NËNAT
- Jul 3, 2021
- 4 min read

NËNAT
Në këmbë qëndrojnë ditë e natë
Ëndrrat t’i rrisin të lira
Në zemra mbajnë fëmijët, në sy
Asgjë s’i ndan prej nesh
Të bukurat, të urtat, të mirat.
LIRIA
Lëshoje fjalën lirisht
Idhulli i fjalës së lirë, e vërteta
Rrite fëmijën trimërisht
I thuaj jo padrejtësive
Asgjë nuk është e përsosur pambarimisht
DIBRA
Dritare diturie, sofër bujarie
Idhull shqiptarie, shembull urtësie
Bashkë me Kosovën dhe Çamërinë
Rendite hallet për të qarë
Arriti kohë e Arbërisë, gëzohuni !
KORABI
Kryekështjellë e Shqipërisë
Oxhak trimërie, log burrërie
Rrëzë teje Drini shushurit
A thua janë vëllezër binjakë
Betejë pas beteje fitoret rendit
I qofshim falë, strehës së Përëndisë
DRINI
Desha ta imitoja vrullin e tij
Rrebeshe kaloi e rrebeshe përballon
I ashpër, i bukur, i kristaltë
Nga Driloni në Rozafë
I shtrin krahët dhe dritë lëshon
SHQIPËRIA
Shqiponja nga flamuri
Hap krahët, fluturon
Qielli e pret si bijën e tij
I lëshon za bijve të saj.
Prej fjalës së lirë
Ëngjëjt flenë gjokszbuluar
Rrituni ju, o ëngjëj
I kam falur siguri e ardhmëri
Arbërisë tej e mbanë.
FLAMURI
Fluturo mbi male, shqiponjë e lirë
Liria për ty, ajri që thith
Atdheu yt, Shqipëria e shqiponjave
Mu në mes të saj krahët i ka shtrirë
Ulur mbi gjak, gjaku të rinon
Rritur mbi plagë, plagët të lartojnë
I thuaj botës mbarë: “Jam Shqipëria”.
VALBONA
Valë valë ulesh e ngrihesh
A thua je zanë, a thua je lumë
Lumi më i bukur, më i kristaltë
Bona të thërras si bijën time
Oh, ju të dyja mua po më çmëndni
Nisu drejt meje, malli po më bren
A nuk e shihni se po zbardhem ?!
GJYSHJA PEMË
Si përbindësh ra mes halleve tona
Fruthi, tifo dhe murtaja.
Nga frëngjitë e kullave u përhap jehona:
“E hej murtaja !”
Jehona njerëzve u mbeti në buzë
Nuk ishte këngë majekrahu.
Jeta u nguros për një çast
Si shkëmbinjtë e ftohtë ndër mjaja !
Gjyshja ime me emrin Pemë
Ndonëse shtatë fëmijë ia mori murtaja
Qëndroi e patundur si bohemë
Rriti edhe katër të tjerë male e maja.
NËNA E MËRGIMTARIT
(Pas një bisede në telefon)
Harrova të të pyesja , a ke të ftohtë ?
Harrova të të pyesja , a ke uri ?
Harrova të të pyesja , a të del buka ?
Harrova të të pyesja , kur do të vish ?
Si harrova unë, nënokja ,
Çfarë fola me ty , o bir ?
MALËSORJA
E quajnë hënë,
Por është më e bukur
Se hëna pesëmbëdhjetëshe.
Trupi i saj m’i ngjaka bredhit,
Balli i saj rudinë me lule,
Fytyra e saj si qelqi i ujit,
Sytë e saj si liqejtë e Lurës,
Flokët e saj si tërfil i butë,
Lëkura e saj si bora e bjeshkës,
Buzët e saj si trëndafil i majit,
Faqet e saj lule pjeshke
Që lulëzojnë në ëndrrat e mia !
MALL
Ç’bëjnë prindërit tani në këtë orë
Babai, gazetën për së dyti ka lexuar
Nëna flokëbardhë trikon ka në dorë
Burrë, djali u bë për t’u martuar.
Dhe në një kohë unë mendoj për ta
Dhe në një kohë ata mendojnë për mua
Lemza zë nënën për djalin emigrant
Lemza nga malli më zë edhe mua.
EPIKË PËR NËNAT
Nga rrebeshi i kohërave
Kurrë s’e ulët kokën
Nga stuhitë e kohërave
Më fort e deshët tokën
Për ju ishte jeta
Ajo foshnjë në bark
Kur s’patët qumësht
E rritët me gjak.
NËNA KOSOVARE
Nënë moj, e dashura nënë
Vështro pusin ku më kanë shtënë
Më kanë shtënë, më kanë lënë
Vrima vrima më kanë bërë.
Pus më pus nëna vështron
Pas e ndjekin qindra nëna
Nënat varg në Kosovë
Djemtë kërkojnë...
Nënë moj , e dashura nënë
Buçet zëri i djalit të saj
Ç’është ky zë që po më ndjek
Thellë nga toka ai po del.
Në shumë puse janë groposur
Ah, sikur të kishin ata, një varr
Ndjenjë e dhimbjes do ish sosur
Loti i syrit do ish tharë
Por një gjë më lehtëson
Je në pus , je në Kosovë
Do t’i zbras të gjitha puset
Do t’a gjej djalin dëshmor.
Në mos e gjetsha ç’do të bëj ?
Ç’farë t’i them Nënës Kosovë ?
Ishte djali, tani nuk është
Bir i nënës me taborrë
Po ti më thuaj se t’a kam falë
Më thuaj të qëndis flamurin
Më thuaj se malli më ka marrë
Ah, sikut t’i puthja gurin !
Nënë moj, e dashura nënë…
Oh sa shumë më djeg meraku
Si t’a gjej kur në Kosovë
Të gjitha puset kanë ujë gjaku ?!
Nënë moj, e dashura nënë
Jo nuk ika në harresë
Është një shpirt, është një këngë
Është një vaj, është një shpresë...
TRISHTIMI I NËNËS
Një vogëlush loz i qetë
Loz e gëzon si vetëm ai
Por ja, nga ballkoni i katit të tretë
Një send i rëndë niset drejt tij
Oh ! thërret zëri i nënës nga lart
Drejtimin gjëma ndryshoi
Shkulet bebushi në bark
Vëllai për vëllain trishtoi.
DIBRANET E BUKURA
U krahasoj me zanat e maleve
Me lulet e freskëta të fushës së Korabit
Me dritën e feksur të kristaleve
Me shushurimën e këndshme të zallit.
Kur vallëzoni ju në majat e gishtave
Bari i butë nuk e ul, por e ngre kryet
Nga vallja juaj nën hijen e vishnjeve
Festë ka dhe qielli me yje.
Është pak të themi se jeni të bukura
Perri të vërteta jeni ju
Punëtore si bleta, të brishta si flutura
Ma luajtët mendjen , ç’bëni kështu ?!
MOS U ZBUKURO BIJA IME
Mos u zbukuro para pasqyrës, bija ime
Se kam frikë se do të shëmtohesh
Të ka bërë jot ëmë si e bukura e dheut
Dhuratë Përëndie, stërmbesë e Skëndërbeut.
Mos u zbukuro para pasqyrës, bija ime
Flokët e tua si një zjarr i ndezur
Kanë nevojë për një fjongo të argjendë
E unë s’di a do mund ta gjej.
Mos u zbukuro para pasqyrës, bija ime
Sytë e tu plot me vegime
T’i ka bërë jot ëmë si filxhan floriri
Brenda tyre bota jote, jeta ime.
VASHAT TEK LUMI
Dëshirë kanë të lahen
Fustane ngritur mbi gjunjë
Djemtë syfilxhanë
Bëjnë sikur flenë gjumë.
Të lahen, mos të lahen
Fustanet ngrejnë mbi gjunjë
O vasha të mira,
Lahuni ju në lumë !









Comments