Vetëkuptohet që kjo është një temë mjaft e gjerë, prandaj, për mungesë vendi, do t’i bie shkurt. Kam përshtypjen se ngjarjet që kemi përjetuar, peripecitë nëpër të cilat kemi kaluar, si ne, ashtu edhe rumunët, shpesh na e kanë shtuar çoroditjen në idetë dhe në ç’kemi besuar. Të flakur majtas-djathtas nga tufanet trandës të historisë, nuk kemi pasur veçse rastësisht qetësinë për ta vrarë mendjen rreth aspekteve thelbësore të gjendjes sonë. Prandaj has edhe mendimtarë rumunë, që kanë përvehtësuar tezën komode dhe zhgënjyese të një fatalizmi gjeopolitik. “Duke u ndodhur në udhën e të gjitha të këqiave, - thonë ata, - në kapërcyellin e në kapërthimin e disa interesave të huaja, dënduria dhe forca e të cilave pengojnë çdo mundësi kundërveprimi nga ana jonë, jemi të dënuar me pasivitet absolut, ose, të paktën, me oportunizëm të pandreqshëm”[1]. Kjo ngjan me një dorëheqje përpara historisë.
Perandoria trako-dake ka njohur tre titanë: Dromiketin, Burebistën dhe Decebalin. Sipas Strabonit, shteti i udhëhequr nga Burebista, “gjeneral i përkryer dhe mbret i mënçur”, ishte i fuqishëm. Burebista arriti të bëhej rrezik edhe për vetë Perandorinë e Romës, ngaqë, gjithnjë sipas Strabonit, “njerëzit e tij (të Burebistës sh.im) kaptonin Danubin pa kokëçarje dhe plaçkitnin Trakën e Vogël apo Odrisinë, sikurse quheshin deri atëhere Maqedonia dhe Iliria, ndërsa keltët… i bëri pluhur e hi, njëlloj siç veproi me bojët e mbretërisë së Kritarisit e me teuriskët, që i rrafshoi nga faqja e dheut”[2]. Dakët sundonin treva që shtriheshin deri përtej lumit Dniepër, duke qënë zotër edhe të të gjitha qytezave greke në bregun perëndimor të Detit të Zi. Jul Qezari vendosi ta sulmonte Dakinë, por një ballafaqim i tillë ushtarak nuk ndodhi sepse u vra nga komplotistët.
Lufta vendimtare midis dakëve dhe romakëve u zhvillua në kohën e sundimit të perandorit Trajan, i cili, pas shumë betejash të ndërmarra kundër mbretit dak Decebal, e mposhti në vitin 102. Kësisoj Dakia u shndrrua në provincë të perandorisë romake, me emrin Dacia Felix (Dakia e Lumtur).
Po të bënim një krahasim midis udhëve nëpër të cilat janë çapitur të dy popujt tanë, mund të themi se shqiptarët nuk e ruajtën fenë, por gjuhën nuk e ndryshuan, ndërsa rumunët e ruajtën fenë, por e humbën gjuhën që kishin folur të parët e tyre, dakët. Kësisoj u romakëzuan qysh në emër (Romania, nga Roma)[3]. Në periudhën e lulëzimit të Perandorisë Otomane, shqiptarët derdhën shumë gjak e bënë sakrifica të panumurta, jetuan pesë shekuj nën zgjedhë, ndërsa rumunët gëzuan suzeranitetin, të drejtën për vetëqeverisje, por e paguan shumë shtrenjt, kryesisht me dhurata të rënda, - në kuptimin më të rëndë të fjalës, - për Portën e Lartë[4].
Sidoqoftë, po ta këqyrësh me vëmendje rrugën e vërtetë të shpëtimit, ashtu si për neve, edhe për rumunët, si komb, si popull, si vend, ajo ka qënë e ngjashme: jo oportunizmi, por lufta kundër tij; vetmohimi, jo përulja para vështirësive.
Pra, edhe në rastet kur jo pak politikanë, filozofë a historianë, i ka vënë përfund varfëria morale dhe fatalizmi, shpresa përtëritëse nuk i ka braktisur stërnipat e Dakisë së lashtë. Komediografi i madh rumun Jon Luka Karaxhiale (1852-1912), ka shkruar: “… Çdo populli, shpejt a vonë, iu dashka të kalojë nëpër një paroksizëm qerratallëku, që e përvëlon si fruthi aq sa ia shkumbëzon krejt gjakun, duke e bërë njëherazi të ngrihet më i fuqishëm dhe më i pastër nga ç’ishte”. Një gjë e tillë u dëshmua në dhjetor 1989, kur vlerat etike të rumunëve i pamë si realitet të gjallë e të prekshëm, jo si motive retorike. Shpirti fisnik i dha kuptim humanizmit popullor dhe i betonoi themelet e së ardhmes së Rumanisë. Kjo s’do të thotë që gjithçka është vënë në vijë njëherë e përgjithmonë. Kështu, bie fjala, dalja nga bankat e shkollës dhe hyrja në terrenet e rrëshqitshme të shoqërisë moderne, për të rinjtë rumunë është si çasti i ngurrimit rrëzë pyllit dantesk, drejt të cilit i grish jo rrallë kotësia e gjërave. Ankthi nga varfëria, nga rreziku i mbajtjes së përgjegjësive, i tërheq, jo rrallë, drejt kompromiseve dhe kombinacioneve, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Sidoqoftë, fatmirësisht po fiton gjithnjë e më shumë terren ideja, sipas së cilës ai që të shtyn t’i bësh dredha atdheut, familjes, lirisë, dëshiron të të çnjerëzojë. Ndershmëria dhe korrektësia po shihen si “higjiena” elementare e jetës morale, garanci për jetëgjatësinë e një shoqërie të shëndetshme.
Comments