Nga Gladiola Jorbus
Në ujëvarën e ëndrrave
Në ujëvarën e ëndrrave -
Unë jam drita.
Por druhen të më shohin.
Horizontet i shfaq si dy gjysmërruzuj,
përtej kubesë qiellore.
Por druhen të më besojnë.
Ua zgjas duart, krahët të më shtrëngojnë.
Por druhen të më prekin.
Fjalët e mia bëhen tinguj ritmikë.
Por druhen t’ua vënë veshin.
Fluturimthi vërshoj mbi shpatet e pjerrëta,
ku ylberët kridhen të trazuar,
si lajtmotivet e vjeshtës.
Fle mbi shkëmbinjtë,
ku shtrohen tapete prej myshku të njomë
dhe hënën rrëkëllej me një frymë.
Por druhen të më ndjekin.
E atëherë...
dielli nis të venitet
brenda vështrimit tim endacak.
Kënga e zogjve tretet në muzg.
Druri i kedrit frushullon lamtumirë.
Dhe unë mbetem vetëm...
si balada e erës
në mjegullinën e shekujve.
JERUZALEM
Në Jeruzalem –
ditët shfaqen
nën dritëhije të mpakura.
Rrënoja kujtimesh pelegrine
endin librat e shenjtë
dhe mijëvjeçarët.
Retë dimërore lodrojnë
me harabelat ngjyrëhiri.
Ëndrrat dhe shpresat,
gjysmë të strukura brerojnë
nën kupolën qiellore.
Muri i lotëve - djepi shpirtëror
i litanisë njerëzore.
Lumenj lotësh rrjedhin
si damarë gjaku.
Kujtesa krenare
që valëvitet ndër breza.
Heshtja e krijimit.
Dhembja e shoah-s
që pezull jeton
me frymën e Zotit.
Në Jeruzalem –
era pëshpërit vargje
për jetët e flijuara.
Dhe shekujt luajnë
kukafshehti me emrat -
Jeruzalem, al-Kuds i shenjtë, Shalem.
Dhe ti…
Le të themi që triumfove në karrierë, Me duzina çmimesh që shtyheshin njëri pas tjetrit. Dhe ti… vazhdoje të bëje dashuri me hijen tënde, e ngrije dolli me trofetë që të stolisnin zbrazëtinë e shpirtit.
Kur ninëzat e syve të saj Prej Monalize, Të ftonin të kridheshe në melankolinë e tyre. Dhe ti… gëlltisje si hape gjumëndjellëse Muzgjet e bruzta dhe agimet e purpurta. Me gjakftohtësinë e një mizantropi.
Dhe ti… harrove se në jetë dhembjet ndahen së bashku. Dhe fitoret gjithashtu.
Dhe ti… Përplasje fort derën Pas shpinës së saj Pa thënë një “mirëmbetsh”, as një “lamtumirë” Dhe ajri bëhej i cingërimtë.
Dhe ti… Mbete vetëm me mungesën e saj Që ngjan me nënkresën e akullt Të një nate të pambarimtë.
Dhe ti … Po sheh Se si trofetë e tu njëri pas tjetrit po bien … Të sendërtuar në një grusht mizash trupeshpirt përqethëse.
Dhe ti… Ke humbur jetën, veten, dashurinë…
Odaliska
Odaliskë e trishtë
mbi krye mban një kurorë.
Stolisur me lulet e erës -
anemona të çelura nga pikëza gjaku.
Në buzë të endet një puthje e zjarrtë
që shuhet e papërqafuar.
Si Venusi i Milos - Perëndeshë pa krahë!
Në mbrëmjen e heshtur
prafullon psherëtima.
Bukuri tragjike!
Dhe e nëmur rrëngjen.
Pumbosen ëndrrat në
pallat të mermertë.
Shndërrohen lutjet
në shtatore të fildishta.
Odaliskë,
ofshamë dhe robinjë e fatit tënd!
Melankolia ngjet me një bulëz vesë.
Kalorësi yt niset nga larg.
Shndrisin yjet mbi galopin e hovshëm.
Nata e gjatë si viti i brishtë...
më në fund u zbeh.
Velat e bardha përshëndesin diellin.
Odaliskë, buzëqesh!
Një zemër për ty,
prej së largu, po rreh.
Fleur de lis - (Zambak)
Peizazh murrak.
Lauresha hesht.
Bilbili tretet
në melankoli.
Si një bohemë, nuhasja jetën.
Kur ti më quaje – Fleur de lis.
Gjëmojnë liqenet, plot tallaze.
Siç bubullin qielli - ogurzi.
Dyer të drunjta, veshur me myshk.
Presin të çelen nga Unë a Ti.
Ngjyra e flokëve si obsidian
Tashmë i ngjet një malli gri.
Si një bohemë, nuhasja jetën.
Kur ti më quaje - Fleur de lis.
Shpirt cigan
Manteli i yjeve vezullon
mbi puthjen cigane.
Krahët zeshkanë
pushtojnë gjithë dhembjet e botës.
Nën tingujt e trishtë të flamencos
era pranverore lëmon –
flokët e errët si nata.
Vagëllohet agimi
në cicërima dallëndyshesh.
Aromë *azahari andaluzian,
kundërmon gjithësia.
Në sytë e zinj abanoz
mund të lexosh a të vësh baste me fatin.
Për vajzat që fundet tundin,
e këmbët fort i rrahin mbi tokë.
Duele të përgjakshme ndezin,
kur vështrimet - me ëndrrat kryqëzojnë!
Për djemtë që enden në kërkim të vetes,
E dragonjtë e jetës, pa drojë i përballin.
Për zjarret që digjen, daullet që bien.
Për Ederlezin cigan që kumbon
Në shtatë notat e shpirtit.
Nata e përhumbur, shkumake,
vallëzon me fytyrën drejt qiellit.
Dhe piklat e shiut të shpresës
Përkëdhelin mëngjesin.
*Azahar – ‘Çel portokalli’ në spanjisht, rrjedh nga arabishtja zahrah që do të thotë ‘lule’. Është marrë nga Nuestra Señora del Azahar, që do të thotë "Zoja e Lules së Portokallit", për shkak të pemëve agrume që rrethojnë një kishë kushtuar Virgjëreshës Mari pranë Murcias, në Spanjë.
Qielli
Qielli në sfond -
pasqyron ëndrrat
ngjyer në lapis lazul.
Gjiganti i përjetshëm mbi
përpëlitjen e qepallave të kohës.
Muzgu shëmbëllen me një
akuarel pikturuar blu -
brenda lotit që rrjedh si ujëvarë
në dashuritë e harruara.
Atomet e padukshme të puthjeve
përplasin krahët në terr.
Dhe qielli murmurin me vete,
mijëra lutje që rrokullisen në humbëtirë.
Simfonia e korbave
Në humnerën e trishtimit
si brerore hëne mbi det -
shfaqet perimetri i ëndrrave.
Në vorbullën ku enden
psherëtimat e plogështa –
duzina pendësh zezane
regëtijnë për meloditë e harruara.
Nga zbaticat e shpirtit,
krakëllima të ftohta si shkundadimri
kthjellohen në horizonte të hapura.
Simfonia e korbave oshëtin
në jehonën e shekujve:
për Adamin dhe Evën,
për majën e stolisur të Olimpit,
për Gralin e shenjtë të Krishtit.
… dhe butësia zgjohet nga thellësitë
e ekzistencës -
…teksa trishtimi nanuriset
në krahët e mi.
Poezi mbi kanavacë
Pranvera valëzon mbi supet e botës.
Flladitja e detit dhe aguliçet,
pëshpërimat e shpirtit zgjojnë.
Në shtretër trëndafilash
kridhen kundërmimet agimtare.
Trishtilët e murrmë shfaqen
mbi akorde degësh të brishta.
Dheu i etur për drithërima
përpin shirat e freskët të prillit.
Në shtëpinë e pranverës
buzëqeshin korijet.
Preludi i simfonisë endet
në tokë, në qiell, në ajër...
në burimet e fjetura - ku ujërat
plot lirizëm gurgullojnë.
Dhe poezia lind mbi kanavacë
si një simfoni e gëzueshme ngjyrash.
Comments