top of page

NERVI I SINQERTË I NJË POETI



Nga QAZIM D.SHEHU


Lexova vëllimin poetik të poetit Artur Shemaj me një titull domethënës:”Idile të grisura” dhe, përftueshëm, duke e bluar metaforikisht titullin dhe duke përjetuar poezinë e tij, thashë:Ja një poet që nuk ka nevojë të shtiret dhe vjen në poezi përmes vetvetes,me sinqeritet dhe larg modës.Një poet që shkruan duke dhënë vetveten përmes asaj që ka jetuar.E,në fund,çfarë është poezia?Ajo mbetet një shprehje e sinqertë e ndjenjave dhe mendimeve,i kapjes së çasteve dhe detajeve që bëjnë përshtypje.Jeta ka shumë idile,pamje të qeta,ajo t`i sjell ato në përditshmërinë e saj; po, në këtë rrokje të tyre, njeriu ndjen dhe kupton dyzimin e tij, ndjen dhe kupton sesi ai këto pamje të qeta dhe të bukura shpesh grisen nga moskuptimi,morali i prishur,padrejtësia dhe pamundësia,dhe këtu shkëndijohet dramaciteti që autori e jep në një tufë poezish lirike aq të sinqerta dhe të bukura.

Çdo poet,siç rëndom është bërë zakon të shprehemi,sjell në poezi veten e tij,kohën dhe përjetimet që i vijnë natyrshëm përmes saj.Si sizmiograf ai ia regjistron asaj të dridhurat më të vogla.Arturi jep në poezinë e vet fluroritetin e saj,ato ndjenja dhe mendime që vijnë natyrshëm me një varg të çlirët,të ngrohtë, plot pulsime dhe dihatje të ngrohta.Si një poezi që fabulën e ngërthen nga befasia e gjetjes ajo mbahet mend pikërisht për tonalitetin e afërt intim,për gjykimin e drejtpërdrejtë të çliruar nga pengesat dhe të krijuar përmes realitetit të ndjenjës.Kështu poezia e tij dallohet nga nervi i sinqertë dhe pulsiv,një nerv që të afron me botën dhe shqetësimin e tij poetik,teksa ai e sheh veten në avion duke u laguar nga Shqipëria(një konotacion i dhimbshëm me një përshkallëzim metaforik të dukurisë së shqiptarit të sotëm :ta lë apo jo Shqipërinë?);apo në poezinë tjetër ku me vargje të sinqerta dhe plot dashuri i këndon gruas për ditëlindje,ku vargjet e tij shpalosin ndjenjat e sinqerta të burrit ,larg çdo hipokrizie mashkullore;poezia e tij rend në çaste dhe kuptime të tjera metaforike- simbolike, teksa shikon pulat e gjora që tremben nga thika e të zotit e këtu poeti menjëherë këtë detaj të thjeshtë e ngre në nivelin e një simbolike të hollë me përqasje dramatike ,ndërsa mendon për jetën në tërësi.

Poet i një nervi të sinqertë e të shqetësuar ai merr dhe shtjellon çastet e jetës,duke zgjedhur ato që rrezatojnë ide dhe mesazhe të qenësishme dhe këtë e sjell natyrshëm jashtë moralit të thatë po që shprehin një besim të shëndetshëm, atë të dashurisë për jetën.Motivin e afërsisë me njerëzit që do,i djalit,vajzës, gruas,ai e shpreh bukur me “një grusht me shkëndija” që nuk do t`i lëshojë nga dora;duket sikur ka kapur zjarrin e jetës dhe,nëse e lëshon nga dora mbetet pa të.Ky imazh dhe imazhe të tjera përforcojnë idenë se në poezinë e tij ndihet malli dhe dashuria e pakufishme për njerëzit,ai zbulon vlerën e njeriut ,kredo e domosdoshme për një poezi të mirë dhe të vërtetë.Por nuk mund të themi plotësueshëm kaq,ndërsa nëpër poezitë e këtij vëllimi,ndihet motivi i braktisjes,e këtu idili griset.Ideja e humbjes, e diçkaje që ik,dhe që poeti mundohet ta mbajë, shkëndijon rrezëllimin e një lirizmi të kulluar dhe sjell njëkohshëm edhe dramacitetin e ndjenjës.Imazhi që krijohet me shtëpinë e braktisur përmasohet nga një përfytyrim i gjallë jetësor,ndërsa shtëpia e braktisur që ndjen nga afër hapat që s`janë më, i ngjan një thëngjilli që mbulohet nga hiri i muzgut,po kështu,poeti konkretshëm e jep këtë ikje jo thjesht si një konstatim ,po si brengë shpirtërore,ikën njeriu nga Shqipëria,ikën njeriu nga morali në përfytyrimin e qëndrueshmërisë së tij,nga e vërteta dhe deformohet nëpër trille të panjohura të egoizmit,ikën nga vetvetja dhe dyzohet,po në fund çfarë mbetet?Është poezia që qorton,dhe poeti Artur Shemaj nuk është një qortues i excatedra,po një shprehës i ndjenjave të sinqerta e plot dhimbje,ku nuk konstaton e bën diktim shkollaresk,po verifikon poetikisht të ndodhurën në jetë.

Poeti e ngroh zemrën e vet duke zbuluar anët e bukura të realitetit dhe duke përqasur nga shfletimi i tij sa e sa idile(pamje të qeta dhe të ngrohta rrezëlluese) të cilat grisen nga moskuptimi i njerëzve,nga ngutja e tyre për të mos i shikuar ose të shikuarit e tyre me hipokrizi.Ai shpalos një botë të ngrohtë të veten,një qëndrim prej poeti të guximshëm dhe një vështrim që thyen kornizat morale me hipokrizi(Punëtoret e seksit,Mëria,Buçja e Rahimit etj);një vështrim lirik dhe një qasje trandeshente duke krijuar frymën e ngrohtë të besimit se bukuria e jetës nuk mund të mposhtet nga disa thyerje transversale të realitetit.Kjo ia mundëson të thurë një varg të lirshëm dhe të thjeshtë duke i organizuar mendimet përmes tij si një vërshim i lirë ,si një bisedë e kthjellët dhe e trazuar me njerëzit dhe sendet.

Uni lirik nuk mbingarkohet me mendime të shumta.Në fund çfarë duhen ato?Ai mbingarkohet me mendime të thjeshta, të tejpashme dhe fluide,me përjetime çastesh të hovshme,të drithshme, dhe që shprehin shqetësime plot nerv;po nervi në poezinë e tij nuk është zemërak,ai është një nerv i butë, por i fortë që dridhet nga një çast i zbuluar përmes intuitës poetike.Ky Un zgjerohet dhe thellohet përmes mendimeve dhe mikrotablove të jetës që krijojnë kështu përmasën e fantazisë poetike, e cila shtjellet si një ujëvarë ndjenjash e përjetimesh të drithshme plot delikatesë e ëmbëlsi.Ndërsa lexon këtë libër,të duket se ke përpara një tufë lirikash të freskëta që flladiten nga njomështia e ndjenjës dhe të befasojnë me konceptimet vetjake, larg vargëzimit të zakonshëm.Kjo tufë lirikash vjen nga kopshti i tij poetik,me shumësinë e luleve të mbledhura e të rritura prej kujdesit dhe që poeti nuk do t`i nxjerrë në acarin e artificialitetit.Kështu, poezia e tij mbetet lirike,e ngrohtë,konceptuale dhe me një varg që rrjedh;e zhdërvjellët dhe konkrete,me një strukturë që formohet prej mendimit të përmbajtur po ku të përmbajturit nuk e tremb spontaneitetin.

Poeti ka përkthyer edhe poetët Çezare Pavesse ,Giovani Pascoli,Rabidanat Tagora.Përkthimet e tij dallohen për rrjedhshmërinë dhe tregojnë se ai, në pak poezi të zgjedhura ,mundet ta japë shijen e zgjedhësit.Do të gjejmë në këto poezi hermetizmin(Cezare Pavesse ),brishtësnë e dramacitetin tek Giovani Pascoli si dhe njomështinë e ndjenjës e kthjelltësinë e mendimit tek Tagora;të gjithë këta, poetë me emër botëror.

Vëllimi poetik “Idile të grisura” i Artur Shemajt dallohet për fjalën e punuar me kujdes,çka tregon se ky poet e njeh mirë sensin e masës të të shprehurit,për detajet dhe gjetjet interesante,për zotësinë për të gjetur mikrofabula nga jeta dhe për të dalë prej tyre me një koncentrim ideor,për një poezi të frymëzuar,sa të tjeshtë aq edhe të perceptuar si një rrugëtim i thjeshtë filozofik i unit të tij poetik. Përmes kësaj poezie ai shpalos shqetësimet e njeriut në përgjithësi dhe të njeriut të sotëm në veçanti,në rreth gjashtëdhjetë e ca poezi,duke treguar dhe pasqyruar një tematikë dhe shpalosje motivore që shpreh turbullimet e tij poetike,çka tregon se poeti mbetet i shqetësuar dhe kërkues,duke njohur mirë e duke zbuluar ato motive që japin tharm e ngjizje të tij për poezi.Poezitë e tij janë poezi që vërtet vijnë nga frymëzime çasti dhe zbulime që shfaqen rastësisht,po autori nuk i ndal aty,pikërisht ,përmes çastit, ai shtjellon botën njerëzore dhe ngre sa e sa mesazhe duke arritur në përgjithësime të natyrshme.Kthjelltësia e ndjenjës dhe ngrohtësia e saj,shpalosin aq natyrshëm misionin e përjetshëm të poezisë dhe faktin e pakundërshtueshëm se poezia e vërtetë vjen nga frymëzimi dhe përjetimi dhe jo nga manovrimet dhe lodhjet e përsiatjet për të shkruar poezi.Kështu,spontaneiteti dhe natyrshmëria,dhimbja njerëzore dhe guximi poetik për t`i thënë gjërat ashtu siç mendon dhe i përjeton,mbeten disa tipare të këtij poeti,prandaj, me të drejtë ,mund të themi se poezia e këtij libri mbetet poezi e nervit të sinqertë,lirik ,qytetar, dhe që arrin në përqasje filozofike pa stërmundim.

18 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page