top of page

Nëpër shtigjet e shpirtit të poetit Adem Zaplluzha


Prof dr Eshref Ymeri

I dashur Profesor Fatmiri,

Në numrin e sotëm të Portalit tuaj të nderuar Fjala e Lirë”, të kësaj strehe të ngrohtë dhe mikpritëse të fjalës artistike, lexova njoftimin e dhimbshëm për largimin drejt botës së përtejme të poetit aq të talentuar Adem Zaplluzha. U preka thellë në shpirt, se gjatë këtyre ditëve më ka pasë munduar një ndjenjë ogurzezë: më 02 nëntor i pata nisur një e-mail, ku e pyesja se si ndiheshin me shëndet ai dhe zonja Sulltana në situatën e rëndë që është krijuar për shkak të virusit. Nuk më ktheu përgjigje. Ai ishte shumë korrekt në kthimin e përgjigjeve. Dyshova se diçka nuk duhej të shkonte mbarë me shëndetin e tij. Përmes Portalit tuaj, i shpreh zonjës Sulltana ngushëllimet e mia më të thella për vdekjen e bashkëshortit të saj të shtrenjtë, të poetit të talentuar të formatit kombëtar Asdem Zaplluzha. Njoftimin për largimin në përtejbotë të këtij poeti me një krijimtari aq të begatë, ju e shoqëroni me listën prej 179 vëllimesh poetike, të botuara deri tani. Mendoj se prapavijat e Presidentit Ilir Meta duhet t’i çojnë Presidentit propozimin për ta nderuar poetin Adem Zaplluzha pas vdekjes me medaljen më të lartë “Nderi i Kombit”. Në nderim të kujtimit të poetit Adem Zaplluzha, po ju përcjell në vijim për ribotim një ese, të botuar dhjetë vjetë më parë.

Me respekt.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

09 nëntor 2020

Prof.dr. Eshref Ymeri

Nëpër shtigjet e shpirtit

të poetit Adem Zaplluzha

Kur njihesh me universin poetik të Adem Zaplluzhës, nuk mund të mos rrish e të përsiasësh gjatë. Para teje shfaqet një krijues me një varg poetik tejet origjinal. Ai t’i prek me ëmbëlsi telat e shpirtit dhe të bën të endesh në botën e ëndërrimeve bredharake. Vargu i tij i ndier të gjendet si melhem për shpirtin, ta ngroh atë dhe dhembjen ta shëron. Herë-herë vargu i tij përcjell trishtim, herë-herë edhe vetë shpirtin e poetit e kaplon një dhembje ndjesiplote, por prapëseprapë poeti nuk bie në pesimizëm dhe lexuesin e nxjerr drejt horizontesh me dritë të pashuar.

Tematika e universit poetik të Adem Zaplluzhës është e pamatë. Ajo të rrëmben me larminë e saj fort befasuese dhe të bën ta ndiesh veten mes një fushe të qëndisur me lule shumëngjyrëshe që nuk i duket as fundi, as ana.

Një motiv tepër mbresëlënës në poezinë e Adem Zaplluzhës përbën mërgimi apo kurbeti. Braktisja e vendlindjes, braktisja e atdheut është një dukuri e kahmotshme, e njohur edhe për shumë popuj të tjerë. Por kurbeti për shqiptarët simbolizon një plagë të rëndë shoqërore, sepse asnjë etnie tjetër në Evropë nuk i ka qëlluar të përballojë 26 valë agresionesh të egra, duke filluar që nga antikiteti e deri në fundin e shek. XX.

Pikërisht tema e mërgimit e përshkon tejendanë vëllimin poetik “Letër nga mërgimi”. Heroi mërgimtar i poezisë “Ç’ka t’i them unë?”kuvëndon me lexuesin se si ka nisur një letër me dhembje e lot, të cilën e ka përcjellë me një dallëndyshe. Ja pikërisht këtu vijnë e dalin në të njëjtin shteg trishtues poeti Adem Zaplluzha, poeti dhe këngëtari mitik Neço Muka himarioti, me këngën “Vajzë e valave”, dhe autori i panjohur i këngës popullore “Ç’bën, moj ti, atje përposh?”. Heroi i Adem Zaplluzhës i drejtohet dallëndyshes për t’ia zgjidhur një brengë që shpirtin ia ka pushtuar cep më cep, kurse heroina e Neço Mukës u drejtohet zogjve shtegtarë: Ju të bukur zogj, / Te ju kam një shpresë, / Ju që çani dete, male, / Dua t’ju pyés: / Rron apo nuk rron? / Ndonjë lajma ndonjë shpresë? / Vallë më kujton?” Dhe autori i panjohur i këngës dhembshurore na mallëngjen deri në dhembje të shpirtit: “Ç’bën, moj ti, atje përposh? / Laj fustanet e tim zot, / Herë me ujë e herë me lot, / Erdhi dje dhe iku sot, / E mjera, s’e mbajta dot”.

Por dëshpërimi i poetit për brengat e mërgimtarëve të djegur nga malli, apo të atyre që presin krahapur kthimin e tyre nga dherat e largëta, mbyllet me nota optimizmi në kushtet e reja, kur Kosova nuk lëngon më nën zgjedhën e huaj. Prandaj ai lëshon një thirrje zemërngrohëse për çdokënd që e quan veten shqiptar: “Tani është koha, / Zbardhi agimi i mbarë, / Të kthehet në atdhe / Ai që është shqiptar”.

Motiv tjetër me shumë peshë në krijimtarinë poetike të Adem Zaplluzhës janë tronditjet e rënda që ai përjeton në hapësirat e shpirtit të vet për gjëmën që kishte pllakosur atdheun nën çizmen e huaj. Prandaj në shpirtin e tij ndihet një rënkatë dhe psherëtimë e thellë që gjakun ta trazon: “Dhembjen e kam të madhe, / Më kafshuan hijenat, / Si t’i shëroj plagët / Në trupin e atdheut?”.

Por një katërvargësh befasues ta ndez edhe më shumë kërshërinë për të zbuluar individualitetin krijues të këtij poeti të talentuar, që fatin e vet nuk e përfytyron dot jashtë fateve të atdheut, pa lirinë e të cilit edhe jeta e tij nuk ka kuptim: “Kam mall, / Kam lakmi e nostalgji / Që s’jam / Në mesin e të rënëve.

Ky katërvargësh me një strukturë të thjeshtë sintaksore, nxjerr në spikamë misionin e poetit për ta vënë veprën e vet në shërbim të atdheut, për të cilin është dhe duhet të jetë gati të vetëflijohet sa herë që koha e thërret të dalë në paraskenë. Ky katërvargësh mahnitës më kujton ca vargje jo më pak emocionuese të poetit kombëtar rus - Aleksandër Pushkinit. Kur ishte nxënës i Liceut të Carskoje Sjellosë, që matanë kangjellave ai dikur pati ndjekur me sy një vargan ushtarësh që qe nisur në marshim për t’u përballur me armatën e Napoleonit në betejën e Borodinosë. Prandaj në ato çaste poeti i ardhshëm hodhi në letër këto vargje kuptimplota: Bij të Borodinos’, ore heronj kulmianë! /Ju pash’ kur për në luftë nxitonit për matanë; /Me shpirt të ndezur flakë ju ndiqja si furtunë. Në të betejës fush’ pse s’derdha gjak dhe unë?

Vargjet e sipërcituara dëshmojnë fare qartazi se dashuria për atdheun poetët i nxjerr vetvetiu në kapërcyellin e vetëflijimit të vullnetshëm.

Por ca kujtime të pashlyeshme më ngjallin këto vargje nga poezia “Marshi i martirëve”: “Mos kalo i shkujdesur / Nëpër udhën e lotve, / Në atë varr të gjallë / Dhe pranë tij / Pushojnë eshtrat e martirëve të rinj”.

Në gjysmën e dytë të vitit 1999, më qëlloi rasti ta vizitoja disa herë Kosovën, si shoqërues-përkthyes i ca grupe gazetarësh nga Ukraina dhe Rusia, që qenë dërguar me sponsorizimin e Zyrës së Shtypit të NATO-s në Bruksel. I ramë Kosovës kryq e tërthor, që nga Kaçaniku e deri në Pejë, që nga Prizreni e deri në Prishtinë. Gjithandej sytë më zunë varre martirësh të lirisë, mbi të cilat kurorat ngjanin si lulëkuqe të mbjella anekënd Kosovës. Ishin çaste shumë prekëse. Duhej derdhur shumë gjak para se të vinte liria. Prandaj ngjyra e gjakut për ne shqiptarët është simbol lirie se liria jonë rrënjët gjithmonë i ka pasur të vaditura me gjak. Vargjet e mësipërme të poetit m’i tronditën sërish përjetimet e asaj kohe dhe më sollën në kujtesë vargjet lapidare të Lame Kodrës: “Një kuçedër e tërbuar po pi gjak, / Një popull i robëruar kërkon hak”.

Lufta për mbijetesë e popullit shqiptar të Kosovës, kreut tw kombit shqiptar, vazhdimisht ka shërbyer si një motiv i fuqishëm për krijimtarinë letrare të shumë poetëve dhe shkrimtarëve kosovarë. Ajo ka qenë një luftë e gjatë, mbinjëshekullore, mes egërsisë së hienave serbe dhe dashurisë për jetën të palës shqiptare. Është kjo arsyeja që poetit Adem Zaplluzha i del kjo ofshamë e thellë sfiduese që poshtë honeve të shpirtit të tij:

“Nga na erdhët në këtë vend, / O djaj të zinj? / Mos dolët nga ferri i Dantes / Për t’i ikur kujtesës? / Por vonë e kuptuat / Se rrapi i ka rrënjët / Përtej çmendisë suaj, / Përtej amshimit”.

Nga këto vargje që të duken sikur janë skalitur me durim në një masiv graniti nga dalta e një dore mjeshtërore, buron një ide e madhërishme që ka flatruar hijerëndë nëpër hapësirat mbrëshqiptare gjatë rrjedhës së shekujve: shqiptari ka qenë, është dhe do të mbetet një rrap me rrënjë bukur të thella në këto troje stërlashtore dhe nuk ka stuhi në botë që të mund t’ia trondisë ato sadopak. Prandaj edhe poeti Adem Zaplluzha del vetvetiu në të njëjtin kapërcyell, si edhe Noli ynë i madh që lëshonte një zë fort të kumbueshëm: “rron, or rron, dhe s’vdes shqiptari!”

Mes gjithë këtij prodhimi të begatë poetik, poeti Zaplluzha ka botuar edhe dy vëllime satirike, të titulluara “Bajraktarët e Vatanit” dhe “Don Kishoti dhe Rosinanti”. Jam dy vëllime që përcillen sa me endje për tematikën boll të pasur, aq edhe me një zemërtrazim për ca dukuri jo pak të pështira që shëmtojnë realitetin shqiptar. Është kjo arsyeja që poetin e talentuar e bën që ta mprehë mirë tehun e satirës së vet të pamëshirshme kundr dallkaukëve, gënjeshtarëve, ziliqarëve, parazitëvve, smirëzinjve, të pabesëve, servilëve, lajkatarëve etj. Por në këtë mes, poetit ia lëndon më shumë shpirtin përçarja mes politikanëve, një plagë përjetësisht e pashërueshme kjo që mbartet edhe poshtë, në radhët e njerëzve të thjeshtë. Kjo përçarje e mallkuar, si puna e një mikrobi me një aftësi mbijetese të jashtëzakonshme, shqiptarët nuk i ka lënë të qetë për asnjë çast. Prandaj edhe armiqtë tradicionalë të kombit shqiptarë kanë ditur ta shfrytëzojnë me shumë marifet këtë përçarje të gjëmshme, për të arritur deri aty, saqë trojet tona etnike të na i bëjnë çarçaf.

Tani dëshiroj të ndalem pakëz edhe në lirizmin karakteristik të poezisë së Adem Zaplluzhës. Lirizmi i tij të rrëmben me thellësinë e ndjenjave të autorit, me pasurinë e papërsëritshme të mjeteve artistike, si metaforat elegante, krahasimet tejet të gjetura, epitetet karakteristike, personifikimet e pashembullta apo paralelizmat e goditura artistike.

Në poezitë lirike të autorit gjallon jeta e një krijuesi me ndjenja të pastra, si pikat e vesës mbi gjethnajë. Mbresa të veçanta më la poezia “Letrat” nga vëllimi “Zjarri i dashurisë” e sidomos vargjet: Ikën dallëndyshet, / Foletë mbetën të shkreta, / Në kositjen e barit / Fshihet e vërteta”.

Ky katërvargësh më kujtoi korrikun e vitit 1999, kur, siç e përmenda më lart, Kosovën po e vizitoja për herë të parë, si përkthyes i atyre gazetarëve nga Ukraina dhe Rusia. Ishte pisku i verës, por shumë parcela me grurë vazhdonin të mbeteshin të pakorrura. Dhe kjo për faktin se popullsia ishte njoftuar për minimin e territorit të Kosovës nga kriminelët serbë, të cilët, për shkak të bombardimeve të NATO-s, në tërbim e sipër, kishin minuar zona të tëra.

Ato parcelat e pakorrura nëpër Kosovë, më kujtuan asokohe një katërvargësh nga një poezi e Nekrasovit, me titull “Parcela e pakorrur”: “Ёshtë vjeshtë e tretë, / Stërqokat janë larguar, / Pylli është zhveshur, / Fushat janë shkretuar”.

Pikërisht këtë katërvargësh nekrasovian, tani ma solli ndër mend zoti Adem me atë katërvargshin e sipërcituar. Kjo dëshmon për faktin se sa lehtë përqasen fantazitë e krijuesve në botën e magjishme të poezisë.

Dashurisë poeti i këndon me një shpirtngrohtësi përflladitëse. Në poezinë “Sytë e tu”, poeti thotë: “Asgjë nuk ka mbetur këtu, / As lot më nuk kam / Për ta larë vesën e mëngjesit / Nën këmbët e tua”. Ky katërvargësh bëri që të më vetëtinte një katërvargësh pushkinian, ku autori përshkruan valët e detit, të kapluara nga zilia se cila prej tyre do të shtrihet më shpejt poshtë këmbëve të së dashurës së tij: “Kujtoj një det para stuhisë: / Zilie valësh i përpirë, / Tek vinin radhë, duke azdisë, /Ndër këmb’ të saja për t’u shtrirë!..”.

Mendoj se poezia e Adem Zaplluzhës e ka përballuar dhe do ta përballojë me shumë sukses provën e kohës dhe do të hyjë plot dinjitet në thesarin e modeleve më të mira të poezisë shqiptare. Ai e ka pasuruar gjuhën tonë poetike, duke i dhënë hapësirën e duhur ligjërimit me një strukturë sintaksore tejet të larmishme. Poeti dhe përgjithësisht artisti është pasqyrë e vetëdijes kombëtare të popullit të vet se ai në jetë udhëhiqet nga një moral i shëndetshëm. Kjo është edhe arsyeja që artisti shqiptar këmbët i ka të ngulura fort në tabanin kombëtar, kurse politikani shqiptar këmbët i ka të ngulura fort në kolltukun që gëzon falë politikës. Dhe morali i tij është i dyshimtë. Prandaj për politikanin shqiptar vetëdija kombëtare është disi e diskutueshme.

Njohja nga afër me poezinë e Zaplluzhës, me traditën e tij poetike, na bën të bindemi se ajo ka hyrë në historinë e kombit shqiptar si pjesë përbërëse e kulturës së tij shpirtërore.

Dëshiroj të shpreh bindjen se krijimtaria artistike e Adem Zaplluzhës ka tërhequr dhe do të vazhdojë të tërheqë vëmendjen e studiuesve të letërsisë, të kritikëve, të gjuhëtarëve, të cilët, me metoda shkencore do të mundohen të zbulojnë të fshehtat e shpirtit të poetit dhe t’i përgjigjen pyetjes se ku fshihet magjia e ndikimit të tij mbi shpirtin e njeriut.

Trashëgimia poetike Adem Zaplluzhës jo vetëm që mishëron në vetvete vlera të larta artistike, por përfton edhe një tingëllim të ri. Në poezinë e tij vjen e shpërfaqet jo vetëm shpirti i vetë poetit, por edhe shpirti i mbarë popullit shqiptar.

Poeti, ashtu si edhe puna e muzikantit, është mjaft i ndjeshëm ndaj kadencës së vargut dhe ndaj tingullit. Prandaj ky merak nuk i ndahet për asnjë çast edhe poetit Zaplluzha në strukturimin e vargjeve të tij. August Shlegeli (1767-1854), historian i letërsisë gjermane, kritik, poet dhe përkthyes, ja se si shprehet për shkrimtarin romantik gjerman Ludvig Tik (1773-1853):

“Gjuha në veprën e tij duket sikur ka hequr dorë nga shëmbëllimi lëndor dhe ka marrë trajtat e një flladi të lehtë. Fjala e tij të krijon përshtypjen sikur nuk shqiptohet, por tingëllon më e ëmbël se kënga”.

Në fund, dëshiroj të theksoj se krijimtaria poetike e Adem Zaplluzhës, si edhe e çdo krijuesi tjetër, duhet të shërbejë si objekt përsiatjesh edhe për psikologët, meqenëse përmes shpirtit të poetit lexuesi vëzhgon shpirtin e mbarë popullit.

Psikologu dhe filozofi i mirënjohur zviceran Karl Gustav Jung (1875-1961), në veprën e vet me titull “Psikologjia dhe krijimtaria poetike”, shkruan:

“Është mëse e qartë se psikologjia, duke qenë shkencë e proceseve të shpirtit, mund të hyjë në lidhje të drejtpërdrejtë me studimin e letërsisë, me kritikën letrare. Se shtrati kryesor i të gjitha shkencave, ashtu si edhe i çfarëdo vepre arti, është shpirti. Prandaj shkenca e shpirtit, besoj, duhet të jetë në gjendje të përshkruajë dhe të shpjegojë dy gjëra në ndërvarjen e tyre: së pari - strukturën psikologjike të veprës së artit dhe, së dyti, parakushtet psikologjike të individit artistikisht produktiv”.

Tiranë, 20 nëntor 2010

48 views1 comment

1 commentaire


sotir.mimi
sotir.mimi
10 nov. 2020

S.Athanasi:

Së pari ngushëllime familjes për shuarjen e njeriut të tyre, Adem Zaplluzha. Poeti do të kujtohet gjithmonë nga lexuesit e tij në faqet e librave që ka lënë pas.


Së dyti një falenderim të madh për autorin e këtij shkrimi, mikun tim: Prof.dr.Eshref Ymeri. Ndjej keqardhje që këtë shkrim kaq të thellë e në lartësi akade- mike, t'a lexoj mbas një dekade të botimt të saj. Dhe kjo, falë këtij portali fjala e lirë.com të Prof.dr. Fatmir Terziu, të cilit i përcjell gjithashtu mirënjohjen time.

S.Athanasi

Athinë, 10,Nëntor,2020


J'aime

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page