
NETËT
Netët kurrë nuk mund t'i gënjesh, gjithçka të harruar ta risjellin ndërmendje. Pingërimat e dritës ndërfuten, çajnë thellë, në bunarë hamendjesh të pafundme.
Enigmat, që prej së largu bëjnë hije, mëdyshjet e errëta që s'pranojnë sqarim. Mëshira e kobshme - fjalë jo e kësaj bote, dhe përpjekja që ndiqet pas nga një dështim.
Kurajot e shtypura, të mohuarat arritje, një grua të rrugës, njohur rastësisht, veshur me alga luleroz', hyjni amfibe, provat e shkretimit, paradoks i dysisë.
Atë që nuk deshëm ia dhuruam vetvetes, Shqyrtimin. Nga lindja e shpirtit gjer në amëshim. Ti kurrësesi nuk mund t'i gënjesh Netët, s'ka asnjë shteg tjetër, të mbërrish në agim ...
PUTHJA.
Në prehër durimi, te skaj i bashtinës, Puthja e parë, atje, ndën kumbullën mashqino arabike. Mbështjellë kujtesa me vel e avuj të bardhë, fshehur, ruajtur në një kuti magjike.
Miturake e hajthme, ish' komshia atëherë, nuk kish sy statuje, se ato janë pa jetë. Putheshim në thithkë lulimi, pa e thirrnë shoqet ..., të kërcente "hopa" në litar, a në dehje të kthjelltë...
Ajo puthje e pafajshme, e athët, bajame e papjekur, kaq mote dëshirimi, britmë në lëngesë. Të kërcejë mbi muret e lartë është e etur, Xhinde e patretur që brenda tretjes, nuk vdes...
Comentários