top of page

NDERIMI PËR “NDERIN E KOMBIT” RRAHMAN PARLLAKU


OBVL, Akademi përkujtimore në 105 vjetorin e lindjes së gjeneralit që bëri epokë

 

NDERIMI PËR “NDERIN E KOMBIT” RRAHMAN PARLLAKU

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

 

·      Në spiralet e historisë, gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet, duke pasur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës

 

 

Heroi i Popullit Rrahman Parllaku, në 105 vjetorin e lindjes është përkujtuar si memoria historike e kombit.

Në Akademinë Përkujtimore që Organizata e e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL) mbajti më 20 prill 2024 në Akademinë e Shkencave, me moderimin e Mjeshtrit të Madh Defrim Methasani, përveç Veteranëve e pasardhësve të tyre, familjarëve, miqve dhe të afërmëve të të paharruarit general Parllaku, merrnin pjesë dhjetra personalitete ushtarake, të politikës e letrave, si Namik Dokle, Pëllumb Xhufi, general. .Piro Ahmetaj, Shaqir Rexhvelaj, Tefta Cami, Mjeshtri i Madh Muharrem Gjoka, historian Xhemal Meçi – Mjeshtër i Madh, nënkryetarja e OBVL Miraja Ohrikol. Ali Demushi, akademik Fatos Daci, etj.

Pas dokumentarit "Gjenerali që bëri epokë", që u ndoq me interes të veçantë, të pranishmit u përshëndetën nga: Gjeneral major Manushaqe Shehu - Zv/ Shef i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH; Flamur Noka – deputet & Sekretar i Përgjithshëm i PD; Jonida Halili – Nënkryetare e Bashkisë Tiranë; Lekë Hoxha - Kryetar i Org. Veteranëve të LANÇ të Kosovës; Enver Parllaku - Përfaqësues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” të Filadelfias SHBA, Prof. Dritan Spahiu - Kryetar i Shoqatës Luma, ish - ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami, etj.

Jeta dhe vepra heroike e gjeneral Parllakut, si organizator dhe drejtues i talentuar i LANÇ dhe Ushtrisë Shqiptare, qëndresa në burgjet e diktaturës dhe publicistika e tij, u përçuan më së miri nga kumtesat që mbajtën: Prof. asoc. dr. Bernard Zotaj dhe  shkrimtarët e publicistët Shpendi Topollaj, Sakip Cami dhe Nikolla Sudar.

E përbashkëta në fjalët përshëndetëse dhe e trajtesave që u mbajtën në këtë Akademi Përkujimore, qe përcjellja te publiku konkluzioni se, në spiralet e historisë, gjeneral Parllaku ka ditur të lakohet me dinjitet, duke pasur si kolonë bazë përkushtimin kombëtar shqiptar dhe progresin shoqëror, si thelb i motivimit që gëlonte shpirtin e tij progresist e liridashës.

Vështirë të përmbledhësh në pak radhë, në kuintesencë, motivimin e personalitetit të tij, zhvillimin konjitiv e psikomotor të këtij djaloshi që ngjitej nga Novosej i Kukësit në Tribuna të larta shtetërore, në hero të popullit të tij, në drejtues madhor ushtarak, duke ndryshuar variablat në kontekste politike në funksion të mbijetesës dhe qëndresës, nga udhëheqës i shquar në të dënuar me burg, nga triumfator në grigjë të rrezikut për jetën, nga piedestali i kuadrit të dobishëm në stigmën e “njeriut të rrezikshëm”, ekstreme këto që provokuan në personalitetin e tij, qëndrime dhe vlera të larta politiko-shoqërore në raportin e ndjenjave të forta estetike midis dashurisë dhe urrejtjes. Këtë volum ideor dhe estetik e përcolli përgjatë shekullit të jetës së tij, një burrë shtetar, një organizëm vital, një mendje koherente dhe një vizion largpamës dhe perspektiv. 

Kjo Akademi Përkujtimore u pasqyrua edhe nga televizionet publike kombëtare Top chanal e Ness 24.

Më poshtë vijojnë disa nga përshëndetjet në këtë Akademi përkujtimore për Nderin e Kombit Rrahman Parllaku.




Gjeneralmajor MANUSHAQE SHEHU: Burrështetasi që sfidoi kohët dhe regjimet

                                                        

E prita me kënaqësi të veçantë ftesën e OBVL për të qenë e pranishme në këtë event të rëndësishëm.                         

Përkujtimore të tilla kushtuar një personaliteti të rrallë, si komandanti legjendar i LANÇ dhe drejtuesi i talentuar i Ushtrisë sonë, janë vërtetë një ngjarje e shënuar, jo vetëm për ne në këtë sallë, por për gjithë shqiptarët.

Për mua si drejtuese e Ushtrisë qe një rast fatlum dhe unik, krejt i veçantë dhe emocionues padyshim, që e njoha nga afër gjeneral Parllakun dhe mësova shumë prej tij.

Rrallë gjen shembuj të personalitetit ku të jenë jetësuar në mënyrë kaq mjeshtërore vetitë e karakterit të një patrioti, të një ushtaraku të mençur, fisnik, të ndershëm dhe patriot, si tek ky Hero i Luftës dhe Ushtrisë që e përkujtojmë sot në 105 vjetorin e ditëlindjes së tij.

Rrugëtimin mbi shekullor të jetës, Gjeneral Parllaku e ka përshkruar përmes fjalës e veprës së tij, duke mbetur një monument e pasuri kombëtare e pa eksploruar plotësisht.

Ne krenohemi me të, pasi në jetën dhe veprën te tij janë ulur këmbëkryq urtësia e burrit të malësisë, trimëria, shpirti i lirisë dhe atdhedashuria e luftëtarit antifashist dhe e komandantit partizan, si dhe angazhimi qytetar plot përkushtim.

Të tillë do ta përkujtojmë gjithmonë këtë burrështetas që sfidoi kohët dhe regjimet, me përkushtimin ndaj kombit, i pathyeshëm në betejat që iu imponuan apo i zgjodhi që të bënte përgjatë  mbi 100 viteve të jetës së tij.

I përjetshëm kiujtimi i gjeneralit fitimtar të tri kohëve Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe nderi i Kombit.

LAVDI!

 

                                                                    *

FLAMUR NOKA – Sekretar i Përgjithshëm i PD: Gjeneral Parllaku na “flet” edhe pas vdekjes                                          

Gjeneral Parllaku ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një luftëtar. Jeta e gjeneral Parllakut na flet edhe pas vekjes. Na jep shenja me rezistencën, me forcën, me dinjitetin dhe me burrërinë që na mungon, për të cilën sot flitet pak.

Historia e Shqipërisë, e thuajse 100 viteve të fundit, na paraqitet edhe në profilin e tij si burrë, si luftëtar, si ushtarak dhe si politikan.

Te vite, te rrudhat, te betejat e gjeneralit, dukej sikur flisnin disa nga ngjarjet e rëndësishme të Shqipërisë që nga vitet ’30 e këtej.

Ka pasur e ka një debat që vazhdon në Shqipëri për Luftën Antifashiste, apo luftën civile, por nuk mendoj se mund të ketë ndonjë debat për luftëtarët, për lirinë e Shqipërisë dhe qëllimin, pikërisht në atë moment që ata e bënë luftën.

Ideali i tyre, kauza e tyre, perspektiva e tyre, ishte një Shqipëri e lirë.

Rrahman Parllaku është pjesë e asaj plejade të rinjsh, dhe më vonë burrash, që bënë luftën e tyre, por edhe të fshatit, qytetit, krahinës, Shqipërisë dhe të vetë kombit shqiptar.

Në këtë luftë, Parllaku dhe sivëllezërit e tij imagjinuan një Shqipëri të lirë, një Shqipëri të drejtë, një Shqipëri nënë të të gjithëve.

Lufta e tyre duhet ndarë nga paqja që erdhi më vonë, dhe që nuk prodhoi paqe për të gjithë, por një luftë tjetër, edhe më të egër, edhe më vëllavrasëse, të shqiptarit mbi shqiptarin.

Rishkrimi i historisë pa këtë mendim, pa këtë dijeni, është një gabim që thekson luftën në paqe dhe anashkalon luftën që u bë për të sjell paqen dhe lirinë.

Rrahman Parllaku është bashkëfshatari im, por është njëkohësisht edhe bashkëluftëtari im, bashkëluftëtari ynë, i të gjithë atyre që bëjnë betejë për një Shqipëri të brezave, jo të vetes dhe të grupit të vet.

Si të tillë e nderojmë sot, si bashkluftëtar të të gjithë atyre që luftojnë jo për interesa personale, por për kauzën e përbashkët.

Lufta të cilën ndajmë me gjeneral Parllakun është ajo për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë; jo si betejë për të pamundësuar paqen, por që të sigurohet paqja për të gjithë, si opsioni i vetëm për të cilin shkohet në luftë.

 

 

                                                                      *

 

JONIDA HALILI – Nënkryetare e bashkisë Tiranë: Gjeneral Parllaku “SIMBOLI I QYTETIT TË TIRANËS”

Kam kënaqësinë e veçantë që në këtë Akademi Perkujtimore në 105-vjetorin e lindjes të  Heroit të Popullit Rrahman Parllaku,  t’ju sjell përshëndetjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Pesë vjet më parë, në 100 vjetorin e ditëlindjes së tij, ndërsa i ka dhënë titullin “SIMBOLI I QYTETIT TË TIRANËS”, kryebashkiaku Veliaj është shprehur se “Ka heronj dhe mbi heronj, por gjeneral Rrahman Parllaku mbetet mbi të gjithë një hero i gjallë dhe krenari e qytetit. Ai është një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste”.

Qytetarët e Tiranës janë krenarë me këtë  patriot që luftoi fashizmin, me këtë  figurë emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, me gjeneralin që sfidoi regjimin e diktaturës komuniste, dhe me Heroin e Popullit, titull që diktatura komuniste ia hoqi, por historia ia përjetësoi.

Ne jemi krenarë që  kemi “Simbol të Qytetit” gjeneral Parllakun që ishte dhe mbeti simbol ikujtesës patriotike, qytetare dhe historike…”.

Pikërisht për këto vlera, me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, një rrugë kryesore e kryeqytetit mban emrin “Rruga Gjeneral Rrahman Parllaku”.

Kështu Ai është përjetësuar në kujtesën tonë, në kujtesën e të gjithë qytetarëve të Tiranës si simbol i saj.

Le ta përkujtojmë si të tillë edhe në këtë ditëlindje të 105-të .

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Lavdi jetës dhe veprës heroike të gjenealit legjendaf Rrahman Parllaku!

 

LEKË HOXHA: Kosova e nderon Parllakun si gjeneral legjendar

Sa qe gjallë, gjeneral Parllaku ka ardhë disa herë në Prishtinë, Prizren e Gjakovë. Në takimet përkujtimore, sëbashku me prindërit e mi, Fadil e Vahide Hoxha që drejtuan Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, kanë dhënë mesazhin e domosdoshmërisë të mbrojtjes dhe promovimit të Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Këto mesazhe i ka përcjellë, jo vetëm në takimet e përbashkëta të dy organizatave tona, por edhe në media, në televionet e Shqipërisë e të Kosovës, si dhe në librin e tij “Kosova e lirë, ëndrra e jetës sime”.

Në Kosovë, Rrahman Parllakun e prisnin dhe e nderonin si gjeneralin legjendar që drejtoi Ushtrinë Partizane në luftën për çlirimin e Shqipërisë e të Kosovës, si fitimtarin e tri epokave.

Ai ishte dhe mbetet simbol i luftëtarit e drejtuesit të talentuar të luftës partizane, simbol i ushtarakut model, simbol i atdhetarit të flaktë që mishëronte dhe përçonte vlerat më të mira njerëzore dhe intelektuale.

Si të tillë do ta kujtojmë e nderojmë gjithmnë general Parllakun. 

 

                                                                        *

 

ENVER PARLLAKU:  “Bïjtë e Shqipes”, të Filadelfias në SHBA

krenohen me gjeneralin legjendë në kufirin e tri kohëve

Në emër të Shoqatës “Bïjtë e Shqipes”, të Filadelfias në SHBA-së, ju sjell përshëndetjet miqësore e vëllazërore për nderimin që i bëni sot birit të shquar të Novosejtë  të Lumës, të paharruarit, “Nderi i Kombit” dhe "Heroi i  Popullit”, Gjeneral Lejtnant Rrahaman Parllaku, në 105 vjetorin  e ditlindjes së tij.

Gjeneral Rrahman Parllaku, është padyshim krenari kombëtare shqiptare, por para së gjithash ai është krenaria e familjes, efisit tonë, e  fshatit Novosej ku lindi dhe e Kukësit që  e burrëroi, e fisnikëroi dhe e brumosi me shqiptarizmë. Ishin këto virtyte që e karakterizuan në drejtimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në krijimin e konsolidimin e ushtrisë Shqiptare. 

Por ne krenohemi edhe me qëndrimin e paepur përballë diktaturës që e burgosi dhe e dënoi padrejtësisht, ndërsa Ai nuk u ligështua, por doli edhe më stoik e udhërrëfyes  në mbështetje të proceseve demokratike. AI u bë dhe mbeti  burim frymëzimi edhe për brezat e ardhshëm, përfshi edhe shoqatën tonë  “Bijtë ë Shqipes”. Në disa aktivitete që ne organizojmë, “Gjeneralin mendjendritur vazhdimisht e kujtojmë dhe e vlërësojmë, siç ai e meriton.

Si një nga të afërmit e tij, si pjestar i fisit emërndritur “PARLLAKU”, ndjehem krenar, sa herë mes shqiptarëve të diasporës përmendet emri i “Gjeneral Rrahman Parllakut”, sepse ai vlerësohet dhe nderohet si Gjenerali-Legjendë në kufirin e tri kohëve , që jetoi e përshkoi, thuajse në hapësirën tonë mbarëkombëtare, një rrugë plotë sakrifica, duke reflektuar besë e burrëri, trimëri, mençuri, fisnikëri, humanizëm , atdhetari e shqiptarizëm për të mbetur  me grada të përjetshme...,si gjenerali që me jetën dhe veprën e tij ka fituar pavdekësinë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!





31 views0 comments

Yorumlar


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page