top of page

NJË DUKURI E PAPRITUR


Kostandin Vogli, shkrimtar

N J Ë D U K U R I E P A P R I T U R


Me fillimin e janarit pritej që koha të ndryshonte dhe të vazhdonin shirat, sepse dielli qëndroi pak si gjatë. Ishte një dukuri e zakonshme këtu në brigjet e mesit të detit Jon. Por pa pritur, në fundin e javës së parë, moti filloi të ftohej. Çdo gjë e natyrës u bë gri. Gri dukeshin edhe ndërtesat edhe rrugët edhe njerëzit për së largu. Nuk ishte ndonjë dukuri e rëndomtë, por ngjyra gri është e përlotur vetëm në vjeshtë. Jo në Janar. Nuk të bën melankolik as kur bie shi. Vetëm se si rast i rrallë temperatura ra në zero gradë, por nuk lëvizte asnjë rrymë ajri, që të ta rëndonte shpirtin.

Natyra kishte rënë në një qetësi si pikturë, sikur më parë të kishte kaluar ndonjë furtunë. Njerëzit ishin në pritje. ”Mos do të bjerë gjë dëborë? E pa mundur! Këtu ka gati 30 vjet që nuk ja kemi ndier butësinë. Pas pak si kundërvënie e asaj qetësie, u dëgjuan disa brohoritje fëmijësh. Pa zhurmë, me qetësinë më të madhe, bile në heshtjen më të thellë u panë grimcat e para. Fillimisht duke vallëzuar, sepse ishin të pakta dhe të pa formuar mirë. Ishte si i thonë ”shtrat dëbore”, i bardhë, i bardhë...

Në fillim kalamajtë, por edhe të rriturit e panë këtë dukuri me mosbesim, sepse natyra edhe herë të tjera e kishte bërë ndonjë ”shaka” të tillë dhe ishte mjaftuar me aq. Por kur flokët e dëborës e zmadhuan kristalinën, mund të mendoje se nga qielli po binin copa pambuku.

Ishte mëngjesa dhe pamja përpara mori një bukuri të mahnitshme, ku nuk mund të depërtonte rrezja e syrit më larg se suprina e detit deri në Port-Liman.

U duk sikur natyra do të bënte ndonjë ”shaka” me njerëzit e dëshiruar për të parë dëborë. Por jo. Kishte vendosur të na përshëndeste këtë vit dhe e shtoi furinë duke ngritur centimetrat në mënyrë të pabesueshme. Na bëri një suprizë. Çatitë me tjegulla dukeshin sikur ishin shtruar çarçafë mbi to. Ndërsa pemët që dukeshin aq të bukura u dukën sikur i bezdiste ngarkesa. Filluan të varnin degët si krahë të lodhur.

Deri në mbas dite rrugët kaloheshin duke ngjeshur këmbët deri në 20 cm. Temperatura u ul nën zero gradë dhe e ngurtësoi. Nuk u pa më njeri rrugës, përveç atyre që detyroheshin për arsye të ndryshme të lëviznin.

Në orët e vona të natës, u duk një burrë, i cili doli nga një pijetore dhe mundohej të mbështillej me një xhakavento të vjetër të dalë boje. Duart i avullonte herë pas here, por temperatura e ulët e mblodhi të përkulur. Këmbët po i ngatërroheshin dhe i filloi një dridhje e pa përmbajtur. U mundua të shpejtonte hapat, por ishte e pa mundur. Rakia e tepërt që kishte pirë, (gjoja për të përballuar të ftohtit) ja kishte mjegulluar edhe sytë, të cilat i rridhnin lotë. Arriti tek strehimi për të kaluar natën dhe hyri brenda.

Nuk hapi asnjë derë për të hyrë, sepse shtyllat e betonit nga dy anë ishin të pa mbyllura me mure. Brenda dyshemesë së betonuar kishte tulla të sakta dhe të thyera. Aty gjeti batanijen e tij të katandisur në rreckë të qelbur, por po dridhej aq shumë sa nuk mundej të shtronte gjysmën e saj në çimento. Ra mbi të i pa vetëdijshëm, sepse përveç dridhmës që më vonë do t’i shtohej shumë e më shumë në atë natë të gjatë, po i rrotullohej edhe koka. Rakia e pirë pa mend e kishte rrëzuar dhe mërmëriti dhimbshëm. ”O nëna ime!” U mblodh siç mblidhen qentë kur lagen nga shiu. Nga dridhja po tundeshin edhe tullat ku ishte mbështetur .”Si nuk del more shpirt....”- përsëriti për të disatën herë, por nga të dridhurat ato që thoshte nuk i kuptoheshin po ta dëgjonte ndonjë njeri, edhe po të ndodhej pranë tij. Fjalët i përtypte me dhëmbë.

Vetëm unë shpirti i tij i dëgjoja mirë. Edhe ai e kërkonte që unë të dilja, sepse nuk duronte dot më. Por edhe unë plasa brenda tij. Më vinte keq për trupin dhe mëndja më kthehej mbrapsht. Deri aq janë të rrallë ato shpirtra që durojnë. Goja qëndronte pak e hapur dhe mund të hyja përsëri pas disa sekondash që kisha dalë, por vërejta që zemra e tij, (domethënë e trupit tim) ngriu përnjëherësh. I pushoi pa u munduar më. Boll ishte munduar. Boll kishte hequr me ”ëh!” Boll kishte qarë me gjak, kur sytë e tij të kuq rridhnin lot. Por ajo zemër kullonte e rrihte dhimbshëm së bashku me lotët e nxehtë. Më shumë kur kujtonte nënën. Nënën që jeton pa dhimbje për të birin. Për kush i ndien më shumë dhimbjet e zemrës për mungesën e nënës apo të babait se sa fëmijët e braktisur, që në befotrofe?!

Nuk mund ta kuptoj asnjë se si dola unë prej atij trupi. Vetëm se llojet si unë dalin të gjithë të saktë nga goja të pa dukshëm. Ne as dalim të vdekur, as mbytemi. Është e kundërta. Ne dalim të saktë, ndërsa trupin nga dalim e lëmë të vdekur. Pa jetë. Si gjinkallat. Vetëm se ato bëjnë të kundërtën. Vdes trupi i parë, por prej andej del një gjinkallë e re. Jeta jam unë që dal prej andej. Dal dhe fluturoj. Nuk eci. Bile jam i pa dukshëm. Unë i shikoj të gjitha. Çdo trup të gjallë apo të vdekur. Unë dola nga një trup, i cili tani ndodhet i shtrirë për tokë. E shikoj dhe më dhimbset. Edhe ai i ka akoma sytë hapur, por është i pandërgjegjshëm që t’i dhimbsem edhe unë atij.

Sa çudi! Unë i shkova përmbi kokë, por ishte e pa mundur që të veproja. Që isha shpirti i tij e kuptova në atë moment. Por nuk mund ta kuptoj se çfarë madhësie kam. Ta mat e ta peshoj. Ndofta jam një flluskë ajri që shikoj me sy të tejdukshëm. Kur të shikoj shpirtra të tjerë do ta kuptoj se si jam edhe unë. Asnjë nuk e ka parë shpirtin dhe as shpirti nuk është në gjendje të tregohet e të shpjegohet.

Kisha dëgjuar se shpirti ekziston pas vdekjes së trupit dhe shkon o në parajsë, ose në skëterrë, sipas mëkateve që ka kryer për së gjalli. Ai trupi që tani dergjet i pa jetë, nuk ka kryer asnjë mëkat karshi të tjerëve, përveçse ç`i ka bërë vetes. Në qoftë se unë do të jetoj edhe pas të dyzetave, siç kam dëgjuar kur isha brenda tij, unë duhet të shkoj në parajsë. Por përse ta vras mendjen. Unë kudo që të më dërgojnë engjëjt, apo ai xhebraili, nuk e besoj të vuaj më shumë se sa kam vuajtur në atë trup, që tani po dergjet në atë vend të qelbur e të çrregullt.

Nuk e urrej. Por që dola prej tij, më mirë. Dhëmbët po i bluanin të ftohtit e asaj nate. Për një moment nduku edhe gjuhën ku mërmëriti dhe dukej sikur i bloi ato fjalë. ”Oh, nëna ime!” Ishte hera e fundit që përsëriti: ”Oh, nëna ime!” Për herë të fundit ju dëgjua vetëm kërcitja e dhëmbëve të cilat erdhën deri në shuarje dhe u shtriq. Duart i ngelën të kryqëzuara ku dukej se donte të mbante zemrën të mos i shpërthente nga kraharori. Nuk u ndie më. Nuk ndodhej i shtrirë në ndonjë krevat. Për atë komoditet kishte ëndërruar. I dukej se ashtu kishte jetuar gjithë jetën. Herë direkt përmbi çimento, herë me ndonjë batanie të vjetër ose ndonjë rrobë të falur nga shoqëria e konviktit, herë më ndonjë makinë të telendisur e të braktisur, herë nëpër lulishte deri sa mund të duronte të ftohtin. A ka më në botë njeri pa njeri?

Nuk e di se ku do të jetoj më vonë. Kanë thënë se shpirtrat jetojnë nëpër shpella. Por unë nuk e besoj. Shpirtrat nuk janë shejtanë. Për ata kanë thënë me siguri se jetojnë nëpër shpella. Por dhe për ata nuk është e vërtetë. Nëpër shpella ka vetëm kafshë të egra dhe lakuriq nate. Kur isha gjallë dëgjova njëherë një grua që i tha tjetrës. .”Ti e ke shejtanin në bark. Nxirre moj shejtanin nga barku!.” Ose kam dëgjuar kur shajnë ata pleqtë e lagjes pranë shtëpisë së madhe: .”E ke Shejtanin në bark!” Kjo do të thotë se shejtani jeton në barkun e njeriut të lig. Po shpirti?! Dëshira ma ka të jetojë në parajsë. Por juve nuk e besoj t’ua vërtetoj dot.

Unë nuk kam qenë një pervers, vetëm se kam jetuar i vetmuar, në një botë pa të tjerë. Më shumë kam jetuar fillikat. Të varfrin kush e do? Por t’i lëmë këto tani për tani, për të folur më vonë. Tani të mendoj se kush do ta gjej trupin e ngrirë, kush do të interesohet, si do të veprojnë me të dhe si do të varroset. Unë do t’i vërej së larti të gjitha. E kërkoj një përkujdesje për këtë trup të mjerë. Për trupin e Blertit. Për trupin ku strehohesha unë si shpirt. Po përse them vetëm për trupin që lashë. Edhe unë si shpirt Blerti quhem. Bile akoma më shumë do të përmendem unë, se do të ngelem i përhershëm. Ndërsa trupi fatkeq do të varroset e do të tretet. Por mbi të gjitha nuk la asnjë pasardhës. Arsyen do ta them më vonë. Por në fakt, trupi im vdiq më keq se një qen rrugësh.

Po unë çfarë ndryshimi kisha? Eh çfarë shpirti i vuajtur e i vrarë që jam! Nuk kujtoj asgjë të mirë. Asnjë kënaqësi, veç vuajtje, të shara e të përzëna edhe me shkelma nga kondrabandistët që ndërtonin hotele e vila dhe më paguanin shumë pak, ose edhe fare. E kam fjalën kur isha specialist i shkëlqyer, edhe kur u degradova nga mungesa e një fjale të dashur dhe një përkujdesjeje nga shteti. Por më shumë nga mungesa e një fjale ”Biri im! Nëna ime!” Ah moj nënë, përse më linde!

E tmerrshme, por ne të braktisurit jemi treguar xhelozë kur kemi dëgjuar për çdo ditë fjalë të ëmbla nga nëna e baballarë, kur rrëzohej ndonjë fëmijë i tyre. ”U vrave, mor bir? Oh, të keqen nëna!” Dhe puthje të ëmbla. Dhe kujtonim përkujdesjen për ne nga ndonjë i pa shpirt. U rrëzove, more bashto? Kush do të laj, more zuzar? Dhe në vend të puthjes, një ose disa pëllëmba. Vetëm se nuk e përgjithësoj. Nga më të shumtët kishte mëshirë, por fatkeqësisht, vetëm mëshirë!

187 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page