top of page

NËNA E VËRTETË HAK XHA HAN MUN DHE THIRRJA E SAJ PËR PAQE


SHPENDI TOPOLLAJ



(Rreth librit me kujtime “Nëna e Paqes që fshin lotët e njerëzimit”)


Kjo botë është e bukur, pikërisht se gjithkush mund të mendojë dhe besojë sipas bindjeve të veta. Ajo që përcakton vetitë apo karakterin e gjithsecilit, është sjellja dhe vepra e tij. Kjo më mbeti në mendje teksa lexoja librin e Nënës së Paqes Hak Xha Han Mun, bashkëshortes besnike të humanistit me përmasat e një shenjtori Son Mjong Mun, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre vepruan sipas parimit anglez se “Ai që ndihmon njerëzit, ai është dhe Zoti”. Në kujtimet e saj, duke parë referimet e shumta në mrekullitë e Zotit, që sa herë ajo ka pasur nevojë për ndihmë, ai i është gjendur pranë, si dhe mirënjohjen që ajo ka për të, mund të pyesim nëse jemi para një libri fetar. Por nuk është aspak kështu. Kemi kujtimet e një gruaje koreane, nëne të katërmbëdhjetë fëmijëve, e cila ka përshkuar me triumf një rrugë të gjatë përmes vuajtjeve, pengesave e vështirësive të panumërta, për të mbërritur te një personalitet i fortë dhe imponues, e respektuar anë e mbanë rruzullit, nga institucione dhe figura të shquara botërore të politikës, shkencës, artit e kulturës. Qëllimin e shkruarjes së këtij libri, ajo e shpall qysh në krye: “Për herë të parë unë po hap një dritare të jetës sime. Po e bëj këtë me shpresën që historia e kësaj jete, të jetuar në përputhje me dashurinë e Zotit, do frymëzojë te lexuesit të njëjtin mision, pasion, përkushtim dhe ëndërr që kam edhe unë”. Kishte lindur në një familje të thjeshtë në Anxhu të Koresë së Veriut, në edukimin e së cilës, kishin ndikuar fuqishëm si nëna Sun - e Hong, ashtu dhe gjyshja e saj Uon - mo Xho, të cilat shquheshin për dashurinë ndaj vendit të tyre dhe dëshirën për ta parë të lirë. Ishte viti i turbullt 1943, dhe lufta e urija bënin kërdinë. I ati, mësues, pas një ëndrre që pa e quajti Hak Xha, pra “Fëmija lejlek”. Nga rrethanat e rreziqet e papritura që pasonin, pa babanë, të trija femrat u zhvendosën në Jugë të vendit. Jetuan mes një pafundësie hallesh e mungesash, por moralisht qëndruan lart. Me një parandjenjë të çuditshme, por edhe duke dëgjuar zërin e Zotit, e ëma që kish premtuar se do ta rriste atë si Princeshën e Qiellit, e quante “Bija e vetme e Lordit”. Ajo edhe vetë nisi ta besonte këtë, kur dëgjoi për herë të parë zërin e Perëndisë. Natyrisht që e vlerësonte pa masë jetën, për të cilën thotë se “…askush nuk duhet ta nënvlerësojë jetën e vet. Ne duhet ta kuptojmë thellë se gjithkush është një qenie e çmuar, që vjen në jetë përmes veprave të shenjta të universit”. Por njëkohësisht, besimi te Krishti që praktikonin aq shumë nëna dhe gjyshja e saj, e shndërroi në një ithtare të palëkundur të praktikave fetare, dhe ndjekjes fanatike të normave të saj. Ju ngjall një besim i madh në një mision mbarëbotëror të ngarkuar dhe kuptoi se mundësitë e saj e garantonin suksesin në të. Kjo nuk ishte diçka e re; edhe heroina e Francës, shenjtorja e vitit 1920, Zhan d`Arka fjala vjen, në vitin 1428 gjatë betejës së Harengave, kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçare, kishte dëgjuar zëra dhe kishte parë vegime mistike, ndaj dhe i kërkoi Delfinit që t`i besonte komandën e ushtrisë, dhe pasi e mori atë, shpëtoi Orleanin nga anglezët. “Fëmija lejlek” kreu shkollën e mesme për vajza Songxhung, ku pedagogët theksuan aftësitë e saj udhëheqëse. Këto aftësi ranë në sy edhe te Biri i Vetëmlindur, kur ajo gjithashtu ishte shtatëmbëdhjetë vjeçare, pra sa Virgjëresha e Orleanit, dhe me të cilin ajo realizoi Ceremoninë e Martesës së Shenjtë më 11 Prill 1960 , duke i dhënë kështu njerëzimit, krahas Babait të Vërtetë edhe Nënën e tyre të Vërtetë. Atë ditë ajo u betua: “Pavarësisht sa i vështirë mund të jetë shtegu, deri në fund të jetës time, unë do ta kompletoj providencën e Zotit për restaurim”. Dhe në këtë betim, ajo parashtron detyrën që “pema e madhe dhe e fortë të japë fryte shprese për popujt e botës”. Ajo shprehet se baza e gjithë kësaj është familja dhe se “Zoti vjen të banojë në shtëpinë ku prindërit dhe fëmijët janë në harmoni”. Duke e nisur misionin e vet nga asgjëja, ky çift i mrekullueshëm, me kohë arriti të shtrijë ndikimin e vet në shumicën e vendeve të planetit. Ai erdhi duke e rritur reputacionin e tij, jo vetëm nëpërmjet predikimeve dhe ngritjes së objekteve serioze të kultit, por edhe nëpërmjet dhënies së ndihmave, punësimit, çeljes së bizneseve, ndërtimit të klinikave mjekësore, të autostradave si ajo “Udha e Paqes”, shkollimit dhe veprimtarive të shumëllojta kulturore e mediatike. Janë zhvilluar një mori takimesh si me burra shtetesh, mbretër, presidentë e kryeministra, por edhe mes anëtarëve të vetë shoqatës që ata drejtuan, si deri sa qe gjallë i paharruari reverend Son Mjong Mun, ashtu edhe pasi ai ndërroi jetë. Me zgjuarsi ajo ka gjetur mënyra për të trajtuar nëpër samite të ndryshme shqetësimet dhe problemet e kohës, si ato të rinisë, familjes, gruas, si p. sh. respektivisht: “Ëngjëjt e Vegjël”, “Federata e Familjes për Paqe dhe Bashkim Botëror” që shërben në mbi 190 vende apo “Dita e çlirimit të Grave” etj. Në libër janë pasqyruar shumë e shumë takime të tilla, ku pjesëmarrësit mbushnin shkallët e stadiumeve nga më të mëdhenjtë e vendeve të ndryshme që nga Azia, Afrika, Amerika e Veriut dhe ajo Latine etj. ku nuk donin t`ja dinin as nga shiu i rrëmbyeshëm që derdhej mbi ta dhe as nga provokimet e shpeshta që u bëheshin. Mjafton të sjell në vëmendje takimet mbresëlënëse të 18 shtatorit 1974 në Medison Skuer Garden, 11qershorit 1976 në stadiumin Jenki në Sh.B.A. (Festivali Zoti e bekoftë Amerikën), apo Konferenca e 13 - të Ndërkombëtare mbi Unitetin e Shkencave. Autorja e këtij libri, thekson se jo urrejtja, por falja dhe dashuria edhe për armikun duhet të sundojnë. Disa herë e burgosën të shoqin, por ajo jep këshillën: “Duaj armiqtë e tu, dhe jeto për hir të tyre”. Ajo, me të nderuarin Babain e Vërtetë zhvilluan një serë takimesh dhe bisedash edhe me udhëheqës që ishin kundërshtarë në planin ideologjik, si Mihail Gorbaçovi e Kim Ir Seni me shokë, të cilët nuk mund të miratonin si antikomunizmin e tyre, ashtu dhe besimin fetar që përfaqësonin. Edhe kur Nëna e Vërtetë, mbeti pa bashkëshortin e saj, ajo qëndroi dhe vazhdon të qëndrojë e tillë në synimet e saj, në shfaqen me kurajë të pazakontë të ideve dhe mendimeve të veta, sidomos si një intelektuale që aspiron për demokraci të vërtetë. Nga kushdo njihet tashmë lufta që sistemet komuniste i kanë bërë besimeve fetare. Ata i kanë mbyllur objektet e kultit, i kanë burgosur, denigruar e pushkatuar klerikët, ashtu sikurse kanë ushtruar dhunën e tyre edhe mbi popullin e thjeshtë. Ka plot histori në këtë libër, si në B. S. Kinë, Kore të Veriut, Kamboxhia etj. ku ajo i përshkruan këto krime. Por nga ana tjetër, shohim edhe përpjekjet e tyre për ta nxjerrë nga historia atë sistem mizor, duke shpënë njerëzit e vet pas të shtuquajturës Perde e hekurt nëpërmjet “Misionit Flutur”. Vetë ata e parashikojnë fundin e palavdishëm të tij. Autorja ngre zërin fuqishëm edhe për bashkimin e vendit të vet, për të cilin ka bindjen se i është caktuar një rol i rëndësishëm në zhvillimet e më tejshme të qytetërimeve. Në libër, bije në sy respekti për këdo që mendon e beson tjetërsoj. Aty gjejmë përzemërsi, mirënjohje dhe pjesëmarje masive të njerëzve me bindje të kundërta. Për Nënën e Vetëmlindur, rëndësi kanë vlerat njerëzore dhe jo fakti në je i krishterë, musliman apo budist. Ashtu sikurse jemi edhe ne në këtë sallë. Në të gjithë shtrirjen e këtij libri do gjejmë thënie me forcë postulati si fjala vjen: “Njerëzit që jetojnë vetëm për vete, së shpejti nuk do bëjnë më përpara”, “Duhet të jetojmë me bujari dhe dashuri”, “Dashuri e vërtetë është të japësh dhe të harrosh që ke dhënë”. Duke pohuar se ajo është në tokë për të folur të vërtetën historike, Nëna e Vërtetë nuk harron për asnjë çast t`i ngrejë himne mësuesit të saj Son Mjong Mun, sikurse bëri edhe në samitin e tetorit të vitit 2019 në Tiranë, ku ajo zuri shumë e shumë miq të sinqertë Ambasadorë për Paqen, çka i dha mundësinë ish Presidentit Moisiu që të deklaronte për këtë libër se “Nuk kam dyshim se autobiografia e Nënës Mun do i ndriçojë dhe japë shpresë e frymëzim të thellë të gjithë atyre që do e lexojnë”. Ky pra është një libër i shkruar thjeshtë, por me mesazhe të qarta, i një autoreje të cilën ish anëtarja e Parlamentit Evropian Patricia Lalonde e ka quajtur “një nga gratë udhëheqëse më të rëndësishme dhe më frymëzuese të kohës sonë”. Një libër i Nënës të Vërtetë që duke lëshuar kushtrimin: “Bota do ndryshojë kur parlamentarët e botës të bashkohen e të bashkëpunojnë për hir të paqes”, s`është tjetër veçse vazhdim i veprës së pavdekshme të shenjtores shqiptare Madre Tereza. Se jo më kot Gi de Mopasani shkruante se “Çdo gjë e hijshme, e bukur dhe ideale në këtë botë nuk është mbjellë nga perëndia, por nga njeriu dhe mendja e tij”. Ashtu sikurse bën edhe ajo vajza dikur e varfër, bijë Perëndie që i ati e quajti pas një ëndrre “Fëmija - lejlek”, por që fluturoi në Qiell shumë më lart se ata.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page