NDRIÇIM I DENJË I VEÇANTIVE TË LETËRSISË GOJORE SHQIPE DHE I ZHVILLIMIT TË SAJ


Sabahajdin Cena




Ndihmesë e rëndësishme për studentët dhe studiuesit e letërsisë gojore

Në kohën kur, si studentëve të letërsisë gojore shqipe, mësimdhënësve e po ashtu edhe të studiuesve të këtij lëmi, u ishte tejet i nevojshëm një hulumtim dhe ndriçim në diakroni dhe sinkroni i kësaj letërsie, profesor Anton Nikë Berisha e pasuroi vargun e studimeve të tij me botimin e veprës “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe”. Ky libër lëshon edhe një rreze drite në studimin e letërsisë gojore shqiptare që vjen si një pasqyrë e një udhëzues, përkatësisht si një çelës interpretimi me të cilin mund të hapet kjo godinë e madhërishme e njohur si letërsi gojore brenda letërsisë shqipe në përgjithësi.

Kjo vepër kulmore e hulumtimeve dhe e shkrimeve të prof. dr. Anton Nikë Berishës, studiuesve u erdhi pas veprave: Mundësi interpretimi, Ese dhe vështrime, Prishtinë 1979, Teksti poetik. Vështrime e kritika, Prishtinë 1985, Veçanti ligjërimesh poetike, Tiranë 1996, Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, Prishtinë 2001, Çështje teorike të letërsisë, Prishtinë 2005, Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare. Prishtinë 2006, Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Kozencë 2008, Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare, Prishtinë 2008, Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës, Tiranë 2011, Larmi vëzhgimesh letrare, Prishtinë 2012, “Meshari” – vepër e hartuar nga Gjon Buzuku. Fondazione Universitaria “Francesco Solano”. Comet Editore Press. Kozencë 2014 (Botimi i dytë “Faik Konica”, Prishtinë 2014), Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (së bashku me Labinot Berishën), Prishtinë 2017, Vëzhgime mbi “Poetikën” e Aristotelit. Studim. Faik Konica, Prishtinë 2018, Estetika dhe estetika e letërsisë (së bashku me Labinot Berishën), Qenësia e kumtit poetik. Libri i parathënieve 2. Faik Konica, Prishtinë 2019 e shumë vepra të tjera.

Libri është i ndarë në pesë pjesë dhe shoqërohet me aparaturë shkencore (fusnota e bibliografi) tejet të begatshme e njëherit edhe udhëzuese për studime edhe më të thella në fushën e letërsisë gojore, përballë historisë së zhvillimit dhe të ruajtjes së traditës së të kënduarit e të rrëfyerit si dhe të studimeve krahasimtare brenda dhe jashtëletrare në rrafshe të ndryshme, të tekstit, të tematikës dhe të motiveve.

Në pjesën e parë të “Hyrjes në historinë e letërsisë gojore shqipe” autori shtron çështje të përgjithshme të karakterit teorik e problemor të kësaj letërsie si: Poetika e letërsisë gojore përballë poetikës së letërsisë së shkruar, të përbashkëtat dhe veçantitë e tyre të artit të fjalës; merr në vështrim raportin e krijuesit gojor dhe përcjellësit gojor, duke vëzhguar mënyrën e lindjes, ligjet krijuese, zhvillimin dhe funksionimin e krijimtarisë letrare gojore. Studiuesi Berisha thekson se letërsia gojore, si art i fjalës së folur, nëpër shekuj qe krijimtaria shpirtërore, e cila me cilësitë e veta bëri atë që nuk mund ta bënte në atë mënyrë asnjë formë tjetër e artit që krijoi njeriu.

Në këtë rrjedhë ai thekson se çdo krijimtari shpirtërore në zhvillimin e saj ka dhe mbështetet në një traditë, e cila në intervale kohore pëson dhe transformohet, po asnjëherë nuk shkëputet krejtësisht prej saj. Edhe kur një krijimtari e një periudhe të caktuar i kundërvihet ose synon ta mohojë traditën ekzistuese, ajo në një mënyrë ose në një tjetër e determinon dhe ekzistimin brenda saj.

Këtë pjesë të librit të vet ai e përmbyllur me çështjen, përherë të rëndësishme dhe njëherit komplekse, të klasifikimit. Dukurinë e trajton nga aspekte të ndryshme. Ai thekson se klasifikimi në bazë të tematikës dhe të motiveve nuk sjell ndonjë rezultat të qëndrueshëm dhe i jep përparësi interpretimit të vetë veprave letrare gojore, strategjisë së rrëfimit, mesazhit artistik, mikro dhe makrostrukturës dhe elementeve të tjerë të rëndësishëm të krijimit letrar gojor, përkatësisht studimit të veçantë të vetë veprave konkrete të letërsisë gojore. Në këtë rrjedhë ai sjell mendimin e Horkhaimerit dhe të Adornos, ku thuhet se klasifikimi është kusht për njohje, ai vetë nuk është njohje, ndërsa njohja e mënjanon klasifikimin.

Të dhëna të hershme të krijimeve të letërsisë gojore shqipe

Në pjesën e dytë të kësaj vepre, që bën pjesën më të rëndësishme të saj, prof. Berisha përqendrohet në të dhënat e hershme të ekzistimit të kësaj krijimtarie te shqiptarët, duke filluar nga viti 1474, që lidhet me të dhënën e historianit venecian, Anton Sabeliki rreth ekzistimit të këngëve për kryetrimin arbërorë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ai shënon se kishte dëgjuar këngë që këndoheshin dhe vallëzoheshin nëpër udhëkryqe e sheshe përmes të cilave himnizohej kryetrimi. Vazhdohet me të dhënat që jep Marin Barleti, i cili shkruan për ekzistimin e gjëmave dhe të vajtimeve, të dhëna që dëshmohen edhe nga Dhimitër Frangu, Pjetër Budi, Evlia Çelebiut etj.

Në vijim autori thekson rëndësinë e rapsodisë së Pal Golemit të traditës së arbëreshëve të Italisë, të mbledhur nga prifti italian, Nilo Katalano para vitit 1693 (Katalano vdiq në Arbëri më 1693). Teksti i kësaj rapsodie u gjet në Fjalorthin në dorëshkrim italisht – shqip të këtij misionari italian. Po kështu autori ndriçon rëndësinë e madhe të “Dorëshkrimit të Kieutit” i vitit (1735-1750), ku pos shkrimeve të ndryshme, janë edhe 18 rapsodi arbëreshe.

Një interpretim të veçantë Berisha i bën përmbledhjes me rapsodi arbëreshe të vitit 1866: “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, të mbledhur në kolonitë e rrethit të Napolit dhe botuar nga De Rada. Është nga vëllimet më të shquara të gjithë traditës letrare gojore arbëreshe dhe asaj shqiptare. Kjo përmbledhje me rapsodi arbëreshe dallohet për vlera të larta shprehëse poetike, e cila ndikoi fuqishëm te disa shkrimtarë arbëreshë, midis tyre dhe të vetë De Rada. Me vlerat e tilla këto rapsodi zgjuan një interesim të madh ndër arbëreshë, por dhe ndër të huaj, sidomos ndër italianë.

Për t’i dëshmuar vlerat e këtyre rapsodive autori sjell shumë shembuj, ku mirëfilli dëshmohen vlerat e shumë këngëve si tekste, si realizime të ndryshme formësore e kuptimore, të ngritura mbi bazën e traditës së poezisë sonë gojore. Së këndejmi, secili që i studion me kujdes dhe thellohet në qenësinë e tyre, përherë ka çka t’i shtojë asaj që është thënë më parë për to, ka mundësi t’i vështrojë e t’i interpretojë nga shumë aspekte, për arsye se si krijime të pasura letrare artistike, ato çdo herë ofrojnë mundësi të shumta për qasje të ndryshme varësisht prej kërkesave dhe pretendimeve shumë disiplinore edhe në fushën krahasimtare.

Ngushtë lidhur me Rapsoditë e botuara nga De Rada në vitin 1866, studiuesi Berisha e vështron dhe çështjen homerike. Në të vërtetë, disa autorë, duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të traditës letrare gojore, i hartuan veprat e tyre të shkruara mbi bazën e modelit dhe strukturës së këngëve dhe i shpallën të traditës gojore, siç vepruan, fjala vjen, Zef Skiro (Plaku) dhe Gavril Dara i Riu. Dihet se çështjes homerike i priu dukuria e mistifikimit letrar, që mbërriti kulmin me Xhejms Makfersonin e Proper Merimenë.

Një kontribut të rëndësishëm studiuesi Berisha e jep në ndriçimin e elementeve të përbashkëta dhe dalluese të rrëfimit lirik dhe rrëfimit epik, që vërehen në disa elemente, fjala vjen, në dukurinë e formulësimeve, në modelet metrike sintaktike, në epitetet stolisës e, në imazhet poetike, në gjuhën etj.

Në këtë rrjedhë ai e vështron rëndësinë dhe funksionin e formulësimeve në epikën gojore shqiptare, veçmas te këngët e kreshnikëve. Kjo dukuri si bazë ka arritjen e një varg studiuesve të shquar, si A. Shmaus, Milman Parry, Albert Lordi etj. Berisha konstaton se formulësimet si teknika epike, nuk janë përherë të lidhura me një tekst apo me një qark të cak