top of page

NE JEMI SHQIPËRIA



Nga Fatmir Terziu


Ne jemi Shqipëria. Dheu, Deti, Guri, Mali, Fusha, Lumi, Liqeni, Qyteti, Fshati, Vendi, Harta e Copëtuar, ne jemi njerëz mikpritës me një buzëqeshje në fytyrën tonë. Ne jemi tradita shekullore e “Besa”-s. Ju mund të na rrihni, na keqtrajtoni dhe na fryni në veshët tona fjalë që i keni huazuar nga vetvetja në të shkuarën tuaj. Ne i kemi patur të gjitha më parë. Ndaj dhe nuk banojmë në Toka të huaja. Ne jemi pika strategjike e Europës, ku uji dhe toka puthen në të gjitha ditët, ku rrugët të gjitha aty kryqëzohen, ku ajri aty merr jetë, ku fryma aty lind dhe formon jetësi, ku buka gatuhet dhe vjen erë të mirë. Ne jemi arti dhe vlera, ne jemi shkenca dhe e vërteta, edhe pse këto flejnë në sirtare të vjetra, të vjedhura, të djegura, të shkelura, të shkatërruara nga duart tuaja. Ne jemi kampionë edhe me Flamurin tuaj.

Ne jemi… Shqipëria!

E bukura, e patjetërsueshmja, më e mira

Ne jemi një Komb, një qëndrim

Edhe pse duart tuaja na kanë ndarë me qëllim…

Ne jemi… Shqipëria!

Ne jemi… Ilirë!

Ne jemi … Arbërorë! Nga ky truall i ndershëm, Njerëzit, Dashuria, Tradita e vjetër e gurit dhe e drurit, Punëtori, Shpirtmirësia, I huaji, Sofra, Pritja, Vlera, Kënga, Vallja, Kafshata e ndarë me Tjetrin! Qoshja e huazuar për Mikun!

Ne jemi Kromi, Qymyrguri, Nafta … pluhuri dhe balta, Bujqësia dhe Blegtoria, Djathi, Gjalpi, Mishi i Freskët, Domatja, Patatja, Gjiza, Qepa, Prasi dhe Hudhra e Njomë…, Kloni me Tela me Gjëmba, Pranga, Propaganda, Joliria … ne jemi kur duhet të ishim e gjitha që kemi qenë. Dhe prapë mendojmë se jemi kur na duhet të jemi.

Ne jemi… Shqipëria!

Ne tashmë protestojmë. Ne tashmë bërtasim, ngremë zërin, flasim, shajmë, shesim, blejmë… edhe vetveten.

Çeliku, pambuku, që prej kohës kur harronin oxhaqet të mbanin radhën e tymit, janë tashmë në duar të Tjetrit. Dhe Tjetri tashmë flet në oxhaqet tona, me Tymin dhe dhimbjet tona me valutë të majme. Hajde fundja, ne jemi Shqipëria.

Ne jemi… Shqipëria!

Vendi ku flet vetëm ikja, varfëria, pleqëria… sigurisht edhe pasuria, edhe Rinia. Të pastrehët, Emigrantët, Listat Sociale, Të Aksidentuarit, Pazaret … janë të gjitha itineraret. Mos harrojmë dhe varret!?

Gjyqe. Gjykime. Vrasje. Ikje në Drejtim të Paditur. Banda. Kapja… Drejtësia?! Masakra në Familje.

Ne jemi Shqipëria? Ne jemi Shqipëria?

Ne jemi Shqipëria?

Politikanët tanë thjesht e kanë humbur atë çelës. Me të gjitha pamjet që ka ky vend … është diçka që njerëzit nuk e dinë vërtet. Shqipëria është vendi ku kanë lindur dhe janë rritur mjaft nga ata që Ju atje i keni duartrokitur.

Ne jemi Shqipëria, vendi, ku ujqërit pikturojnë dhelprat dhe duartrokiten bashkë në ekspozitë. Vendi ku të gjithë grinden për një biletë jashtë Teatrit dhe bëjnë teatër pa biletë. Vendi ku komedia nuk mbetet profesionalisht e keqe, por mjaft e mirë, për ata që qeshin pa fytyrë. Ne kemi një model mjaft qesharak. Qeshim me modelin tonë të pafjalë. Shesim mend në restorant, por në shtëpi na mjafton bukë me dhallë.

Fasule. Trahana.

Me të dyja bëjmë hata.

Mos të harrojmë mishin e thatë, pastërma.

Njeriu i sotëm kishte një arsye tjetër, për shumë të tjera arsye për të thënë vetë arsyen.

Ne jemi Shqipëria dhe ky është vendi më i bukur e më i dashur për mua. Dhe një Ilirian krenar që jam, i lumtur vazhdoj të jem.

Unë gjithnjë ulem në një kafene dhe qëndroj duke parë njerëzit të kalojnë nga hija e qasja e mysët e qelqtë. Ata janë jo të gjithë në të njëjtin nxitim dhe pyes veten pse? Pastaj shoh një njeri të biznesit. I gjithi në një kostum tre copësh, pas dhe para tij dhe djalë i pastrehë që është duke numëruar thithmat e puros së tij. Ka plehra rruga dhe shtëllunga të tjera… ajo është pirja e duhanit që u shkon qafe avujve në kafe.

Po bie shi, me shi është lagur edhe shtesa e kafenesë në trotuar dhe ajo po bëhet akoma më e lagur nga pështymat që i dalin britmave të harbuara të “pronarit”. Ai është i shqetësuar për paratë për të paguar borxhin dhe ndaj mallkon shiun që ia lagu dhe ia përzuri klientët e përditshëm. Eh, kafeja, kafeneja… Kafja.

Muhabeti. Thashëthemi. Llafja.

Ne jemi Shqipëria dhe ky është vendi ynë i shtrenjtë, i dashur mos e humbisni ardhjen tuaj, ne nuk duam as veten, asnjë më shumë se Tjetrin.

Ne jemi Shqipëria, ne jemi të zhytur në traditë, po lëmë vende të tjera pas, vetë mbesim në këmbë, përditë.

Nuk ka konkurrencë, por gjithnjë dikush (na) hap një gropë. Ne jemi Shqipëria kemi vite të tëra që habitemi: Jemi apo s’jemi në Europë?!

25 views1 comment

1 Comment


Qatip Mara:

Intelektuali talentuar erudit Fatmir Terziu është modeli atdhetarit të shquar që me veprimtarinë dritëdhënëse “Fjala e Lirë,është simboli bashkimit mendor e shpirtëror të intelektualve krijues në të gjithë diasporën shqiptare. Me krijimtarinë letrare të larmishme në prozë,poezi dhe esse e përsiatje filozofike rrezaton atdhedashuri duke na frymëzuar ta duam atdheun si të shenjtë.Ai është personalitet i kombit shqiptar me dituri erudite me kulturë të mahnitshme që mbjell dashuri tek të gjithë shqiptarët kudo në botë

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page