-Një vështrim i shkurtër mbi librin me poezi: “Stina e Shpresës” të Pader Valentin Rrokut.-
Krijimtaria nuk është veç pasion. Ajo është dhe mision. Dhe kjo pasqyrohet qartë në tipologji të ndryshme të njerëzve krijues, të cilët vijnë në fushën e artit ngarkuar me kulturën e vendit nga vijnë, me pasionin që kanë, me aftësitë e dhuntitë e tyre personale të lindura dhe të përpunuara, gjithnjë të nxitur nga një motiv dhe i synuar drejt një ëndërre që sheh në horizontin e tij të ardhshmërisë, drejt së cilës orientohet, duke e quajtur si mision personal dhe social. Duke lexuar librin poetik “Stina e Shpresës” të autorit Padër Valentin Rroku (Frat katolik), botuar që në vitin 2015, ndjehesh i mahnitur nga stili i tij konçiz, mënyra lakonike e të shprehurit, impiditeti dhe koloriti i mendimit, nga forca artistike dhe logjicioni poetik, nga thjeshtësia dhe shpirti i ndjeshëm në brishtësinë e dashurisë. Pasioni për të shkruar orientohet drejt misionit të përcaktuar, që me anë të poezisë, sinqeritetit të saj, ta udhëheqë lexuesin drejt të kuptuarit të gjërave në jetë si dashuri, në themel të së cilës jemi vetë ne dhe natyra dhe që buron nga një forcë madhore, rrezatimi i së cilës brenda nesh, na bën të dukshëm dhe na harmonizon me atë që na është dhuruar nga kjo forcë, që është vetë Perëndia. Kur merr për të lexuar librin, krijon përshtypjen që, me që autori është një Frat katolik, do të ketë dhe poezinë si imitim të predikimeve në meshë. Por jo. Padër Valentini zgjedh fjalën, e artikulon atë në mënyrë shumë profesionale si krijues, si poet, si njeri që përjeton gjithçka nga jeta me emocion dhe me devocion. Që në hapjen e librit, në poezinë “Deri kur...?”, shohim një poet që di të revoltohet, që di të përdorë elementet e natyrës në shërbim të misionit të tij si poet: “Deri kur, o rè, do ja zini rrugën njëra – tjetrës, e tokën e shkretë, do e gjuani me heshta? Po diellit, njat hise qiellit pse doni me ja shqy?” Metafora është qartë, forma e saj e shprehjes në mënyrë metonimike, po ashtu, stili i të shkruarit ngërthen në “telajon” e shpirtit të tij pikturën më të famshme të raportit mes natyrës: mes reve, mes tokës dhe reve, mes faktit dhe revoltës, duke lënë të nënkuptuar njerëzit dhe veprimet e njëjta në jetën e tyre. Gradualisht ritmet e poezisë pothuajse vibrojnë natyrshëm në ndjesinë e poetit, duke u kthyer dhe në një esklamacion për të goditur kontrastet dhe përçudnimet sociale në jetën e përditshme, siç shprehet tek poezia “Më lini të fle”: “Më lini të fle, Sepse s’dua të shoh duar, Duke ja vjedhur ngjyrat ylberit E të zezën duke na e hedhur mbi çati. Më lini të fle, Sepse s’dua të shoh ankthin Sesi e plagos shpresën, Duke e lënë në agoni. Më lini të fle, Sepse s’dua ta shoh as shpirtin, Të burgosur me shekuj, Duke ëndërruar për pakëz dritë. Më lini të fle E mos më zgjoni nga gjumi, Derisa bota ta njohë Natën si natë e ditën si ditë! Magjia e të krijuarit nuk është thjeshtë vargëzimi, por logjika dhe forca që ka vargu, filozofia e qartë në idetë që duhen transmetuar tek lexuesit, sepse ka një mesazh universal, me anë të të cilit mund të arrijmë në ekzistencën e Hyjit, mesazh i cili është mbizotërues në jetën tonë, mesazhi i Dashurisë. Ja sa thjeshtë dhe sa bukur e artikulon poeti këtë mesazh idesjellës dhe besimsjellës në të mirën universale: Poezia “Mesazh Dashurie”: Ta duam njëri-tjetrin, Se mjaft derdhëm lotë, O vëlla, s’mbeti lot syri, Që s’rrodhi pa një çmim. Pse t’jetojmë si të huaj, Kur kemi një Zot, Qoftë ti në lindje E qoftë unë n’perëndim? Poeti vazhdon me një kumt poetik tepër madhështor, ku fjalët reduktohen deri në mendim të thelluar, përmes një algoritmi metaforik, ku mali me flokët e borës ndjehet krenar për freskinë, duke nënkuptuar Hyjin, që gjithçka tek Ai është e freskët dhe e pathyeshme. Këto flokë bore dhe këtë freski të krenarisë të tejlartit Hyji, poeti do të donte t’i merrte dhe t’i hidhte mbi zemrat e djegura nga flakët e hakmarrjes, nga urrejtja dhe xhelozia, si viruse të dëmshme të njerëzimit. Këtë e shpreh në poezinë “Vetëflijim” (faqe 7 e librit). Poeti, duke qenë një specialist i misionit të tij, për të cilin ka sakrifikuar gjithçka, e di mirë se disa të vërteta nuk janë të arritshme në mënyrë shkencore, sepse inteligjenca jonë nuk e ka gjithë atë aftësi, prandaj dhe kjo poezi mban mbi shpatullat e saj kumtin që duhet të freskohen së pari mendjet njerëzore, të vetëflijohen dhe pastrohen nga vemjet shkatërruese virusale që shkatërrojnë atë dashurinë e hijshme dhe të lartë që duhet të zotërojmë. Poezia që na bën të mendojmë më shumë dhe më me përgjegjësi jo vetëm individuale, por dhe sociale, vjen krejt e shkurtër në vargje, por shumë e gjerë në ide: “S’ka faj dashuria” është titulli i kësaj poezie: S’ka faj dashuria për ndarjen tonë, Mjaft për ne vuajti, derisa na vdiq ndër sy, Tani, sa më shumë ta fajësojmë njëri-tjetrin, Larg e n’drejtime të kundërta do të ecim të dy. A mund të flitet më qartë dhe më poetikisht për një fenomen kaq social dhe hyjnor njëkohësisht? Këtu poeti është i drejtpërdrejtë, ai thekson tiparet e ngjashmërisë përmes një krahasimi të fenomenit me dashurinë si një atentat jo vetëm ndaj dashurisë, por me pasojat që vijnë nga “vrasja” e saj. Dhe rrugët tona shkojnë në drejtime të kundërta, andej nga i pëlqen arsyes njerëzore, por jo asaj hyjnore. Dhe në vijim të kësaj ideje, poeti na jep një panoramë akoma më të qartë, më të shprehur dhe më bindëse, me anë të poezisë “Fati i dashurisë”, ku autori, mes të tjerave, shkruan: Po, po, e mohuam Dashurinë, Madje edhe buzëqeshjen e saj E këmbyem me lotë, E tash, me duar të kryqëzuara, Të çmendura prej marrëzive, Fajësojmë edhe të Madhin Zot! Ah, sikur kësaj Dashurie T’i kërkojmë falje E t’ia ofronim prapë vetëveten, Që kur të ndahemi nga kjo botë, Borxhli të mos i jemi, Por mirënjohës për jetën. Me një gjuhë të thjeshtë, me fjalë të “përtypshme” lehtas, por me një thirrje të fuqishme, si një revoltë e brendshme, poeti shtron pyetjen: O botë, zgjohu se mjaft fjete, U bë vonë, moj e shkretë! Deri kur sytë e tu që deshën dritën, Të përgjumur kanë për të mbetë?! (Poezia “Zgjohu”, faqe 13) Duke “naviguar” nëpër faqet e këtij libri, secili lexues do të gjente vetëveten dhe do të merrte mesazhin e duhur për jetën. Modestia e këtij Frati mendjendritur, që me krijimtarinë e tij të sjell aktualitetin tonë shqiptar, por të “blinduar” artistikisht, shkruan për një dilemë jo vetëm ai si individ, si krijues, si besimtar, por dhe si një specialist dhe si njohës i jashtëzakonshëm i realitetit, me fjalë të pakta, që bartin mendime dhe mesazhe të jashtëzakonshme, na thotë: Ma gjuajte hënën me gurë E me mua edhe qielli qau, Me heshtë m’i gjuajte yjet, Heshta yjet desh m’i vrau. E që nga ajo natë barbare, Dashuria më s’na ka njohur. Sot shpirti më thotë me t’falë, Por zemrën e kam të ftohur. (Poezia “Në dilemë”, faqe 14) Sa bukur na thotë poeti, me anë të një kontrasti invesal, tek poezia “Bota”, përmes katër vargjesh krejt të thjeshta, por të mbushura me një “brumë” logjik artistik: Dje ëndërrova botën ylber me ngjyra, Sot po e jetoj si në filma bardh e zi. Po nesër, a do jem unë refleks i syve të saj, A por bota do të jetë refleks i syve të mi? Secili e ka të vështirë të japë një përgjigje standarde për këtë pyetje mjaft të zgjuar që poeti ka hedhur në skakieren e letersisë, për çdo lexues. Mendim i telluar, ëndërrim dhe përsiatje filozofike, thjeshtësi në ndërtim, siguri në paraqitje si elemente të një krijuesi të mbushur me shkollim, me dije, me eksperiencë dhe i motivuar për të ardhur tek lexuesit e tij si një shpirt dhe mendjendriçues. Janë sfida të çdo krijuesi gjetja e terrenit të përshtatshëm për të hedhur “farën” e mendimit të thelluar, për të hedhur mesazhin e duhur, për të ndriçuar rrugën e së vërtetës, drejt së cilës duhet të shkojmë. Por Padër Valentini, duke qenë një udhëheqës shpirtëror i devotshëm, një njohës i mirë i psikologjisë së njeriut në përgjithësi dhe i besimtarit në veçanti, duke u njohur çdo ditë me problematikat që ka çdo njeri në komunitet, duke zotëruar artin e komunikimit, me fjalët e ngrohta, me dashurinë që dhuron çdo ditë përmes fytyrës së tij gjithmonë buzagaz, transmeton veç dashuri, lufton pa komplekse për të reduktuar mangësitë në personalitet dhe në karakter të njerëzve që e rrethojnë, jo duke fyer, por duke i “ekzaminuar” me shumë kujdes dhe duke bërë që secilit t’i ngulitet natyrshëm në mendjen dhe në shpirtin e tij këshilla, mesazhi dhe dashuria, larg urrejtjes dhe inateve. Poezitë e këtij libri të tërheqin sa nuk lodhesh t’i lexosh dhe rilexosh dhe çdo herë që i lexon, sheh se ke zbuluar diçka të re, diçka të vlefshme. Janë poezitë “Fati i Dashurisë”, “Shkodra Eme”, “Fundshekulli”, “Zgjohu”, “Dashuri”, “Mua shtegtarit”, ‘Nëse do më ëprzësh”, “Ligësia”, “Amaneti”, “Shekull Modern”, “Si munde?”, “tregomë Dashuri”, “Shumë pak dashurojmë”, “Prapë do të rilind”, etj. janë perla artistike dhe jetësore për secilin që i lexon. Nuk ja vlen të ringjallim ëndrrat e vdekura, E as të vajtojmë mbi vargjet e ditarit të trishtë. Nuk ja vlen të ushqehemi me thërrim hakmarrjesh, Duke e ditur zemrën sesa e kemi të brishtë. Këto janë vargjet e poezisë “Nuk ia vlen”, të cilat na mbushin me jetë, që kërkon një vetepastrim, një filtër brenda shpirtit tonë, për të mos e mbingarkuar zemrën tonë të brishtë me “viruse” që vetë i krijojmë dhe me të cilat vetëvritemi. Poezitë në vijim të librit “Nënë”, “Jo gjakmarrjes!”, “Vdekjen”, “Jeta”, “A falim?!”, “Nuk të kam braktisur”, “Nesër”, “Notë proteste”, “Shqipëri”, “Ku është vëllai yt, Abeli?”, “Lotët e Nënë Terezës”, “Martir për fè e atdhe”, “Ndarja”, “Sa her ë duhet me falë?!”, “Ti që më thirre”, “Nëna e Këshillit të Mirë”, “Nga kryqi tek varri yt bosh”, “Krishtlindje” janë të mbushura me frymën e dashurisë, të asaj dashurie që të lumturon, që të mbush me shpresë e besim, për të përmirësuar jetën dhe bashkëjetesën tonë në një harmoni hyjnore. Dhe në fund, na vjen mesazhi më premtues për një dashuri të pavdekshme: O Dashni, duke të ra n’dy gjunjë, Po t’ftoj n’shpi, si mikun tonë, E me t’thanë, si thotë shqiptari, Rri me ne, se u bë vonë. (Poezia “Krishtlindje”, faqe 51) Na mbetet që ta falënderojmë përzemërsisht Fratin tonë të nderuar, këshilltarin, artistin, poetin Padër Valentin Rrokun për këtë libër jashtëzakonisht të bukur dhe të duhur, duke e renditur tek emrat e mëdhenj, si At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçenc Prendushi e shumë emra të tjerë që ndodhen në ballin e vlerave tona kombëtare.
Comments