Ndikimet e Folklorit të Trevës së Labërisë në Poezinëe Ali Asllanit, Nexhat Hakiut dhe Fatos Arapi


PËR FJALA E LIRË!

Ndikimet e Folklorit të Trevës së Labërisë në Poezinë

e Ali Asllanit, Nexhat Hakiut dhe Fatos Arapit[1]

Kumtesë e mbajtur në Universitetin e Evropës Juglindore, Katedra e Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqipe “Takimi i parë shkencor i Albanologëve të Rinj, Tetovë 21-4-2017”

Ligjëruar nga Arqile V Gjata

gjata.arqile2@gmail.com

Abstrakt

Poezia lirike, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit; prekja e thellë e problematikave përmes tematikave dhe figurativitetit të përdorur; gjuha në ligjërimin poetik dhe diskursi i fjalës së përzgjedhur, përbëjnë boshtin e kësaj kumtese duke iu referuar poezisë popullore labe, lirikave të dashurisë dhe atyre të natyrës tek poetët Ali Asllani, Nexhat Hakiu dhe Fatos Arapi nën ndikimin e pashmangshëm të folklorit të trevave të labërisë.

Koncepti filozofik i kuptimit, nëpërmjet një analize semantike të frazës, ka vëndin e vet në funksion të gjuhës. Deduksioni shihet si një nga metodat themelore për argumentimin dhe njohjen. Duke iu referuar të dy metodave për arsyetime, si qasjes deduktive dhe induktive në arritjen e një analize të thellë e të detajuar, metodologjia e përdorur përmes vëzhgimeve, si edhe nëpërmjet krahasimit analitik, realizohet përmes ilustrimit të shembujve edhe në rrafshin e poezisë lirike labe, edhe nëpërmjet ndikimit të saj tek poezia e këtyre autorëve; elementët përqasës për të treguar ngjashmëritë në fushën e përzgjedhjes së tematikës, të mjeteve shprehëse gjuhësore, përdorimit të leksikut me tipare popullore krahinore, të figurave letrare dhe të metrikës së përdorur, sjellin një tablo të poezisë së tyre, si një refren i përsëritur në stade të ndryshme kohore dhe vlera të cilat poezia i mbart e i përcjell tek lexuesi i saj, si shprehje të botës së brendshme të individit në marrëdhënie me botën që e rrethon atë.

Fjalët kyçe: poezi lirike, ndikime të labërishtes, përemri lidhor,frazë.

Hyrje

Gjuha e thjeshtë e poezive popullore, është gjuha me të cilën poetët shprehin ndjenjat e tyre të fuqishme, si dhe u përgjigjen dëshirave e kërkesave shpirtërore të tyre, pasi ata janë të dashuruar pas këngës popullore, janë të dashuruar me hallet, brengat e gëzimet që një popull i thur në këngët e tij e që mbeten në kohë si relike me vlerë, për ta identifikuar atë, në historinë e përjetshme të tij.

Që në shek. XVIII, J.G. Herderi ka mbrojtur pikëpamjen sipas së cilës kultura popullore vështrohet si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare.[2]

Si e tillë poezia popullore dhe veçanërisht ajo me prejardhje nga labërishtja, me tematikë lirike, (lirikat e dashurisë dhe ato të natyrës), është një thesar i paçmuar për letërsinë tonë. Ajo ka rëndesë dhe shtrirje të madhe në gjithë trevat e zonave të Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës e Himarës dhe përfshin vatra burimore ku ka shkëlqyer si poezia me ndikime folklorike me specifikat e veçantitë e zonave përkatëse.

Studiuesi B. Gace thekson: “Përkimet midis poezisë së A. Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë poetike të tyre kanë tërhequr prej kohe vëmëndjen e studiuesve, të cilët nëpërmjet fjalës së tyre, shpirtit të tyre në vargje, më bëjnë të jetoj brenda bukurisë së poezive të tyre, me vlera të vaçanta në letërsinë Shqipe”! [3]

Kështu përmendim: përkime të elementeve estetike; përkime në përdorimin e shprehjeve e të njësive frazeologjike; përkime në përzgjedhjen e tematikave të ndryshme; përkime në përbërësit gjuhësor e leksikor etj., të cilat ndikojnë jo vetëm në vazhdimin e punës krijuese e artistike me vlerë poetike, por jo vetëm. Ato janë thesar brenda thesarit gjuhë. Të tilla ndikime, ku në themel të tyre qëndron fjala popullore, brezi i artë i gurrës popullore, kanë qënë të pranishme dhe të domosdoshme në krijimtarinë krijuese të poetëve në çdo kohë. Them të domosdoshme sepse ajo është e pranishme kudo në këto krijimtari.

Refleksione, mendime, ide e diskutime rreth studimeve mbi ndikimet e folklorit të labërishtes në poezitë e A.Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit më detyrojnë të vazhdoj, të gjej dhe të analizoj ato tipare, veçanti, vlera dhe përkime të përbashkta, që folklori dhe lirika popullore mishërojnë dihatjen e tyre në krijimtarinë e këtyre tre poetëve.

Për të parë dhe ndjerë ndikimin e lirikës popullore, më parë duhet të zbulojmë kohën, situatat, vendin dhe përbërës të tjerë të rëndësishëm, qofshin këta leksiko-semantikorë, morfo-gramatikorë,dhe periudhat kur dhe si këto poezi janë shkruar. Analizat morfologjike, semantike e leksikore, si dhe krahasimet e një lënde të bollshme, zënë vend për të dhënë argumentin se sa e fuqishme është poezia, sa vlerë domethënëse shpreh dhe se si diskursi i saj ndikon mbi lexuesin.

Ashtu si Shkodra, Pogradeci, Elbasani, Gjirokastra etj., edhe Vlora ka personalitetet e saj përfaqësuese në letërsinë shqipe, që i japin asaj dhe poezisë, dimensionin e duhur. Këto përmasa, e vendosin letërsinë vlonjate dhe të trevave të saj në përfaqësinë e letërsisë lirike me vlera kombëtare përkatëse dhe bëjnë epokë me poezitë e A. Asllanit, N. Hakiut dhe F.Arapit. Natyrshmëria popullore, imagjinata si ndjesi e botës së brendshme shpirtërore, poetika dhe entuziazmi, që e përshkojnë poezinë me ritmin dhe leksikun e veçantë, me koloritin e tyre të gjallë nga gurra popullore, e bëjnë atë të gëzueshme dhe me dozë humori, madje me një finesë të tillë që e veçojnë nga krijimtaritë e tjera. Prej këndej marr shtysë të them se poetët, pjesë e kësaj kumtese, dhe që i analizoj si modele shume të vlerësueshme në krijimtarinë e tyre poetike, janë mbështetur në kulturën dhe traditën popullore të trevave të Labërisë si modele me të dhëna të veçanta për nga leksiku, semantika (përfshi këtu edhe figurativitetin shprehës e domethënës), dhe përdorimit të formave të ndryshme morfo-gramatikore, që i japin këtyre ngjyrimeve artistike, detaje dhe marrëdhënie të lexueshme e të veçanta, si pjesë e evidentimit letraro-artistik dhe tejet popullor.

Ndikimet folklorike të trevës së labërisë në poezitë e A. Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit

Nëse lexojmë dhe prekim thellë ndër rrjeshta atë, që këta poetë kanë skalitur me leksikun e tyre të përdorur me mjeshtëri, nuk është rastësi, që të tre, kanë një qasje të hollë për gjuhën, duke i dhënë asaj elementët estetikë si: melodinë, tingëllimën e lirikave të Labërisë dhe kanë për objekt frymëzimi pëllumbeshën, vashëzën shqiptare,bukuroshen, lozonjaren, leshverdhën, engjëllushen e butë, miken më të mirë në jetë, të cilën na e përshkojnë me lirizëm, elegancë dhe me ngjyrime të mëvetshme nga njëri-tjetri.

Për shembull, në poezitë me bazë burimore nga folklori i Labërisë, ka perla të tilla (si këto më poshtë), që natyrisht janë vargje të pa përsëritshme për vlerat e tyre estetike dhe letrare.

"Bilbil thuamë dhe mua! [4] Ca nga ato këngët e tua, Të këndoj krua më krua, Të më vijë ajo që dua, Leshraverdha gjer mbi thua."

 "Mike, në të kam për mike? Kur të vdes të bëhesh qiqe! Të më qash brigje më brigje! Dhe me lot moj dhe me ligje..."

Duke kërkuar kështu besnikëri të përjetshme nga e dashura edhe pas vdekjes, për labin rëndësi ka vetëm morali i besës.

Vetëm në dasmat labe, gjen vargje të tilla, të dala nga goja e motrës së dhëndrrit, që i drejtohet nuses të sapo mbërritur me kalë, duke e "qortuar" me:

"Pse s’u bëre Diell të ngrohje Dunjanë?[5]

Po u bëre Hënë më more vëllanë!.."

Përdorimi i antitezës “Diell-Hënë”, vjen is shprehje edhe e kontradites mes kunatave, por edhe e mosmohimit të vlerave të bukurisë shqiptare, duke e quajtur nusen e vëllait “hënë”. Këtu, madje nën petkun e simbolikes, diellin e gjejmë is flakë e dritë, i domosdoshëm për “dynjanë”, dhe “hënën “ të personifikuar si vashëzën e dashuruar, që me bukurinë e saj ndricon cdo “errësirë”…!

“Ku më ishe, o shpirt’ o xhan / të prita mbrëmë në stan … aman, aman, aman!” /“Ku më ishe, moj qen’ e qenit / Të prita te guri i lëmit / Më griu era e shkëmbit!”[6]

“Moj nepërka gushë larike,[7]

kur të vdes të bëhesh qyqe,

të më qash brigje më brigje

jo me lot, por me ligje”.

“Moj e vogla si loti,

burrin tënd ta vraftë zoti,

me mua të rëntë shorti!”[8]

Në këtë kontekst edhe krijimet poetike të tre poetëve, duke i perballvënë me ato të gurrës popullore të labërisë, kanë madhështinë e formës dhe përmbajtjes, veçantinë e përzgjedhjes së gjuhës, e do të shpjegohen e qartësohen pasi të kemi analizuar me argumente bindëse marrdhëniet dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë e të tre poetëve, që përbëjnë një pasuri shumë të madhe për letërsinë Shqipe.

Profesor Çabej thotë: “Melodia e këngës së vjetër labe është me burime baritore, ajo të kujtonë melodinë e përfituar nga tingëllima e këmborëve dhe zileve”[9],dhe is e tillë ajo lidhet shumë mirë edhe me fjalën në gojën e bariut, bujkut, mjelëses, vashëzës fshatare e të dashuruar, njeriut të thjeshtë që e përditëson atë.

“Kush të ka dërguar, hëna apo dielli? / Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qielli?[10] Nëpër ato pate, madhëri e artë, / Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate? Në je ndonjë engjëll, udhën ke lajthitur, /Apo sjell melhemin zemrës së goditur? Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall, / Që të ndez e derdh e utrin’ mbi zall?”

“Ja po piqet, mike, rrushi/ deg' e pjeshkës më një thyhet,/t'i ka zënë faqet pushi.[11]

Ti nga gazi, nga mërzia Pyet ç'është dashuria, Por ajo nuk ka fytyrë, Nuk ka tingull, nuk ka ngjyrë! Ajo s'ndihet as me fjalë, Vjen e fshehur dhe ngadalë, Vjen një herë' e prap s'e njeh Brenda zemrës ti s’e sheh”.

Poezia s’njeh kohë, ajo shkruhet në çdo stinë të jetës letrare! Kufijtë e saj kohore janë forca e brendëshme e shpirtit. Për të vërtetuar këtë i referohemi vargjeve të shkruara në kohë të ndryshme nga këta poetë, ku krijimtaria e tyre poetike dhe pse në kohë të ndryshme, ndihet e lexohet qartë ndikimi i folklorit nga trevat labe. Krijimtarinë e tyre e përshkon dhe e pasuron fjala e bukur e qëmtuar me sqimë si pikëza drite nga folklori popullor, e ndjerë, e jetuar dhe e ligjëruar në vargje shpirti. Këto ndikime i shohim më të theksuara para viteve 50-të.

Do t'i shtrydh të dy sytë [12]

“Un' jam un', saksi e vjetër! / Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër / Un' e nisa e stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa / dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa / Nëpër vapëz i dhash' hije, nëpër hije er' e shije / i dhash' shije poezie, gjith' fuqit' e një magjie / gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije / ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije / dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Më së fundi i dhash' lotin, kryepajën time pajë / i dhash' lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj' / i dhash' vjershën time valë, dy herë valë tri her' zjarr që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr'/ këng' e marr' e mallit tim, që tani e paskëtaj”.

(Bota e brendshme e autorit, dashuria për jetën dhe poezinë, përbënë atë që ne e quajmë “muzë poetike” ku ndihet lirika e bukurshkruar vargjeve të A. Asllanit, që jo më kot e kemi quajtur “Princi i lirikës shqiptare”. Ai e lidh bukurinë, dashurinë, natyrën, jetën me ndjenjen e dashurisë dhe të urrejtjes, me shpirtin e tij, me poezinë të cilën e “qan”, e “skalit”, i jep jetë, dhe e derdh atë në vargje duke na treguar karakterin externalist të tij).

Pëshpëritje vjeshte [13]

Ja po piqet, mike, rrushi deg' e pjeshkës më një thyhet,/ t'i ka zënë faqet pushi / edhe gjiri po të fryhet ... / Eja, mike, bashk të bredhim/ Erdhi koha që t'i mbledhim:

Un’i zgjedh ti i këput / Ca në dorë e ca në futë. /Në se degët nuk arrin,/ Do të kap, moj, mu në mes: / Të të ngre, moj, mi peqin / Me një zemër; me një shpresë.

Kokrrat fshehur nëpër fletë / Hajt i mbledhim më nuk rriten, / Eja, mike, se un' vetë / Ti këpus kam frik' se vriten!

Margarite, moj[14]

“Shoqja ime, moj / me dy sy si nata të mëdhenj, të zinj / me bukurinë tonë të virgjër / vdekjen po ushqejmë / se kjo toke ka ftohtë / mardhi /e ka ngrirë. / Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri, / Futemi nën dhe porsi rrënjë ëndrrash,/ Që të vijë pranvera, që të vijë behari, / Toka përmbi ne e balta të shkrijë,/ ëndrrat te shpërthejnë, si shpërthen bari. / Dashuria jonë / Me dy sy si nata çuditërisht të zesë, / Nga plumbat armike prerë mes për mes / Dashuri e lindur,/ Dashuri e rritur Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare. / Dashuri tragjike / Për botën e madhe. / Margarite, moj / Motra ime, moj, / Shoqja ime, moj.”

Këtu tematika ndërthuret me dashurinë për jetën, me dashurinë për lirinë, me dashurinë per shoqen…dhe gjithcka për një jetë më të mirë, e lidhur me luftën dhe përpjekjet e sakrificat për lirinë e atdheut. Figura e trimëreshës Margaritë, bukuria dhe forca shprehëse nëpërmjet kësaj bukurie përfaqëson bukurinë e vajzave shqiptare që luftuan dhe dhanë jetën në momentet më të bukura të jetsë, ia falën rininë Shqipërisë, prandaj autori thotë “dashuri tragjike për botën e madhe”.

Duke shfletuar poezitë e të tre poetëve të sipërpërmendur, dallojmë mënyrën e organizimit, leksiku shfaqet me ndikim të theksuar popullor, frazeologjia dhe vargu vjen si një këngë plot ritëm dhe tregojnë më së miri se ata ishin njohës të thellë të folklorit, nga ku merr shtysë ndikimi i poezisë popullore në poezitë e tyre lirike. Me bukurinë e vargut, me mjetet artistke shprehëse, me strukturën e tyre të përsosur poetike, me pasurinë e mendimeve e me forcën e gjuhës së brendshme, na bëjnë të shijojmë botën e tyre krijuese të ndërtuar me mjeshtëri!

Përgjatë leximit të drejtpërdrejt të vargut poetik të tyre, bie në sy përdorimi i mbiemrave shumë të gjetur, (pash dy syt' e tu që nxinin të groposur, të brengosur; fllad i ëmbël; saksi e vjetër; madhëri e artë; moj nepërka gushë larike,foljeve kryesisht në lidhore, (të më qash; të ndez; të rëntë; t'i mbledhim; të ngre, etj.) lidhëzat krahasuese, (moj e vogla si loti; ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?; ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari; Me dy sy si nata, etj.), e vecanërisht përdorimit të apostrofit apo trajtës së shkurtër,( erdh’ pranvera me t’jeshile; deg' e pjeshkës; zotris’ sate; t'i ka zënë faqet pushi; t'i mbledhim, etj.) dhe që vlen shumë për t’u theksuar përdorimi i thirrmores “moj” p.sh. ku më ishe, moj qene e qenit; Margaritë, moj / Motra ime, moj,/ Shoqja ime, moj; të të ngre, moj, mi peqin; do të kap, moj, mu në mes, etj. si një dozë kompleksiteti për t’i dhënë më tepër pathos poezisë. Them “kompleksitet” sepse përdorimi i tyre jo vetëm bën një lloj diferencimi, por na shtyn më tej në atë që ne e quajmë folklor, taban popullor, gurra popullore etj, gjë që i jep tonin dhe individualitetin poezisë se tyre dhe madje e bënë këtë poezi shumë popullore e të pëlqyeshme, që pavarësisht viteve kur ajo është shkruar, sot i ka rezistuar kohës dhe tingëllon tejet aktuale për vlerat njerëzore.

“Loja” e bukur poetike e këtyre poetëve luhet në trevat e toskërisë, ku fryma, stili, fjala e përzgjedhur me ngjyrime të dallueshme, ka ndikime të forta nga tabani i folklorit të labërishtes!

Poezia e Asllanit, Hakiut dhe Arapit dhe lidhjet që ajo mbart me elementët morfologjike, e bënë më të plotë e të kuptueshëm diskursin e këtij ligjërimi poetik. Përdorimet e përemrave lidhorë, pjesëzave, apostrofit, trajtës së shkurtër, i japin po aq bukuri dhe tonalitet vargut, sa edhe përdorimet e foljeve në kohë e veta të ndryshme, emrave, kallzuesve, mbiemrave e ndajfoljeve, në të cilat gjejnë terren të përshtatshëm sepse këto lidhje vijnë natyrshëm në fjali, për të arritur atë mesazh fort të këndshëm e gazmor në poezitë e të tre poetëve.

Përemrat lidhorë përbëjnë të veçatën tek këto poezi. Fenomeni i POLISISIDENTIT, ose, siç quhet më thjeshtë, grumbullimi i lidhëzave dhe i përemrave lidhor në një fjali, përbëjnë vlerë dhe ndikim të përbashkët në poezitë e A. Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit dhe i japin vargut ngopjen e duhur estetike. Ato krijojnë efektin e ndryshimeve sasiore dhe cilësore në ligjërim.

Siç dihet, lidhëzat dhe përemrat lidhorë janë fjalë të pandryshueshme, që shërbejnë për të lidhur fjalë, grupe fjalësh, ose fjali midis tyre. Një ndikim të tillë e ritheksoj për faktin se, roli i përemrave lidhorë dhe lidhëzave në përgjithësi në këtë krijimtari poetike, si një fenomen i përhershëm dhe i përdorur me mjeshtëri estetike nga autorët, i jep poezisë më shumë dinamizëm, koloritin befasues, kontekste prekse dhe mendim te thellë poezive, nuance ngjyruese, lojra fjalësh ledhatuese, sikur të jetë kaq reale dhe e prekshme sa edhe vetë poetët nuk e kanë imagjinuar kur e kanë thurur këtë lloj vargu me shpirtin e tyre poetik:

N.Hakiu[15]

Vaj- medet, çobankë, vaj! / Qaj, çobankë e vogël, qaj / Se kasollja ty t’u doq / Se manarja ty t’u poq,/ Qaj çobankë, që të qaj / Se kjo bota qënka vaj! / Moj e gjor’, çobankë e gjorë,/ Mbete moj me krrab’ në dorë / T’iku syska me këmborë, / Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj / Se kjo bota qënka vaj! / Kú- kú- kú, çobanë kú,/ Bú-bú stani seç t’u doq / Pú-pú nëna seç t’u poq, / Bú-bú-ú, çobankë, bú, / Ku je ti, çobankë ku, / Mbete qyqe dhe kërcu! /….Há-há-há, çobankë, há / Qesh, çobankë e vogël, qesh / Se ky trimi të pru desh,/ Qesh, çobankë, qesh, mos qaj, / bota qënka gas e vaj / Poezia Qesh, çobank’, që të mos qaj!”.

Po t’i bashkojmë gjithë tingëllimat, muzikalitetin, virgjërinë e këtyre poezive të shkruara në kohë e mjedise të ndryshme, lexuesi do të ndihet si në një mbrëmje simfonike, ku fjala burimore bëhet “këngë e marrë’ “ “për botën tragjike”, “me një zemër, me një shpresë”!

E, për të depërtuar qartazi tek efektet stilistike, kam përzgjedhur tri poezi me të cilat dëshiroj të shpalos mendimet, idetë dhe ndjenjat e autorëve përmes unit lirik, ku mbizotërojnë përfytyrimet dhe përjetimet artistike, si dhe të tregoj se kemi të bëjmë me prurje vetiake, të cilat shprehen përmes simboleve dhe figurave të ndryshme stilistike, që i japin poezisë stilin individualizues. Në poezitë e tyre diskursi paraqitet në vetën e parë, ose dhe në vetën e dytë si më poshtë:

Një vështrim i arratisur [16] Një vështrim i arratisur Nga qepallat e qëndisur Ku është shpirti im skalisur, Nga dy syt' e zezë të tu Vjen më thotë ashtu-kështu Më thot' jo edhe më ndez Më thot' po edhe më vdes Nata zgjatet edhe zgjatet Ah kjo nat' me or' nuk matet!

Stili është tejet popullor me individualitete të spikatura. Gjuha është e thjeshtë por e ndjerë, dhe e përzgjedhur bukur e me forcë shprehëse, e cila na jep një tablo interesante e të vërtetë, të jetuar, të bukur, të ndjerë shpirtërisht. Ku autori të veçantën kërkon ta përgjithësoj dhe të përgjithshmen ta kthejë në të veçantë. Rima shpesh formohet nga mbiemra: i arratisur – e qëndisur; nga folje: ndez – vdes; zgjatet – matet; nga emra: mërzia – dashuria, fytyrë – ngjyrë, etj., e vazhdon:

E un' mbetem duke lutur Lutem yjeve të këputur. Dhe un' lus e kërkoj ty, Atë vetull, atë sy! Se në syrin tënd të zi N'ate sy të zi, mazi Shenj' e buzës sime duket Si një prush në re kur muget.

Ç' është dashuria?[17]

Ti nga gazi, nga mërzia

Pyet ç'është dashuria,

Por ajo nuk ka fytyrë,

Nuk ka tingull, nuk ka ngjyrë!

Ajo s'ndihet as me fjalë,

Vjen e fshehur dhe ngadalë,

Vjen një herë' e prap s'e njeh

Brenda zemrës ti s’e sheh!

Po t' ish lule, fshehur barit,

Do këputesh, do të thahesh,

Po t'ish perlë, fij’ e arit

Do rrëmbehesh, do të ndahesh;

Po t'ish zog, do të vajtonte

Brenda zemrës në kuvli,

Ta liroje, do këndonte

Larg nga ty, nga çdo njeri!

S'është lule për në fushë,

S' është perlë për në gushë,

S'është as zog për në kuvli:

Ajo zemrën ka shtëpi....

Ja se ç'është dashuria!

Ësht' a s'është nuk e di,

Por un' di se lumturia:

Nuk është vetëm dashuri!

Ti do të më dashurosh patjetër[18] Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. Në mallin tënd ky karafil i egër, Ti do të më dashurosh patjetër! Në sytë e tu diej të vegjël e ndezën natën dhe ditën e ndezën. Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? Ti do t'më dashurosh patjetër. Kapërcej ty e kapërceva veten, dhe përtej vetes kapërcej jetën, dhe përtej jetës kapërceva vdekjen, I hapa krahët të pushtoj ty vetëm: Ti do t'më dashurosh patjetër!

Këtu vihet re se ”Uni” lirik është i fuqishëm, i pazgjidhshëm, krenar, me frymëzim dhe i dallueshëm midis tyre. Secili nga autoret ka mikrobotën e vet poetike!

“Sa më shumë të hyhet në botën lirike të poetit (Ali Asllani), aq më tepër do të na shpaloset dhe do të na zotërojë e veçanta, e papërsëritshmja e poezisë së tij”, thekson Fatos Arapi (Në konferencën shkencore “Ali Asllani Princi i lirikës Shqiptare”).

Po kaq individualitet dhe tipare vetjake gjejmë në poezinë e N.Hakiut, apo në mënyrën e kompozimit dhe të lëvrimit prej tij të poezisë, e cila vjen si prozë poetike!

Ndikimi i folklorit në poezinë e F.Arapit shihet si më pranë poezisë moderne, si një përkushtim, i trajtuar dhe i re