NËNA E KAMBISTIT


Vullnet Mato


Tregim

Pasi e ushqeu mirë nipin e vogël, gjyshja e la të shihte kukullat në televizor, derisa të vinte koha për ta vënë në gjumin e drekës.

Teksa po merrej me pastrimin e tryezës, dikush trokiti befas te dera e jashtme dhe ajo shkoi për ta hapur. Beni kureshtar e ndoqi menjëherë nga pas.

Nëna vrojtoi një grimë te syri magjik i derës së blinduar. Dhe përmes turbullirës së zvogëluar të lentës, dalloi një djalosh fare të ri me një çantë veglash në dorë. U mendua një çast me mëdyshje, por u shty instinktivisht ta hapte.

- Më falni, - tha djaloshi duke nënqeshur lehtë, - vij nga ujësjellësi, jam hidrauliku që keni kërkuar për rregullimin e rubinetit...

Nëna e hetoi një grimë me dyshim. Dhe duke mos pasur dijeni për defekt në rubinetat e shtëpisë, mendoi se mos ai kishte ngatërruar adresën.

- Nuk di gjë! - i tha ajo dhe mblodhi supet.

- Djaloshi nxori bllokun e xhepit.

- Kemi një kërkesë nga zoti... Irfan... Këtu e ka shtëpinë, apo mos e kam ngatërruar? - shtoi ai pas pak. - --Po, po, është dali im, i zoti i kësaj shtëpie, - pohoi Nëna dhe bëri pak hapa prapa. Për të parë te dera e banjës, mos ndoshta dallonte diku rrjedhjen, meqë uji i drekës sapo kishte ardhur.

Sakaq djaloshi hidraulik rrëshqiti ngadalë poshtë shkallëve dhe pas tij në çast hynë brenda vrullshëm dy persona me maska. Ata e shtynë me forcë derën hapur dhe e mbyllën nga brenda me çelësin që ndodhej në bravë.

Duke u përballur me ta në korridor,, Nëna e befasuar, u zbeh krejt dhe shtangu në vend. Një grimë herë ajo vazhdoi t’i vështronte ngultas, pa u zënë dot besë syve dhe u përpëlit në të verbër, pa arritur të kuptojë, se çfarë pikërisht po i ndodhte. Sakaq, mbi fytyrën e saj u nder papritmas hija e rëndë e një frike dhe e një ankthi të papërshkrueshëm. Kaq shumë e habitshme dhe e pabesueshme iu duk prania e atyre njerëzve të maskuar brenda shtëpisë, sa u desh të kalonte edhe një farë kohe, para se të kuptonte se me cilët kishte të bënte. Kur e kuptoi më në fund se ç’ishin ato dy monstra të frikshme, me ata sy që u xixëllonin përmes maskave të zeza, gruaja e moshuar ngriu e tmerruar dhe u rrëqeth e tëra. Ajo erdhi tamam në vete, kur ata i thanë të dy në një gojë:

- Sus! Asnjë fjalë!... - dhe të dy njëherësh zgjatën thikat e mprehta në drejtim të saj.

Njëri prej tyre rrëmbeu për dore Benin e vogël dhe ia zuri gojën me pëllëmbën e vet të madhe. Tjetri e tërhoqi Nënën me forcë në thellësi të dhomës. Aty e lidhën gruan e moshuar pas karriges shpejt e shpejt, me një rrip të trashë pantallonash. Me një rrip tjetër i lidhën duart mbi prehër dhe i vunë një shami të shtrënguar rreth gojës. Pastaj i thanë me një ton të vrazhdët tragjik:

- Merre djalin pranë, shpejt, dhe mos e lër të qajë! Se përndryshe do t’ia heqim kokën si të zogut, ta hedhim para këmbëve të tua !...

Nëna lëvizi gishtërinjtë me një dridhmë gati epileptike dhe deshi të lëshonte klithmën e dëshpërimit të saj të hidhur, po zëri nuk i doli. E tmerruar dhe krejt e ngrirë, ajo zgjati duart e lidhura, për të mbuluar me to kokën e Benit dhe e afroi te prehri i saj. Djali kishte heshtur i frikësuar dhe krejt i bindur, u përkul i tëri mbi trupin e gjyshes. Tani krejt shpresëhumbur për jetën e saj, ajo mendonte vetëm për djalin dhe filloi të lutej, duke u dridhur në heshtje: “O zot shpëto Benin !”

Teksa njëri nga banditët i qëndronte Nënës me thikën e mprehtë para syve, tjetri filloi të kontrollonte dhomat e shtëpisë, duke gërmuar kudo nëpër sirtarë dhe rafte. Pastaj me thikën e tij të gjatë, ai çau kolltukët me radhë, duke hedhur përtokë sfungjerët e prerë copa-copa. Çau dyshekët dhe jastëkët njërin pas tjetrit.

Kaluan disa minuta gjatë të cilave, maska përmbysi gjithçka ku mund të gjente para. Dhe pasi nuk gjeti gjë, iu afrua gruas, duke e kërcënuar me një zë pëshpëritës që i artikulohej përmes frymëmarrjes së nxituar:

- Thuaj ku i ka paratë biri yt, se përndryshe kur të kthehet nga puna, ka për t’u gjetur të dyve të palosur!

Nëna me shami në gojë murmuriti me mjaft vështirësi:

- Nuk di gjë... për kokën e nipit që kam në prehër... Nuk di gjë fare... – tha me llahtarë, duke gulçuar mbytur dhe duke marrë frymë me mundim të madh.

Maska u përkul fare pranë saj, duke shfryrë frymëmarrjen e alkoolizuar të përzier me grahmën e duhanit.

- Fol shpejt, se nipink do ta kesh më në prehër, po përtokë si kec të therur! - klithi ai me një zë të pamëshirshëm.

Gruaja e tronditur rëndë nuk dinte ç’të shtonte tjetër, për t’i bërë të besonin se vërtetë s’kishte dijeni për para në atë shtëpi dhe padashur heshti e nemitur.

- Fol qelbësirë, mos na vono! - klithi tjetri përballë dhe ia afroi djalit tehun e thikës, aq sa i preku zverkun.

- Mos djalin, se u vret zoti! – mërmëriti Nëna e mekur, duke shkumëzuar nga e keqja dhe e ngjeshi djalin më fort te barku i saj. – Unë s’kam si ta di ku i mban paratë dhe ka apo s’ka në shtëpi...

- Fol shpejt, kurvë e plakur, se të bëmë kërmë, sa të numërosh tre! - ulëriu me zë grykor maska pranë saj.

Gruaja e moshuar dhe e papërlyer në jetë, ndjeu sikur iu ça zemra në dysh. Deshi t’i përgjigjej me një britmë urrejtjeje të fuqishme, por gjuha nuk ia bind. Bëri vetëm “Uh!” një çast dhe murmuriti mbyturazi:

- Hapni çantën te varësja pas derës... merrni lekët që do paguaj nusja kolltukët e shtëpisë... dhe shporruni... se djali duhet të jetë duke ardhur për të ngrënë drekën dhe...

Maska që kontrolloi shtëpinë, kërceu me hapa të shpejt pas derës. Rrëmbeu çantën, e boshatisi menjëherë dhe e ngjeshi tufën e parave në thellësi të gjoksit.

Befas u ndie një fërshëllimë e zgjatur nga jashtë. Banditët me maska shkuan vrikthi te dritarja, poshtë së cilës kishte qëndruar hidrauliku i rremë. Me sa u kuptua, ai u bëri shenja për rrezikun e mundshëm. Sepse brenda pak sekondave ata u turrën në panik si dy rrufe të zeza. Kërcyen njëri pas tjetrit nga dritarja e katit të dytë në dheun e shkrifët të lulishtes dhe ia mbathën në mes të ditës.

Nëna e tmerruar deri në inde dhe krejt e shkatërruar fizikisht brenda atyre minutave të llahtarshme, kuptoi më në fund se kriminelët kishin ikur duke e lënë të lidhur. Së pari ajo lëshoi frymën e ndalur brenda mushkërive, që shpëtoi Benin e shtrenjtë. Pastaj bëri një përpjekje të dëshpëruar për t’u çliruar nga rripat që e kishin mbërthyer fort, por ishte e pamundur. Atëherë mësoi djalin si t’i zgjidhte shaminë e gojës dhe më pas duart e lidhura