NË TJETËR KOHË FAIK KONICËS S’MUND T’I SHKRUHET MË HIÇ
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 29, 2019
- 2 min read

Poezi nga Zade Kuqi
NË TJETËR KOHË FAIK KONICËS S’MUND T’I SHKRUHET MË HIÇ
(Monologët e të të murosurës dhimbjes me të të palindurit)
1
Në një tjetër kohë Faik Konicës nuk mund t’i shkruanin edhe më hiç, sepse, ora nuk do të maste me thatësirë e shi. Dhe pas stuhisë së dimrit, pse malet i kaplonte heshtja? Ja pse mjeshtri ngjyu penën në gjakun e diellit, portreti i saj pa sy, konturat e fytyrës ia lagte bora. Sytë e saj lexonin kronikat mjeshtërore të erërave. Nëpër sytë e saj, si natë bjeshke, lodronin kuaj të reve të etur për riciklime të reja. Sytë e saj, si bjeshkë të bardha shtrinin vështrimin e thellë mbi tufa zogjsh pa krah, ua prenin veç për fluturimin e tyre. Nëpër ndarje të shumta, ngjyrat kishin humbur dritën. Nëpër trup i kalonte rruga e vdekjes, deri te lumi Stiks, aty varkat ngjanin, si hënë e përmbysur mbi moçal. Çmimet ngriteshin e binin, si në treg të ngarkuar Shangai, por e di mirë që monologëve këtu, të të murosurës time, emrin nesër do ia vejnë. 3 Po ecë rrugës së ngushtë të mendimeve, puhizë e hollë vere tund lehtë degët e ngarkuara të pemëve loz fytyrës sime me ngjyra dite, pa shkëlqim, me vizatime monotone shekulli; asgjë s’është, si duhet të jetë. Lëngoj nga rëndesat mbi kapakët e syve të dritareve, ato s’dëshirojnë t’më thonë ndonjë gjë, as për ngushëllim, si për shembull, se po afron një stuhi qiellit që lëkundet, si qilim fluturues. Është e dhimbshme ajo me të cilën na mbështjell koha, jashtë dhe brenda. Të mbushesh lotë, nuk është mëkat, por as kënaqësi. S’kam pirë ujë mjaftueshëm dhe një gjysmë litri gjak e mora me vete ta shes. Nëse e ke me kaq problem, të zbresim bashkë në buzët e Stiksit, më lerë vetëm të rrëmoj mbi varkën e braktisun të shpirtit! Me dhimbjen time ndërrova një urë, në këmbë të saj vura gjijtë e mi e në shtatin për këmbësorë, sytë, … por e di që nuk mund të vijnë në këtë botë, po prekën me buzë qumështin e saj.
Comments