Gjokë Dabaj
NA DUHET NJË EVROPË TJETËR
Po flas si shqiptar, por po flas edhe si francez, edhe si spanjoll, edhe si çek, edhe si bullgar: “Na duhet një tjetër Evropë! Kjo Evropë që kemi, po na çon në katastrofë!”
Në vitet 1990-1999 Sheshi “Skënderbej” i Tiranës buçiste: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Nuk ishin grupe të vegjël shqiptarësh. Ishin mijëra që brohorisnin njëzëri: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Në vitin e 30-të mbas atyre thirrjeve, jo vetëm jemi në gjendje, por jemi edhe të detyruar (moralisht, por edhe për arsye praktike) të bëjmë analizat përkatëse. E para: A e dinte Evropa, a e kuptoi Evropa ç’po kërkonin shqiptarët? E dyta: A e dinin shqiptarët ç’po kërkonin?
Ngjarja e parë, në vazhdim të atyre brohoritjeve, ishte grumbullimi i dhjetëra mijë shqiptarëve në portin e Durrësit dhe të Vlorës. Ata u vërsulën, si të dëshpëruar, si të tërbuar dhe si të babëzitur, të iknin nga Shqipëria. Kjo ish kontradikta më flagrante midis thirrjes “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe veprimit konkret të braktisjes, të ikjes nga Shqipëria. A mund të bëhej Shqipëria si gjithë Evropa duke ikur nga Shqipëria?! Po Evropa, ku ishte, ç’po bënte në ata çaste kur Shqipëria, pjesë e Evropës, po braktisej?!
Në po këtë kohë, industria e Republikës së Shqipërisë, që objektivisht ishte pjesë e industrisë së Evropës, po shkatërrohej. Industria minerale, industria mekanike, industria tekstile, të gjithë llojet e industrisë prodhuese e përpunuese, u braktisën dhe u lanë në mëshirën e shpërbërjes dhe të degradimit. Ç’bëri Evropa për ta shpëtuar nga shkatërrimi këtë pjesë të industrisë evroiane?! Përse lejoi Evropa t’i shkatërrohej Evropës ajo industri?! Madje, s’ishin të pakët industrialistët evropianë që fërkonin duart nga gëzimi, sepse po u hapej një treg për të shitur prodhimet e tyre!
Në po këtë kohë, në po ato ditë dhe në po ata muaj, një bujqësi e rregulluar, ku asnjë pëllëmbë tokë nuk mbetej e papunuar, në vend që të shndërrohej nga bujqësi kolektive socialiste, në një bujqësi kapitaliste, iu nënshtrua shkatërrimit të potë. Tokat e Republikës së Shqipërisë mbetën djerr dhe u mbuluan me shkurre. Ç’bëri Evropa për ta ruajtur këtë bujqësi të vetën, që të mos shkatërrojhej?! Pëskundrazi, një shumicë prodhuesish evropianë, sidomos ata të Greqisë dhe të Italisë, u gëzuan që po zhbëhej bujqësia shqiptare dhe u sulën të shesin këtu mallrat e tyre!
Republika e Shqipërisë, deri atëherë diktaturë socialiste, dispononte një arsenal armatimi të lakmueshëm. Evropës, e cila ish anëtare, madje themeluese e paktit ushtarak të NATO-s, ai armatim mund t’i shërbente fare mirë për të mbrojtur, jo vetëm Shqipërinë, por edhe interesat e krejt Evropës në këto hapësira. Pse lejoi Evropa që të shkatërrohej gjithë ai arsenal armatimi?!
Në Republikën e Shqipërisë ish ndërtuar një sistem fortifikimi i atillë që NATO-s dhe vetë BE-së do të mund t’i shërbente si një bazë e fortë mbrojtjeje. Përse e lejoi Evropa të shkatërrohej dhe të asgjësohej ai sistem i jashtzakonshëm fortifikimi, ndërtuar me jo pak privacione e sakrifica?!
Deri në vitin 1990 në Republikën e Shqipërisë kish një sistem arsimor të admirueshëm. Mbi 70% e të rinjve e kryente shkollën e mesme dhe ish e aftë t’i përballonte sfidat e jetës. Nga viti 1990 e këndej, ai sistem arsimor iu nënshtrua shkatërrimit, që nga dyert e klasavet e xhamat e dritarevet, deri te programet shkollorë dhe morali i mësuesvet. Përse nuk ndërhyri Evropa që ai arsim të mos shkatërrohej, por thjeshtë të ndryshonte ideologjinë?!
Në Republikën e Shqipërisë, deri në vitin 1990, i gjithë shërbimi mjekësor ishte falas. Duke brohoritur “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, vetëkuptohej që shqiptarët nuk e donin shërbimin shëndetësor falas. Nuk e doni shërbimin shëndetësosr falas, por, a e donin, a thua e donin shërbimin shëndetësor krejt jo human, krejt jo njerëzor, aq sa mjeku të mos ta shikonte të sëmurin me sy, nëse nuk e paguan sa deyfishi a trefishi i rrogës që merr?! Përse lejoi Evropa të instalohej në Republikën e Shqipërisë një mjekësi, në shumicë rastesh, jo njerëzore?!
Evropa lejoi që të hynte e të praktikohej një tregti antijerëzore edhe me ilaçet. Një e atillë tregti, që edhe i varfëron të sëmurët, edhe nuk i shëron, po përkundrazi, shumë herë i sëmur më keq!
Ish e pritshme që drejtësia e diktaturës së proletariatit e dikurshme, të mos i përshtatej më një Republike të Shqipërisë, e cila po kërkonte me brohori të bëhej si gjithë Evropa. Por, pse arriti puna deri aty sa, mbas 30 vjetësh, me një sistem juridik kapitalist, Republikës së Shqipërisë t’i mbyllej dera për të hyrë në BE?! Përse lejoi Evropa që, në Republikën e Shqipërisë, mbas suprimimit të sistemit juridik diktatorial socialist, të instalohej këtu një sistem kapitalist i atillë që Republikës së Shqipërisë t’i mbyllej dera për në BE?!
Në Republikën e Shqipërisë, në kohën e diktaturës, nuk kultivohej kanabisi, nuk tregtohej droga dhe nuk përdorej droga. Në Evropë përpunohej, tregtohej dhe përdorej. Pse po kërkon tash Evropa që shqiptarët të mos e tregtojnë drogën nëpër Evropë? Pse nuk po e ndalon Evropa përdorimin e drogës dhe atëherë, as shqiptarët, as evropianët e tjerë, të mos kenë arsye as për ta kultivuar, as për ta tregtuar drogën?! Apo bosët evropianë të drogës (edhe vetë qeveritarët evropianë), po duan ta ruajnë për vete edhe këtë monopol?! Ta ruajnë monopol, siç ia dolën të ruajnë për vete edhe industrinë, edhe bujqësinë, duke i shkatërruar industrinë dhe bujqësinë shqiptare?! Shqiptarët, qytetarët më të hershëm të Evropës, nuk u dashka të kenë asnjë të drejtë tjetër, veçse të konsumojnë, me çmime të shumëfishtë, atë çfarë prodhon Evropa!
Dhe u dashka të presë një shekull “për të çelur bisedimet” për në BE! Dhe u dashka të presë edhe një shekull tjetër për t’u pranuar në BE! Pse nuk e thonë troç: “Duam ta kemi koloni Shqipërinë”!?
Në vitet 1990-1999, Sërbia, një vend evropian, ndezi një luftë të madhe mu brenda Evropës. Luftoi kundër Kroacisë, kundër njërit prej vendevet që e kish krijuar Jugosllavinë, dhe Evropa kërkoi që të dënohej Tugjmani, pse kish luftuar që Sërbia të mos pushtonte pjesë të Kroacisë! Sërbia bëri masakra nga më të përbindshmet kundër banorëvet sllavë të Bosnjës. Srebrenica do të mbetej monument i turpit, në radhë të parë i Evropës! A e dinë evropianët që Srebreica është vepër genocidi e fabrikuar nga një ose nga disa anëtarë të BE-së dhe e zbatuar, vetëm e zbatuar, nga pjesa gjakpirëse, fetarisht e indoktrinuar, e kombit sërb?! Evropianët, sigurisht, nuk i dinë këto gjëra, sepse nuk i lejon kakofonia e mediavet, e krijuar kastile për të mos i mësuar popujt të vërtetat.
Në të gjithë vitet, që nga 1981-shi dhe deri në vitin 1999, Sërbia bënte genocid mbi popullin shqiptar, ndërsa Evropa zyrtare bënte rolin e spektatorit. Mu në sy të kësaj Evrope, mu në njërin nga vendet e kësaj Evrope, helmoheshin, me një lloj helmi ushtarak (bojni otrov), mbi 6000 a 7000 fëmijë evropianë. Mbi 6000 a 7000 fëmijë, ndërsa qeveritë dhe prokuroritë përkatëse të BE-së i bënin sytë qorra dhe veshët i bënin të shurdhër! Ishin po këto prokurori, që po na i çojnë një nga një nëpër gjyqe djemtë tanë që luftuan për liri! Evropa duhej të kishte çuar në Hagë 1000 oficerë sërbë, ndërsa prej shqiptarësh duhej të çonte në Hagë vetëm ata që të kishin kryer vrasje në Beograd apo në Kragujevc!
Në vitin 1999, kur Sërbia, shtet evropian, vrau mbi 15000 shqiptarë evropianë dhe dëboi nga toka shqiptare, tokë evropiane, mbi një milion shqiptarë, Evropa praktikisht heshti. Madje as bombardimin e Sërbisë nuk e ka ideuar Evropa. Bombardimi i Sërbisë është planifikuar dhe zbatuar kryesisht prej SHBA-së. I vetmi pushtetar i Evropës, i cili bëri ç’mund të bënte për të ndalur genocidin ndaj shqiptarëvet, ishte Toni Bleri.
Ne ishim aty, kur niseshin avionët nga Avianoja. Avionët e Evropës nuk i hidhnin bombat mbi objektet ushtarakë të Sërbisë, por i derdhnin në ujërat e Adriatikut. Evropës nuk i dhimbeshin viktimat që i shkaktonte Sërbia, por i dhimbeshin forcat ushtarake sërbe.
Në kohën kur ato forca ushtarake sërbe duhej të tërhiqeshin nga territoret shqoptarë (bashkë me popullatën kolaboracioniste sërbe), ishin evropianët ata që i ndihmuan kolonistët sërbë për të mos u larguar nga Mitrovica Veriore.
Mbas gjithë kësaj loje, tradicionale për Evropën, shkurtpamëse dhe armike e vetëvetes, sërish një evropian (i ardhur para shumë shekujsh nga Azia), u caktua për t’i përgatitur Republikës së Kosovës një flamur të verdhë dhe për ta detyruar Republikën e Kosovës të përdorë “me të drejta të barabarta” edhe gjuhën e ish-pushtuesit, krahas gjuhës së popullit që kish luftuar për t’u çliruar prej atij pushtuesi. Ish njësoj sikur mbas Luftës së Dytë Botërore, Francës t’i imponohej të përdorte si gjuhë zyrtare edhe gjermanishten, krahas gjuhës frënge.
Jo vetëm shqiptarët, por të gjithë popujt e Evropës, do t’i kujtojnë me krupë e neveri fytyra të atilla si ajo e Dik Martit. Një sajues! Një shpifës! Madje i atillë shpifës që nuk di as të shpifë, sepse, siç po thuhet, tekstin e shpifjes ia kish hartuar dikush tjetër. Dhe, pikërisht një i tillë person pa personalitet, është pjesëtar i Parlamentit të Evropës! A s‘u vjen turp atyre parlamentarëve, që e kanë në përbërjen e vet një Dik Marti?! Apo mos janë edhe ata, ca njerëz pa personalitet, te të cilët është e kotë të shpresosh?!
Evropa ka shumë punë të pamençura që i ka kryer, në rrjedhë të shekujvet dhe që i kryen edhe sot, në dëm të vetëvetes. Gjoja në interes të popujvet të vet, por, në të vërtetë, në rezultat të fundit, për të zezë të popujvet të vet. Për të zezë të popujvet të vet, në radhë të parë, sepse sundimtarët e Evropës nuk dinë të bëjnë shtet të unifikuar. Një nga dëshmitë që evropianët nuk kanë ditur, që nga Diokleciani e këndej, dhe nuk dinë të bëjnë shtet të unifikuar, është edhe mënyra si e menxhuan pandeminë e kovidit 19. Italia më vete, Spanja më vete, Gjermania më vete. Si mund të ushqehen iluzione se ekziston një BE, vërtet serioze, kur atë nuk e bashkon dot lufta kundër një sëmundjeje ngjitëse?!
Dhe unë këta çaste po mendoj: Sa mirë ia ka bërë Aglia që e ka braktisur atë stan me lepuj! Sado që më vjen shumë keq që ndodhi ashtu.
Të kishin qenë politikanët dhe pushtetarët e Evropës të mençur dhe sadopak largpamës, nuk do të kishin ardhur punët, që pikërisht këtu në Evropë të zinin fill dy luftërat botërore. A mund të thotë dikush që nuk i shkaktuan pikërisht evropianët dy luftërat më të tmerrshme që mban mend njerëzimi?! Dhe kush mund të thotë që, po vazhduan kështu, po këta evropianë, nuk do të bëhen shkak edhe për luftën e tretë, që doemos do të ishte shumëfish më shkatërruese se dy të parat?!
Shenjë për mynxyrën që sërish po i afrohet këtij kontinenti, aspak më të mençur se në të shkuarën, janë edhe 20 vitet e parë të shekullit XXI.
Nuk e di sa ka pasur dorë Evropa në të quajturën “Pranverë arabe”. Në të vërtetë, verë nga më përvëlueset, e cila do t’i digjte e shkrumbonte deri në palcë të gjithë popujt e Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Afërme! Por e di dhe të gjithë e dimë që, në këta vite shkrumbimi të atyre popujve, Deti Mesdhe u mbush me kufoma, aq sa kur dallgët po nxjerrin në breg trupin e ndonjë fëmije 3-4-vjeçar, Evropa sa s’po thotë: “Një imigrant më pak! Një imigrant më pak!” Sa s’po thotë Evropa, duke brohoritur: “Le të mbyten nëpër detra! Vetëm këtu të mos na vijnë!”
Greqia, anëtare e BE-së, Italia, anëtare e BE-së, Spanja, anëtare e BE-së, po e shijojnë hidhur atë farë “pranvere” të arabëvet. Por, ku ish Evropa, kur po kurdisej ajo “pranverë”?!
Kështu do të thonë edhe në të ardhshmen… në mbettë kush për të thënë, ku ish Evropa!
Në vend që të ndërmarrë masa efikase, me qëllim që edhe popujt e tjerë të jetojnë pa trazira në vendet e tyre, Evropa s’po është gjendje as për vete të sigurojë një jetesë pa trazira. Na mjafton vetëm një shembull: Sa javë iu deshën një pjese të popullit francez të demonstrojë nëpër rrugët dhe sheshet e Parisit, për gjëra që vetë administrata do të mund t’i kish zgjidhur me kohë, pa qenë nevoja për kurrfarë demonstrate?!
Por nuk ka kohë Evropa të mendojë për mbarëvajtjen, as të Afrikës Veriore fqinje, as të Lindjes së Afërme, gjithashtu fqinje dhe as të vetëvetes. Nuk e pranoi Turqinë në BE kur ishte Tansu Çilleri, tani le ta gjejë! Flaka ka për t’i ardhur mu prej asaj ane! Jo për faj të Turqisë, por për shkak të shkurtpamësisë dhe verbërisë pikërisht të politikanëvet të Evropës! Shkurtpamës si dikur, kur e lanë Bizantin të luftonte vetëm kundër një force osmane, e cila, në fillimet e saj, do të qe neutralizuar ose zmbrapsur fare lehtë.
Nuk ka kohë Evropa të merret me punë të tjera, sepse e ka përfshirë e mbuluar sentimentalizmi ndaj homoseksualëvet dhe lezbikevet! Kijini kujdes homoseksualët dhe lezbiket! Ata dhe ato kanë rëndësi jetike për ne, aq sa edhe për vete! Le të mbushet Mesdheu me kufoma sirianësh dhe afganësh! Por, të mos guxojë kush të thotë qoftë edhe një fjalë kundër prirjevet noprane e kundërnatyrore të njerëzvet që s’dinë ku t’i fusin apo me se t’i fërkojnë organet!
A do të nxjerrë ndonjëherë kjo Evropë, siç e ka pasur traditë në shekuj, mendimtarë e shkrimtarë të mëdhenj, që të dinë t’i pasqyrojnë këta lloje karikaturash?! Karikatura në babëzi për të grumbulluar pasuri, karikatura në politikë, karikatura në moral, karikatura në publicistikë, karikatura në çdo hap të jetës, sa edhe njeriun normal e zë frika, mos është edhe ai një karikaturë!
Gjithsesi, mbas të gjitha këtyre që i thashë dhe mbas nja dhjetë herë kaq nga ato që nuk i thashë, nuk besoj që të ketë lexues, i cili të thotë: “Jo! Nuk na duhet Evropë tjetër!”
15-17 korrik 2020 Gjokë Dabaj
Comments