Xhevahir Cirongu
Ishte data 27 nëntor 2020, ashtu së bashku si një tufë lule ‘’bore’’ iu ngjitën me makinën e tyre drejt malit tomorr. U nisën gjysh herët në mëngjes nga Durrësi e Tirana për tek mali i shenjtë Tomorri. Ndonse pak ftohtë në këto ditë fundore të muajit nëntor 2020. Ishte kënga e grupit polifonik ‘’Tomorrica –Skrapar’’ e cila i tha reve të largoheshin drejt hapësirës së qiellit blu. Dhe me të vërtetë, kjo ndodhi si me magji, koha mbajti si vetë zemrat e kënga e këtij grupi që sapo ka çelur si manushaqet e pranverës së malit tomorr. Është kënga ajo që ngroh shpirtin e njerëzve, por edhe i jep shpirt e jetë kombit të vetë. Ashtu, atë mëngjes i bëra një telefonatë Rako Paja, një djalë energjik, punëtor, e mbi të gjitha ai e do me gjithë shpirtë këngën popullore. – Po, Rakua jam, - më përgjigjet në krahun tjetër të telefonit. – Ku ndodheni, - e pyes unë atë ? –Jemi këtu te busti i Dervish Iliazi në Kulmak në malin Tomorr. Ishte ora 9.30 minuta. Bënte pak ftohtë, por me kalimin e orëve koha u zbut, sepse rrezet e diellit na ‘’përshëndetën’’ deri sa ne bëmë vidioklipin atje nën malin tomorr. Pikërisht, ishte ky udhëtim i bukur sepse na jepte ngrohtësi kënga që u këndua aty për vendlindjen tonë tomorricën e skraparit. Aty janë kënduar shumë këngë, që nga lashtësia e deri sot. Ja, edhe në këtë 27 nëntor të 2020 – ës, grupi i këngëtarëve iu ngjit si shqiponjat e këtij mali duke kënduar këngën ‘’Kënga jonë udhën e mori’’ me tekst të poetit Arben Duka. Jehona e këngës u dëgjua deri në majën e malit tomorr, atje ku qielli ‘’puthet’’ natë e ditë me këtë mal të bekuar nga perëndia. Sa bukur ?! Janë djemtë e tomorricarë që u digjet shpirti e u këndon goja e zemra për vendlindjen e tyre. Buçet kënga e jehon gjithë lugina nga mali Koshnicë, Qafa e Gjarprit, Ostrovicë, mali Mëlovë, e deri në Sulovë. Kjo këngë këndohet nga Nesim Mëno e Pëllumb Gjata. Iso mbajnë: Sefedin Çela,Xhelal Cërri e Rako Paja. Aty nuk mungon edhe muzikanti i këngës popullore, Agim Xhemali.U filmua, u bënë foto, por mbi të gjitha vargjet e këngës oshëtinë drejt monopateve të maleve dhe u ulën në prehrin e luginës së Tomorricës për t’u kënduar në shekuj. Kemi për të thënë shumë, por na mbetet për ti thënë grupit polifonik ‘’Tomorrica – Skrapar’’ udhë të mbarë bashkë me këngën ‘’Kënga jonë, udhën e mori !’’.
Comments