NE KEMI QENË NË SHTËPINË E PROFESOR ARSHI PIPËS NË WASHINGTON...


Visar Zhiti

NE KEMI QENË NË SHTËPINË E PROFESOR ARSHI PIPËS NË WASHINGTON...


Nga rrefimi i Visar Zhitit, i botuar në librat e tij dhe në shumë gazeta në Tiranë dhe në diasporë.

Sot, në ditën e Tij te lindjes, në 100 vjetorin e tij...

Po ndieja dëshirën të shfletoja “Librin e Burgut” të Arshi Pipës, s’e di pse, vetë dita sikur e donte, a ngaqë ma kishte dhuruar dikur në Uashington, apo nga letra absurde që një ish-kongresmen amerikan, emigrant arbëresh, por që sigurisht e kishin njohur njëri-tjetrin, ia dërgonte nga New Yorku kryebashkiakut në Tepelenë, ku atje përkujtohej kampi famëkeq i internimeve, i mbiquajtur “Aushvici shqiptar”, ndërkaq autografi i Arshi Pipës sikur më porosiste...

...kumtin që na vjen nga ai, qëndrestari i rreptë, ish-i burgosuri politik, i arratisuri guximtar dhe emigranti anti-komunist, eseisti, kritiku letrar, përkthyesi, filozofi, që shkruante jo vetëm në shqip, por dhe në anglisht e në frëngjisht, emblematiku sipëran Arshi Pipa., është urdhër.

Çuditërisht nuk po përkujtohet dhe aq, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër. Pse kjo heshtje, apo s’’kanë gjetur gje në dosjen e Sigurimit të Shtetit, që te bëjë bujë për keq?

Po shfletoj shënimet e mia nga takimi i paharruar me profesorin.


LIBRAT DHE HIRI I ARSHI PIPËS:

…telefonoi se na priste në shtëpinë e tij atë paradite në Uashington, ora 10:00. Meqenëse kishim dhe ca kohë, vendosëm të futeshim në librarinë pranë dhe pastaj të vazhdonim një shëtitje të shkurtër. Uashingtoni, po mendoja, është qytet me fizionomi klasike europiane: s’ka qiellgërvishtëes, siç ishte përfytyrimi i shqiptarëve të padalë për Amerikën, por sheh blerim kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta japin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Dhe sa shumë ketra! Ketra qytetarë!…

Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë; biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, një zot e di se ç’kërkonin. Edhe ne tani po nxitonim. S’donim të bëheshim vonë për në shtëpinë e profesor Arshi Pipës, nën një diell që po më dukej i bardhë dhe ai. Mbas trokitjeve tona të buta, portën na e hapi motra e moshuar e profesorit, ndërsa në krye të shkallëve të drunjta lart, në katin e dytë, na priste vetë profesori, në këmbë, i gjatë dhe i hollë, i drejtë, me flokët e bardha, “të uashingtonta”, por dhe si borë e largët e atdheut, që nuk shkrin kurrë. Vetullat çuditërisht të zeza, siç dukej një shenjë e përzishme që nuk shkëputej për jetë nga fytyra fisnikërisht gjatoshe e tij. S’dita ta përcaktoj në e theksonin apo e neutralizonin pamjen disi skeptike të asaj fytyre, a i jepnin rini më shumë, bashkë me një pesimizëm të mençur, por gjithsesi me një përzemërsi të palodhur.

– E di emrin tënd, – më tha, kur u ulëm në kolltukët e thjeshtë, – je poet i ri dhe ke qenë në burg. Kësaj së dytës unë i jap rëndësi… për shkrimtarin, – shtoi. Menjëherë i tregova ç’dija për “Librin e burgut” të tij, të botuar në vitin 1959 në Romë, ç’kisha dëgjuar dhe si e kisha lexuar më në fund. Kur autori qe arratisur, pikërisht ato sonete skëterrore kishin bërë rrugë të kundërt me autorin, po aq të rrezikshme, në mos më shumë, qenë futur fshehurazi në atdhe, përmes telave me gjemba. Kisha bërë përpjekje për të botuar një cikël prej tyre në shtypin e ri opozitar tonin. Kujtova sonetin për një të shtrirë në vig, që vdekja e shndërroi në arkivol lecke…

– Më ka ndodhur… me tim atë, – shpjegoi profesori, – vdiq udhës në burg. - Edhe zëri i tij sikur zbardhte, i njëllojtë, me pak ngjirje që ai ia vinte fajin torturave, – prandaj më del i tillë. Me ftohje. Çimento qelish. Në fisin tonë, – po tregonte profesori – s’kemi kënd me zë të tillë. Pastaj ne e çuam në spital, – qesh me ironi, por zëri iu prish. Kë kishin çuar në spital, babain e vdekur apo zërin? S’ka zë të tillë në fis…

– Ne e njohim këtë zë, – ndërhyra, – që s’e prishi dot diktatura. As liria e mirëqenia e suksesi. Dhe tregova librat e tij mbi tryezë, te të cilët po hidhte autografe, po m’i dhuronte mua. Ime shoqe shkrepi befas aparatin fotografik mbi ne. Me siguri do t’i jetë fanitur gjyshi i saj, të cilin dhe atë e burgosën në kënetën e Maliqit, ja, atje, ku ishte dhe Profesori, me siguri do të jenë njohur… mbi baltë, ku shpesh, policia të rrëzuarit, ata që binin nga mundimi i madh dhe uria e madhe, i shkelte me këmbë. Hipnin me çizme mbi shpinën e njeriut të dënuar derisa e zhysnin thellë e më thellë, në llumin e pafund, në kënetën e vdekjes. Po gjyshi i saj mbeti gjallë, edhe atëherë kur i hodhën një bombë policët e një njeri tjetër kërceu, se e dinte copë buke e donte ta priste, por u bë copë-copë. Dhe prapë do ta arrestonin Dane Zdravën, gjithmonë, sepse kishte qenë biznesmeni i parë, ai kishte sjellë kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, po ja, që ishte dhe me akademi në Itali, sillte centrale elektrike, autokombajna në tokat e tij dhe falte peliçe apo bënte pajën e të gjitha vajzave të miqve të tij dhe teksa e nxirrnin nga shtëpia të lidhur me pranga, përqafon për herë fundit mbesën e vogël, të sapokthyer nga shkolla… e ajo tani fotografon bashkëvuajtësin e gjyshit.

Me siguri do të jenë njohur bashkë, kanë folur, edhe pa e ditur se cilët janë, atje, në kënetën e vdekjes, kanë shpresuar. Autori i soneteve të baltës së burgut pati fat pastaj, e kërkoi fatin, e bëri vetë dhe ja, tani, bisedon me atë që është i shoqi i saj, edhe ai me plot poezi burgu gjithë errësirë ferri.

– Jam familje borgjeze, – vazhdonte të rrëfente profesor Pipa, – jo në kuptimin që e përdorin komunistët. Në familjen time janë marrë me gjyqësi të gjithë: gjykatës e avokatë ishin e mua m’u desh të bëja punë pro