Timo Mërkuri
NËNA TEREZE – UNGJILLI I DASHURISË
Përsiatje mbi librin “Letrat e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”[1] të Anton Nikë Berishës
“Nuk mund të mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë […] Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo…që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë. Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së përmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare”.
Fjalët e Papës Gjon Palit II
në Katedralen e Shkodrës më 25 prill 1993
Leximi i librit të Anton Nikë Berishës “Letrat e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze” të krijon ndjesinë e leximit të Ungjillit[2], por të shkruar ndryshe. Të kuptojmë: Ungjijtë janë shkruar nga Apostujt e Krishtit dhe askush tjetër nuk mund të shkruajë më një të tillë dhe ca më tepër që të guxojë ta shkruajë “ndryshe[3]”, por në rastin e Nënës Tereze ndryshimi qëndron sa në formën e të shkruarit ashtu dhe në përmbajtjen, në shpirtin dhe dashurinë e derdhur mbi këto shkrime.
I-Ndryshimi mes Apostujve dhe Nënë Terezës, veç ndërmjetëses kohore qëndron se: Apostujt kanë shkruar me synim krijimin e librit (Ungjillit), ndërkohë që Nëna Tereze ka shkruar vetëm letra të adresuara personave të veçantë, grupeve të caktuara, popujve të ndryshëm, të cilat u janë dërguar po atyre dhe vazhdojnë të jenë të arkivuara në formën e tyre fillestare (letra personale), pa pasur synimin për t’u mbledhur në formë libri. Së dyti objekti i Ungjijve të Apostujve është njohja e besimtarëve me jetën dhe bëmat e Jezu Krishtit, ndërsa Nëna Tereze nëpërmjet letrave u përcillte besimin dhe dashurinë e saj njerëzve dhe sidomos Hyjit gjer në mohim të vetvetes: “E etur të jem krejtësisht e Zotit, të shkrihem krejtësisht për Të dhe për shpirtra” (f. 44) dhe “[...] po ju them: në vepër do të jetë një dhënie -dorëzim i plotë i gjithë asaj që kam dhe që jam, absolutisht nuk do të mbesë asgjë” (f. 51), duke i shndërruar këto letra në pjesë organike të misionit të saj. Nëna është e sinqertë në letrat e saj, flet me letërmarrësin si në një rrëfim para vetë Hyjit, duke shprehur madje edhe dyshimin nëse ishte e denjë dhe e aftë në përmbushjen e misionit të saj, realizimin e të cilit e quante më së shumti meritë të vetë Hyjit: “Jam një laps i vogël në duart e Zotit. Ai më përdor për të shkruar atë që dëshiron. Lapsi nuk ka të bëjë asgjë me gjithë këtë. Lapsi vetëm duhet që të përdoret”.
Letra që shpjegojnë fjalët e Birit të Hyjit apo që japin porosi të ndryshme për kryerjen e shërbimeve kishtare etj., kanë shkruar në të kaluarën Apostuj[4] dhe prelatët e kishës, shkruajnë sot papët, kardinalët apo teorikët e krishterimit, por që të shkruajë një murgeshë e thjeshtë me mijëra letra, me një stil unik devotshmërie e dashurie të krishterë, ky është rast i rrallë, jo vetëm në krishterim. Ipeshkvi Komastri (tani kardinal) shkruan: “Jeta e Nënës Tereze […] nuk ndjek një logjikë njerëzore, po ndjek një thirrje që vjen nga Lart: mund të mos besohet kjo, mund të mos pajtohesh me zgjedhjen e saj, mund të mos kuptohet logjika e saj, po nuk mund t’i caktohet (imponohet) jetës së Nënës Tereze një formë (grilë) tjetër e leximit” (f. 19).
II-Ajo që bie në sy qysh në fillim të letrave është mënyra plot afinitet, dashuri e ngrohtësi që nisin letrat e Nënës Tereze: “Motrat e mia të dashura”, “Bija ime e dashur”,”I dashur atë”, “I dashuri im vëlla Sebastian dhe të gjithë ju në Cambria St”,”Fort të dashurit fëmijët e mi, motra, vëllezër, etër, misionarë laikë dhe bashkëpunëtorë” dhe mënyra e thjeshtë që ajo i përfundon ato, në shumicën e tyre me nënshkrimin prindëror: “Nëna” ose “Nëna Tereze”.
Në këto raste Nëna asnjëherë nuk harron ta shoqërojë nënshkrimin me një bekim apo urim si: “Zoti ju bekoftë, Nëna Tereze”, “E juaja në Jezusin, N. Tereze”, “Bija juaj e dashur në Jezu Krishtin”, ”Lutem gjithmonë për ju. Zoti ju bekoftë. Lutuni për mue edhe për motrat e mija dhe fukaratë tona”, “Në Krishtin. N. Tereze”, madje dhe me lutjen “Lutuni për mua se dhe unë do lutem për ju”.
Këto shprehje plot mirësi në skaj të letrave të saj ngjasojnë me faret në dy brigjet e një deti që u tregojnë “detarëve” (besimtarëve) se ky “det” është më paqësor se çdo oqean me këtë emër dhe se lundrimi në të është më se i sigurt. Dashurinë, ngrohtësinë dhe besimin e saj Nëna Tereze e çon me “valët” e letrave te më të varfrit e të varfërve, te të mënjanuarit dhe te të uriturit me qartësi e dritësi qiellore. Pra, janë kaq të pastra e të kulluara, të ngrohta shpirtërisht tekstet e këtyre letrave.
E vetmja letër që ka mbetur pa nënshkruar është letra fundit e datës 5 shtator 1997, kur Nëna Tereze mbylli sytë, por dhe atëherë arriti të shkruante: “Kështu le të bëhemi shumë të vegjël dhe të ndjekim rrugën e besimit të “lules së vogël”, dashurinë dhe gëzimin e saj (të Terezes së Krishtit fëmijë)” (f. 138), ndërkohë që të krijohet një ngulç në zemër kur, qysh në krye të kësaj letre lexon: “Fëmijët e mi të dashur. Kjo letër sjell dashurinë e Nënës suaj, lutjen dhe bekimin e saj…” (f. 137), sepse sheh se vërtet Nëna dhe në çastet e ikjes nga kjo jetë e kishte mendjen dhe zemrën te ne, te njeriu.
Për nga dashuria njerëzore që kanë letrat e Nënës Tereze, çdo fjali të tyre mund ta personifikojmë me një degë peme, ku këndojnë zogjtë e zemrës së saj: “Kam ardhur në Indi me të vetmen shpresë që t’i shpëtoj shumë shpirtra dhe ta meritoj larin e martires” (f. 43) shpall synimin e saj qysh në vitin 1947: “Motrat e kësaj Kongregate do të thirren Motrat e Dashurisë ose Motrat misionare të Dashurisë” (f. 49), duke e vënë dashurinë për njerëzit dh Hyjin në qëndër të gjithçkaje; ajo mjekonte me dashuri më shumë se me ilaçe, ushqente me dashuri e besim më shumë se me ushqim konkret.
Përmbajtja e letrave të Nënës Tereze kishte dhe një dukje tjetër, ato tingëllonin si një poezi e ngrohtë (në kuptimin e bukurisë, rrjedhshmërisë dhe finesës së tekstit të shkruar), sa qiellore aq dhe tokësore, ku “gjëmonte” psherëtima e shpirtit të saj, duke mbetur gjithmonë një poezi njerëzore që të mallëngjen, prej së cilës nuk mund të heqësh asnjë fjalë: “[...]një zemër e pastër mund ta shohë Zotin tek të varfrit, një zemër e përvuajtur mund ta dojë dhe t’i shërbejë Jezusit në të varfrit”. (f. 109) dhe se “Mrekullia nuk qëndron në faktin se ne e bëjmë këtë punë, por për arsye se jemi të lumtura që këtë e bëjmë” dhe pasi vlerësonte se “[...] secili prej tyre është Jezusi i fshehur në mjerim[5]“, Nëna Tereze u sqaron motrave të misionit: “Varfëria nuk qëndron vetëm të jesh i uritur për bukë, po para së gjithash një uri e tmerrshme për dinjitet njerëzor”.
Në letrën e dt. 11 prill 1961 Nëna shkruan: “Nuk e di çka provojnë njerëzit e tjerë, po unë i dua motrat e mia ashtu siç e dua Krishtin, me gjithë zemër, me shpirt e me mendje, me të gjitha forcat e mia” (f. 81) dhe më pas u mësonte: “Mos e kërkoni Jezusin jashtë vetes. Nuk është atje, po në ju” (f. 83).
Është interesantë letra e saj e dt. 30 dhjetor 1994 drejtuar “vëllezërve e motrave’ ku shkruan: “Ungjilli ka nevojë t’u kthehet kombeve të cilët po ç’krishterizohen. Silluni Fjalën atyre që janë të uritur dhe të etur për Zotin, duke filluar nga familja juaj. Shenjtëria fillon në familje […] familja që lutet e bashkuar, mbetet e bashkuar” (f. 129).
Tej çdo hamendësimi Nëna Tereze dashurinë dhe dhembshurinë e saj e kishte për të gjithë njerëzit e jo për ndonjë shtresë të caktuar apo popullsi të një besimi: “Une ja kam dhan ‘besën e shqiptarit’ Zotit me prue dashni dhe pagje mbe gjithë botën, duke u dhënë dashuri të ngrohtë dhe kujdes të sëmurëve - të vetmuarve, atyre që nuk i duan, që u mungon dashuria” (f.107). Në letrën e saj të dt. 26 shkurt 1972, përcakton kujdesin për disa vajza myslimane dhe hindu (të cilat ishin dhunuar në luftë) me fjalët: “Bijat e mia shumë të dashura. Qeveria e Bangla Deshit na ka kërkuar të kujdesimi për disa vajza të cilat janë dhunuar […] Ato do të çmohen si heroina të vendit sepse kanë vuajtur shumë për të ruajtur pastërtinë e tyre”.
Në letrat e shkruara Nëna Tereze ka lënë pjesë të zemrës e shpirtit të saj si filiza fidani shprese e besimi, mbështjellë me dashurinë e saj si me dheun e farishtes. Këto letra lexohen me sy, kuptohen me mendje e ndjehen me shpirt, duke u bërë një me lexuesin.
Mund të citojmë shumë letra apo fragmente letrash, por unë ju ftoj t’i lexoni vetë këto 50 letra të Nënës Tereze, të zgjedhura e të përmbledhur në një libër nga Anton Nikë Berisha, ta ndjeni dhe ta kuptoni vetë gjithë atë dashuri që kjo grua trupvogël e zemërmadhe kishte për njerëzit, pa dallim feje, race e vendi. Me këto letra ajo u çeli të varfërve dhe të mënjanuarve në mes të skamjes së tyre shpresën dhe besimin, siç çel bajamja lulet e vogla, ende pa dalë dimri. Dhe aty ku “ranë” petalet e luleve, frutat u lidhën gjithsesi.
III-E parë nga ana numerike, vëllimi i letrave të shkruara na kujton se edhe në botën civile, administrative apo shkencore një vëllim i tillë letrash të shkruara nuk mban mbi firmë asnjë emër gruaje. Ka shumë gra që kanë shkruar letra, madje shumë gra në profesionin e lirë, të shkrimtarit apo gazetarit, kanë shkruar jo pak letra dhe libra, por gjithsesi vëllimi i faqeve të shkruara prej tyre nuk i afrohet sasisë së letrave të shkruara nga Nëna Tereze; janë me qindra e qindra, sa që po të grumbulloheshin të gjitha me synim botimi, ato do përbënin dhjetëra vëllime[6]. Sipas një të dhëne deri më tani janë botuar rreth 5000 letra të Nënës Tereze” (f. 13).
IV-Vendosja e këtij krahasimi në thyesë kohore të procesit të të shkruarit, duke pasur parasysh se Nëna Tereze, jo vetëm që kishte një të shkruar të ngadalshëm të letrave[7], por edhe se i shkruante ato duke harxhuar kohën e saj të lirë, pas shërbimit, ndërkohë që femrat në profesion të lirë procesin e të shkruarit e kishin punë të tyre dhe i kushtonin kohën më produktive, atëherë shohim se letrat e shkruara në kohën e “të shkruarit” ishin më të shumta te Nëna Tereze se sa te çdo grua tjetër në botë. Nëna Tereze ka shfrytëzuar çdo çast të lirë të saj për të shkruar letra, që t’u japë shpresë të pashpresëve e dritë syve të verbër, të marrësh pranë të mënjanuarit e t’u japësh dashuri (ushqim shpirtëror) të uriturve do të thotë të shndërrohesh në një engjëll shpëtimtar për ata.
V- Ana tjetër në këtë “thyesë kohore” është se Nëna Tereze letrën e parë e ka shkruar më 28. 6. 1928, ndërsa letrën e saj të fundit e ka shkruar më 05.09. 1997, duke pasur një “ylber” kohor në të shkruarit që na lëbyr shikimin me mahnitje, teksa shohim se ky “ylber” ka mbuluar me harkun e tij 69 vjet e tre muaj të jetës së saj, kohë tepër e gjatë për një grua, kohë që me të drejtë mund ta quajmë “një jetë” duke shkruar. Për këtë veprim sigurisht që duhet të shtojmë dhe cilësimin: “[...] edhe me shumë probleme shëndetësore”.
VI- Një befasi më vete përbëjnë emrat e personave që u drejtoheshin këto letra pasi aty do të gjejmë emrat e George Bush-it dhe Sadam Husein-it, Ramiz Alisë, Papës Gjon Pali II, popullit shqiptar dhe popullit japonez, pjesëmarrëseve të konferencës së Pekinit kushtuar gruas, motrat misionare dhe vëllezërve të botës, të gjithëve në Carlo Catania, në Prenistina dhe në Cambria St., të etërve të kishës të shkallëve të ndryshme hierarkike dhe nënave të kishës, tezes Sut, Vatikanit etj. dhe befasia më e madhe: Nëna Tereze i ka shkruar letër vetë Jezu Krishtit.
Në qoftë se secili emër përbën një befasi e bukuri më vete, si një gur i vogël me ngjyrë të ndezur, në formë kubike, tërësia e tyre përbën mozaikun e bukur të dashurisë shpirtërore dhe njerëzore të Nënës Tereze.
Të kesh kurajën t’i shkruash një letër Jezu Krishtit, pavarësisht se me përvujtëri e devocion që duket e ndjehet te fjalët: “Qysh të vogël më ke thirrur[8] dhe më ke mbajtur si tënden [...] Vër në shpirtin tim dhe në jetën time vuajtjet e zemrës sate […] Jam e gatshme të të pres gjithë jetën.” (f. 71) dhe ta nënshkruash këtë letër si “Vogëlushja jote” do të thotë që ta ndjesh se je shumë e afërt me Jezusin, se je ngjitur diku pranë tij, do të thotë të ndjesh se je e denjë për t’u dëgjuar prej tij, qoftë kjo dëgjesë vetëm për adhurimin dhe përkushtimin tënd. E megjithatë nuk mjafton vetëm kuraja, duhet dhe mençuria për t’i shkruar për pështjellimet e tua shpirtërore, për pasurimin me besim e shpresë të më të varfërve të të varfërve, për ushqimin dhe afrimin e të uriturve dhe të mënjanuarve, të sëmurëve dhe të pashpresëve.
Janë unike dhe në literaturën kishtare letrat e Nënës Tereze dërguar Jezu Krishtit dhe ne, edhe pse flasim për to, e kemi të vështirë të përshkruajmë bukurinë e tyre dhe trazimin shpirtëror që ato ngjallin.
Te kesh kurajën t’u shkruash letër George Bushit dhe Sadam Huseinit pikërisht në pragun e shpërthimit të një lufte mes tyre (2 shkurt 1991) sigurish me respekt për pozicionin e tyre zyrtar: “Të dy i keni arsyet tuaja që t’i çoni përpara dhe popujt tuaj për të clët mendoni” (f. 114), por pavarësisht kësaj t’u flasësh për mënjanimin e luftës, do të thotë se e ndjen veten këshilluese dhe qortuese, autoritet që e ka marrë nga ai që e ka nisur: “Po vij tek ju në emër të Zotit, të Zotit që të gjithë e duan dhe e kemi të përbashkët..” (f. 114) dhe, megjithëse ka këtë autoritet, ajo shkruan përunjësisht: “Po vij tek ju me lot ndër sy dhe me dashurinë e Hyjit në zemër t’ju lus, në emër të të varfërve dhe të atyre që do të bëhen të varfër nëse nis lufta…Ju lus me gjithë zemrën time që të punoni dhe të bëni çdo përpjekje për paqen e Zotit dhe për pajtimin midis jush..”(f. 114) për të vijuar: “Ju lus e gjunjëzuar në emër të tyre [...] Ju lus në emër të atyre që do të mbesin bonjakë [...] Ju përgjërohem, ju lus t’i shpëtoni. Ju lus në emër të atyre që do të mbesin invalidë ose të gjymtuar. Janë fëmijët e Zotit” (f. 115), madje duke u treguar anën tjetër të pushtetit të tyre: “Ju lus, ju lus që mendja juaj dhe vullnesa juaj të bëhen mendja dhe vullnesa e Zotit. Ju e keni pushtetin […] të ndërtoni paqen” (f. 115).
T’u drejtohesh me lutje, e cila në fakt është një qortim publik, t’u vesh në dukje pasojat e veprimeve të tyre mbi jetën dhe fatet njerëzore, do të thotë t’i “shpallësh” fajtorë para botës, para historisë dhe përpara Zotit. T’u shkruash “Lutuni […] ashtu si ne dhe të varfrit tanë luten për ju.” (f. 115) do të thotë t’i ftosh në besimin te Zoti që të mos e pësojnë njerëzit. Ta mbyllësh letrën me fjalët “Le t’ju bekojë Zoti tani e përgjithmonë” do të thotë që t’i shpallësh fajtorë, mëkatarë dhe sipas fjalëve të Krishtit në kryq: “Fali at, se s’dinë çbëjnë”, t’u falësh mëkatin si gjithë njerëzve të vegjël.
VII- Në letrat e përfshira në këtë vëllim Nëna Tereze jo vetëm që dëshmon origjinën e saj shqiptare, por ajo dhe krenohet me këtë origjinë dhe traditat e popullin tone, madje edhe “Jezu Krishtit i dha besën e shqiptarit…” (f. 135). Letra e saj unike e dt. 24 prill 1997 dërguar popullit shqiptar pikërisht në kohën kur: “[...] trazirat që kanë ndodhur në Atdheun tonë të mrekullueshëm …” (f. 135) si dhe porosia e saj: “I kuptoj vuajtjet e atyre që humben paratë e tyre, por ju lutem mos i shkaktoni njëri -tjetrit më shumë vuajtje” dhe se “Çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë është vëllai im, motra ime dhe unë duhet t’i dua gjithsecilin, ashtu si Zoti na do neve të gjithëve”, prandaj “Nëna po lutet shumë për gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri në dhembje në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit. Le të lutemi.” (f. 135).
Asnjë burrë shteti nuk i është drejtuar popullit shqiptar nga lartësia shpirtërore e kësaj letre.
Nëna Tereze e ka bërë të njohur me krenari origjinën e saj shqiptare qysh në nisjen e veprimtarisë së saj kur shkruante se: “Gjithmonë shpirtnisht jam e lidhurn në uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira” (f.113) dhe se “Për Shqipërinë e kam lutur Zotin nga viti 1930. Për të janë lutur edhe motrat e mia. Kjo ka qenë ndihma jonë kryesore”.
Në letrën e parë të saj, shkruar më dt. 28. 6. 1928 në Shkup, në gjuhën serbokroate, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze theksonte: “Nga gjuhët njoh shqipen, e cila më është gjuhë amtare dhe serbishten, pak di frëngjisht, anglisht nuk di asgjë”, ndërsa në letrën e dt. 7 shkurt 1948, dërguar Kardinal prefektit të Kongregatës së Shenjtë, shkruante: “Kam hyrë në Institutin e së Lumes Mari Virgjër në tetorin e vitit 1928; më 1931 i kam bërë kushtet e para, ndërsa ato të pjekurisë më 1937 në Darjeeling. Punoj në Indi (Bengala) nga viti 1931. Jam e lindur shqiptare, por kam jetuar me prindërit e mi në Jugosllavi” (f. 37).
Kjo dashuri për vendin dhe popullin shqiptar shprehet plot ndjenja dhe në letrën dërguar Presidentit Ramiz Alia të datës 8 gusht 1989:
“I dashur zotëri president i vendit tim të dashur Shqipërisë,
Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim; pasi kisha vizituar aq shumë vende të ndryshme jashtë nëpër botë, i lumi Zot më dha dhuratën e bukur: të vij e të shoh popullin tim. Njerëzit e familjes sime kanë jetuar këtu për shumë vite [...] Unë shpresoj se [...] së bashku mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin dhe për popullin tonë [...]” (f. 107).
Dhe Nëna Tereze bëri shumë për popullin e saj shqiptar: “Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo…që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj”, theksoi Papa Gjon Pali II në Shkodër më
25 prill 1993.
VIII- Ne shqiptarët mburemi me Nënën Tereze, por në fakt e njohim shumë pak atë. Në e kemi menduar si një bamirëse sociale, e cila mblidhte fonde monetare e ndihma materiale dhe këto ua shpërndante të vobegëtve falas. Këtu nis gabimi ynë; Nëna Tereze nuk ishte “punonjëse sociale”, ajo nuk u jipte të vobegëtve dhe të varfërve lëmoshë monetare apo materiale, përkundrazi ajo ishte misionare e Hyjit dhe Birit të tij, Krishtit, jipte dashuri nëne, flijohej pa kursim për tjetrin, prandaj dhe u quajt NËNË, Nëna Tereze. Ajo i mirrte të vobegëtit, të varfërit e të mënjanuarit nga mjerrimi i rrugës ku ishin braktisur dhe i shpinte nëpër shtëpitë e misioneve, i pastronte dhe mjekonte, i ushqente dhe i vishte, u jipte shpresë e besim te Hyji dhe kështu njerëzit të “ringjallur” ata dilnin në jetë.
Anton Nikë Berisha me këtë libër na bëri të shohim e të njohim shënjtërinë e vërtetë të Nënës Tereze në dritën e saj të vërtetë, më shumë se bamirësinë e saj.
Ka diçka pranverore ky libër në qenësinë e tij që ta ngrohë e zgjeron shpirtin si shtatë dete, nëpër të cilat nis lundrimin anija e besimit dhe e shpresës. Gjatë leximit të letrave sytë të ndrijnë si dy diej të porsa “larë” (nga lotët që rjedhin heshtazi) dhe në gjoks jehon kënga e gjithë zogjve të pranverës. Unë ju ftoj ta lexoni se do përfitoni shumë më shumë se nga shumë libra të tjerë.
Është vërtet një “libër pranveror” vëllimi “Letrat e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” që na pruri Anton Nikë Berisha me përzgjedhjen dhe përkthimin e pesëdhjetë letrave, ku në çdo rresht e ndjejmë dashurinë dhe buzëqeshjen e Nënës Tereze; ka ditur ai çka të na sjellë në këtë ditë (më 5 shtator, ditën e kalimit të Nënës në amshim), prandaj e falënderojmë përzemërsisht për hartimin dhe botimin e kësaj vepre, të shoqëruar nga një parathënie të ngritur e mjaft shkoqitëse.
Sarandë, më gusht-shtator 2022
[1] Anton Nikë Berisha: “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” botuar nga “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup” 2022. [2] Ungjilli (nga greqishtja ευαγγελιον evangelion - lajm i mirë) në krishterim shpallja e lajmit të mirë të ardhjes së mbretërisë së Perëndisë nga Jezusi. Me fjalën Ungjill më së shumti kuptohen përmbledhja e katër librave të Besëlidhjes së Re të apostujve të Krishtit: Ungjilli sipas Mateut, Ungjilli sipas Lukës, Ungjilli sipas Markut dhe Ungjilli sipas Gjonit. Ungjijtë e Matheut, Markut dhe Llukës ( të shkruar pas vitit 41) quhen “ungjijtë sinoptikë” se ata “duken të njëjtë” pasi janë shumë të ngjashëm në përmbajtje dhe në formë. Ungjilli i Shën Gjoni (Joanit) është shumë i ndryshëm prej tyre. Gjykohet se ai është shkruar i fundit si kohë (rreth viteve 70-100) që përputhet me vitet e fundit të jetës së Gjonit, në mbarim të shekullit të parë. Ky ungjill renditet para të tjerëve, lexohet i pari në lexim në meshën hyjnore të natës së Pashkës. Është ky Ungjilli që fillon me prologun e famshëm: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi”. Titulli “Nëna Tereze Ungjilli i dashurisë” për përmbledhjen e letrave të shkruara nga Nëna Tereze të zgjedhura nga Anton Nikë Berisha, është një titull metaforik, i vendosur nga autori në respekt dhe vlerësim të frymës së dashurisë për Jezu Krishtin dhe për njerëzimin që i përshkon letrat. Realisht, Nëna Tereze “[…] qysh gjatë jetës u quajt “Ungjill i gjallë”, “Shenjtëreshë e gjallë”, “Ndërgjegjja e botës”, “Engjëll i të varfërve” etj” (f. 12). [3] Me qëllime spekulative janë shkruar edhe shumë libra të tjera për jetën dhe bëmat e Jezu Krishtit, të cilat kanë synuar të quhen “Ungjij”, por që kisha i ka shpallur si apokrifë (të rremë). [4] Apostulli (greq. απόστολος, lat. Apostolo, i dërguar) në krishterim është një njeri të cilit i është dhënë detyra si “i dërguar” drejtpërdrejtë nga Jezu Krishti për të përhapur Lajmin e mirë në botë. Apostujt ishin dymbëdhjetë: “Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj” (Lk 6:13). [5] Eileen Egan – Kathleen Egan, Madre Teresa e le Beatitudini. Queriniana. Brescia, 2000, f. 138. (Vepra e cituar f. 23) [6] Ati Brian Kolodiejchuk, postulator i lumturimit të Nënës Tereze vë në dukej se gjatë procesit për lumturimin e Nënës saj u shtjelluan më së 8000 dokumente, 80 vëllime të dokumentacioneve; 113 persona dëshmuan për jetën, virtytet dhe shenjtërinë e saj. (Shih Jacques Gauthier, Ho sete. Dalla piccola Teresa a Madre Teresa. Edizioni Mesaggero, Padova, 2003, f. 105.) Në këtë libër të Anton Nikë Berishës janë përfshirë vetëm pesëdhjetë letra të Nënë Terezes të përkthyera shumica, nga autori. [7]Anton Nikë Berisha, Letrat e Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Tereze. Nëna Tereze: Letër Atit Michael Van Der Peet 18 tetor 1980: “Një ipeshkëv më pati thënë ta kaloj Purgatorin tim duke shkruar letra nga se jam kaq e ngadalshme të përgjigjem. Sado i gjatë të jetë Purgatori, është shpresa e bukur që një ditë ta shihni Jezusin”. f. 103. [8] Anton Nikë Berisha, Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Botuar nga “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup” 2022. “Grishja e parë e Krishtit më 15 gusht 1922 (në orën 15,15 minuta) në Kishën e Letnicës (Kosovë)” f. 16.
Comentários