top of page

Në rrjedhat e transformizmit...


Në rrjedhat e transformizmit të Moikom Zeqos në poezinë bashkëkohore

(Një vështrim paralelizues me poetë durrsakë Agim Bajrami dhe Ilir Paja )

Letërsia e madhe është thjeshtë gjuhë e   ngarkuar me kuptim në shkallën më të lartë të mendimit. Ezra Pound

Nga Fatmir Minguli

      “A gjendet në trojet shqiptare sot një autor që shkruan për gjithçka, që ka prozën më të fuqishme ku thyen rregullsinë gjuhësore tradicionale dhe narracionin e thjeshtëzuar linear? Ai përdor fjalinë më të çuditshme, që çlirohet nga kuptimi i saj i vetëm. Moikomi loz me fjalët në mënyrë filozofike, eseist i skalitur dhe brilant, që për ta kuptuar atë duhen kataklizma shpirtërore, mendore, ekzistenciale, që janë zhvilluar dhunshëm dhe për një kohë të gjatë.”

    Këto fragmente janë marrë nga eseja e Vasil Vasilit në librin e tij për Moikomin dhe që i solla si një homazh edhe për këtë eseist që nuk jeton më. Me këto fragmente ai në mënyrë tejet lakonike na jep thelbin e krijimtarisë transformiste të Moikomit.

Moikom Zeqo dhe Fatmir Minguli

Transformizmi poetik është ndërprerje e thellë dhe një evoluim i dukshëm në mënyrën se si shprehet një poet- shkruan Pol Milo në artikullin e tij mbi teorinë e transformizmit dhe vazhdon po  me një studim të transformizmit moikomian botuar në librin “E shtuna durrsake” ku thekson: Transformizmi fut natyrshëm rolin shpjegues të paspjegueshmes ku natyra dualiste bën të kuptohet se sa e rëndësishme është procesi i krijimit.

    Por duke u kthyer te Moikomi do thoja se përdorimi i simbolizmit të tij për të transmetuar mesazhe të flakta por edhe struktura të reja poezishë që në fund të fundit nuk u mungon muzikaliteti dhe forca e iktusit të tyre. Madje kërkimi i iktusit është gati si kërkimi i eliksirit në një poezi të re që poeti eksperimenton. Vetë eksperimentimi është transformizëm.   

Poetët durrsakë Agim Bajrami dhe Ilir Paja janë të këtij krahu, krahut të eksperimentimit ku kanë kontributin e tyre të fuqishëm, ndryshe nga njeri tjetri dhe shumë ndryshe nga shumë poetë të tjerë. Paralel me idetë transformiste të Moikomit në këndvështrimin psh mbi gjethen ecën dhe Agim Bajrami dhe Ilir Paja që kërkojnë të renë, ashtu si Rembo e kërkoi atë si padashje por duke e kërkuar e gjeti në “Anijen e dehur”.

   Transformizmi letrar eksploron teknika të reja të ndryshme stilistike që sfidojnë (ose jo) strukturta tradicionale dhe konceptet konvencionale të letërsisë. Ndoshta kombinimi i zhanreve nuk është i domosdoshëm në krijimin e poezisë transformiste se edhe roli i teknologjisë mund të jetë ose jo ndikues në poezinë transformiste. Le të shohim pjesë të transformizmit poetik mes poetëve Moikom Zeqo, Agim Bajrami dhe Ilir Paja në metaforën universale të gjethes.

1.     Variacione mbi termin “gjethe”:

 Transformizmi letrar kërkon eksplorim mbi lëndinën poetike shqiptare aty ku gjethi nuk është thjeshtë gjeth por burim jetësor për një ekspasion madhështor poetik. Jo me kot zenbudisti vitenamez Thich Than Tú e quan gjethen si nënë e pemës. Ishte gjethja e çajit që papritmas ra në filxhanin me ujët e valuar të perandorit të Kinës që i dha shijen e re, atë të çajit, Gjethja transformoi adetin prandorak e për të u thurën me mijra vargje nga haikistët jo vetëm kinezë. 

      Dhe Rabindranath Tagora shkruan "Numëroni lulet në kopshtin tuaj,dhe  kurrë gjethet që bien." "Gjethja e një peme është përpjekja e pafundme e tokës për të komunikuar me qiellin." “Në vjeshtë gjethet bien dhe shkollat fillojnë.”

   Ndërsa Albert Camus shkruan se” Vjeshta është një pranverë e dytë ku çdo gjethe është një lule.”

    Gjethja është rrjeta edhe kur asaj i ka ikur e tërë klorofila dhe mbeten damarët e përjetshëm, kjo është rrjeta e “merimangës” gjethe aty ku poetët nuk kanë si ia bëjnë pa u ndalur e pa u ngecur me dashje apo pa dashje aty. Gjethja është poezi e transformuar jo vetëm në katër stinë ku mijra poetë e shkrimtarë mendojnë hollë e hollë. Ajo nuk është vetëm nëna e pemës por dhe nëna e poetëve, ashtu me klorofilë e pa klorofilë, me aroma e me skeletin delikat të damarëve të saj.  

Ilir Paja

Stadet e transformizmit të saj janë model i transformizmit në poezinë moderne,. Faleminderit gjethe! Forca artistike e gjethes është e mahnitshme dhe vlerat e saj në poezinë e re i kanë ”përvehtësuar” poetët Agim Bajrami e Ilr Paja. Agim Bajrami në stilin e vet tashmë të personalizuar sjell poezinë tragjike të gjethes duke na kujtuar porosinë e Solonit të madh se kur bie një gjethe asnjë njeri nuk gëzohet. Ja si shkruan në poezinë “Vallëzim gjethesh”:

Ngado shoh gjethe, vetëm gjethe /Me qindra, mijra, me miliona /Vërtiten ajrit si në ethe /Dhe bien ngadalë nën këmbët tona./ Nga trupi i pemëve sa janë ndarë /(Ky është vërtetë një ҫast tragjik) /Dikujt i vjen dhe për të qarë /Një tjetër klith me tmerr e frikë./ Por unë e di, kjo s’do të zgjasë /(Gjithkush e ka një dobësi) /Mjafton të fryjë aty një fllad /Ato ngrihen përsëri./ Një valle shpejt ta marrin shtruar /Apo një tango, ҫfarë të jetë/ Si balerinë të talentuar/ Koreograf, kanë ajrin vetë./ Të shkrirë në dehje e ngazëllim /Me sy të ngulur veҫ tëk retë, /Sikur ta ndiejnë që ky vallëzim/ I fundit është për to në jetë./ S’ka gjë se tmerri po afrohet / Dhe fill pas tij një fund i pret,/ Për to dhe në varrim vallëzohet,/ Mjafton ta bëjnë vdekjen e lehtë./ Ngado shoh vjeshtë, nën gjethe strukur /Dhe trupin tim të lehtë dyfish, /Nëse nuk di të vdesësh  bukur/ As dhe të ngjallesh, s’mund të dish.”

 

   Ndonëse me poetikë ndryshe nga e Moikomit kjo poezi është një rezyme për jetën e gjethes, një elegji tronditëse ku paralelet me jetën e njeriut janë kaq të dukshme ndonëse metaforike por të lidhura alkimisht. Por bukuria e poezisë transformiste shpaloset në shumë drejtime e stile të ndryshme ku më e spikatura është ajo e konceptit të absurdit. Dhe absurdi duhet pranuar, jo kuptuar, dhe ka mè shumè gjèra absurde jeta se gjethe pema. Dhe është përsëri studjuesi Pol Milo që e përcakton krijimtarinë e Agimit krej ndryshe ” Shkrimtari dhe romancieri i madh durrsak Bashkim Hoxha, e ka përmendur disa herë poezinë e Agim Bajramit gjatë promovimeve të librave të tij, përfshirë edhe në mjediset e Muzeut Arkeologjik, ku thotë se ai është poet midis qiellit dhe tokës. Poeti lëviz mes realitetit dhe ëndrrës, duke shprehur ndjenjat e tij me një gjuhë të pasur dhe të lirë. Ai është një poet i qiellit, por ama është edhe poet i tokës dhe kjo i jep një përmasë komplekse dhe madhore krijimtarisë së tij të pjekur poetike.”

    Një transformizëm ndryshe sjell Ilir Paja në poezinë “ I vjeshtës” dhe sidomos në librin e tij “Afrohen gjethet” ku “ zogjtë, qerpikë qielli/qiellgjethet,/ shikime mbushur me det.” Apo : “gjethet, rrugë e kalldrëmtë për shpirtin.”

  Dhe ai vjen me një poezi të plotë titulluar “Gjethja”

  Si zog me krahëthyer /Endet gjethja në oborrin tim. /Vraga e ajërt, më e ngatërruar /Se një herioglif./ Muza e merr për dore /Ta dashuroinë. /

   Ku lënda e saj nuk është thjeshtë klorofila e natyrës por është lëngu alkimik që përçon tinguj, muzikë, histori të vjetra e të reja. Gjethja!

I vjeshtës...

Gjethet hapin krahë të padukshëm./ T'u bëhen fole reve./Retë këto epigrame pa heronj të vërtetë. /Kthehen. /Parashuta përrallash. /Era ka uri dhe nis kacafytet me pemët /Për prenë e kujtimeve./ Gjethet prekin gjurmë hapash. /Në kërkim të hijes vjeshtë... /Pemët si të moshuarit e azileve S'kanë kujtime.../ Erës i mbetet trashëgimia e gjetheve. /E jetimtë, vjeshta nuk i zgjon hijet. /Në folenë e gjetheve retë zbresin prikë.. /Hapat e mi...gjurmë e vjeshtës duarsh dikur/.”

.  Moikomi në “Miscellanean 1” shkruan se “Ekzsistenca e poezisë është gjithmonë e fshehur për të mos u zbuluar asnjëherë plotësisht, është përherë përgjysmë. Edhe në dritë edhe në errësirë. Simbolizmi i një grafike enigmatike. Edhe e shprehur edhe e pashprehur. Edhe shpirt edhe trup por asnjëherë plotësisht shpirt, asnjëherë plotësisht trup. Është grackë enigmatike e gjithçkaje por përtej çdo imazhi dhe fonetike.”

 Apo në një poezi tjetër:

Dielli, dielli/ Dielli, pyll flakë /Me krahët e Ikarit /Krahët- gjethe disfate /Dy gjethe të mëdha zjarri. (Mischellanea, 2014)  ose këto pjesë:

 Ҫatia, pemë me gjethe- tjegullat;  pema si ofseit shtyp kartmonedhat e reja të gjetheve; gjethet- gjuhët e erës; Ora pa shifra si pema pa gjethe. – të cilat janë metaforat e guximshme të Moikomit.  Intersektimi i natyrës në botën e poetëve transformistë është ndoshta dhe glorifikimi gjer në fetishizim i asaj gjëje të vogël që është gjethja.

  Por nuk është vetëm kjo! Transformizmi i gjethes është dhe koncepti i pafundësisë, një burim i pashtershëm poezishë që do të trajtohet në pjesën e dytë të këtij studimi. Vetë gjethja si simbolikë e fuqishme si një metaforë amebike ka dhe dinjitetin e saj në flamurin kanadez ashtu si shqiponja në flamurin tonë. Edhe gjethja e dushkut ka një biografi, bekraund të mistershëm në lashtësinë e ilirëve e pak më vonë që është lakuar gjerësisht në romanin “Frika” të autorit të këtij shkrimi.

   Dhe..,gjethja u bë e artë dhe floriri i saj ishte klorofili. Moikomi e shpërnadan aromën transformiste të gjethes edhe në aspektin filozofik duke ia kushtuar themelueses së teofizikës Madam Helena Petrovna Blavatskij:

”Epope e harlisur gjethesh/ Lule të një heraldike /Të viseve teofizike/ Të Madam Blavatskit.” Apo në kujtim të Apolinerit: Luhaten gjethet si kaligramat e Apolinerit ( Këmbësori kozmik, 2018).

   Moikomi me gjethen metaforë ka ndikuar fort në poezinë e sotme shqipe. Ai e konsideron gjethen jo vetëm si dhuratë e natyrës dhe si aromë e saj por si një metaforë të domosdodhme në poezi e në prozë. Ai thotë se “ poezia pa metafora, është si një popull i shpopulluar.” Ai mbrrin me fantazinë e tij deri te këto rreshta poezie: Një pemë mbi mal, që është qytet, me mijra gjethe dritare. (Këmbësori kozmik).

   Ndërsa poeti i detit, durrsaku Ilir Paja me gjethet ka tjetër aromë metaforash si “çadrat e gjetheve”, “ gjethja në xhepat e vjeshtës si kartmonedha.” E për të vazhduar më tej në forma hermetike të guximshme: “U shkolit dega si disku prej diskhedhërsit, Ҫ’kokë qielli mund të presë gjethja me atë vërtik…gjethja kishte gijotinuar insektin më vrasës, verbimin.”

   Ndërsa në poezinë “Vjeshta…në sirtarë” ai thotë: “gjethet parashuta jo në gjendje lufte, në stërvitje.”

   Tek këta poetë shfaqet i sigurtë triniteti qielli, era, gjethja si një trekendësh i ngurtë. Këta poetë duket sikur bëjnë garë me simbolin e gjethes, si fakte për simbolin fizik në vizatime, skulptura, medalione floriri apo argjendi etj, etj. Por metafora abstrakte e saj duket se triumfon. Ja si shprehet përsëri Moikomi në librin e tij “Letrat me Makabe Zaharinë”, 2018) “Gjethet turren me një vrapim vampirësh, vesa mbi shpinat e kuajve bën gurë unazash….” “Rrëzohet një gjethe, vigmë e mekur, shkronjë e humbur nga dorëshkrimi i vjeshtës” “U, si leh kjo gjethe e vetme mbetur në degë, gjuha e një langoi qiellor”.

    Kjo paraqitje modeste e poezive të dedikuar gjethes në rrjedhat e poezisë së Moikom Zeqos, Agim Bajramit dhe Ilir Pajës, pasuruar me idetë transformiste të studjuesit Pol Milo është pjesa e parë e një studimi permanent mbi transformizmin në poezinë durrsake. Pjesa pasuese është “2 -Variacione mbi termin “Pafundësi”” që do të trajtojë rrjedhat e transformizmit të autorve durrsakë.

Durrës 8 tetor 2024

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page