BAJAME HOXHA-ÇELIKU
NATË PLOT YJE
Psherëtimë e thellë po mbytet
në këtë natë plot yj.
Sonte, të gjej ty, gjithkund e gjithkund,
këtu, atje,
në zjarr e në puthje,
në dhimbje e buzëqeshje.
të gjej në kujtimet e mia të pavdekshme.
Ti dhe loti mbetët dy brishtësi,
që s’ndaheni.
Por ti, mbete krenaria ime,
dashuria e pamohueshme,
e pashtershme!
Tani,
më ngjan se të kam për bri,
ecim të dy,
duhemi të dy,
gajasemi të dy.
Poshtë këtyre yjeve të kësaj pranvere,
kundrojmë blerimin e dendur të kësaj dashurie,
që mbeti një legjendë e pavdekshme!
PERJASHTA
Përjashta po ushton zhaurima,
zymtë dallgët e harlisura ushtojnë!
Errësirës dëgjohet ushtima,
drejt bregut me mijëra vrapojnë.
Dëgjohet një rënkim i tretur që larg,
aty ku endet dhimbja, arratisja.
Ndihet në ushtimën që vjen nga pas,
mot i keq që përplas një dallgë.
Medet, medet e harlisura kohë!
Koha ku dirgjet si aradhet e rrepta
të ushtrisë ngadhënjyese.
Qelqet e dritares kërcasin prej pikave të dhimbjes,
të shiut dhe nga çasti në çast pritet të çahet varka.
Ashtu si dhe era e fortë lëkund tjegullat e pullazit përjashta.
Ndërsa shtëpitë mbarë gjëmojnë nga bubullimat.
Përjashta ushton zhaurima e ujërave,
e deteve të mbytura.
Që mbartin rrjedhat e trumhasura,
që rrjedhin zymtë krah për krah
me gjëmën e stuhisë së pandalshme.
S’E DI
S’e di, si më le pas krahësh,
oh, ëndrra ime e madhe!
Sepse, ishe ti që nuk duroje,
nga unë një çast ndarje.
S’e di, se si më le pas krahësh,
kur s’rrije dot larg meje.
Minuta të bëhej orë,
e ora shekullore.
SHUAR PËR MUA
O jetë, o jeta ime pa yje pa dritë!
Pa frymë, pa lëndina, pa lule.
Nxitova udhës tënde çdo ditë,
terr i nxirë filli kësaj udhe!
Me ty o jetë u kapa fort përdore!
Dritën time të gjeja valëve të tua.
Por terrin gjeta në të tuat oborre
dhe dritën e diellit të fikur për mua!
MBI GJOKSIN TËND
U lëshova drejt hapësirave tona rinore,
e hareshme e qeshur ah, si askurrë!
Çelën lulet e bukura, magji pranvere,
kur mbi gjoksin tënd u ndala unë.
S’e di sa zgjati por u ndjeva e lumtur,
plot afshe shpirti zjarrmi e dashuri.
S’do desha asgjë nga botë e çmendur,
veç vështrimin tënd në sytë e mi.
GJER NË MARËZI
Tek unë zgjove përjetime të prushta,
pranvera të bardha dhe stinë plot dashuri.
Zgjove marrëdhëniet tona të ngushta,
ndjenjën marramendëse gjer në marrëzi.
Tani, që të vura mbi duar zemrën time,
unë shkrehem e rilindur për ty përsëri.
Do të lundroj në krahët e kësaj dashurie,
gjersa të shoh, një fund të bukur si ti.
SI ZJARRI QË RRITET
Oh, Zot, kisha kaq dritë diellore për ty!
Shkëlqimin ua dhashë syve të tu përjetë.
Ta dhurova harlisjen sa preka ata sy!
hapësirë e shtrirë, një qiell blu mbi det.
Kisha copëza akuj të fjetura larg nga vitet,
dhe ti, xixa vullkani të ndezura në llavë.
Tek ty, bebëza të prushta si zjarri që rritet,
u ndjeva e prekshme, konkrete, e gjallë.
TË PRES
Të pres moj dashuri,
oh, sa kohë kam që të pres.
Të pres të vish si nuse,
si lule,
si bjeshkë.
Me aromë lulesh maji,
të pres moj dashuri e uruar,
të vish,
të pres...
KALORËS I ZJARRTË
Atë ditë unë e preka magjinë e ëndrrave,
preka filizin tënd brenda nëpër flakë.
Pasionin dalluar midis njëmijë femrave.
E pe sa u shfaqa o kalorës i zjarrtë?!
Me lirishtën tënde të bukur, të paharruar,
më godite me shigjetim të përflaktë.
E gjallë, buzagaze, e hareshme, e ngazëlluar,
jargavan në lulëzim, u gjeta atë natë.
Ballin e mençur prej fildishi e mbështete,
me flokët e florinjtë mbi gjoksin tim.
Me sytë ngjyrë kafe me afshe ti më joshe
ku rrëzëllejë verbues gjithë ashti im...
Dalldia e zjarrtë, rrëzëllimi lëbyrë shikimin,
me ty ngazëllimi im fluturonte i flaktë.
Liqenesh, ujëvarash, ah, më jepje ndriçimin,
kalëruar rrëzëllen kalorësi im i zjarrtë!
Comments