NËNË MOS E MBYLL “SKYPE” KËTË NATË
- Mar 8, 2021
- 3 min read

NËNË MOS E MBYLL “SKYPE” KËTË NATË
Nga Fatmir Terziu
Nënë, mos e mbyll “Skype” këtë natë,
ekranin lëre të qaset në përfjetje,
nguli sytë nënë e dashur mbi qelq…
ndiqi detajet! Janë duart e tua, sytë,
këngët e bukura, ninullat,
janë të gjitha si kjo paradë
urimesh për 8 Mars…
Ja si ai imazh që të del pranë,
mëngjezeve kur i gdhin sytë mbi ekran
ti kokën ngre ngadalë
dhe pret e pret gjatë,
të cipals errësirën ndonjë këndes,
të dëgjosh të paktën një fjalë: “Mirëmëngjes!”
Kaq. Vetëm kaq pak,
ja si kjo erë në mesnatë
do hapet në ëndërrat e tua
ky urim për 8 Mars,
dhe ky mall…
CINGËRRIMA TË LARGËTA PËR NËNËN
U kthyen zogjtë të çukisin troshat
në sofrabezin e larmtë të bahçes,
me sqep sollën nga larg, të bardhë si zarf,
një urim të përlotur me mall.
U hapej kraharori nën pupla të lehtë
e sytë u shkrepnin dashuri e flakë,
u digjej nga rruga si shkrumb shpirti i lodhur
dhe kthetrat i kishin të kuq gjak.
Pranvera erdhi, ka tetë ditë që marsi ka marrë nur,
janë ringjallur hithrat.
Dhe nëna nget duart mbi tanur,
këndon e thurr një e nga një petat,
nga larg shikon të vijnë bijtë, bijat me plot fëmijë,
dhe sytë i mban andej nga muri ku varet sofra,
gozhda është ndryshkur, ka vite që s’lëviz
mban një peshë të madhe në kurriz.
Zogjtë mblidhen e festojnë në korr,
mes tufës që ikën, vjen, çukit dhe ulet
nëna fshin lotët me zor dhe pastaj buzqëqesh me lulet.
Afrohet ngadalë tek koshat dhe zogjve ua shton troshat.
Më zgjuat zogjtë e mirë një mall
luadhe të re të përflakur,
më thoni a i patë me sytë tuaj vallë,
a janë mirë me shëndet, mos janë plakur?
E thinjur nëna ime, e ëmbël, e bardhë
pret që ti vij nga larg të paktën një fjalë,
por fjalës nënë, grua, zonjë i duken mal 8 Marsët
kur të paktën gumëzhijnë me dashuri celularët.
SHPIRTI I NËNËS
Erdhi puhizë e Marsit. Sythkat
pluskojnë qumshtimin edhe më shumë
buzë lumit Tamiz me guralecë e shkumë
tejpërtej hiramit që na shtrëngon në mjegull
dëgjoj këngën e nënës për lulien,
përrallën e gjyshes për Doruntinën
i përsëris nëntokës me zhaurimën e trenave
dhe përhumbem aty ku zanafill mallëngjimi.
Duke më ikur minutat
kam harruar praninë time.
E bëhem fëmijë me gishtërinj të butë,
që sythket buzëve dhe gjoksit të nënës
lëmekur me njerëzit e tjerë të urtë,
fshij djersët, dëshirem lotët t’ua përpijë
hyj nëpër porta me lloze të hekurta
kërkoj hapësirat e jetës
kah prehri i diellit.
Orëve që ikin më pas
ngjyej me thinjat e shekujve të tretur,
malli është bërë kocomi,
s’ndahet nga gjaku, gjoksi i nënës, ka thirrë,
koçelë ku fle mall-ë-ngjimi.
Dhe dita më pas shkëlqen si ar i kulluar,
me Gandin që bekon shpirtin e nënës më të bukur,
natyrisht duke e lumturuar.
URIM NËNËS
Galaktikën huazova këtë natë,
nënokja ime e dashur,
e yjet i bëra tufë një e nga një.
Bëra me ta një buqetë të zjarrtë
mbi ta vura kurorë planetësh,
të harruar në hartën globale.
Mbi tufë shtrova nektar bletësh
natyrisht “Bio”, me të madhe.
Sa bëra gati penën nënë e dashur
mijëra urime hidhnin valle.
ATDHEU MË I LUMTUR
Mbi këtë fjalë vërtet u përhumba
e u zgjova nga gjumi me këta pëllumba...
S’mjaftonte të ngjeshja fjalë, vargje, lutje, dhimbje,
s’mjaftonte të numëroja, fusha, kodra, male, lumenj dhe dete,
as liqene dhe të tjera gjëra që i ka falur natyra,
se këto ishin veçse çfarë (f)sheh njeriu në vetvete,
në albumin e tij të strukur plot de(r)te.
Janë qindra të tjera që nisin nga dheu,
që mban kalatë e lashta e të rrënda,
nga guri i gdhendur tek muzeu,
ku shkruhen e rishkruhen mijëra ëndrra,
nga balta në zemër të çdo statuje,
ku mbahen gjallë fatet e rëna,
dhe gjithçka tjetër që mbahet e s’mbahet mend,
për të thënë sa i lashtë është ky vend!
Janë pastaj të panjohurat e çdo fëmije,
që përkëdhel çdo fije bari a çdo vogëlsire,
mbirë mes rropahopave të para në vendlindje,
e bukur i duket edhe goja e një egërsire,
dhe uji i freskët e i mirë,
e ajri që thith mbi tokën e lirë.
I gjithi ky dhe që e shkel këmba,
vuan si vullkan nga brenda,
kur diçka i shkulet njeriut nga mendja,
ky vend ka të drejtë të shkruhet me të rrënda,
është Atdheu më i lumtur që e shpall zemra.
Mbi këtë udhë vërtet u përhumba
e u zgjova nga gjumi si këta pëllumba...









Vjollca Burgjia
Ky shkrim me emocionoi z.FATMIR. RROFSHIN NENAT NE TE GJITHE BOTEN...JU FALENDEROJ
Puntorie Muça Ziba
Urime për këtë grua të fisme dhe sharmante!
Liri Bele
Pershendetje Famir ! Shkrim i jashtezakoneshem ,mbrujtur me ndjenjat me te pastra njerzore te cilat ende lene gjurme brenda zemres tone duke e respektuar NENEN ! Liria .