top of page

NE PENSIONISTËT DHE KRYETARI SIMPATIK L.



(Kushtuar Luan Muhametit)



Nga Luan Çipi


Ne që jemi të moshuar e në pension numërojmë ditët e ngelura, por pa ndonjë keqardhje të thellë, si për të shkuarën dhe për atë që na pret. Ta themi haptas, nuk kemi të tashme aktive, se veprimtari e vërtetë ishte periudha e punës, ngjarjet jetësore, përplasjet, pengesat dhe vështirësitë e hasura e të kapërcyera gjatë punës. Tani as na pyet kush, rrallë na vizitojnë e na takojnë, pak kush na thërret e na pyet, mandej ka edhe nga ata që na kanë hequr nga lista e të gjallëve.

Ne jemi shumë dhe për të “grisur kohën e ngelur”, mblidhemi çdo ditë në grupe të vogla e bisedojmë pleqërisht, pimë zakonisht kafe dhe ujë të freskët dhe lëvizim e lëvizim sa mundemi, për të “gënjyer” veten se edhe ne jemi. Një gjë shohim dhe ndjejmë: se po shtohemi çdo ditë dhe na shkon mendja se shpejt afrohet dita që secili prej jush, o veprimtarë të punës e të politikës, do të vini në vendet dhe tavolinat tona të sotme. Po ta mendoni çdo ditë dhe ju, se pashmangësisht, dikur do të vini midis nesh si pensionistë, do të veproni më shumë e më mirë qysh tani, si për vete, për të krijuar kushte më komode takimi, grumbullimi, pushimi e udhëtimi për pensionistët e sotëm. Jo vetëm kaq, po ju lutemi mos të harroni për as një çast se për votim, ne jemi padyshim forcë e konsiderueshme në rritje.

Objekti kryesor i shkrimit tim është tjetër gjë, ndaj unë po paraqes diçka më konkrete:

Në tavolinën tonë te “Bar Restorant Rosi” të qytetit të Vlorës, prej vitesh takohemi ne, një grup shokësh me miqësi e njohje të hershme. Kjo për traditë, po edhe sepse pronari na trajton e lehtëson...Vijnë këtu agronomë, ekonomistë e inxhinierë që dikur kanë qenë dikush dhe i kanë merituar diplomat, ndofta dhe nderet që u janë bërë. Tani më së shumti, ata, që dikur kanë pasur pikëpamje të ndryshme politike, realisht janë unifikuar në “kuqezinj” dhe rrallë i acaron politika, megjithëse shpesh zihet në gojë e kundërshtohet pa zarar, kur ajo ndihet se nuk është vërtetë sociale dhe cenon diku drejtpërdrejt interesat e popullit dhe të Atdheut.

Njëri prej nesh, Ejup Mita, “Personalitet i Shquar i Qarkut të Vlorës”, për mua agronom e administrator i thelluar e i provuar në nivele shkencore, shpesh përsërit: “Jetova, për aq sa punova”. Ç’është e vërteta, ai ruan freskinë e mendimit të përparuar, ashtu si dhe shokët e tjerë të tavolinës Qani Kamberi, (Mirënjohje e Qytetit të Vlorës dhe nderi i Labërisë) Hadër Hoxha, Bardhi Bega, Petraq Gjonça, Spiro Naqo, (ish drejtues ndërmarrjesh) apo të tjerë bashkudhëtarë të herë pas hershëm të grupit tonë, si: Petro Koça Agja Bega, Llano Llanaj, Qirjako Sava, Llazar Ninia, etj.( me keqardhje në pritje të natyrshme, që çdo vit në ikje, merr ndonjë me vete).

Meqë pensionistët nuk i pyet kush rregullisht dhe ata, nuk kanë të tashme shoqërore aktive, ndërsa bisedat e tyre së shumti janë për kohën e shkuar kur ata punonin, dëgjoheshin dhe vlerësoheshin. Po në këtë tavolinë pensionistësh, rrallë flet kush për veten e tij, për arritjet, bëmat apo aventurat vetjake. Flitet vetëm për të tjerët, pa i përfolur ata, po me dashamirësi dhe objektivitet, duke ndjerë edhe veten krenarë për punët e mira të shokëve. Temat janë të larmishme...

   ***

Sot u fol për një të njohurin e përbashkët, që ka lënë gjurmë e mbresa të thella. U kujtua me dashuri ish Kryetari L., i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Vlorës në vitet tetëdhjetë. Dhe në përfundim, siç do ta mësoni, të gjithë kishin mendimin se u bë fjalë (si e karakterizoi që në fillim njëri prej nesh), për një “Kryetar Simpatik”.

-Si more simpatik? A mund të thuhet kështu për një ish kryepushtetar të periudhës komuniste? Kështu, ndërhyn në bisedë e pyet shpejt, me të drejtë, po pse jo dhe me qesëndi, një tjetër bashkëbisedues.

-Të shpjegohemi dhe ta argumentojmë këtë, si e kuptoj unë dhe sa di unë për të. Më lejoni pa ekstremitete, të bëj një bilanc të shkurtër për veprimtarinë e tij:

L.-ja, dihet se është djalë Vlore dhe biri i një familje të ndershme, (që siç rezulton tani nga hulumtimet historike megjithëse pjesore dhe të pavërtetuara përfundimisht, ka origjinë fisnike qysh nga koha e Skënderbeut). Ai, mbaroi shkëlqyeshëm Shkollën e Lartë dhe u bë ndër vite një agronom i vlerësuar dhe pasi punoi gjatë dhe direkt në prodhim arriti deri Kryetar Kooperative në një ekonomi bujqësore, që dhe ajo u vu shumë shpejt në krye të si shoqeve të saj.

Pas kësaj përvoje, i pjekur e i burrëruar ai. erdhi te ne Kryetar në Komitetin Ekzekutiv të rrethit. Ishte i thjeshtë, i dashur, i qeshur dhe përkrahte të renë, pa u marrë me vogëlima dhe pa i rënë më qafë të tjerëve. Ai, (dhe këtu ndofta padashur e shtynte gjaku i tij fisnik) do të kundërshtonte në dhjetëra raste të gjithë ata që ngulnin këmbë dhe e nxitnin artificialisht, ”ashpërsimin e luftës së klasave”.

-Po një të metë e kishte, shton me dashamirësi për të shtyrë më tej bisedën një nga shokët, që duket se e njihte në brendësi dhe në intimitet deri në skajet shpirtërore vetjake: Ishte fantastik dhe romantik dhe nxiste rrufeshëm e përkrahte pa rezerva çdo lloj novacioni, qoftë dhe të pa vërtetuar e të pa llogaritur paraprakisht, të dyshimtë për dobinë dhe efektivitetin e tij ekonomik. Kështu ka përkrahur kultivimin e rritjes së peshkut artificial kudo ku gjendej, qoftë dhe në një lerë a pellg uji; ka mbështetur nismën për shtimin plehut me krimba toke; qethjen dy herë të bagëtive të imta; pjelljen dy herë të deleve; mbjelljen pa përjashtim dy herë të tokave bujqësore; mbjelljen e misrit me kubik; prodhimin nga çdo plehërishte të gazit metan, etj.

-Mendoj se kjo nuk ishte thjesht nxitimi fantastik i tij dhe shprehje e romantizmit dhe dashurisë për natyrën, po një përpjekje që bënte ai, si Kryetar, që nxiste e krijonte kushte, për të përkrahur propozimet racionalizuese, novacionet e iniciativat popullore, që ishin në modë aso kohe, në përballim të vështirësive të shumta në rritje të bujqësisë dhe të të gjithë ekonomisë së vendit.

-Kryetari i palodhur simpatik L. ishte edhe shumë punëtor, dashamirës, human dhe zemërgjerë, shtoi një tjetër shok, ‘‘këngëtar i sektetit (gjashtëshes së tavolinës)’’. Unë udhëtoja shpesh me të për Tiranë, në raste mbledhjesh, konferencash, ballafaqimesh dhe raportimesh në Ministritë dhe Qeveri. Ai me thoshte mua, shoferit të tij dhe ndonjë pasagjeri tjetër, që e shoqëronte në makinën e tij: Tani, ju lutem për dy orë, mos flisni me zë të lartë, se unë jam pa gjumë dhe dua të fle. Dhe e zinte gjumi menjëherë. Pra, ai i angazhuar gjithë ditën me punë dhe i lodhur, flinte pak dhe me këtë rast, për të plotësuar orët e nevojshme të gjumit, shfrytëzonte edhe kohën e udhëtimit me makinë.

Njëherë unë, vazhdoi bashkëbiseduesi tjetër, si mbaruam punë në Tiranë, i kërkova leje për të shkuar në Spitalin e Kryeqytetit, ku kisha shtruar për kurim mbesën e gruas, të sëmurë me leucemi dhe pa shprese shpëtimi. Ai, megjithëse nuk e njihte këtë mësuese të talentuar fshati 27 vjeçare edhe pse e mori vesh që babi i saj pas çlirimit kishte qenë i burgosur politik, erdhi me mua dhe e vizitoi. Ajo, që kishte mbaruar Universitetin për kimi- biologji, i kishte lexuar analizat e veta të gjakut dhe e dinte fundin fatkeq, po fjala e mirë dhe personaliteti i kryetarit, i ngjalli shpresat për shërim dhe e ngriti më këmbë. Më kujtohet çfarë i tha L.ja i mençur, asaj të pashprese: Nga të dhënat, që marrim ne Kryetarët çdo ditë, kam njoftim se në Japoni u zbulua medikamenti i sigurt për shërimin e leucemisë në gjak. Do ndërhyj edhe unë për sigurimin e shpejt të dozës së nevojshme për ty. Ti jo vetëm do të shërohesh shpejt, por do të bëjë çmos që të emërohesh mësuese biologjie në Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, fare pranë familjes dhe mjekëve. Ajo u mbush me besim dhe shpresë dhe u gjallërua menjëherë. Ja, ky ishte kryetari ynë, që dhe unë e karakterizoj vërtet simpatik, mandej dhe tepër human.

-Unë, tha dikush tjetër kam fjetur me të në Tiranë, në të njëjtën dhomë hoteli, për disa ditë. Ai, çdo natë mblidhte aty, ajkën e rinisë, ish shokë të tij të shkollës dhe të punës (më kujtohet midis tyre, Dr. Prof. i sotëm, Ago Nezha). Ata, të rinj të ditur e aktiv bisedonin për art, kulturë e shkencë, dhe ndërronin mendime e debatonin me pastërti dhe sinqeritet. Më pas “duke bërë qyfyre” e duke kënduar bukur e të harmonizuar këngë popullore vlonjate, shkodrane e korçare u bënë njësh me të, ndërsa kryetari ynë simpatik, zbriste në nivel bashkëkohor jetësor qytetarie, si një njeri i thjeshtë, i kulturuar dhe me horizont.

Ja, të tilla janë bisedat tona të ngahershme rreth tavolinës së pensionistëve, pa harruar t’i riformuloj e t’i shkruaj, në mbrëmje mbresat më të rëndësishme, drejtpërdrejt në kompjuter, në “Ditarin e Jetës Time”, tani pa frikë dhe pa rezerva dhe pa shkarë në batakun e një lufte të re klasash.

                     ***

Kjo që shkrova është për t’u treguar e kujtuar pasardhësve se, vitet ikin shpejt, ndaj njerëzit e virtytshëm, ata që kanë punuar dhe kanë lënë gjurmë e sjellje të mira, pavarësisht nga kahja e tyre politike, nuk duhen harruar (se së fundi tani të majtë apo të djathtë thuajse baras janë).

Nga ana tjetër t’u kujtoj pushtetarëve qendrorë e lokalë dhe liderëve të politikës në pozitë e opozitë se, sado të rinj të jenë do vijë koha të ulen dhe ata në vendet tona edhe pse mosha e pensionit mund t’u rritet në 70 vjeç. Do të jetë në nderin e në dobinë e tyre që të hedhin më shumë sytë nga pensionistët, jo vetëm se janë numër votuesish në rritje, po diku gjen edhe te “mosha e tretë” ende forcë mendimi e veprimi që duhet dëgjuar, përkrahur, aktivizuar e bërë për vete.

Së fundmi ne të moshuarit, jemi gjyshërit apo prindërit tuaj, që vërtetë kemi dalë nga puna e jeta, po më së shumti jemi dashamirës e mirënjohës dhe nuk dëmtojmë fëmijët tanë dhe as tjetër kënd, as me fjalë e thumba, e aq më pak me plumba e dinamit.

41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page