Në Purgatorin e Republikës presidenciale



 Minella Aleksi

Ndryshe nga më përpara kur heshtja në ndërtesën e Presidiumit ia linte vendin mbledhjeve të rregullta një herë në muaj dhe më të rrallë ndonjë ceremonie zyrtare mortore, mbas rënies së diktaturës ndërtesa u bë institucioni i Presidencës. Demokracia kishte ndezur motorrët që zhurmonin nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë nëpër ambjentet e ndërtesës. Në një nga këto ditë të zhurmëshme mësova indirekt për një fenomen sa të vjetër në kohë aq edhe origjinal për ambjentin zyrtar shqiptar. Kohë ndryshimesh, valë punësimesh dhe largimesh. Për ata që synonin emërime të larta në ministri apo në institucione të rëndësishme kërkohej një dëshmi pastërtie e figurës. Mëkati i dosjeve të sigurimit. Shefi i kuadrit të Partisë bënte ecejake sa nga zyra e partisë në Presidencë për të marr aprovim nga Kryetari i Partisë-President për të lëshuar dëshminë e pastërtisë. Për këto dëshmi ishte krijuar ai që quhej tregu i kërkesë-ofertës. Një lloj tregu qarkullues i zarfave, jepje zarfin me para merrje zarfin me dëshmi. 

Një shpirt mëkatar që blen një dëshmi me firmën e kryetarit. Shtanga një moment nga ngjashmëria e këtij mekanizmi korruptiv institucional. “Letrat e Indulgjencave ose të faljes së mëkateve”. Kënaqësitë pa limit, mungesa e moderacionit në sjellje, mospërmbajtje ndaj joshjeve të çdo lloji, (Indulgence në latinisht) gjithmonë e kanë shpurë  njeriun në mëkat. Sipas besimit të krishterë mbas vdekjes fizike të njeriut shpirti i tij përjeton një gjëndje të ndërmjetme në atë që quhet Purgator-vendi ose gjëndja e ndëshkimit dhe pastrimit të fajeve përpara sesa të shkojë në Parajsë. Për mëkatin e kryer Kisha stimulonte blerjen kundrejt të një letër faljeje si shlyerje e plotë e detyrimeve shpirtërore që mëkatari kishte ndaj Zotit. Tregu i indulgjencave funksiononte në Mesjetë por morën përmasën e një fenomeni  të përgjithshëm skandaloz korruptiv në shek.e 15të kur shitblerja e tyre bëhej si në një treg mallrash. Mëkatarët katolikë i blinin me një çmim fiks kundrejt faljes së mëkatit ose të mëkateve. Më pas me shpirtin të pastruar nga letra e stampuar me “Bull Papale”, niste “udhëtimi imagjinar” për në parajsë. Kërkoje falje të pjesëshme, letra kushtonte më pak. Kërkoje falje për të gjitha mëkatet, pagesa ishte disa herë më e kripur. Si kartat e shoqërive të sigurimit të kohëve moderne. Indulgjencat ishin droga e kohës mesjetare. Shërbenin si rrjetat që peshkonin paratë e njerëzve. Në Shqipëri prej tridhjetë vjetësh dosjet dhe zgjedhjet lokale e parlamentare janë rrjetat që vazhdojnë të peshkojnë shpirtërat dhe paratë e tyre. Martin Lutheri, prift gjerman, profesor i teologjisë, pati ndriçimin vizionar, denoncoi abuzimin me indulgjencat, pasuroi botën me fallcitetin e Purgatorit që ato propagandonin. Martin Luther ideoi Reformën e madhe, Protestantizmin, duke e ndarë botën e krishterë në dysh.

Kundërshtari publik i Martin Luterit, frati dominikan Johann Tetzel, komisioneri i madh i shitjes së indulgjencave në Gjermani në emër të Papës, d.m.th pazarxhiu apo lobisti më batakçi i tyre, u bë i famshëm për shprehjen: “Porsa në shportë një verdhushkë tingëllon, një shpirt i shpëtuar në Parajsë fluturon”. Kur mes qytetesh apo në stadiume mëkatarët tanë në tribuna i shikoj dhe i dëgjoj, më ngatërrohet shprehja e Tetzel e para pesëqind vjetësh me kopjet e sotme: “Porsa Presidenti dëshminë lëshon një shpirt mëkatar Purgatori pastron”. Kopje indulgjence nga drejtësia: “Në do nga Ferri një vrasës të shpëtosh, te porta e Purgatorit qetësisht firmos, për dy vila rezortesh që buzëdetit do dhurosh”. Apo nga “Bursa e Tiranës”: “Mes avujsh valixhen oligarku dorëzon, befas, shpirtin mëkatar Kryetari pastron”. Më sillej në mendje mëkati fillestar. Ai që botën e pasuroi me sensacione qiellore. Ndryshon i dyti, Korrupsioni, sëmundje dhe mëkat bashkë, tretësi universal i pengesave ligjore. 

Kur shikojmë që herë pas here vjen ambulanca dhe qëndron një kohë të gjatë mbrapa Presidencës bëjmë humor në biseda shoqërore. Sjellin njerëz që i dekoron Presidenti, për fat të keq disa në ditët e fundit të jetës. Presidenca të kujton si dikur Klinikën Speciale që ishte si stacion tranzit: për në botën e nëndheshme ose për në klinikat e Europës. Ndërsa sot indulgjencat e presidentit janë si linjë direkte për në Parajsë. 

Ambulanca qëndron aty në gadishmëri. Tre muaj më parë mësuam se n/punësit e presidencës kishin kaluan një shok të vërtetë. I dekoruari  jetonte ditët e fundit të jetës. Pasi e zbritën nga shtrati i ambulancës, i ulur në karrige lëvizëse, me zë të vyshkur i drejtohet shefit të protokollit; “I lutem Zotit që të më marri kur duart e presidentit dekoratën të më varin në qafë. Në krye të detyrës, në presidencë”. Gjithë ceremonia më pas kish qënë një skenë tragji-komike paniku e denjë për ilustrime mësimore. Fatkeqin Zoti mbas një jave e kish marrë nga shtëpia. Janë disa raste të tilla. Kur i shoh në TV ceremonitë e dekorimeve në presidencë nuk e di pse më sjellin para syve skenën e largët poshtëruese të njeriut më të fuqishëm të botës, presidentit Nikson. I dërrmuar ndërsa ishte nën presion për të dhënë dorëheqjen gjatë skandalit të Vvatergate, Nixon doli në TV, qëndroi para kombit dhe tha: "Unë nuk jam një hajdut". Dhe të gjithë, pa përjashtim menduan për të si një hajdut. Kur dikush nga zyra e kryeministrit thotë në TV “unë jam i pastër si kristali” të gjithë pa përjashtim mendojnë për të kundërtën, tërësisht të ndotur sepse e kanë parë duke bërë llogaritë e vjedhjes me bllok në dorë. Kur dikush thotë në TV nga zyra e presidentit që “nuk jam vrasës, nuk kam thyer embargo, paratë e mia janë më të pastrat në botë” të gjithë pa përjashtim mendojnë për atë si një vrasës, si një kontrabandist, si një hajdut. 

Natyrshëm vjen pyetjea: Çfarë vlere kanë nderime të tilla kur ai që të dekoron dhe ti i dekoruari qëndroni moralisht dhe profesionalisht ndaj njëri tjetrit si dy ekstreme? A mund të qëndrojnë bashke nderi dhe turpi? Mendoja se biseda me një teolog do më ndihmonte për të arsyetuar mbi shkaqet e një fenomeni të tillë. Kontaktova dikë që herë pas here në TV merr pjesë në debate të karakterit shoqëror. Ai filloi të fliste dhe më shumë dukej si bisedë me veten e vet sesa me mua përpara tij. “Nuk je i pari që bisedoj të tilla çështje. Te ne nuk bën përshtypje që nxënësi dekoron mësuesin, kadeti dekoron admiralin, i korruptuari dekoron të pakorruptuarin. Vazhdojmë paturpësisht me modelin bolshevik kur njeriu i punës së krahut, antar i Byrosë Politike, dekoronte një shkencëtar. Një disekuilibër trishtues midis vlerës dhe antivlerës. Shpesh pyes veten, ku e gjejnë, nga u buron forca e kësaj paturpësie? Për fat të keq neve na mungon, e kemi shkatërruar institucionin e Turpit”. Bëri një pauz sikur të mblidhte forcat. “Turpi i dashur është një shpirt që ha, që gëlltit emocionet. Pra forca e tyre qëndron te Paturpësia. Me keqardhje populli thotë: sa të mendohet i mençuri budallai e ka bërë. Por e vërteta është e mbuluar me një cipë të hollë: “Sa të mendohet i turpshmi i paturpshmi e ka bërë, e ka thënë”. Shprehja e popullit “e ka ngrënë turpin me bukë” është e një rëndësie kapitale”. Bëri një ndalesë. “Dëgjo miku im.Thelbi i turpit nuk ka të bëj me një gabim personal tonin, por mbaje mend, se ndjesia e poshtërimit, e diskreditimit, injorimi i vetrespektit, të urrehesh deri sa të thuash nuk e dua veten, janë të gjitha sensacione që njeriu i ndjen deri në palcë për atë gjëndje ku ka rënë, pa pasur asnjë mundësi zgjedhje rrugëdaljeje, sepse fatalisht e përfundimisht ky poshtërim është parë nga sytë e të gjithëve, është bërë faqe botës. Turpit nuk përshkruhet. Efekti korroziv i Turpit përbën mekanizmin frenues që vetëdija ushtron mbi instiktet e nënvetëdijes. Turpi mund të frenojë atë që ligji nuk e ndalon. Shoqëria e ruan ekuilibrin nëpërmjet dy mekaninizmave, një i shkruar-Ligji dhe një i pashkruar-Turpi. E kupton tani në çfarë niveli gërryes shpirtëror para botës ndjehej i poshtëruar Niksoni? Për atë që ishte faqe botës e urrente veten, prandaj mori valixhet dhe larg syve të popullit u mbyll si eremit”. Pas këtij bashkëbisedimi mendoja sesa breza do duhej të kalonin për të arritur në nivelin e ringritjes së Institucionit të Turpit. Tani e tutje e shikoja Presidencën si një zyrë përcjellëse për në Purgator. Këtë parafytyrim e zhvilloi më shumë rasti i një mjeku shumë të njohur që i kish thënë të dërguarit të presidentit: “Edhe një javë jetë kam. Jam prej 20 vitesh në pension. Kam shërbyer në spital për 40 vjet, Përse duhej të prisnin vitin e 41të pak ditë para vdekjes për të shkuar në Presidencë me personel mjekësor!! Ma dërgoni dekoratën me postë në Purgator”. “Shpëtuam” i tha Presidentit shefi i tij i kabinetit. “Pranuan që të vijnë fëmijët dhe gruaja. Do e kemi një ceremoni formale, pa rrezik”. I pari i shtetit i heshtur e lëvizi shikim drejt tavanit. “O zot, këta janë si një kopësht me zambak e një tufë me torollak. Lehtazi e drejtoi shikim dhe me zë të mekur i foli shefit: “Jam unë që kam më shumë nevojë për ceremoninë, jo ai që dekorohet”. Në këtë mënyrë refuzimi nga familjarët i ceremonive zyrtare të varrimeve u bë diçka e zakonshme, me arsyen se vet i ndjeri e kishte lënë amanet. Kot nuk thonë se mirënjohja e vonuar ngjan dhe ka efektin e një gënjeshtre. Kontaktet e shpeshta të udhëheqësve tanë me drejtuesit e feve këto vitet e fundit i mendoj si një element shumë pozitiv. Isha kurioz të dija se për çfarë bisedonin. Me këtë arsye i kërkova një kolegut tim, vëllai më i vogël i Babait të Teqesë pranë Tomorrit që të na mundësonte një audiencë. Do kemi rast së shpejti, mbasi do jem në Tiranë me rastin e një simpoziumi për bashkëjetesën fetare”, ishte përgjigjja e tij. 

“Këta të rinjtë e dikurshëm” e nisi bisedën Babai i teqesë, dikur viça, si puna e leshit të palarë, sot janë bërë buajt e harbuar të politikës. E kuptoj qartë kur duan që biseda mes nesh tu bëhet e ditur njerëzve, të komentohet në popull. I njëjti stil me atë të kohës së qoftëlargut, me stilin e ujit që buron i kulluar nga lart. Kështu që mund të tregoj ndonjë gjë deri ku ma kanë lejuar ata vet. Më ngazëllon shpirti kur shikoj Kryetarin e shtetit që me shkop në dorë, si bariu i vlerave më të çmuara të shtetit, ngjitet maleve, pastrohet në përrenjtë e kristaltë dhe zbret livadheve si pelegrinët e Mesjetës. Dikur, larg syrit të turmave, pelegrinët rrugëtonin vetmitarë, çdonjëri në hallin e vet përballë të Plotëfuqishmit. Ishin të sinqertë, të besueshëm në atë që bënin, njëlloj si dhimbja e atij që qan në fshehtësi. Në fund të një prej disa udhëtimeve në malin e Tomorrit, si të kishte nxjerrë një mësim historik I Pari i shtetit kapur me qenin për qafe, na la një këshillë profeti: Zbuloni si të vizitoni të kaluarën, do gjeni dashurinë dhe qetësinë e humbur, sillni sot në jetën tonë tregimet e djeshme. Pas një heshtjeje prej mendimtari vazhdoi: “Një jetë thellësisht e përmbushur nuk është diçka që gjëndet, por krijohet përmes veprimeve tona”Ka ikur ajo kohë kur pëshpërisnim vargjet – Porsa Presidentin, më fal, porsa Komandantin një paranojë e kaplon, zemërimin e tij si një Ferr mjerë kush e përjeton. Vrisnin mëndjen analistët. shtrydhnin trutë opinionistët për të zbërthyer të pathënat. Dikush mund të thotë që kjo është shenjë maturimi. Ndoshta, por ne besimtarët kemi një tjetër peshore për maturinë. Sidoqoftë ndihemi të vlerësuar sepse Të Parët e shtetit na vizitojnë edhe në ditë të zakonshme. 

Kanë dëshirë të shkëmbejnë mendime, nganjëherë janë interesantë. Madje të habitshëm do thosha. Kështu ndodhi kur njëri prej tyre duke më dhuruar një pagure me vaj ulliri më impresionoi kur u shpreh: “Në detyrën e Presidentit kam ndjekur një traditë si tiranas autoktonë, shpesh kam folur me heshtjen time”. Tjetri që i zuri vendin më vonë, duke pirë një çaj dafine papritur më tha: “Kam sukses kur ndodh që përdor taktikë ushtarake, marr vendim të shprehem me mungesën time”. Kam mbetur pa fjalë. Më kanë bërë të mendohem gjatë. Të ngjashme si eksperiencat nga jeta e shenjtëve. Të jenë origjinal kur thonë citime të tilla apo kanë lexuar për shenjtorët!. Kisha vënë re se të dy këta reflektonin staturë zyrtari me dukje intelektualiteti. Në fakt nga këta e prisja pyetjen e mënçur që përkundrazi, çuditërisht ma bëri ky që më vizitoi i fundit, tip sportiv, me sjellje babloku, rrufjani popullor. Te ky tip kam shumë shpresa sepse ka aftësinë që ulet në gjunjë. Gjunjëzimi është fuqi. I thashë: Kur jeta të shtyn të ulesh në gjunjë, je në pozicion perfekt për lutje Zotit. Satanai dridhet kur shikon në gjunjë edhe shenjtorin më të dobët”. Pasoi një heshtje. Me një ndjesi meraku për çfarë thashë prisja si do reagonte. Mu ngroh shpirti kur pas një rënkimi të thellë e dëgjova që kërkoi një gotë raki leskoviku. Më pëlqen se është shumë i dashur dhe i duruar, sidomos me qentë dhe macet. Krokodilin e ka dobësinë e tij të jetës. Madje gjithë qejf, me një degë ulliri në dorë, më tregoi një anekdotë me krokodil. Me zor e mbyste të qeshurën. Një djalë me prindër militantë kthehet në shtëpi dhe e pyet të ëmën: Mama, a e di që krokodilët fluturojnë? A je i sigurtë bir, mua më duket se jo. Po mama, jam i sigurtë, krokodilët fluturojnë”. Dëgjo bir, duhet ta diskutojmë me babanë. Babai: A je i sigurtë, unë them që jo. Por pa dale pak, kush ta ka thënë një gjë të tillë?. E tha sot në miting Doktori. Babai: Ulët bir, shumë ulët fluturojnë. 

Shpirtëra skllevërish të mjerë. Si duket Presidenti e vuri re pështjellimin tim dhe për të më nxjerrë nga gjëndja vazhdoi: “Besoj e ke ndjekur bisedën e para pak ditëve mes dy moderatorëve televizivë të njohur.  Drejtuesi i bisedës i drejtohet të ftuarit: Më është krijuar përshtypja se në studiot tuaja ju jeni shumë të pamëshirshëm me Kryeministrin, nuk e toleroni, nuk e kurseni fare. Në një kohë që vazhdoni të jeni mjaft të sjellshëm e tolerues me të mëparshmin e të tjerët para tij. Po i përgjigjet i ftuari, konstatimi është shumë i drejtë. Pyetja se, përse ndodhte kështu, u shoqërua me ngritje supesh”. Të shkretët, sa të padjallëzuar janë. Nuk e kanë ditur se 500 vjet më parë Makiaveli e kishte dhënë përgjigjen kur këshillonte Princin e Fiorentinës “Njerzit kanë përherë më pak drojë të fyejnë atë që sillet mirë me ta sesa dikë që u kall atyre tmerrin”. Librin e Makiavelit Enveri e kishte të nënvizuar. Unë e mbaj nën jastëk”. Me kaq biseda u mbyll. “Të pres të më vish për vizitë te rezorti buzë detit”. Ai u largua duke më lënë në mendime. Akoma si para 500 vjetësh? Edhe pse pesë shekuj më parë, njëlloj si fjalët edhe njerzit, tani si atëhere. Korrupsion-antikorrupsin, reformë-antireformë.  Pesë shekuj bota vazhdon të jetë në betejën që me Reformën lutheriane nisi si zgjimi mbas gjumit mesjetar. Kur pas 2 muajsh u takuam në Hamallaj në vizitën e kthimit te pallati i tij buzëdetit, më kaploi një thatësirë shpirtërore. Skena që kisha para syve tek shikoja “Atë” me qenin që ngadalë i sillej rrotull, më solli të gjallë vetminë në egzil të ish kryeministrit italian, eurosocialistit Betino Kraksi në Al- Hammamet të Tunizisë. Atje e ka varrin merhumi, nuk e pranojnë në vendin e vet. Era e vjeshtës që frynte buzëdetit merrte me vete gjethet e pakta të pemëve. Bashkë me gjethet si një trishtim në lëvizje largonte në harrim portretin dhe historinë e këtij shtetari që korrupsioni e kish ndëshkuar me mbylljen e jetës në egzil!. Mu dhimbs ky i yni. Mallkova veten që erdha. Kuptova se do ishte biseda më e djersirë në jetën time. Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, sikur përpiqej të kalonte një prag, hyri në temë: Në çfarë raporti është sëmundja me mëkatin?, ishte pyetja e tij befasuese. U shtanga. Një pyetje që shkon shumë thellë në kohë, e trajtuar në librat e shenjtë.  Për njerëz me përgjegjësi udhëheqse, nisa ti shpjegoj, mëkati është dy funksional. Përpara Zotit dhe përpara popullit të vet. Më ka intriguar shumë interpretimi filozofik që ka bërë Tomasi nga Aquino për dy mënyrat bazë sesi njeriu mëkaton. Mëkati i parë ndodh atëhere kur njeriu duhet të bëj një akt që është i drejtë, e injoron, mëkati nga neglizhenca ose nga mosveprimi. Konkretisht, kam dijeni që ti je në një mëkat të drejtë, nga mosveprimi. Fjala është për rrethprerjen, e ke neglizhuar, nuk je bërë synet. Por mos u dëshpëro, nuk je vetëm ti, edhe paraardhësit e tu, të tërë në një kazan zieni. Kur u bëre 45 vjeç dhe lajmërove darkën e ditëlindjes pata një ndjesi dehjeje hyjnore. Çadra për 600 veta, sazet e papara të trevës jugore dhe sidomos ekipi i specialistëve arab nga Meka me “Ghutra”, që u harlisej nga era e detit, ishin në stilin e festimeve për synet. Si nuk e bëre! Ç’shejtan të pëshpëriti në vesh? Për pozitën që zotëron do ishte një mëkat më pak. Nuk e di çfarë ta ndryshoi mendjen. Megjithatë ti je si një ëngjëll i bekuar nga Allahu. I Plotfuqishmi nw qiell për synet të ka rezervuar një moment historik. Pas një muaji hapet fushata elektorale. Daullet e festës kacafytëse do lajmërojnë rrethprejen tënde si një kurban me gjak. Me gjak dashi e bëri Lulush Fluturuesi por te Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i dashit. Prandaj i vajti për ibret. Duhet kurban me gjak që rrjedh nga burimi, atje ku fillon jeta. Ai gjak nuk shkon dëm. Parafytyro lumturinë në sytë e popullit. Ajo lumturi do jetë mbarësia e zgjedhjeve dhe lumturia jote në këtë dhe në atë botë. Do jesh i shënuar në histori mbi të gjitha për këtë akt të denj shenjtëror. Rastet e synetit për ditëlindje janë të bukura gjithashtu por më pak të bujshme.  Ndërsa mëkati tjetër-vazhdova me qetësi dhe dashuri-është një akt absolutisht i padrejtë, që nuk duhet bërë, e megjitharë prapë se prapë njeriu e bën. Kur….si të ta them, kryen një krim, direkt ose indirekt. Nuk gjej dot ndonjë shembull. Praktika jonë e përditëshme është e varfër. Por mund të huaj një rast nga literatura. P.sh. Dy hajdutë dekoduan hyrjen e një banke, hapin kasafortën, nuk gjejnë ar apo  diamantë, ka vetëm kuti metalike. Hapin një kuti që brenda ka një kupë plastike me kos frutash dhe të zemëruar në kulm e të uritur nga tensioni psikologjik hanë nga dy kupa secili. Të nesërmen lexojnë në gazetë që ishte grabitur  një bankë sperme.  Atë që prisja më pak, ajo ndodhi. Shtrëngoi nofullat e tundi kokën. Mendueshëm më nguli sytë e po thoshte me vete: “Nuk kanë pasur informacion të saktë për thesarin. Nuk janë kapur, krim është po të kapesh”.  Si për kundërshti fati, u hutova dhe vazhdova: Mirëpo duam s'duam ligji këtë e përcakton si krim grabitje banke. Nuk di ç'të them tjetër. Por e rëndësishme është që në thelb mëkati i dytë mbart ngarkesën e penalitetin e fjalës krim. Ndërsa kur flasim për raportin mëkat-sëmundje duhet theksuar se që prej kohëve antike ka pasur debat midis klerikëve dhe njerëzve të dijes. Librat e shenjtë thonë se mëkati, ndryshe nga sëmundja, është diçka që mund ta shmangim dhe ta tejkalojmë. Mëkati nuk është një forcë jashtë vetvetes, është një pjesë themelore e luftërave mendore dhe emocionale të njerëzve. Zoti mund t'ia falë mëkatet njeriut, por e keqja mbetet brenda tij, sistemi i tij nervor e konservon të keqen". Depresioni, ankthi, armiqësia, frika, tensioni dhe në raste më serioze, psikozat me tentativa vetvrasjeje janë vërtet sëmundje të ndërgjegjes të cilat mund të përshkallëzohen revolucione të vërteta. Për njerëzit e ngarkuar me përgjegjësi udhëheqëse librat e shenjtë thonë se njerëzit mund të zgjedhin të pendohen për mëkatin, ta rrëfejnë atë dhe të pushojnë së ushtruari përgjegjësinë. Fakti që Zoti u thotë njerëzve të braktisin, dëshmon se ata duhet të gjejnë forcë që të braktisin dhe se ata janë të vetmit përgjegjës për ta bërë këtë. Në fakt kjo është zgjidhja që në kohët biblike për problemin e mëkatit. Për të bërë zgjedhjen e duhur në këtë fazë të jetës duhet të kontaktosh me shpirtin tënd. Kjo arrihet duke përjetuar vetminë prej së cilës shumica e njerëzve kanë frikë. Në heshtje do dëgjosh të vërtetën dhe do dish të zbulosh zgjidhjet. Ke dy modele të shkëlqyera me të cilat të ballafaqon historia. Françesku i Asizit hoqi dorë nga të gjitha çfarë kishte dhe shkoi jetoi duke u shërbyer të varfërve, iu dedikua atyre. Historia e njeh si shenjtin protektor të të vobektëve. Ke edhe rastin e Papës që u tërhoq në vetminë e kuvendit. Ndonjë model vrasësi, hajduti, trafikanti shqiptar edhe ka, por protektor vetmitar të varfërish një lloj Françesku shqiptar nuk ka. Kap momentin historik që të jesh i pari shqiptar i dërguar i Zotit si protektor i të varfërve. Me siguri që do të mirëpresin. Hiq dorë nga të gjitha, dorëzoja të varfërve. Shko në vetminë e eremitit te Teqja e Sari Salltikut, në shoqërinë e të dashurve të tu, të qenit, të maces dhe të krokodilit ku do të ndeshesh me Ferrin për të fituar Parajsën”. U ndamë të heshtur, Ai drejt vilës, unë drejt largimit me shpresën e madhe që “Ai” me siguri do arrij të ulet në gjunjë për herë të dytë.

26 views1 comment

Shkrimet e fundit