NË SINGAPOR BIE SHI


Resmi Osmani Tregim

4. NË SINGAPOR BIE SHI

Nga cikli “Aventurat e Lake llullasë”

Janë me qindra personazhet e krijimeve të mia, ndër ta edhe Lake Llullaja. E kisha harruar Laken, të mbyllur në librat e tregimeve dhe romanin “Koha e çudirave”, por ai nuk më harron mua. Bën ç’bën kujtohet dhe me shfaqet tinëzisht midis faqeve të letrave ku shkruaj, duke buzëqeshur pafajësisht, më shkel syrin: Jam këtu, mos më harro, kujtohu nga njëherë edhe për mua! Kam dëgjuar që je ngusht për historira, apo subjekte siç i quani ju shkrimtarët.Sa të më kesh mua,mos kij dert! “Ah more Lake,po këtë herë ç’farë do të më thuash?” “Kij durim dhe më dëgjo, pastaj ndaç shkruaje ndaç mos e shkruaj, se mua as më shton as më pakëson gjë, në qytetin tim më njohin si paren e kuqe, para dhe pas teje”.

-Pa hë!

* * *

Lakja u pa në pasqyrën e koridorit. Mjekra i ishte bere drizë dhe flokët për të qethur. Sa për mjekrën përtonte të rruhej, le që tashti ishte në modë të lije mjekrën. Berberi, ai çiraku i Banushit, për një të qethur donte treqind lek, sa për gjashtë gota teke raki. E ku ti gjente aq lekë?

E shoqja,Sheqerja, ishte ngritur me vakt. Kishte fshirë oborrin, nxjerrë pulat nga qymezi dhe mjelë dhinë.Ai kuptoi nga aroma e kafesë se ajo po e gatiste.E mirë sa të duash Sheqerja, grua nga të anës, por ama mjerë kush hynte në gojë të saj. Lakja që e hiqte në kurriz, mundohej të mos i trazonte ujërat apo ti ngrinte kacabujtë. Sheqerja uli filxhanët në tryezën e vogël të sallonit dhe zbrazi xhezvenë. Kafja dukej që kishte dalë e mirë se ishte tërë ajkë.Të dy e pinin pa sheqer. U ulën karshi njëri-tjetrit. Ajo surbi një gllënjkë dhe s’po ia shqiste sytë të shoqit, ai s’po e zinte me dorë. “Huqi del me shpirtin- mendoj ajo-ai do ta lagij fytin me një kupë raki, se ashtu i zgjidhet gjuha dhe i kthjellohet mendja. Por në shtëpi s’gjendej pikë. Po ta pish e të mos sjellësh, të shkretën, ajo nuk buron deh!”

-Pije kafen se po të ftohet.

Ai ja dëgjoj fjalën. Televizori po jepte lajmet e mëngjesit, dhe të dy bënë sikur po i dëgjonin. Ishin të heshtur. E çtë thoshin: dritat dhe uji dy muaj pa paguar, kushedi sa kishte shkuar kamata, lista e ushqimeve te dyqani i Kasëmit ishte bërë çarçaf, dhe ai kishte kërcënuar se veç bukës, do t’ua ndërpriste furnizimin. Asnjë lek për be! Këto i kishin thënë e stërthënë. Kjo barrë më shumë e shtypte brënda shtëpisë, kur dilte dhe takonte me miq e me shokë, e shpërndante mendjen dhe i qante hallet me ta. Pa ç’pa, u ngrit.

- Grua, Po zbres një herë posht në qendër.

- Prapa diellit. Çap, jepu ujë qenve!

Ai bëri sikur nuk dëgjoi dhe u dha këmbëve në sokakun e shtruar me kalldrëm që të nxirte në rrugën e vetme të qytetit.I merreshin pak mendtë, siç duket ulje tensioni. Edhe pse dielli ndrinte, për të gjithçka dukej e mjegullt, e përhinjtë. Fyti i ishte bërë shkarpë. Çfarë nuk do të jepte për një të shkretë gotë. Kur sosi në shesh, I shkoi mendja t’I krihte lokalet me radhë, kur të gjente të njohur në ndonjë tryezë, të ulej, merret vesh, ata do t’i zinte turpi dhe do t’i japin një gotë.Por ishte i bindur se kur ndaheshin, ata me vete e quanin qylxhi dhe lapangjoz! Kjo e vriste. Ai tërë jetën kishte jetuar me djersën e punës së tij. “ Eh, shfreu ai, jetë qeni. Mos u bëj budalla o Lake, qenve t’u vish anës. Kjo shprehje duhet të ketë dalë atëhere kur qentë i mbanin të lidhur me zinxhirë. Tani kanë ndrruar kohërat.Qentë e rrugëve, kanë kazanët e të fshirave, pale ata fatlumët, konet,qenushët, që i mbajnë zonjat në krah, i lajnë me shampo, i parfumosin, i ledhatojnë, u thonë “ shpirt e Xhan”, i puthin në turiçkë dhe i futin në krevat. Demokraci e qenve!. Nuk do thënë jetë qeni, por paç fatin e qenit!”

Do të kërkonte Cufen. Po të kishte shitur gjësendi ai s’ja kursente një gotë që do t’a pinin tok. E kërkoj nga se kërkoi, pyeti, por si gjendej nishani. Shkoi te shkolla, por viti shkollor kish përfunduar,oborri ishte shkretë. As te agjensia e pasagjerëve nuk ishte. Çu bë mor aman, sikur e kishte pirë dheu. Kur u lodh, shkoi te lulishtja buzë lumit, të ulej gjëkundi.

Cufen e gjeti atje ku s’e pandehte. I shkalafitur, me shapken mbi zverk, ulur në stol në lulishten buzë lumit, në hijen e rrapit, po tymoste çibukun.

-Mor Cufe,te kerkova te oborri i shkollës, po atje xhan-xhin. E ku s’të kërkova

-Shkollat u mbyllen, mirë për fëmijët, po mua më bëri qeder. S’kam ku të shes më gjë. Shkoj nga agjensia e pasagjerëve, por njerëzia janë trok s’blen njeri qoftë një pako me çimçakiz.

-Hele,hele,çkemi ndonjë gjë?

-Në Singapor bie shi.

-Hë?! Bëri të çuditurin Lakja-po pastaj?

-Si i mençur që je,gjeje vetë. Shiu bie në Singapor,ne lagemi në Shqipëri!

Ky Cufja,nga një herë kur ishte esëll, qëllonte larg, e çudiste me ato që thoshte.

- Hiç. E lenë të bjerë, po vetë nuk lagen se mbulohen me ombrellë.

-Kush ta tha që bie shi në Martalloz apo si ia the emrin?

-E pashë në televizor.

-Ore, ku bie ky Singapori?

-Them që duhet të jetë në Amerikë, se atje bëhen ato kiametet me shira e furtuna,nga ato stuhitë që kanë emra të bukur femrash.

-Ja fute kot.

-Pa hë, gjeje ti që ja fut plot.