top of page

NDJESË PËR ZJARRIN...


NDJESË PËR ZJARRIN VJEDHUR PERËNDIVE


Më kishte mbetur në mendje përulja si prej kleriku e Tij… Njeriut që sapo më kishte kërkuar ta shpëtoja prej librave. Deri atë ditë isha unë që e lusja të merrja edhe një libër tjetër, prej librave të tij, teksa ia ktheja të mëparshmin.

Tani, më lutej ai t’ia merrja tërë librat, t’i çoja ku të doja, mjaft t’i largoja prej aty… Nuk kisha dëgjuar kurrë që ai ta përfliste si privim vetjak faktin që s’kishte ndodhur kurrë ta pyesnin çfarë do kishte pasur dëshirë të bëhej apo të bënte në këtë jetë. Pasi besimi në shpirt ishte ndaluar me ligj nga shteti i kohës, që njerëzit t’i bindeshin Të Plotfuqishmit në tokë jo Zotit në qiell, dija që ky njeri kishte filluar të qëmtonte për libra mbi verbërinë, si mundësi për të parë dhe gjetur shpëtim. Mbase qysh nga ato ditë kishte besuar se ishte fat i tij të bënte jetë murgu.

Në fillim qe mbyllur në shtëpinë e tij dhe, vetëdijshëm se kjo do binte në sy, nuk u befasua kur erdhën dhe e shoqëruan për në burg që, edhe ky i shtetit ishte, ndaj dhe ai u dorëzua thuajse me hir. E vetmja gjë që lutej të mos i mungonin, kudo të gjendej, ishin librat. ndaj dhe unë e mendova se ai mund të thirrej Libran.

Kur më në fund ai lloj shteti, i ngjizur pa frymë Zoti, u shkërmoq nën peshën e vet dhe dyert e tërë burgjeve mbetën hapur, doli edhe Librani. U kthye në shtëpi të vet, ku u mbyllë sërish, pasi solli aty një tufë librash gjithnjë nga lloji që ia kishin konfiskuar, rrëmbyer apo djegur, në pafuqi për tu shpëtuar ose në mungesë të tij. Sipas njerëzisë përqark, që s’gjente dot nge dhe as kohë për ta kuptuar këtë njeri, Librani vazhdoi të fliste me to, me librat pra, në bindje se do duhej jo pak kohë që Zoti të kthehej mes shpirtrave të trazuar, lënduar dhe ngarkuar me mëri, edhe kur më në fund zyrtarisht të ishin lejuar.

Pikërisht në këtë kohë arrita në kryeqytet edhe unë. Im at ma kishte këshilluar shkuarjen tek Librani, si të vetmen adresë ku edhe pa e kuptuar s'do ta humbja dot kohën. Për hir të nderimit për babanë tim, Librani më priste me një si dritë gëzimi që i vinte së brendshmi por I shfaqej sysh, pa fjalë, teksa unë, vendosja në raft librin që kisha marrë së fundi, merrja një libër tjetër, vetëm një libër tjetër mund të merrja, përshëndeteshim me vënie të pëllëmbës së dorës në pjesën e majtë të kraharorit dhe unë ikja…

Nuk e pyeta përse, asaj dite dhe as më vonë, thuajse e dija se kurrë nuk do m’i rrëfente arsyet e heqjes dorë të tij prej librave, që deri atë ditë kishin qenë vet jeta e tij. Sidomos pas daljes nga burgu, ishte mbyllur në shtëpi si vetmitar I dëshiruar në manastir, duke shpresuar që vetëm përmes librave të hershëm do mund të merrte vesh përse ata që ishin ngjitur në pushtet, si të pa lexuar dhe të paditur, qenë ngutur të ndalonin tërë librat me Zot e me Njeri.

Edhe kur e kishin arrestuar, duke lexuar e patën gjetur, ia kishin rrëmbyer, librin në duar dhe tërë librat e rafteve, ia kishin plasur në oborrin e shtëpisë, kush e di pse disa i kishin marre me vete dhe librave qe mbeten aty u vunë flakën.

Kur një herë, pa të keq, i përmenda zjarrin e asaj dite, të djegies së librave, ngriti sytë lart, si tu kërkonte ndjesë qiejve. Me zë të ulët si pëshpërimë, në fjalë që arrinin tek unë në secilën shkronjë të tyre, kërkoi sërish ndjesë te Zotat e Hershëm, për zjarrin e vjedhur…

Mbase s'e dinte se, si të shumtët, kisha dëgjuar e menduar veç me nderim për Prometheun. Na kishin mësuar se ai ua kishte vjedhur zjarrin Perëndive për tua dhënë njerëzve.

Duke dëgjuar ndjesën për zjarrin si flakërim, si mënyrë përdorje, në emër të njeriut të më-pastajmë, mbeta pa fjalë. Edhe pse s’mund të bëja me faj librat që kisha lexuar, as të shpresoja me siguri ië plotë tek librat që s’kisha mundur të lexoja dhe ata qe s'do t'i lexoja dot kurrë. Edhe pse e dija që Librani besonte se njeriu duhej t’i gëzohej së pari mbetjes gjallë, do duhej që përmes shenjave që mbeteshin në fjalët e tij të merrja me mend gjithashtu se, edhe për të, jeta do ishte po ai proces, i njëjti që kishte provuar në midis mureve të qelisë. Dhe, si i tillë do përjetohej edhe i mbyllur brenda hapësirës së shtëpisë së lehtësuar prej librave mes flakëve që lëpinin celuloidin e tyre në oborr...

Nuk kishte kërkuar kurrë të merrte vesh cili urdhëroi djegien e librave të tij. Urdhëruesi i zjarrit, apo dora që ofroi urën e zjarrit, sado të ndryshëm, s’përbënin tërë rëndësinë për këtë njeri të vet-shndërruar në murg, edhe tanimë kur po i largohej edhe shoqërisë me librat. Njeriu, nga që s’bëhej dot Zot, edhe kur e adhuronte atë si të Vetëm e të Gjithëfuqishëm, nuk e bëri dot të vetin sekretin e ndezjes së zjarrit nga e para. Për të mos e humbur, për të mos iu shuar qoftë edhe pa-kujdesisht zjarri i sjellë nga Prometheu, njeriu u ndje i detyruar ta mbante pafundësisht ndezur atë…

Ngaqë iu desh ta mbante zjarrin ngrehur, hera herës u vinte radha të digjeshin edhe gjëra që nuk e meritonin këtë fund, siç ishin librat.

Librani mbase i gëzohej mos-ditjes ose mbajtjes fshehur të emrave të djegësve të librave të tij, si të mos donte t’i hynte në pjesë si fajtor apo si qortues, atij Prometheu, që ua kishte ofruar njerëzve zjarrin përmes vesit të vjedhjes, paçka se si sekret e dhunti zotash a perëndish. Edhe po t’ia ndiqja dot Libranit lodrën e dritës në sytë, si gëzim të brendshëm, që as si mirënjohje s’e shpërfillja dot, s’do ta ndaja dot këtë vëzhgim me të tjerë. E kotë ta pyesja, mund t’i ishte lënduese kureshtja ime për mërinë e beftë ndaj librave. Si e një besimtari, zhgënjyer prej tempullit ku ishte falur e rrëfyer?

Nëse nuk do shfaqeshin në jetët tona, emrat e të cilëve kërkojmë të dimë, as ne vet s’do ishim këta që jemi, s’do bënim këtë që bëjmë. Nëse zjarri nuk do përdorej për tërë këto gjëra, po pra: edhe për djegien e librave, as do mund të arrinim të kuptonim me sa kujdes e përgjegjësi do duhej të sillemi me të...

Edhe librat, zjarre janë, tha, më në fund. Pa rrëfyer megjithatë, pse ishte e pashmangshme që një ditë njeriut i duhet të ikë edhe prej tyre…

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page