I dashur Arqile,
Në Portalin tonë të nderuar të Profesorit të shquar të Diasporës sonë në Perëndim Fatmir Terziu, lexova reagimin Tuaj ndaj grekomanit Vasil Klironomi, me titull “Klironomi Vasil dhe fjala e tij miope…!”, ku u njoha me vlerësimet e larta, bukur të argumentuara, të shumë personaliteteve të kulturës mbarëshqiptare për krijimtarinë Tuaj të begatë. Si shqiptar, jam sa krenar, aq edhe entuziast për ato vlerësime tepër objektive që Ju kanë bërë bashkatdhetarët e njohur të fushës së letrave shqipe.
Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se ai i gjori Vasil Klironomi është në siklet të madh, prandaj mos u shqetësoni për fjalët e tij miope, siç i karakterizoni ju me shumë të drejtë. Ju lutem, mundohuni ta kuptoni pozitën e tij. Serpse ai lumëmadh është në një gjendje të dyzuar për shkak të mungesës së dinjitetit personal. Merreni me mend: para grekëve ai prezantohet si Vasilis Klironomos, kurse para shqiptarëve detyrohet që emrin dhe mbiemrin e tij t’ia nështrojë një “operacioni” të sikletshëm - t’i presë “me thikë” prapashtesat e greqishtes -is dhe -os dhe të prezantohet si Vasil Klironomi. Ky procesi “hiq e vur” i prapashtesave të greqishtes shpreh dyzimin që e bren brenda qenies së tij.
Dyzimi i këtij të shkretit Vasil Klironomi / Vasilis Klironomos më sjell në kujtesë një rrëfenjë fort zbavitëse të gazetarit dhe shkrimtarit amerikan Tom Vulf (Tom Wolfe ose Thomas Wolfe - 1930-2018), i cili vlerësohet si pionier i rrymës “gazetaria e re” në letërsi. Sipas fjalëve të shkrimtares Doroti Skura (Dorothy Scura - 1930), Tom Vulfin e çmojnë si “gazetarin më të famshëm të Amerikës”.
Ja çfarë thotë Vulfi në rrëfenjën e vet:
“A e dini fabulën për lakuriqin e natës? Shpendët e pyllit dhe egësirat shpallën luftë mes tyre. Kur fitonin shpendët, lakuriqi i natës thoshte se ishte shpend, se fluturon. Kur fitonin egërsirat, ai thoshte se ishte egërsirë, se ka dhëmbë. Kjo është edhe arsyeja që lakuriqi i natës nuk shfaqet gjatë ditës. Të gjithë kanë neveri për dyzimin e tij”.
I dyzuari Vasil ju sulmon juve se jeni shkrimtar, poet dhe studiues i talentuar, i mbështetur në një truall shumë të shëndoshëshqiptarizmi, kurse ai është në rolin që i kanë ngarkuar. Ju i keni bërë një shërbim të shkëlqyer mbarë kombit shqiptar me studimin që i keni kushtuar të Madhit Aristidh Kola, i cili është nderi dhe krenaria jonë kombëtare. Para Jush, Vasili i dyzuar është thjesht një qime hesapi. Me këtë rast, dëshiroj t’ju kujtoj një proverb të kahmotshëm të Shqipes sonë Hyjnore:
“Nuk ngjit qimja në kadife”.
E, pra, Ju, i dashur Arqile, përfaqësoni “kadifenë” e kombit shqiptar, prandaj nuk ngjit dot në të qimja Vasil i dyzuar.
Me respekt dhe mirënjohje.
Eshref Ymeri
Indianapolis, Indiana
02 qershor 2020
Comments