janë të parët Letonezët që kanë bërë një ndryshim të thellë, duke hyrë në të shkuarën e tyre të trazuar e duke risjellë vëmendje të reja. Për këtë një formë e vjetër letoneze e poezisë e quajtur „dainas“ është bërë faktor rikthimi vëmendjeje dhe madje një arsye më shumë për të sfiduar mjaft mendime rreth formave të folklorit. Dhe ja si mund të shpjegohet me një arsyetim nga ky faktor dhe nga ky fakt.
Me kalimin e viteve, suedezët, gjermanët dhe rusët të gjithë kishin një përpjekje për të pushtuar Letoninë dhe për t'i imponuar asaj shijet e tyre të krishterimit. Sot luteranët adhurojnë kryesisht në perëndimin e vendit dhe ortodoksët rusë në lindje. Por ritualet më të thella të Letonisë janë ende të frymëzuara nga marka e saj e paganizmit e rritur në shtëpi. Ato përfshijnë ahengje të egra të solsticit veror dhe një festival kombëtar të këngëve dhe vallëzimeve çdo pesë vjet. A nuk kanë një ngjashmëri të tillë edhe shqiptarët me festat e tyre pagane në disa zona si me „Ditën e Verës“ apo dhe me disa të tjera? A nuk janë shqiptarët e ndjeshëm dhe mjaft strikt me Polifoninë? Dhe fakti që këto ditë Piluri e mbajti gjallë një festival të tillë për këtë pasuri të madhe tregon se folklori vazhdon të mbetet një arsye më shumë në sytë e kulturave.
Por, le të kthehemi tek Letonia tek himnet e besimit të saj që janë tashmë në vëmendjen ndryshe. Himnet e këtij besimi parahistorik janë poezi popullore, tipikisht katër rreshta, që sikurse e cituam janë të quajtura dainas. Falë Krisjanis Barons, një folklorist i cili inkurajoi Letonët të shënonin katërvjeçare të tilla në shekujt 19 dhe në fillim të shekujve 20, mbi një milion prej tyre janë në skedarë në bibliotekën kombëtare në Riga, kryeqytet. Kështu Riga, Kryeqyteti Evropian i Kulturës në vitin 2014, shumëfishoi ngjarjet dhe festivalet mbi kulturën Letoneze. Ky status dallues u mundësoi banorëve të qytetit të shprehen, madje edhe të këndojnë, në emër të folklorit kombëtar. Në të vërtetë, Letonët shpesh (dhe me të drejtë) konsiderohen si njerëz këngëtarë. Dhe aty pothuajse një pjesë e gjerë e Botës mësoi se ashtu si haikus në Japoni, Letonia ka formën e saj poetike: dainas, të cilat ose këndohen, ose recitohen gjatë festivaleve të njerëzve. Këto tekste unifikuese janë jetike për të kuptuar ndërtimin e identitetit letonisht. Ato janë më shumë se një ushtrim i thjeshtë në stil: dainas luanin dhe ende luajnë një rol të rëndësishëm në historinë e vendit.
Nëqoftëse u hedhim me këtë rast një sy krijimeve të mëdha popullore të shumë popujve, do të mbetemi të mahnitur përpara mendimeve dhe dukurive shumë të ralla që kanë krijuar popujt. Janë mendimtarë shumë të mëdhenj, poemat e njohura si „Iliada“, „Qor Ogliu“, „Edat“ „Kalevala“ dhe „Nibelugden“, rapsoditë për të bëmet e „Mujit dhe Halilit“, lirikat erotike, këngët historike, janë jo vetëm shprehje e një pasurie të madhe, por edhe një aftësie të mrekullueshme artistike. Mjaft popuj i shfrytëzojnë këto sot për „turizmin kulturor folklorik“, aq të domosdoshëm edhe pas kësaj pandemie vrastare.
Duhet theksuar se meloditë shqiptare romantike të fyejve, kabatë, iso-polifonia e të tjera tregojnë mnë mënyrë bindëse se ato nuk janë aspak krijime të njerëzve të paditur, të analfabetëve, po të një kolektivi të pasur me ndjenja dhe kulturë të lartë, të bartësve dhe improvizatorëve të një talenti të pakrahasueshëm, pavarësisht se në të kaluarën e errët masat popullore nuk dinin as të shkruanin, as të këndonin, as të njihnin dhe rregullat e tyre, që sot janë ndryshe, janë një arsye më shumë të shkundin pluhurat dhe ndasitë kulturore që i ka mbuluar politika.
Tashmë është kapëryer edhe fakti si konsideratë e vetme e krijimit imagjinar dhe me faktin letonez, ku Daina, kjo formë e shkurtër e poezisë që ndan shumë gjëra të përbashkëta me Haikun po bën vëmendje, natyrisht duhet parë me një sy tjetër edhe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe më gjerë. Dihet se dainat janë ndikuar më shumë edhe nga traditat e këngës popullore Evropiane, ku kuptojmë dhe arsyen e madhe të lidhjeve kulturore edhe në këtë kohë të domosdoshme për sa më shumë lidhje të tilla.
Edhe pse zanafilla e dainas (të cilat transmetohen oralisht nga brezi në brez) është akoma e papërcaktuar, sidoqoftë, dainat e para mësohet se u shkruan në shekullin XVI, dhe ato tashmë kishin formën e tyre përfundimtare në atë kohë: shumica e madhe ishte e përbërë nga katërkëndësha trokaike ose daktilike të shkruara në Letonisht. Ata trajtuan tema të ndryshme duke filluar nga mitologjia Letoneze te jeta e përditshme. Për shkak të vazhdimësisë së zhanrit përmes epokave në territorin Letonez, (të gjitha këto pavarësisht shekujve të okupimit dhe shtypjes), dainas janë mënyra kryesore e transmetimit të kulturës Letoneze dhe një nga piketat në ndërtimin e identitetit.
Për më tepër, pak para se Letonia të bëhej e pavarur në 1991, Letonët shfrytëzuan këto daina si një armë diplomatike gjatë „Revolucionit të Këndimit“. Turma të tëra kënduan përgjatë atyre këngëve të përjetshme, tepër simbolike. Për këto arsye të shumta, forma e daina është regjistruar në UNESCO’s Memories of the World që nga viti 2001.
A nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe Shqipëria me institucionet dhe fondet e saj kulturore e kërkimore shkencore, që shpeshherë nuk dihet se ku po shkojnë? Le të këndojmë bashkë jug e Veri format tona të bukura e le të sjellim vëmendjen e të Tjerëve. Festivali i II-të Folklorik Pilur kishte një meritë të jashtëzakonshme për këtë në këto ditë të ngarkuara me „lodhje“ të tjera. “Netët e Bejkës së Bardhë” kishin dhe kanë mjaft arsye të mbeten më lart, më gjatë dhe më dukshëm në hartë, në hartën e Botës Kulturore. Edhe portreti frymëzues i të Madhit Lefter Çipa "Nder i Kombit" ka mesazhin e duhur...
Timo Merkuri
Faleminderit Fatmir Terziu . Paralelizmi me Letoninë qëndron Me gjithë atë shtojmë se festivalet folklorike në Shqipëri kanë një traditë shumë të hershme ndonëse quheshin festa të emetuara me emra shenjtorësh, gotash, stinësh apo ritesh zakonore. Populli me këto ka prezantuar identitetin e tij, besimet dhe boten dhe kulturën e tij e cila shpesh ka qenë më e përparuar se kultura zyrtare e disa shteteve " të kulturuar".Folklori ka qenë edhe armë mbrojtëse e identitetit kombëtar dhe hendek ndarjeje e kufirit me pushtuesin. Respekte mik.