top of page

NDËSHKIMI I NJË TË VDEKURI!


Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"

NDËSHKIMI I NJË TË VDEKURI!

Tregim


Ktheva kokën. Nga që ishte fare pranë meje pashë që kufoma ishte e çveshur. Ngjyra e meitit e kishte akulluar dhe kjo dukej nga ngrirja që i kishin pësuar tiparet dhe gjymtyrët. Me sa dukej nuk ishin kujdesur as t'i bënin një farë tualeti, atë që kryhet zakonisht me të vdekurit pa ngrirë ende. Thonjtë e këmbëve,-sepse ai ishte zbathur,-por edhe të gishtave, i ishin nxirrë sikur t'ia kishte shtypur dikush përdhunshëm. E njoha! Ky njeri, para se të bëhej kufomë, flinte përbri meje, para se të shfytyrohej e bërë meit, në po ata dyshekë prej kashte të kapanonit tonë të qindhshes së të gjallëve. Dhe ishte aq e papritur dhe e pa besueshme e gjithë kjo, sepse të gjithë e dinim që ai ndodhej në spitalin e burgut të Tiranës, nga që vuante nga sëmundja e sheqerit. Por atë e paskishin mbajtur këtu, duke i shërbyer ndonjë infermier a mjek i burgosur, apo thjesht duke e lënë të vdiste krejt vetëm.Thoshnim se e kishin çuar në Tiranë sepse ai ishte tepër rëndë, vuante nga kriza të shpeshta dhe këto nuk mund të shëroheshin aty, pa medikamente dhe në një rrëzë mali të xhveshur, rrethuar me ushtarë të armatosur e me tri rrathe telash më gjëmba, si ato të shteteve ndërkufitare! E quanin Sabri...Sabri Burnazi.Pat punuar si inxhinier topograf dhe qe dënuar me dhjetë vjet për agjitacion e propogandë kundër Partisë dhe Shtetit. Kështu që, ky djall formulimi i nenit 55 të kodit penal, për të gjithë ne që, sikundër flitej. nuk dinim t'i vinim"fre gojës", por deri ne 7-8 vjet qe "i mallkuari", ndërsa Sabriut të gjorë i kishn shtuar edhe tri vite të tjera për xheç tjetër. Qe njeri i mirë, siç thuhej midis të burgosurve, tepër i heshtur dhe kishe përshtypjen se ai nuk ngiste as edhe një mizë, nuk shante as më të ligun e jo më të shante shtetin. Po, nejse...kjo e gjithë ishte një punë e ngatërruar. Çështja ishte se tani ai kishte vdekur papritur dhe unë e vështroja me tmerr gjitonin tim të stromave të kashtës.Aq afër e kisha. I ndjeja edhe frymëmarrjen. Po përse pikërisht unë?!


-Ti!,-dëgjova pa pritur, thuajse në rrëzë të veshit zërin e ashpër të kapterit dhe pas pak ndjeva një të shtirë të fortë aq sa gati do të bija mbi kufomën. Kape dhe vendose mbi tezgë! Edhe ti!,-shtoi duke iu kthyer një të burgosuri tjetër që ndodhej po aty. Nuk kisha lëvizur nga vëndi, i shokuar nga kjo kërkesë e tmerrshme, kur pashë tjetrin të vendosej te koka e të vdekurit. -Dëgjove ç'të thashë?!,-më shkundi përsëri kapter Nazifi... -Po e kam të... pamundur,-bëlbëzova i tmerruar. Nuk jam marrë ndonjëherë me kësisoj punësh. Më besoni! -Ashtu hë?,- u zgërdhi gardiani..-Po,...po me se...je marrë ti? Me propogandë kundër shtetit? Hë, more, se u di unë...u di...ja, edhe ky të njëjtën gjë bënte,-shtoi duke treguar të vdekurin...-Hë, se kështu keni për të përfunduat të gjithë ju! Hajde, zëre tani dhe hidhe në tezgë...Nuu...Nuk e ndjen se ka nisur të qelbet?,-iu përdrodh fjala në gojë kapterit. Kur preka këmbët e akullta të viktimës m'u rrëqeth i gjithë shtati. Mbylla sytë dhe i shtrëngova kyçet e këmbëve. Nuk ishte aq i lehtë. U befasva në çast, se të vdekurit peshojnë më tepër se sa kur janë gjallë. Këtë e ndjeu edh Valdeti,-kështu quhej edhe i burgosuri tjeter qe e kishte kapur nga koka,-sepse e ndjeva se, më shumë po e zvarritnim se sa po e çonim peshë. Kështu që, kur errdhi puna te tezga, ai më shumë ra përmbys se sa ashtu si duhej. Ne u përpoqëm që ta kthenim me fytyrë nga qielli... -Mos u mundoni shumë,-ironizoi kapter Nazifi,-Nuk prish ndonjë punë se ka përthyer pak hundën. Edhe atje ku do të shkojë dhe do të hajë...dhe... me krimba. Pasaj krimbat,...e di...dini ju se ç'të bëjnë kri...mbat?! Ne e ngritëm tezgën goxha të rëndë dhe e nxorrëm jashtë "kthinës së të vdekurve" që shërbente si një farë morgu. Ndriste një dielli i shëmtuar dhe koha kishte marrë ngjyrën e mehitit. Një makinë tip "ZUK" priste ca më tej. Dikush hapi pjesën e pasme të makinës dhe ne e shtymë tezgën rrëshqitazi në dyshemenë metalike. -Hyni dhe ju brënda!,-thirri atë kohë polici Milo që qëndronte pas nesh i heshtur. Hypëm. Qe një karroceri e ngushtë, krejt metalike, me dy frëngji anash, edhe ato të ndara në kuadrate hekuri, në trajta kryqesh të salduara. Ndjemë se si u shti nga jashtë shuli i derës dhe pastaj kërcitja e çelësit në dryn. Këto zhurma, me gjithë kohën e gjatë në burg, me shulet e rënda dhe drynet po aq të rënda, thoja me mëndje,nuk na u ndanë kurrë dhe, sa herë që i dëgjoja, më ngjante sikur dikush të shtrëngonte zëmrën në një morsë. Vura re se aty qenë hedhur pa kujdes qysh më parë një kazmë e një lopatë...Unë sot nuk do të isha asgjë tjetër, veçse një varrmihës! Makina do të dilte pas pak nga territori i burgut të ndërtuar në faqen e kodrës së xhveshur. Nga dritarja që coptonte qiellin, mund të shikoje qytezën e largët, si të zhytur në mjegullnajë. Po, mëtëlartë luginës qielli të sillte ndijesinë e lirisë e gati do të harroja se, pas meje ndodhej kufoma e Sabriut. Më rrëshqitën sytë nga i burgosuri tjetër, shumë më i ri se nga unë , i cili kishte futur kokën mididis dy këmbëve të veta e dukej sikur qante me dënesë. Makina bëri një kthesë të rrëmbyer e u dukë sikur do bëheshim bashkë që të tre në një rrokullisje nëpër humnerë. Pastaj nisëm të ngjiteshim përsëri. Ajri sikur u bë më i pastër. Se qe ende mëngjes, një mëngjes marsi, me shpërthimet e pranverës dhe ndryshimet e befta të qiellit. I mbërrtheva majat e gishtave tek hekurat e dritares dhe mu shfaq si në ekranin e kinemasë një bajame e tejlulëzuar dhe më ngjau se edhe qielli u mbush me lule. Mu veshën sytë nga bardhësia, si të qe dëbora e fundit, para shkrirjeve të prillit, sic thoshte një poet në këngën e tij që e këndonte po vet....Dhe mu kujtua se Sabriu i shkretë i donte shume lulet. E dija këtë, sepse, sa herë që i vinte e shoqia ta takonte, ai mundohej të mblidhte një tufë me lule të egëra gjithfarësh, afër klonit rrethues të burgut dhe e rregullonte me merak për tia dhënë asaj. Dhe thashë me vete se, një njeri që i do lulet nuk mund të jetë kurrë i keq! E, sa herë që i mblidhte këto lule të egëra, ai më thoshte i mallëngjyer se "Për ty egziston një botë jashtë mureve dhe telave me gjëmba të këtij vëndi ku na kanë izoluar, egziston një njeri që të do akoma dhe kjo eshtë gjëja më e madhe në trishtimin tënd. Ti i çon asaj një tufë me lule, sa herë që e takon, si peshqeshin më të bukur që mund të vijë nga një vënd i mbyllur si ky, një tufë me lule të burgosura edhe ato përfund klonit, sikurse edhe ajo të sjellë dashurinë e saj të madhe dhe lulet e saj të freskëta që kundërmojnë jëtë pa fund! Kurse mua më mungonte kjo gjë aq e madhe e aq e bukur...!" Befas ndalëm. Duhej të binte makina në një gropë rruge malore, për të më sjellë në vete. Koka m'u përplas diku në tavanin e karrocerisë së hekurt. Kufoma e Sabriut rrëshqiti deri te dera, sikur kërkonte të arratisej. Valdeti i trëmbur u përmënd nga dënesa e tij e heshtur dhe u përpoq ta ngrinte tezgën e të burgosurit të vdekur disi më lartë i vetëm, por e kishte të pamundur, edhe pse qe zgjedhur si njeriu më muskuloz i "Kampit te Riedukimit",-sikundër e quanin këtë vënd të mjeruar në një cep të botës..U përkula ta ndihmoja e zgjata duart që më dridheshin...Befas "ZUKU" u lëkund përsëri, sikur ta kishte përfshirë një dallgë deti në fërtunë dhe ramë të dy mbi të vdekurin kallëpakulli! Kjo llahtari na bëri të brofnim s'andejmi në mënyrën më të zorshme e më të mundimshme, por tezga me të vdekurin rrëshqiti përsëri në fundin e karrocerisë bashkë me ne, të gjallë e të vdekur bashkë. Motori u shua menjëherë. Si të zalisur që të dy, ndjemë se llozi i derës u tërhoq me zhurmë. Ajo u hap dy kanatsh e ne picërruam sytë nga rrezatimi i pastër i diellit të pranverës që sapo kishte hyrë. Këmbët i hodhëm jashtë derës dhe tezgën e mbajtëm me brrylat e duarve. Kapter Nazifi e kuptoi ndërkohë që duhej të na hiqte prangat dhe u morë me këtë punë -, sapo syri ynë nisi të bredh i lirë në majëmalin që ende zbardhte në pritje të prillit. Ndërsa Kapter Miloja, si më i gjëndshëm, vuri një dorë tek tezga për të na ndihmuar që ta zbrisnim përdhe. E ulëm tezgën me kujdes, por këmbët e të ndjerit Sabri vareshin jashtë nga troshitjet që kishim pësuar në makinë. E rregulluam sa mundëm më mirë në shtratin e tij të fundit... -Hë, de krimba, lëvizni,-thirri kapter Nazifi.-Ti derr,-i'u drejtua ai Valdetit,- rrëmbe kazmën, ndërsa ti tjetri, që më hiqesh si langua, merr lopatën dhe ejani pas meje...Ua tregojë unë vërrën e sëmës tuaj, armiq të popullit! U çapitëm pas tij me një ndjenjë vreri dhe zëmërimi që na ishte ngjitur deri në fyt. Mbrritëm në një vënd disi të braktisur, mbi sipërfaqen e së cilës ngrihehin disa gunga dheu, rrethuar nga shkurre të ulëta e gurë tek tukë..Çuditërisht mbi pirgjet e dheut dukeshin disa grryka shishes...Shtanga! O Shën Mari!,-mërmërita dhimbshëm. Po këtu qënka një varrezë e vërtetë, e panjohur, e fshehtë nga bota... Kapter Nazifi,-që nuk ishte më kapter, se gradat qenë hequr me kohë, po ne kështu i thërrisnim , sepse edhe atij kështu i pëlqente, ngriti zërin e foli me një ton solemn: Këtu do hapni një varr..Po nuk kemi kohë për gropë shumë të madhe,,Le që s'është fare nevoja.Një e gjysmë me tetëdhjetë pond të thellë. Sa të nxërrë këtë qënin që lehu kundër Partisë...Qartë?..Hajde , lëvizni tani. Brënda orës e dua gati!, Nuk e hapët për aq kohë, ta dini se ju futa edhe juve këtu brënda....Dy armiqë të tjerë më pakë! Vura re se Kapter Miloja uli sytë për tokë dhe u mvrejtë. Qe tip i kundërt me kafshën që foli ashtu dhe mua më shpëtuan si një mërmërimë e mbytur fjalët "muti i mutit zënë!", sikundët shante im atë në çaste të rralla..."The gjë ti, Langua?!",-bërtiti Kapter Nazifi....Nuk i ktheva përgjigje , i rrëmbeva kazmën Valdetit dhe qëllova me mllef dheun e fort..Dukej sikur vëndi qe zbutrur prej shirave të fundit, po në këtë gërxh nuk hynte as maja e kazmës. Ma rrëmbeu kazmën Valdert e provoi të godas edhe më me forcë. Miloja e tërhoqi Nazifin mënjan e diç i thoshte me terezi, ndërkohe që ai qe gati të turfullonte përsëri Nuk më kishte qëlluar kurrë të hapja një varr! As të shihnja se si... Më lëndohej zemra...E pata parë këtë nëpër filma, po edhe tek bëhej sikur hapej një varrë, si në skenën tonën tonë të teatrit, kur tek ne u realizua tragjedia "Hamleti" nga nje regjisor Rus, edhe ai me njerën këmbë të coptuar në luftën e dytë...Pra bëhej sikur hapej një varr, varri i Ofelise së bukur! Mirëpo rolet e varrmihsave, ai ua kishte dhënë dy aktorëve të komedisë, të cilët qenë bërrë çakërrqejf, tek hapnin varrin e që pastaj nisën të këndonin kur gjetën kafkën e Jorikut qe dikur kishte qënë mbret! E dija se, në tragjeditë e Shekspirit qe brënda edhe marrëzia e humorit, po këtu raportet qenë krejt të tjera e çdo fjalë e çdo gjest tjetër "paguhej" edhe me dhjetë vite të tjera burgim, përveç dhimbjes që ndjente njeriu tek duhej të varroste shokun e vet! Vetëm kur pushova pakëz të fshija djersët që më rridhnin çurkë, pashë më përtejë buzës së varrit që po hapnim, Kapter Nazifin e shtrirë mbi bar duke dredhur një cingare, sidhe Kapter Milon që na vështronte qetësisht , pa e hequr dorën nga arma e varur ne sup. Te koka e te vdekurit rinte vetëm shoferi me rroba civile që mbante një kasketë të thjeshtë. Varrimi u bë në një heshtje imponuse prej natyrës njerëzore. Nuk u tha asnjë fjalë, po vetëm me një gjest të Kapter Nazifit u hodh kufoma në gropë, me nje anim të tezgës. U ndie një zhurmë e thellë, sikur bie nga lartë një thes i mbushur. M'u tha fyti nga etja dhe tmerri. Mendova me trishtim se ndoshta do të ishte mirë të ishte sajuar nga komanda e burgut një kasë e thjeshtë, për të mos e hedhur qënien njerëzore kështu, mbështjellur me një batanije të vjetër bugu. Unë e Valdeti hodhëm në fillim nga një grusht dhe e, pas një pauze fare të shkurtër, rrëmbyem mjetet tona të hapjes së varrit edhe pëtr ta mbyllur atë, derisa të sajonim kurrizoren e dheut,të ngjajshme me ato të tjerat aty afër të fatzinjëve të panjohur! Sipas porosisë që më dha kapter Nazifi, në drejtimin e përafërt me kokën e të dënuarit lashë një vënd bosh, ku vetë ai do të afrohej e do të vendoste një shishe xhami të taposur e me një shtresë të hollë zifti përsipër, që unë do ta mbuloja po me shënjën e tij. Isha i përpirë nga kureshtja për të ditur se çfarë shkruhej në atë copë letër të futur në atë shishe, në një "qeli të qelqtë", si edhe ne të tjerët, të vdekurit e gjallë. Ndoshta ishte shënuar koha e dënimit të tij, koha e vdekjes që e kishte ndëprerë këtë dënim dhe, nga që nuk kishte mundur ta mbaronte, ai duhej varrosur aty e jo ti jepej familjes, sepse duhej të vazhdonte të kryente dënimin, deri në fundin e afatit ligjor! Përpikmëri e jashëzakonshme ligjore!. Ky zbulim më tmerroi! O Shë Mari e ti Biri i Saj, Jezu Krisht! A nuk e shihni se këtu burgosen edhe të vdekurit?! Më solli në vete zëri i egër i kapter Nazifit, i cili me sa dukej, e kishte mbaruar detyrën e tij dhe tani duhej të iknim, pasi kishte thirrur me vështrimin nga ana jone se "tani kemi një armik më pak!". U çapit rëndshëm drejtë makinës, duke mos harruar që të na i prangoste duart përsëri, me një viaskë më tepër të vidhës shtrënguese...As që e ndjeva kërcëllitjen e gjymtyrëve tek më ishte tretur vështrimi tek Sabriu që do të vazhdonte të dergjej nënë dhe , sa ti vinte koha e lirimit, pa asnjë shënje mbi varr, qoftë edhe pa një tufë me lule, qofshin ato edhe të egëra , nga ato qe mblidhte po vetë i ndjeri, brënda "kampit t Riedukimit"! * * * Duhej të kishte kaluar afro një muaj nga ngjarja makabre,nga e cila kisha mbetur i ngrirë e i tjetërsuar,nën një trysni frike e ankthi të parrëfyer. Me gjithë përpjekjet për ta fshirë nga kujtesa gjithë atë tablo tragjike, isha zvogëluar si qënie, kisha humbur peshën, mëndjen, gjallërinë, sigurinë për të ardhmen time. Të dielën e katërt ishim mbledhur të gjithë ne oborrin e burgut, si nje masë e murrme e palëvizëshme dhe prisnim të dëgjonim, pa marrë frymë, listën e takimeve, ku më duhej të delia edhe une me shpresën e vagëlluar se mos më vinte të me shihte im atë plakë... U thirrën dhjetë emrra të burgosurish dhe, befas, ne shtangëm të gjithë kur i njëmbedhjeti nuk ishte veçse ai i Sabri Burnazit. Sikur më ra qieilli mbi kokë. Qe si një rrufe goditëpse me shkrepëtimë të largët...Me sa dukej askush nga administrata e kësaj "qëndre" të tmerrshme që e quanin nëpër letrat e tyre "Kampi i Riedukimit", nuk kishte marrë mundimin të njoftonte familjen e të ndjerit pas vdekjes së tij. Ndofta edhe prej atyre ligjeve të "panjohura" e të papublikuara,që kryheshin e nuk shkruheshin e as qe mund të thuheshin!...Siç u mësua më pas, po brënda murreve të burgut,-ku për habi merrreshin vesh të gjitha lajmet, ngjarjet , dënimet e të bëmet e zyrtarëve, politikanëve të lartë, si edhe të kryeshtetarëve. Ridënimi i të vdekurit (pa e krryer masën e vuajtjes së mëtejshme, përsë gjalli!), nuk do ti thuhej as kësaj rradhe bashkëshortes së tij, pa e hapur rregjistrin e pa e përfunduar ai i ziu dënimin kokërr më kokër, ku diku shkruhej edhe për "qelinë e qelqit", të qelise së nënëdhedhme. Dhe Bashkëshortes së Sabri Burnazit do ti thuhej patjetër një gënjeshtër, sikut iu tha edhe kesaj rradhe, kur ajo errdhi ta takonte e të flinte një natë me të dashurin e zemrës së saj, inxhinjerin e mire Sabri Burnazi, pa i marre kësaj rradhe tufën e luleve të mbledhura posht klonit të një burgimi të çuditshëm , ku njeriu mund të hynte i gjallë e mund të mos kthehej më, veçse nbrënda një shisheje xhami...Ndjeva të më prekte dikush në sup. Ishte Valdeti me sytë të mbushura me lotë....

(Nga cikli "rrëfime nga ferri", botuar në librin "ARRATISJA E KUJTESËS".v, 2003)

 
 
 

8 comentários


FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 de jun. de 2020

Anastas NikaNje kohe e realitet ne kufij te se pabesueshmes...por ja qe eshte e jetuar dhe perjetuar. E vetem Ju e dini se ku e gjenit ate fuqi per te perballuar keto skena makabre ,kur vetem dikur i jetoje a demonstroje ne oren e mjeshtrise se aktorit...Ah,eh,lete them shpirti i nenes dhe babait ,shpresa se ka nje te neserme me te mire e ku do kishe cfare ti thoshe asaj ("Rrno per me tregue"-sic tashme po e rrefen ne librat e tu ,e ne qe e lexojme dridhemi...!!!) Mendja e artistit kapercen kufijte e normales ,e sheh tej,dhe gjen forca ne skutat e errta te saj,dhe dhimbjen e kthen ne " gezim" ,kapitjen ne force,tmerrin ne durim e 'qetesi',dhe si…

Curtir

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 de jun. de 2020

Leonard BixhiliTregim mjaft i bukur, shumë prekës, i përshkruar tej e tej me vërtetësi. Këto janë vepra që do i ndihmojnë brezat e ardhshme për të njohur më mirë krimet e atij sistemi totalitar, ku dënoheshin dhe të vdekurit. Ju përshëndes dhe ju uroj një të diel të bukur profesor !

Curtir

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 de jun. de 2020

Thanas MediKy libër, dhe sa të tjerë, duhej të qenë në programet shkollore, që brezat të edukoheshin me frymë "njeriu" dhe jo me frymë "partie".. Që të riedukoheshin edhe brezat më të hershëm, ata që mësonin përmendësh vargje plot pathos e dashuri për udhëheqësin, fjala vjen: "Unë për Enver Hoxhën këngë do thurr gjithë jetën..".

Apo është mo Miho, dhe s'e di??

Curtir

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 de jun. de 2020

Miho GjiniHarresa e se djeshmes tragjike, i dashur Robert Martiko, ne nje fare menyre a ne tjetren, eshte po aq e dhimbeshme....

Curtir

FJALA E LIRE FREE SPEECH
FJALA E LIRE FREE SPEECH
14 de jun. de 2020

Faruk Myrtaj"... si në skenën tonën tonë të teatrit, kur u realizua tragjedia "Hamleti" nga nje regjisor Rus, edhe ai me njerën këmbë të coptuar në luftën e dytë...

Pra bëhej sikur hapej një varr, varri i Ofelise së bukur! prej...dy aktorëve të komedisë, bërrë çakërrqejf, tek hapnin varrin e që pastaj nisën të këndonin kur gjetën kafkën e Jorikut qe dikur kishte qënë mbret! ...Në tragjeditë e Shekspirit qe edhe marrëzia e humorit, po këtu ...çdo fjalë e çdo gjest tjetër "paguhej" edhe me dhjetë vite të tjera burg."

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page