Ndikimet e Folklorit të Trevës së Labërisë ...


Ndikimet e Folklorit të Trevës së Labërisë në Poezinë

e Ali Asllanit, Nexhat Hakiut dhe Fatos Arapi!

Arqile V Gjata

Abstrakt!

Poezia lirike, si pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe shprehje e botës së brendshme të autorit drejt lexuesit; prekja e thellë e problematikave përmes tematikave dhe figurativitetit të përdorur; gjuha në ligjërimin poetik dhe diskursi i fjalës së përzgjedhur, përbëjnë boshtin e kësaj kumtese duke iu referuar poezisë popullore labe, lirikave të dashurisë dhe atyre të natyrës tek poetët Ali Asllani, Nexhat Hakiu dhe Fatos Arapi nën ndikimin e pashmangshëm të folklorit të trevave të labërisë.

Koncepti filozofik i kuptimit, nëpërmjet një analize semantike të frazës, ka vëndin e vet në funksion të gjuhës. Deduksioni shihet si një nga metodat themelore për argumentimin dhe njohjen. Duke iu referuar të dy metodave për arsyetime, si qasjes deduktive dhe induktive në arritjen e një analize të thellë e të detajuar, metodologjia e përdorur përmes vëzhgimeve, si edhe nëpërmjet krahasimit analitik, realizohet përmes ilustrimit të shembujve edhe në rrafshin e poezisë lirike labe, edhe nëpërmjet ndikimit të saj tek poezia e këtyre autorëve; elementët përqasës për të treguar ngjashmëritë në fushën e përzgjedhjes së tematikës, të mjeteve shprehëse gjuhësore, përdorimit të leksikut me tipare popullore krahinore, të figurave letrare dhe të metrikës së përdorur, sjellin një tablo të poezisë së tyre, si një refren i përsëritur në stade të ndryshme kohore dhe vlera të cilat poezia i mbart e i përcjell tek lexuesi i saj, si shprehje të botës së brendshme të individit në marrëdhënie me botën që e rrethon atë.

Fjalët kyçe: poezi lirike, ndikime të labërishtes, përemri lidhor,frazë.

Hyrje

Gjuha e thjeshtë e poezive popullore, është gjuha me të cilën poetët shprehin ndjenjat e tyre të fuqishme, si dhe u përgjigjen dëshirave e kërkesave shpirtërore të tyre, pasi ata janë të dashuruar pas këngës popullore, janë të dashuruar me hallet, brengat e gëzimet që një popull i thur në këngët e tij e që mbeten në kohë si relike me vlerë, për ta identifikuar atë, në historinë e përjetshme të tij.

Që në shek. XVIII, J.G. Herderi ka mbrojtur pikëpamjen sipas së cilës kultura popullore vështrohet si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare.

Nexhat Hakiu

Si e tillë poezia popullore dhe veçanërisht ajo me prejardhje nga labërishtja, me tematikë lirike, (lirikat e dashurisë dhe ato të natyrës), është një thesar i paçmuar për letërsinë tonë. Ajo ka rëndesë dhe shtrirje të madhe në gjithë trevat e zonave të Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës e Himarës dhe përfshin vatra burimore ku ka shkëlqyer si poezia me ndikime folklorike me specifikat e veçantitë e zonave përkatëse.

Studiuesi B. Gace thekson: “Përkimet midis poezisë së A. Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë poetike të tyre kanë tërhequr prej kohe vëmëndjen e studiuesve, të cilët nëpërmjet fjalës së tyre, shpirtit të tyre në vargje, më bëjnë të jetoj brenda bukurisë së poezive të tyre, me vlera të vaçanta në letërsinë Shqipe”!

Kështu përmendim: përkime të elementeve estetike; përkime në përdorimin e shprehjeve e të njësive frazeologjike; përkime në përzgjedhjen e tematikave të ndryshme; përkime në përbërësit gjuhësor e leksikor etj., të cilat ndikojnë jo vetëm në vazhdimin e punës krijuese e artistike me vlerë poetike, por jo vetëm. Ato janë thesar brenda thesarit gjuhë. Të tilla ndikime, ku në themel të tyre qëndron fjala popullore, brezi i artë i gurrës popullore, kanë qënë të pranishme dhe të domosdoshme në krijimtarinë krijuese të poetëve në çdo kohë. Them të domosdoshme sepse ajo është e pranishme kudo në këto krijimtari.

Refleksione, mendime, ide e diskutime rreth studimeve mbi ndikimet e folklorit të labërishtes në poezitë e A.Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit më detyrojnë të vazhdoj, të gjej dhe të analizoj ato tipare, veçanti, vlera dhe përkime të përbashkta, që folklori dhe lirika popullore mishërojnë dihatjen e tyre në krijimtarinë e këtyre tre poetëve!

Për të parë dhe ndjerë ndikimin e lirikës popullore, më parë duhet të zbulojmë kohën, situatat, vendin dhe përbërës të tjerë të rëndësishëm, qofshin këta leksiko-semantikorë, morfo-gramatikorë,dhe periudhat kur dhe si këto poezi janë shkruar. Analizat morfologjike, semantike e leksikore, si dhe krahasimet e një lënde të bollshme, zënë vend për të dhënë argumentin se sa e fuqishme është poezia, sa vlerë domethënëse shpreh dhe se si diskursi i saj ndikon mbi lexuesin.

Ashtu si Shkodra, Pogradeci, Elbasani, Gjirokastra etj., edhe Vlora ka personalitetet e saj përfaqësuese në letërsinë shqipe, që i japin asaj dhe poezisë, dimensionin e duhur. Këto përmasa, e vendosin letërsinë vlonjate dhe të trevave të saj në përfaqësinë e letërsisë lirike me vlera kombëtare përkatëse dhe bëjnë epokë me poezitë e A. Asllanit, N. Hakiut dhe F.Arapit. Natyrshmëria popullore, imagjinata si ndjesi e botës së brendshme shpirtërore, poetika dhe entuziazmi, që e përshkojnë poezinë me ritmin dhe leksikun e veçantë, me koloritin e tyre të gjallë nga gurra popullore, e bëjnë atë të gëzueshme dhe me dozë humori, madje me një finesë të tillë që e veçojnë nga krijimtaritë e tjera. Prej këndej marr shtysë të them se poetët, pjesë e kësaj kumtese, dhe që i analizoj si modele shume të vlerësueshme në krijimtarinë e tyre poetike, janë mbështetur në kulturën dhe traditën popullore të trevave të Labërisë si modele me të dhëna të veçanta për nga leksiku, semantika (përfshi këtu edhe figurativitetin shprehës e domethënës), dhe përdorimit të formave të ndryshme morfo-gramatikore, që i japin këtyre ngjyrimeve artistike, detaje dhe marrëdhënie të lexueshme e të veçanta, si pjesë e evidentimit letraro-artistik dhe tejet popullor.

Ndikimet folklorike të trevës së labërisë në poezitë e A. Asllanit, N.Hakiut dhe F.Arapit

Fatos Arapi

Nëse lexojmë dhe prekim thellë ndër rrjeshta atë, që këta poetë kanë skalitur me leksikun e tyre të përdorur me mjeshtëri, nuk është rastësi, që të tre, kanë një qasje të hollë për gjuhën, duke i dhënë asaj elementët estetikë si: melodinë, tingëllimën e lirikave të Labërisë dhe kanë për objekt frymëzimi pëllumbeshën, vashëzën shqiptare,bukuroshen, lozonjaren, leshverdhën, engjëllushen e butë, miken më të mirë në jetë, të cilën na e përshkojnë me lirizëm, elegancë dhe me ngjyrime të mëvetshme nga njëri-tjetri.

Për shembull, në poezitë me bazë burimore nga folklori i Labërisë, ka perla të tilla (si këto më poshtë), që natyrisht janë vargje të pa përsëritshme për vlerat e tyre estetike dhe letrare.

"Bilbil thuamë dhe mua! Ca nga ato këngët e tua, Të këndoj krua më krua, Të më vijë ajo që dua, Leshraverdha gjer mbi thua."

"Mike, në të kam për mike? Kur të vdes të bëhesh qiqe! Të më qash brigje më brigje! Dhe me lot moj dhe me ligje..."

Duke kërkuar kështu besnikëri të përjetshme nga e dashura edhe pas vdekjes, për labin rëndësi ka vetëm morali i besës.

Vetëm në dasmat labe, gjen vargje të tilla, të dala nga goja e motrës së dhëndrrit, që i drejtohet nuses të sapo mbërritur me kalë, duke e "qortuar" me:

"Pse s’u bëre Diell të ngrohje Dunjanë?

Po u bëre Hënë më more vëllanë!.."

Përdorimi i antitezës “Diell-Hënë”, vjen is shprehje edhe e kontradites mes kunatave, por edhe e mosmohimit të vlerave të bukurisë shqiptare, duke e quajtur nusen e vëllait “hënë”. Këtu, madje nën petkun e simbolikes, diellin e gjejmë is flakë e dritë, i domosdoshëm për “dynjanë”, dhe “hënën “ të personifikuar si vashëzën e dashuruar, që me bukurinë e saj ndricon cdo “errësirë”…!

“Ku më ishe, o shpirt’ o xhan / të prita mbrëmë në stan … aman, aman, aman!” /“Ku më ishe, moj qen’ e qenit / Të prita te guri i lëmit / Më griu era e shkëmbit!”

“Moj nepërka gushë larike,

kur të vdes të bëhesh qyqe,

të më qash brigje më brigje

jo me lot, por me ligje”.

“Moj e vogla si loti,

burrin tënd ta vraftë zoti,

me mua të rëntë shorti!”

Në këtë kontekst edhe krijimet poetike të tre poetëve, duke i perballvënë me ato të gurrës popullore të labërisë, kanë madhështinë e formës dhe përmbajtjes, veçantinë e përzgjedhjes së gjuhës, e do të shpjegohen e qartësohen pasi të kemi analizuar me argumente bindëse marrdhëniet dhe ndikimet e folklorit të labërishtes në krijimtarinë e të tre poetëve, që përbëjnë një pasuri shumë të madhe për letërsinë Shqipe.

Profesor Çabej thotë: “Melodia e këngës së vjetër labe është me burime baritore, ajo të kujtonë melodinë e përfituar nga tingëllima e këmborëve dhe zileve”,dhe is e tillë ajo lidhet shumë mirë edhe me fjalën në gojën e bariut, bujkut, mjelëses, vashëzës fshatare e të dashuruar, njeriut të thjeshtë që e përditëson atë.

“Kush të ka dërguar, hëna apo dielli?

Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qielli? Nëpër ato pate, madhëri e artë,

Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate? Në je ndonjë engjëll, udhën ke lajthitur,

Apo sjell melhemin zemrës së goditur? Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,

Që të ndez e derdh e utrin’ mbi zall?”

“Ja po piqet, mike, rrushi/ deg' e pjeshkës më një thyhet,/t'i ka zënë faqet pushi.

Ti nga gazi, nga mërzia Pyet ç'është dashuria, Por ajo nuk ka fytyrë, Nuk ka tingull, nuk ka ngjyrë! Ajo s'ndihet as me fjalë, Vjen e fshehur dhe ngadalë, Vjen një herë' e prap s'e njeh Brenda zemrës ti s’e sheh”.

Poezia s’njeh kohë, ajo shkruhet në çdo stinë të jetës letrare! Kufijtë e saj kohore janë forca e brendëshme e shpirtit. Për të vërtetuar këtë i referohemi vargjeve të shkruara në kohë të ndryshme nga këta poetë, ku krijimtaria e tyre poetike dhe pse në kohë të ndryshme, ndihet e lexohet qartë ndikimi i folklorit nga trevat labe. Krijimtarinë e tyre e përshkon dhe e pasuron fjala e bukur e qëmtuar me sqimë si pikëza drite nga folklori popullor, e ndjerë, e jetuar dhe e ligjëruar në vargje shpirti. Këto ndikime i shohim më të theksuara para viteve 50-të.

Do t'i shtrydh të dy sytë!

“Un' jam un', saksi e vjetër!

Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër

Un' e nisa e stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa

dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash' hije, nëpër hije er' e shije

i dhash' shije poezie, gjith' fuqit' e një magjie

gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije

ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije

dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Më së fundi i dhash' lotin, kryepajën time pajë / i dhash' lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj' / i dhash' vjershën time valë, dy herë valë tri her' zjarr që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr'/ këng' e marr' e mallit tim, që tani e paskëtaj”.

(Bota e brendshme e autorit, dashuria për jetën dhe poezinë, përbënë atë që ne e quajmë “muzë poetike” ku ndihet lirika e bukurshkruar vargjeve të A. Asllanit, që jo më kot e kemi quajtur “Princi i lirikës shqiptare”. Ai e lidh bukurinë, dashurinë, natyrën, jetën me ndjenjen e dashurisë dhe të urrejtjes, me shpirtin e tij, me poezinë të cilën e “qan”, e “skalit”, i jep jetë, dhe e derdh atë në vargje duke na treguar karakterin externalist të tij).

Pëshpëritje vjeshte!

Ja po piqet, mike, rrushi deg' e pjeshkës më një thyhet,