Tahir Bezhani:
Dy silueta në krevate të zbrazëta
Në dy kënde të dhomës mbushur me heshtje
Lozin me rekuizita fëmijërore, ndërtojnë kulla
Emërtojnë figura përrallash rrapëlluese
Përfytyrimet e fëmijëve qajnë e qeshin
Gëzimet hedhin syrin tinëz pas derës së plasur
Pritjeve të gjata u dëgjohet e qeshura cinike
Gjumi i rëndë mashtrimeve të zë befas
Sikur pas heshtjes së dallgëve të natës
Dhimbjet humbin rrugëtimin, fantazma
Ku fshehen buzëqeshjet e hidhura
Rënkimeve të zbrazura fushës lotuese
Stërpikë nëpër stinë e mote shpresash
Si një udhëtar i humbur terrinave
Fletëve të romaneve nëpër botë
Pas thesarit të premtuar.....
Edhe dhimbjet tmerrohen udhëkryqeve
Secila stinë e vitit lulëzon zjarrminë
Fyshtës së ashtit dasmorët nuk ndalen
Kënga ushton pandalur damarëve
Nata shprush dhimbjet e shpirtit në heshtje
Deri në shikimin e ngrirë....
Comments