Në vijim të analizës së Profesor Mehdi Hysenit, akademik


Prof.dr. Eshref Ymeri


Në faqen e internetit të gazetës “Bota Sot” dhe në portalin “Albaniapress”, respektivisht të datës 28 dhe 29 prill, ishte botuar analiza e Prof.dr. Mehdi Hysenit, akademik, me titull “As “haxhia” e as “popi” mbi gjakun e UÇK-së  dhe mbi të drejtën ndërkombëtare!”.

E lexova me shumë kënaqësi këtë analizë dhe e përshëndes përzemërsisht Profesorin e nderuar, i cili, si një specialist i talentuar i së drejtës ndërkombëtare, ka argumentuar bukur mirë se krimet kundër njerëzimit nuk amnistohen kurrë. Prandaj edhe ka cituar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kofi Anan:

“... nuk ka amnistim për krimet e gjenocidit, për krimet e luftës  e as për krimet kundër njerëzimit”.

Veç kësaj, ai shkruan:

“... deri më sot, asnjë popull në botë nuk ka falur dhe nuk ka amnistuar krimet e gjenocidit, as krimet e luftës e as krimet kundër njerëzimit, qoftë të kryera në kohë lufte apo në kohë paqeje. Prandaj, as populli shqiptar nuk do  t’i amnistojë krimet e gjenocidit serb në Kosovë (1989-1999)”.

Ka shumë të drejtë i nderuari Profesor Mehdiu. Populli shqiptar nuk i fal krimet e gjenocidit serb në Kosovë. Por i gjori popull nuk ka mundësi të ngrejë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një padi të tillë duhet ta ngrejë qeveria, në bashkëpunim me juristët dhe me specialistët e së drejtës ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës, që prej 17 shkurtit të vitit 2008 dhe deri tani, nuk e ka ngritur një padi të tillë. Qeverinë e re të Albin Kurtit, e cila në programin e saj parashikonte ngritjen e padisë kundër krimeve të Serbisë, shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pra, garda e politikës së vjetër, mbështetëse e fuqishme e Hashim Thaçit, “ambasadorit” të Beogradit në Prishtinë, “e falënderoi” menjëherë me organizimin e mocionit të mosbesimit të 25 marsit.

Atë mocion, garda e politikës së vjetër e organizoi, sepse ajo ndjek me besnikëri praktikën e Enver Hoxhës për faljen e krimeve kundër njerëzimit. Populli shqiptar ishte i vendosur për ndëshkimin e masakrave të shtetit grek kundë popullsisë së pafajshme të Çamërisë dhe për ndëshkimin e shtetit jugosllav për masakrën e Tivarit. Por Enver Hoxha, si mercenar besnik i grekosllavizmit, nuk e shtroi absolutisht çështjen për ngritjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Greqisë dhe kundër Jugosllavisë, të shoqëruar me kërkesën për kompensimin me mjete financiare të të gjitha atyre masakrave. Pra, Shqipëria është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka ngritur padi për krimet e luftës. Kosova, gjithashtu, nën shembullin e Shqipërisë, është i dyti shtet në Evropë që nuk ka ngritur padi për krimet e luftës, sepse në krye të saj, gjatë këtyre 17 vjetëve që kanë kaluar pas shpalljes së pavarësisë, ka pasur në udhëheqje gardën mercenare në shërbim të Serbisë, gardë që ka pasur dhe vazhdon të ketë në krye Hashim Thaçin, njeriun që varet kokë e këmbë nga Beogradi, siç ka deklaruar publikisht Aleksandër Vuçiçi.

Thelbin e analizës së Profesor Mehdiut e përbën qëndrimi i tij i prerë kundër Baton Haxhiut, i cili ka shtruar kërkesën për amnistimin e krimeve të shtetit serb në Kosovë gjatë viteve të luftës. Prandaj ai shpërthen kundër një kërkese të tillë:

“... ai nuk do të kishte  bërë një kërkesë të gabueshme, të turpshme, johumane, joligjore dhe tërësisht të papranueshme, që institucionet përkatëse shtetërore t’i “amnistojnë krimet e luftës pushtuese serbe” në Kosovë”.

Por duhet të kemi parasysh se Baton Haxhiu nuk është njeri dokushdo. Ai është këshilltar me shumë peshë i kryeministrit Rama, i cili e kishte marrë me vete deri në Moskë për t’u takuar me Lavrovin. Normalisht, kur flasin këshilltarët e një shefi të madh, me siguri që fjala e tyre ka kaluar fillimisht nga kabineti i shefit në fjalë. Vetvetiu del përfundimi se kryeministri Rama, duke ndjekur piketat e vendosura nga Enver Hoxha për kalimin në heshtje të plotë të masakrës së shtetit grek kundër Çamërisë dhe të masakrës së shtetit jugosllav në Tivar, i përmbahet pikëpamjes për amnistimin e krimeve të shtetit serb në Kosovë.

21 views

Shkrimet e fundit