top of page

NË TË DALË TË FSHATIT


Edmond Llaçi

Tek po kalonte pranë mini-marketit të lagjes, jashtë tij, në një nga kuadratet e drunjta të tezgës vuri re dardha të vogla gjysëm të kuqëremta në të kafenjtë.  Zgjati dorën dhe mori një prej tyre. E vërejti me kërshëri. Ende pa e kafshuar, duke e rrotulluar midis gishtrinjve ndjeu aromën dhe shijen e saj. Ndërkohë i u krijua ndjesia se e kishte përjetuar dikur ëmbëlsinë e atij fruti. Prania e shitësit do ta shtynte ta kryente sa më shpejt atë veprim. Shije që jo vetëm do ti jepte kënaqësinë e çastit por do ti zgjonin ndjesi e kujtime të vjetra brenda tij, të mbështjella me një hidhërim tek humbisnin në kohë. E  shijshme, hë?!. Pas zërit edhe në fytyrën në dukje prej babaxhani të shitësit ndjeu po të njëjtën kënaqësi që ai kishte kaluar më parë tek po përtypte atë frut. Nuk reagoi. I kërkoi ti peshonte dy kile. Por aty pa i lënë kohë, mori një prej qeskave të plasmasit të ndodhura pranë dhe filloi ta mbushte. A e dini se ku janë mbledhur dëgjoi përsëri zërin e shitësit. Nuk i ktheu përgjigje. Në qoftë se do t’ju tregoj do të ligështohesh vazhdoi ai. Tjetri, me një lëvizje të trupit dhe artikulimit të mimikës së fytyrës u përpoq të mos tregonte interesim karshi atyre që po dëgjonte. Por shitësi u afrua edhe më shumë. Mori një prej tyre duke e ngritur dorën në një lartësi ku shikimi ndjehej i barabartë prej të dyve. Duke i buzëqeshur vazhdoi. Janë nga fshati yt. Në ato çaste ai përballim dukej fare i thjeshtë. Por në brendësi të shikimeve të tyre ende të pa ndërprerë transmentoheshin ndjesi dhe shqetësime të ndryshme. Po, janë nga fshati yt vazhdoi shitësi. Dhe janë shumë të shijshme. Blerësi nuk e la më të vazhdonte. Mos janë mbledhur në filan vënd i tha ai me vrrull si për të mos humbur kohën e tij për të folur. Tek kthesa në të dalë të fshatit. Janë gjashtë-shtatë rrënjë dardhe mbi rrugë.  Nga të shumtat që kishim këto kanë mbetur pas zgjerimit të rrugës. Më tutje vazhdojnë ullinjtë. Për të mos kaluar në emocione të tepërta heshti. Nuk deshti ta shfaqte atë që po përjetonte në ato momente. Ti tregonte  që ato pemë, ato toka sot të tjetërsuara nga ai ligji famëkeq i shpronësimit dikur ishin pronat e tij. Jo nuk mundej. U ligështua. I pagoi ato dhe iku prej andej kokëulur. Tek mbylli portën nga brenda shtëpisë, duke lënë mbi tavolinë gjithçka kishte blerë, i kujtua koha kur familja atërore e tij përballonte gati gjithë vitin me ato të ardhura bujqësore. Në çast një mendim i shpejtë e ngacmoi. Doli me vrull. Me të mbritur tek mini-marketi i kërkoi  të gjithë sasinë e atyre dardhave. Habia e shitësit do të qe e madhe por ai e ndali aty reagimin e tij. Nga kureshtja për të mësuar sa më shumë, shitësi i shfaqi dëshirën për ta ndihmuar. Në ecje e sipër, pa pritur që ai ta ndërpriste i shpjegoi se në ato pemë ende kishte prodhim të mbarë. I ka rrethuar të gjitha parcelat me një murr prej teli 2m të lartë. Nuk lë asgjë ti shkojë dëm. Kur është koha e mbledhjes së ullinjve paguan punëtorë duke u qëndruar mbi kokë. Janë shumë rrënjë ullinj. U shërben vazhdimisht, ndaj nxjer të ardhura të mira. Dardhat mi solli vet ai. Rrëfimtari, pra shitësi do të kishte vazhduar të zbraste të gjitha ato që kishte menduar ti thoshte por u ndesh me shikimin e egër të tjetrit. Në sytë e tij në ngjyrë jeshile të trazuar në blu si vet gjethja e ullirit përveç zemërimit ai ndjeu edhe një dëshpërim të madh të cilin nuk e kishte vënë re ndonjëherë. Atje tek po hipnin në shkallët e shtëpisë bëri edhe një përpjekje të fundit duke e pyetur se çfarë do të bënte me dardhat. Por më kot, ai pasi ja mori qeskat prej duarve mbylli portën duke e lënë atë jashtë. Gjatë gjithë kohës kur ai njeri i bezdisshëm veçse llomotiste i u kujtua  përsëri fëmijnia, koha kur e gjithë familja e tij i qe përkushtuar tokës, asaj pasurie të babait të tij. E lodhshme, e mundimëshme por i gëzoheshin asaj që prodhonin. Kooperativizimi i tokës dhe i gjithçkaje që kishin e tronditi shumë atë. Na vajti dëm prona dhe lufta që  bëmë. Ç’është kjo gjëmë që na gjeti thoshte shpesh. Duke  i kuptuar situatat që po kalonte vëndi, nuk u mor me asgjë tjetër për veç punës. Para lufte,  ai Europën e kishte parë nga afër duke punuar në minierat e Francës dhe detrave të mesdheut. Dhe sot duhej të shfaqej ky ligj i mallkuar prej katër numërash.

        Filloi në çast të zbatonte idenë e ardhur në kokë. I lau mirë të gjitha frutat e dardhës. I preu në masat më të përshtatëshme ato që do të bëheshin komposto ndërsa të tjerat vetëm i pastroi pasi do ti kalonte në grirëse. Me enët që do të kryente atë proces, zuri të gjithë sipërfaqen e banakut të kuzhinës dhe të tavolinës. Për të qenë sa më i lirshëm vuri një përparëse. Që nga ky moment ndjeu të çlirohej prej çastit kur u përball me shikimin e atij njeriu që në dukje shfaqej babaxhan. Nuk ishte hera e parë që po e  bënte atë punë. Ishte një proces i gjatë që duhej respektuar edhe sasia e produkteve të tjera që shoqëronin atë, gjithashtu dhe koha. I u kujtua e shoqja. Ajo tashmë nuk i ndodhej më pranë. Kishte ikur në jetën e përtejme, në të vërtetën ashtu siç e thoshte ajo shpesh se kjo që jetojmë është e rrëme. Dhe nisi ta kujtonte. Kishin qejf që të dy të ndjenin praninë e njeri tjetrit tek përpiqeshin për të gatuar ushqimin e tyre të preferuar. Ai vet jo se nuk dinte të bënte humor, por i pëlqente gjendja e saj e bukur dhe intesive. Shpesh herë me heshtjen e tij të qëllimshme ndikonte që ajo të ndërhynte për të dialoguar i cili ishte veçse një kurth dhe do ti pëlqente shkëlqimi i syve të saj. Ngriti kokën. Të gjithë sa ndodheshin aty përballë tij, brenda atyre kornizave, kishin ardhur në jetë falë asaj bashkëjetese të lumtur me të. Ishin shumë nipër e mbesa. Të gjithë të bukur si drita e dielli. Kishin marë edhe nga ajo. Kaloi dorën mbi to duke u dhënë nga një të puthur të gjithëve. Duhej të fillonte nga puna. Ishte një punë e lodhëshme por do të ndjente një kënaqësi të madhe për atë që do të bënte. Në ato kohë të vjetra, tashmë shumë të vjetra, nuk i kishin këto mundësitë e sotme, duheshin enë ku ato të qelqta ishin të pakta. Ato lidheshin me botën e jashtme. Çdo gjë do të sillej nga përtej detit. Sa herë do të kthehej  i jati nga kurbeti, për veç shumë gjërave të tjera, do të përpiqej të sillte edhe enë të qelqta. I pëlqente kur ai tek ulej pranë oxhakut i thoshte “ma sill këtu atë bodilen me rraki”.

      Pas orëve të shumta aty në këmbë, nën respektimin e procedurave e “nënshtroi” atë frut të kthyer në komposto e reçel, të amballazhohej në kavanoza. Me gëzim, pas disa ditësh të zotit të mini-marketit i çoi dy prej tyre, një me komposto dhe një me reçel. Të tjerat diheshin do të shkonin tek fëmijtë e tij, aty ku jetojnë në emigracion.



33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page