Nga Fatmir Minguli
Narracioni ndryshe i njё autoreje nё romanin bashkёkohor.
(Mendime mbi librin “Intimë” të Elona Zhanës)
Ishte shkrimtari dhe miku im Shpendi Topollaj që më rekomandoi të lexoja librin “Intimë” të autores Elona Zhana. As emrin nuk e njihja dhe as krijimatrinë e saj. Pasi lexova librin pashë se kjo autore ka shkruar edhe librat…. “ Pёrtej unit” – 2002, “Sarkofagё e Hёnёs cigane” – 2006, “ Gjurmё” -2012, “ E huaja”, - 2012, “Au pays des bunkers et des pyramides”- 2019.
Që në faqet e para kërshëria për të njohur këtë libër mori fund. Eshtë një roman? Mendoj se po! Eshtë një libër korespondencash me trajtat e E- mailit? Po! Njё roman epistolar? Poooo! Mbi të gjitha është një libër plot me vlera dhe i veçantë në letërsinë shqipe.
Libri “Intimё” qё tani e mё tej do ta quaj romani “Intimë”, ёshtё para sё gjithash njё guxim pёr njё narracion ndryshe. Kemi lexuar aq sa kemi hasur, romane tё shkruara viteve tё fundit, nё se do konsiderojmё vitet mbas ‘2000, lloj lloj romanesh të shkruar nga autorë shqiptarë, por këtë lloj narrative nuk e kam ndeshur.
Autorja duke vënë në qendër të romanit dy personazhe, Anën dhe Ilirin, që të dy shqiptarë që jetojnë larg Shqipërisë, në mënyrë metaforike ka sjellë jetë të shumë e shumë të rinjve e jo vetëm shqiptarë. Personazhet episodikë Agroni, Inga, e ndonjë tjetër, plotësojnë skenat e kësaj drame dashurie por që nuk kthehet në tragjedi.
Stili narrativ, i zgjedhur me korespondencën e E – maileve, mes Anës dhe Ilirit që janë larg, shumë larg njeri tjetrit në hapësirat gjeografike, por shumë afër shpirtërisht, bën që subjekti të kthehet në realitet duke qenë njëkohësisht brenda dhe jashtë realitetit. Autorja është e lirë të përdorë thyerje të pakohshme, të lidhë dhe të zgjidhë koordinata mes ngjarjeve dhe meditimeve duke mos harruar për asnjë çast shpirtërimin, ndërgjegjen individuale të cilën e seleksionon, e komenton, e organizon në dobi të idesë përfundimtare. Eshtë vetia e E-mailit si për shpejtësinë ashtu dhe për goditjen në distancë.
“Ajo kishte mbetur vajza me shije për gjërat e qarta, por që zotëronte gjer në perfeksion artin e paqartësisë” - shkruan autorja për Anën.
Pena e Elonës fluturon si krahë kojrille mbi qiejt e Londrës e kthehet në qiejt e Shqipërisë, Brukselit, e për të pushuar në Manhatan. Në këto fluturime kjo autore jep ide të saj, normal, të vendosura herё në personin e Ilirit e herё në personin e Anës. Janë ide të guximshme që shpesh lexuesi mendon se janë faqe të romaneve të sotëm të shkruar nga autorë europianë. Kjo jo vetëm për nga stili narrativ, por para së gjithash nga kultura që Elona Zhana, emeton.
Ideja bazë që lakohet pothuajse gjatë gjithë romanit është raporti mes dashurisë dhe miqësisë raport që epet në sense të kundërta sa që lexuesi mund të pyesё: “ Katarakti i dashurisë në miqësi apo obelisku i miqësisë në dashuri!”
Këtu xhiron loja narrative e Zhanës, e cila parapëlqen sistemin e pingpongiut kundrejt atij të lavjersit. Hidhe e prit lojra fjalësh me nëntekste psikoanalitikë, “luftë” me teorinë e Froidit, ku Iliri luan lojën “ ngri- shkri” dhe e përdor atё teori për vetëmbrojtje. Kështu me radhë shpalosen slogane të ndryshme si “Monotonia e së bukurës dhe diktatura e saj”, “ Narcizmi i plagosur i gruas brenda Ilirit…” etj. Këto slogane që në fund të fundit janë sentenca të mirfillta, e bëjnë narracionin tejet tërheqës. E si mund të mos reagosh ndaj kësaj sentence të autores:
“ Sëmundje që ka zënë burrat e sotëm në urën e vogël kohore që lidh epokën e të lindjes mashkull me status me epokën kur mashkulli nuk është me status.”
E menjëherë lindin mendime për një tendencë feminizmi, por ato mendime do shterohen se kemi të bëjmë me një lojë të ndërlikuar në dukje, por të saktё në esencë të tyre, dhe që i kujtojnë lexuesit shprehejn e Margaret Theçer se “Unë zakonisht e formoj mendimin tim për një mashkull në 10 sekonda dhe rrallë e ndryshoj atë.”
Edhe Ana e Elona Zhanës nuk ka gabuar në mendimin e saj për Ilirin. Prandaj feminizmi si rrymë apo si tendencë, apo si praktikë mjegullohet dhe vjen përpara nesh si një lloj përroi ndërgjegjeje, si një psikoanalizë froidiane deformuar enkas për personazhin e Ilirit etj.
Shumë mesazhe interesante janë paralelet që jepen në roman mbi botën shqiptare, mbi realitetin shqiptar, çka e bën romanin “Intimë” tejet transparent, tejet të pranueshëm, dhe Ana vjen e këndshme mes gjithë atyre ngjarjeve jo fort të lehta në jetën e Ilirit, ku kalojnё disa tё dashura.
Ndarje, bashkime shpirtërore përms E – maileve, zënka e pajtime, një jetë e jetuar e kur kanë kaluar mbi pesë vjet, dy perosnazhet takohen në Manahatan. A thua se u takuan poshtë këmbëve të Statujës së lirisë!
Manhatani është një pjesë e fundit të romanit “Intimë’ të Elona Zhanës. A thua se është si “Lulet e mollës” të Gollsuorthit kur e futi mes vëllimeve të “Sagës së Forsajtëve?! Bukur! Eshtë pikërisht kjo pjesë që e “rehaton” lexuesin, falë mjeshtrisë narrative të Elona Zhanës. Ajo, ana thotë në fund të librit:
“Dua të shkojmë gjashtë vite pas në kohë”.
Dhe këtë e tha ana, nё Manhatan, aty ku ndoshta e detyron dhe vetё praktiçizmi amerikan, që e lehtёson kthimin e Anёs, aty te ajo e padiskutueshmja, dashuria e parё.
“Falë teje dhe dashurisё sonё jam ndjerё e gjallë dhe kjo s’ka çmim”- ёshtё pёrsёri Ana që flet…e bashkë me të dhe autorja. E kjo lloij dashurie nuk mund të realizohej veçse me “via E mail” si postёn më të sigurtë dhe premtuese.
Romani “Intimë” i Elona Zhanës shoqërohet me artin e figuracionit letrar ku metaforat vinё me konfigurime të shumta e plor ngjyra të mendimit artistik. Ja një nga shprehjet e saj: “ Ajri që çvendosi trupi i saj iu fёrkua atij në fytyrё.” apo “ …mezi nxorri me gjysmë zёri ai, njё mjegull lotёsh nё sy.”
E kёshtu pjesë – pjesë romani “Intimё” shqipatrizohet me kёngёtarё e personazhe tё tjerё shqiptarё, e tё largohet atmosfera e lagёsht e Londrёs e dielli mesdhetar i zbut gjёrat duke avulluar ujin e tepёrt tё lagёshtirёs mjegullore.
Edhe pse Iliri, i ndikuar nga njё ekzistencializёm i theksuar eurpiano- verior, di tё reagojё e t’i afrohet e ta pёqafojё Anёn, pёrfundimisht…
Durrёs
Janar 2021
Comments