Nadire Buzo: Pjesë e shkëputur nga ...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 30
- 8 min read

Ne dhe Epoka Kadare
( pjesë e shkëputur nga libri “Epoka Kadare“- 2017)
Bisedat për artin dhe letërsinë kishin të pandarë debatin dhe mirënjohjen për shkrimtarin tonë të lartë Ismail Kadare. Këto ishin pjesë e rëndësishme të jetës tonë.
Bisedat me Kadaretë, komunmikimi me imele e mesazhe, urimet për festa dhe gëzimet familjare, bënin pjesë në ngjarjet e veçanta të jetës për mua. Këto me ndimën e Helenës së mrë. Kjo, për të vetmen arsye që egzistonte në mendjen time. Njerzit e mëdhenj, korifenjtë si Kadare, kishin në ndihmë të tyre një staf i cili, u përgjigjej telefonatave, manaxhonin kohën, vizitat, intervistat etj. Përveç aureolës që rrethojnë gjenitë, druaja mos humbja kohën e tij të çmuar të shkrimeve apo angazhimeve të shumta në shërbim të Kombit. Dhe të gjitha këto, që përmenda më lart, i përmbushte një zonjë e nderuar, shkrimtare, përkthyese e mbi të gjitha një mike, shumë e çmuar për Zotin Kadare por edhe për ne, Helena Kadare. Vizitat te Kadaretë ishin ngjarje nga të rrallat, të çmuarat në jetën time. Mikpritja bujare, bisedat, gëzimet apo shqetësimet, janë mbresa të pa shlyera në kujtesën time.
E ftuar për vizitë në shtëpinë e pushimit në Durrës, veç gëzimit që do të takohesha me ta, kisha dhe shqetësimin se çfar duhet të shpija diçka për kënaqësinë time. Traditë shqiptare kjo. Jam shumë tradicionale në këto veprime, si nënat dhe gjyshet shqiptare. Ndaj e vrava mendjen dhe në moment kujtova të bëja atë që shpesh bëj për familjen dhe miqtë. Një kulaç të ngrohtë. Me një fjalë, bukë e kripë e zemër. Në Durrës kësaj here do të më shpinte djali im i dytë, Jamarbri, i cili do të merrte me vete nusen dhe vajzën e vogël Sofia, e ndërkohë do të bënin edhe një shëtitje buzë detit. Rrugës sapo ishin nisur për tek unë, Vilma, nusja e tij i kish thenë: - Vemë bast se Nadirja do ketë bërë kulaçe. Çthua i kish thënë im bir. –Ja do ta shohim,- kishte ngulur këmbë ajo. Kur sapo mbritën, atyre u ra era e kulaçit të ngrohtë. –Ta fitova bastin? Tha duke qeshur Vilma. - Mama! Ja priti im bir, se mos lesh nam, ke bërë kulaç edhe për.....Po ç’ka more djalë. Kadare shkruan shumë për identitetin. Ja identiteti, një kulaç si i gjysheve. Qeshëm dhe biseduam gjithë rrugës. Kur mbritëm tek shtëpia e Kadareve në Durrës, i tregova gjithçka. Edhe ata qeshën fort dhe u kënaqën, Helena, mbesa Doruntina dhe mysafirët që ndodheshin aty, filluan ta hanin gjith qef. Vetëm Z. Kadare nuk po afrohej tek tryeza. Ndërkohë pyeta:-Po Zoti Kadare pse...? -Po çthua moj e dashur, Z. Kadare nuk afrohet po s´vajti fiks ora e darkës. Sqaroi Helena. Kuptova se autodisiplina e tij, ishte pjesë e vitalitetit. Kaluam një pasdite të këndëshme, dhe pas disa orësh u kthyem në Tiranë. Falenderimet për kulaçin s’kishin të sosur sikur ç´kishte ndodhur. U përpoqa ta bëj edhe një herë këtë gjasë, porse Helena pas falenderimeve e rastit, tha më pas ultimatumin: se po e bëre edhe një herë do të zëmërohemi. Ndaj nuk guxova më.
Gjatë vizitave në Tiranë, bisedat për letërsinë, për artin, ishin të mahnitëshme, por midis tyre edhe të dhimbëshme. Mbaj mend njëherë Zoti Kadare, mes të tjerash tregoi me pafajsinë e një fëmije, për disa miq dhe shokë që kishin hyrë e dalë në familjen e tyre miqësisht, ku Helena i kishte pritur dhe gostitur me çfar i ndodhej, por edhe kishin përgatitur dreka e darka në shtëpinë e tyre, dhe më pas, kur ishin larguar i kishin përfolur për keq.
-Po çfarë mund të thoshin për ju ?- pyeta e habitur!.- Po ja miqësisht thoshim ndonjë flalë shaka apo dhe ndonjë të fshehtë midis nesh. Ata sapo dilnin tek dera na i nxirrnin këto biseda, apo më keq akoma, i deformonin i stërhollonin apo shpifnin të tjerat. Ndonjë prej tyre e kishim si njeriun e shtëpisë, dikë e kemi promovuar si shkrimtar, apo botuar në Francë. etj. Ata ngrihen e thonë e shkruajnë ç´tu vijë në mendje. Ndaj dhe zhgënjimet bëjnë punën e tyre të shqetësojnë ndonjëherë.
Si mundet habitesha! Jo se ne në jetët tona s´kishim të tilla zhgënjime, por në rastin Kadare, ishte e tmerrshme, në vend të mirnjohjes ata... Këto biseda bënin shpesh që të merrte një pamje të heshtur e të ngrysur në disa çaste. Ndonjëherë bënte ndonjë pyetje të çuditëshme. Televizori fliste për një trafik të madh në Tiranë. Unë mbrita fiks në orar. -Po si erdhe ti? Pyeti i habitur. -Jam nisur përpara kohe se e mora me mend se kjo ndodh jo rrallë. –Po kush e ka fajin për këtë trafikun?...S´dija si çfar të thosha, mblodha supet dhe u përgjigja; -të gjithë! Habinë time për këtë pjesë të natyrës fëminore, ku shpesh thua në subkoshiencë,”Ky është ai gjeniu që shkruan ato mrekullira”. Në fakt përgjigjen ta japin po gjenitë......: “ Sa më e madhe është pjesa e fëmijës tek një njeri, aq më e madhe është gjenia e tij”.

Në një takim me Kadaretë ra fjala për njerëz që shkruajnë bukur por nuk kanë shprehje në jetën e përditëshme, janë njerëz të mirë në përgjithësi së brendëshmi po nuk mund ta shprehin me fjalë. Dhe tregoi me shumë dashuri një histori të vogël personale me shkrimtarin e madh Francez, Mondiano. E tregoi, apo më mirë e interpretoi aq bukur sa na mahniti. Këtë e ka treguar edhe një pjesë tek “Mengjeset ne Kafe Rostand”, po kur na e tha ne, ishte disa vite më parë. Ndaj Kur Mondiano mori çmimin Nobel, unë e kisha njohur nga tregimet e Zotit Kadare, i cili me dashuri dhe mjeshtërisht foli për natyrën njerëzore të një kolegu të dashur.
Sigurisht edhe bisedat e thjeshta ishin emocionante për mua. Para se të nisesha mendoja se çfar do të pyesja e çfar do të tregoja, por atje harroja gjithçka e shpesh më dukej sikur flisja kot fare. Zoti Kadare ishte i mirinformuar për gjithçka që kishte lidhje me vendin dhe problemet aktuale të tij...Kjo shpesh më befasonte.
Gjatë një vizite, tek Kadaretë, pasi ndenja mbi një orë dhe bëmë plot biseda, kërkova leje të largohesha. Kur pa pritur Zoti Kadare më thotë:- Ku shkon tani janë lajmet? Nuk i ndjek lajmet kryesore të ditës ti?.- I ndjek patjetër i thashë, por po ju lë të qetë.- Rri të shohim lajmet së bashku. Dhe kështu u komentua çdo lajm. Në të gjitha këto, pozitiviteti, ndershmëria dhe ndjeshmëria për mbarvajtjen e gjërave në vend, qofshin këto të rëndësishme apo më pak të rëndësishme, e shqetësonin së tepërmi, nuk i shpëtonte as vajza adoleshente e dënuar rëndë pa të drejtë, as gjyqtari poet i dënuar me fakte qesharake, e as trafiku e aksidentet e shumta në rrugë.
Më ka bërë përshtypje të veçantë mardhënia interesante dhe e bukur, që Zoti Kadare ka me zonjën e tij Helenën. Ajo flet pak fjalë në praninë e Zotit Kadare, krenare e qetë e gjendur në çdo çast. Zoti Kadare nuk e theret në emrin e bukur Helenë, por me përkëdheli, Beka, e ndonjëherë Lila. Se di pse, s´kam guxuar të pyes. Ajo si gjithmonë e urtë dhe me pak fjalë. Krejt ndryshe nga momenti kur jemi të dyja që s´pushojmë se foluri, ka një thjeshtësi dhe dashuri njerzore, që të bën të ndihesh mirë në çdo bisedë si me motrën tënde. Një herë, kur unë isha për vizitë në shtëpinë e tyre ajo na gostiti me një ëmbelsirë shum të veçantë. E pyeta se si e kishte bërë. Ndërkohë me tha me zë të ulët: -e pëlqen shumë Ismaili ndaj e bëj shpesh, por të lutem nuk mund të flas tani për këto gjera dhe me një gjest të thjeshtë anoi paksa kokën nga Ai.
Bisedat me Zotin Kadare, janë mahnitëse, thjeshtesia e bisedës dhe mendimi i tij përmban një forcë tërheqëse që të bëjnë për vete, sa kur largohesh ke marrë me vete një thesar të rrallë që s’ke ku e gjen tjetër. Teksa po i thoja se një libër i shkruar për Ju, “ Ylli i Shkrimtarit”, sapo ka dalë, më duhet ta lexoj shpejt, pasi edhe unë po shkruaj dhe kam frikë se mos na janë përplasur mendimet. – Jo mos u shqetëso, ai është një libër investigativ, ti je letrare, ska lidhje. –Ju e keni lexuar librin?- e pyeta.- Jo, nuk e kam lexuar akoma. Po e kish lexuar im vëlla, Shahini, ai është njeri me shumë kulturë dhe lexon shumë. E kishte pëlqyer. Nuk e njoh shkrimtarin, dhe nuk e kam takuar ndonjëherë. Por librin do ta lexoj patjetër.
Ndërsa flasim për dokumentarin, përgjigjja, është si e rrallëkujt ndonjëherë. Ashtu siç u thotë krijuesve. –Bëj çtë duash, ajo është vepra jote. –Po është për Ju i them, ndaj dua ndihmën tuaj. –Jam i lodhur me këto gjëra dhe ndonjëherë i zhgënjyer prej televizioneve.
-Unë punoj me një grup të shkëlqyer,- i them, me Drejtorinë Satelitore, një staf profesionist që drejtohet nga një artist dhe drejtues shumë i mirë. Pluton Vasi quhet.- Ashtu? Shumë mirë! Lumsi ti që punon me njerëz të mirë.-mu përgjigj qetë.
Teksa ishim ulur me Helenën dhe bisedonim me zë të ulët në shtëpinë e tyre këtu në Tiranë, Zoti Kadare me nja dy shokë të tij, tek po largohej na pyeti:- Ku e doni televizorin?-S’ka problem i përgjigjem, ne po bisedojmë se kemi mendjen fare atje. –Jo po ju gratë doni të shihni të tjera gjera të bukura ndryshe nga ne që duam shpesh lajmet. Gjeti një stacion me muzikë, u përshëndet dhe u largua.
Qëkurse i kam parë herët, në një konferencë të talenteve te reja ne vitin 1969, dhe deri më sot gjithmonë kanë qenë bashkë dhe të pandarë. Më ka bërë përshtypje të thellë ( nuk di a bëj mirë që e tregoj). Kur ishim ne Jeruzalem në marrjen e çmimit. “Jeruzalem Prize”. Një pallat madhështor dhe një pritje e jashtëzakonëshme që meriton faqe të tëra për tu treguar. Në sallë Zoti Kadare hyri i shoqëruar sipas protokollit nga hyrja kryesore e pallatit të madh e shumë lluksoz. Zoti Kadare në dorë mbante një xhup të lehtë sepse ishte freskët, Shkurt 2015. E vuri xhupin në kolltukun, në krahun e djathtë të tij dhe e ruajti vendin për Helenën. Edhe kur erdhi Presidenti i Izraelit të ulej pranë tij dhe mes tyre duhet të qe përkthyesja, Zoti Kadare, rezistoi ta lëshonte vendin. Kur u bind, e çoi xhupin në karriken tjetër në krah të majtë. Kur hyri Helena, nga dera tjetër e sallës sipas protokollit, së bashku me shoqërueset u ulen, 4-5 kolltukë më tëj se Zoti Kadare. E ndoqa me kujdes, se si Ai diskutoi me shoqëruesit pa e liruar vendin derisa Helena u ul pranë tij.
Mos mendoni se këtë përkujdesje e bën tani. Jo aspak! Duke e treguar këtë gjasë tek e afërmja e tyre, më tha duke qeshur: -Gjithmonë kështu ata të dy të pandarë. Nëna e Kadresë i thoshte shpesh Helenës si gjysëm me shaka. “Magji i ke bërë moj nuse këtij djalit tim që të do kaq shumë e s´rri dot pa ty, vetëm ti ja prish mëndjen për gjithçka Smajlit?” – Po Helena ç´far i thoshte? -Pyeta unë kurrioze. -Hiç ashtu fare qetë i përgjgjigjej!- Po nëno magji! – “Po mësoi moj dhe kësaj vajzës sime nga këto, se s’di fare kjo!” –Çke ti nëno do t´ja mësoj unë dhe vinte buzën në gaz. Tani ju e merrni me mend të gjithë cila ishte magjia e Helenës. Besoj se e keni lexuar edhe tek “Kohë e Pamjaftueshme”. Betimi që bëri atë ditë që u lidh përjetsisht me të. Dhe të dy, ditën ta mbajnë ndezur dritën e dashurisë. Helena Kadare është ekuilibri i jetës, zonja tradicionale dhe bashkëkohore, duke u dhënë parësi secilës në kohën e duhur. Por mbi të gjitha, një zonjë e kompletuar me të gjitha vetitë e mira që meritonte një gjeni si Kadare. Fati e ndihmoi që Zoti Kadare të kishte pranë tij një tjetër mendje të bukur. Vetëm kështu mund të spjegohet adhurimi dhe dashuria për njëri-tjetrin, e cila mbeti e patjetërsuar. Herë si të fejuar, herë si adoleshent të zemëruar, përherë si dikur sapo të dashuruar.
Kam plot gjëra interesante që lënë mbresa të veçanta për të rrëfyer. Të tjerat një herë tjetër.
Kur je me Kadaretë përveçse privilegjit dhe kënaqësisë që ndjen nga bisedat e veçanta qofshin të thjeshta, apo filozofike, kur largohesh merr me vete mesazhet e mendimeve të pastra. Mësojmë ashtu si në veprat e tyre, se ligësia nuk është kurrë lumturi. Të mendosh dhe dashurosh me zemër. Kjo është përjetsia e dashurisë për njëri tjetrin dhe për ne që jetuam në Epokën Kadare!
Comments