top of page

Në respekt të institucionit të mirënjohjes


ree

Prof Dr Eshref Ymeri


Në respekt të institucionit

të mirënjohjes


Më 27 janar, poeti, kritiku, studiuesi dhe hulumtuesi i talentuar, Akademik Kujtim Mateli, si edhe Akademiku, Profesori Flori Bruqi, disa portaleve dhe shumë figurave të nderuara të kombit tonë, u ishin drejtuar me Shënimin me titull “Profesor Eshref Ymeri është një nga figurat më të rëndësishme në botën akademike”. Shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj, më 28 janar, kishte botuar në internet jetëshkrimin tim, të cilin e ka përfshirë edhe në likbrin e saj studimor, me titull “Elitat e mohuara… Krenari Kombëtare”, të botuar në vitin 2019. Zonja Vilhejme, Mjeshtre e Madhe dhe Akademike, mbështeste propozimin e Profesorit, Akademikut Flori Bruqi, dhe të Akademikut Kujtim Mateli për vlerësimin tim nga ana e akademive shqiptare. Bashkëshorti i Zonjës Vilhelme, Fitim Haxhiraj, miku im i vjetër që nga vitet ’60, dikur koreograf i shquar i skenës shqiptare, të cilin partia kriminale e luftës së klasave nuk e lejoi ta shpërthente talentin e vet krijues, mbështeste propozimin e mësipërm dhe më drejtohej me një letër shumë mallëngjyese për moshën time. Në përkrahje të këtij propozimi ishte shprehur edhe shkencëtari i shquar në fushën e Teorisë së Tokës, Prof.dr. Vedat Shehu. Akademiku Kujtim Mateli e kishte botuar Shënimin e vet edhe në këtë Portal të nderuar. Në rubrikën “Komente” të këtij Portali, Profesori i talentuar i frëngjishtes, Sefulla Kata, miku im i hershëm, bashkautori i Fjalorit frazeologjik frëngjisht-shqip, kishte botuar një reagim shumë emocionues për mua

Në respekt të etikës intelektuale, me letrën në vijim, iu shpreh publikisht mirënjohjen time të thellë gjithë këtyre krijuesve të talentuar në shumë fusha të dijes, veprat e të cilëve janë pasuri shumë e çmuar për mbarë kombin shqiptar.

Shumë të dashur dhe të respektuar miqtë e mi,

Ju jam shumë mirënjohës dhe ju shpreh gjithë respektin tim të thellë për fjalët tuaja aq të ngrohta, aq miqësore dhe aq frymëzuese për mua. Por mua, ore intelektualë të nderuar, me brumosje të shkëlqyer atdhedashurie, nuk më duhet kurrfarë vlerësimi nga cilado akademi.

Si mund ta pranoj vlerësimin e Akademisë së Tiranës, e cila, në Platformën që pati publikuar në tetor të vitit 1998 për problemet e bashkatdhetarëve tanë matanë kufijve të Shqipërisë Londineze, autoriteteve shoviniste grekosllave u lypte vetëm disa të drejta kulturore dhe nuk kishte burrërinë të shtronte dhe të mbronte me forcë të drejtën e tyre për vetëvendosje në trojet e tyre etnike, në mënyrë që të emanciponte sadopak edhe klasën politike frikacake të vendit tonë, e cila, në vijim të tradhtisë së diktaturës komuniste të kryediktatorit Hoxha, asnjëherë nuk guxoi ta shtronte Çështjen për një të drejtë të tillë?

Si mund ta pranoj vlerësimin e Akademisë së Tiranës, e cila nuk e njeh prejardhjen tonë pellazgjike, siç thuhet në Enciklopedinë e madhe greke, në vëllimin 19, faqe 873?

Si mund ta pranoj vlerësimin e Akademisë së Tiranës, kur në krye të saj Rama ka vënë një politikan, një komunist të thekur, që shiti partinë për të marrë Akademinë, një njeri askushi në lëmin e krijimtarisë shkencore, një njeri, i cili, siç e kam nënvizuar edhe herë të tjera në internet, aq sa merr vesh dhia nga tagjia, aq merr vesh Gjinushi nga arkeologjia, nga gjuhësia dhe nga historia?

Po të kishim shtet dhe qeverisje për së mbari, ore miq të shtrenjtë, në krye të Akademisë duhej të ishte dhe duhet të jetë një shkencëtar i njohur vetëm në tri fusha - arkeologjia, gjuhësia dhe historia. Sepse ne, vetëm me gjuhën e këtyre tri shkencave, kemi çfarë t’u themi autoriteteve akademike kudo në botë. Sepse me gjuhën e inxhinierit, me gjuhën matematikanit, me gjuhën e mjekut, ne s’kemi se çfarë t’i themi botës shkencore.

Për dijeninë tuaj, miq të shtrenjtë, dëshiroj të theksoj se më mjaftojnë vetëm ato vlerësime që më janë bërë nga autoritetet shkencore, që nga mbrojtja e doktoratës në vitin 1989, me udhëheqës Profesor Androkli Kostallarin, deri te titulli “Profesor i Asociuar” më 1994 dhe titulli “Profesor” në vitin 2001, akorduar me vendimet përkatëse nga Komisioni i Lartë i Atestimit në Ministrinë e Arsimit.

Edhe një herë ju falënderoj përzemërsisht dhe ju uroj suksese në veprimtarinë tuaj krijuese në shërbim të atdheut tonë të shtrenjtë, punë, e cila është shumë e çmuar për mbarë kombin tonë.

Me shumë nderim dhe respekt për Ju, duke ju uruar shëndet, jetë të gjatë dhe mbarësi në familjet tuaja.

Eshref Ymeri

Kaliforni, 29 janar 2023

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page