top of page

NËNAT SUPERNOVA BINJAKËSH


Vullnet Mato


Nënat e shenjta, me shumime jetike,

meritojnë vargje, me metafora kozmike.

Supernovat, që krijojnë deri pesë fëmi,

në mjegullnajën e mitrës, lindin yje të ri.

Gjoksi i tyre, me dy planetë madhështor,

ushqen galaktikën e rruzullimit njerëzor.

Atyre ua mbush plot, sisët qumështore,

“Udha e Qumështit”, me dritën qiellore.

Ai qumësht i bardhë, kulloshtër yjore,

bën të rriten shpejt krijesat foshnjore;

Të shtojnë bebet, gravitetin familjar,

me dashuri dritëdhënëse, si yjet kuazar.

Kur nënat sjellin, disa jashtëtokësorë,

Shpejtojnë ardhjen e brezin pranveror.

Gëzim më të madh, për ato nëna, s’ka,

kur shtëpisë në çdo kënd, i vënë një tra.

Një nënë e tillë, me shumë fat në jetë,

përveçse shmang disa herë, maternitet,

vetëm me një lindje, mbush shtëpinë,

me një kope yjesh, që mjedisin ndrijnë.

Në Shqipërinë e vogël, me pak popullim,

dhe me largime të shumta, në emigrim,

këto nëna supernova, superpjellore,

duhet shpallur patjetër heroina qiellore.

Ato shtojnë vazhdimësinë kombëtare,

si galaktikë me shumë orbita shqiptare.

Nuk besoj se ka, bukuri tjetër në mjedis, kur sheh nënën, me binjakë që pinë sisë...

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page