
Ne Lapsëshkruarit
Nga Fatmir Terziu
Ne lapsëshkruarit e Gjëndjes Civile,
jemi të udhës,
udhët na kanë mbetur syve
kështu ia ka dhënë Zoti urdhërin e punës,
të gjithë qeverive,
presim lapsat të mprihen me kujdes
ose gomën e tyre.
Ne lapsëshkruarit e kohëve moderne,
i kemi rrugët për vete,
ligjet për ne nuk kanë numra dhe nene,
shkruhen me derte,
në orën nëntë, në dymbëdhjetë, në pesë
ne flasim me vete
ose për dikë që vdes.
Ne lapsëshkruarit e ditëve të reja,
i huazojmë lotët,
nga retë na i ka prerë Zoti dhe nga rrufeja,
kështu na e kanë thënë të fortët,
u duhemi atyre vetëm për beteja,
përndryshe na tregojnë botën,
sapo marrin postet e reja,
ne jemi qirrinjtë për tortën.
A i thua shkretëtirë?
Të flasësh për shkretëtirën duhet të jesh pronar:
të kesh menduar të paktën vetëm një herë,
si një qukapik, për shembull.
Dua të kujtoj pak gjë nga puna e tij,
nëse mund të lidhet me një shkretëtirë,
sqepi që i punon si matrapik
apo profesioni i tij.
Të jetosh në shkretëtirë duhet të kesh një pronë:
të paktën të jesh me një kuletë,
aq të madhe sa për ndonjë qindarkë,
sa kur ta shohësh vetë,
të mendohesh si do ta blesh bukën për darkë.
Të krijosh një shkretëtirë duhet ta marrësh seriozisht:
një ëndërr s'duhet ta shikosh dy herë,
duhet ti nënshtrohesh rregullave të sigurisë,
qëllon të kesh shok ndonjë gjarpër në verë,
apo ndonjë ulkonjë të të japë sisë,
e nëse e ke fatin në epruvetë,
duhet të quhesh kopil i partisë,
edhe pse di të shikosh në të vërtetë,
do të të duhen syzet e qeverisë.
Të shkruash për shkretëtirën s'duhet të jesh artist e as poet:
duhet të jesh pak a shumë për t'u qeshur,
ndoshta nuk mund të bëhesh palaço i vërtetë,
por kurë s'duhet të jesh i veshur,
të mos dëgjosh kur dikush të flet,
e të qash kur është për të qeshur,
se edhe në moshën tënde, për shembull do të mbjellësh pemë ulliri,
e do të kërkosh pëllumba të vdekur,
kafshë gjithëfarë turiri
kanë për të të shkelur.
Të jetosh në shkretëtirë me siguri është ëndërr:
dua të të kujtoj një vjershë,
për dikë që deshi të bëhej dhëndër,
u kujtua i shkreti në vjeshtë,
kur në gusht kishin mbaruar këngët,
të tjerët shkulnin zorrët në rrjesht,
e ai përvishte mëngët.
Do të martohem! – bërtiste i shkreti,
më gjeni nusen s'e do mbyllem dhëndër
qeshej e shkulej mileti,
ai martohej në ëndërr…
…fundja kur u zgjua në të gdhirë
Bërtiti sa fuqi që kishte: Shyqyr që s'isha në shkretëtirë.
Komentar