
Thuhej se apartamentin e katit të pestë e kishte blerë një kinez. Askush se kish par. As vet administratori i ndërtesës. Jo rrallë, njerëz të panjohur të dërguar nga komisionari,vinin dhe paguanin shpenzimet e përbashkëta të ndërtesës për llogari të kinezit dhe sa herë që vinin, linin në apartament thasë të mbushur dhe kuti kartoni. Në ditë të tjera, i merrnin që andej për të sjellë më të mëdha ose më të vogla. Thuhej gjithashtu se apartamentin, kinezi e kish marr me ankand.
Në atë apartament, më par banonte një e moshuar pa fëmijë së cilës i kish vdekur i shoqi dhe meqë kompania që ai administronte kish rënë brenda, shteti i sekuestroi pasurinë e patundshme; vilën në Peloponez dhe apartamentin në kryeqytet. Që e veja të mos mbetej rrugëve, të afërmit e strehuan në një shtëpi përdhese, në këmbët e malit përball kryeqytetit. Të shumta nofkat që kryeqytetasit i kishin ngjitur malit, por ajo që i mbeti ishte «i çmenduri». Kur në qytet moti ishte i mirë, i çmenduri vishte kapelën e bardhë dhe kur në qytet moti e shtronte me borë, «i çmenduri» mbarte diellin mbi supe. Shirat që «i çmenduri» i rrëmbente qiellit nëpërmjet pyllit të dendur, i zbrazte me rrëmbim në fshatin ku strehuan të gjorën, kështu që një ditë shtëpia përdhese përfundoi rrëpirave. Të vobektën e gjetën pas një jave afër aerodromit.Në një bisedë telefonike edhe pse komisionari u përpoq të shtrembëronte këtë të vërtetë të hidhur, administratori i pallatit këmbëngulte dhe i ngarkonte përgjegjësinë për përshpejtimin e nxjerrjes së plakës nga apartamenti dhe sidomos, për pronësinë e apartamentit prej kinezit. - E di si i bëni këto punë të zeza atje në ankand- i ishte shfryrë; - rrezik se i kini thënë kinezit, se nga ballkoni duket Akropoli dhe deti;-bile nuk nguroi dhe ta kërcënonte se do ta denonconte për thasët dhe kutitë që nuk dihej se ç’ fshihnin brenda. Që të mos kish telashe komisionari mori thasët dhe kutitë për tërë natën dhe një javë më vonë, ia kaloi apartamentin për kujdes, një kompanie simotër. Administratorit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të priste ardhjen e kinezit. As pritja e barbarëve të Kavafit nuk kish krijuar aq ankth, sa kjo e kinezit.
Që pas kalimit të apartamentit në administrimin e kompanisë tjetër, likuidimi i parave bëhej me SMS kështu porta e apartamentit mbeti e mbyllur dhe për dy vite të tjerë. Banorët e ndërtesës filluan të ankohen se që brenda vinte një erë e keqe; ndoshta nga lagështia e mureve, nga që dritaret nuk hapeshin, ndoshta nga diçka e harruar nga kompania tjetër, të shumta shkaqet. Sidoqoftë ky shqetësim ishte i përditshëm jo vetëm në ndërtesën që bëhet fjalë, por dhe më tej.
Tani më në kryeqytet njerëzit ishin ndarë më dy. Kish nga ata që i donin kinezët dhe këta ishin ata që jepnin me qira shtëpitë e trashëguara nga paraardhësit. Të tjerët i urrenin dhe këta ishin refugjatët dhe të vobektët që nuk kishin as ku të fusnin kokën dhe që për hir të kinezëve, i nxirrnin rrugëve. Këta të fundit thoshin se kjo është një mënyrë e re, që kinezët e shpikën për të pushtuar botën dhe se janë më të këqij edhe se amerikanët.
Administratori jo se ishte pa shtëpi po që prej dëbimit të plakës nga apartamenti, i urrente pa masë kinezët, bile një mëngjes herët iu bë në ëndërr sikur të priste kinezin në hyrje të ndërtesës me një tufë trëndafilash të bardhë në duar, ndërsa plaka që lartë prej parajsës, i hidhte munxët. U hodh prej krevatit sikur ta kish pickuar arrëza, u vesh shpejt e shpejtë, në korridor vuri këpucët këmbëve dhe pa humbur kohë zbriti shkallët dhe te porta edhe pse ishte i sigurt që nuk i kish afruar lule kinezit, instinktivisht, hodhi një sy në të vjedhur. Jashtë nuk dëgjohej asnjë pipëtimë. Si mbushi mushkrit me oksigjen, vuri re se rrugët ishin më të heshtura se çdo herë tjetër. Në atë orë para ndërtesës kalonin makinat që furnizonin dyqanet , dëgjoheshin portat elektrike të garazheve, nga garazhet dilnin makinat dhe ndonjë i papërgjegjshëm si për tu acaruar nervat gjitonëve i binte burisë rishtas, të përshëndeste gruan që ngrohte pulpat duke i fërkuar me njëra tjetrën nën jorganin e pambuktë dhe të ngrohtë, ndërsa në ndërtesën përball, një tifoz futbolli linte motoçikletën të ndezur për minuta të tëra. Pastaj rruga lëvizej nga gratë e rraskapitura të refugjatëve që shpejtonin për të kapur autobusët. Kambana e kishës atje sipër në kodër, sikur të ishe e lodhur nga vdekjet e djeshme; as ajo nuk u dëgjua. Për orë të tëra kish tingëlluar e pikëlluar. Vetëm atëherë, administratori u kujtua pse rruga ishte e heshtur.- Në dreq të shkosh more kinez, more shpirt mut, - shkarkoi dhe ngriti jakën e xhaketës pa menduar se ato që nxori nga goja nuk i shkonin prezencës dhe edukatës së tij.-Ti ha lakuriqtë e natës, ndërsa ne po na ha vdekja-shtoi pa e kuptuar se ato që thoshte nuk kishin asnjë lidhje me shqetësimin e shoqëruar nga fjalët e parathëna.
Edhe pse kish dëgjuar për një version tjetër, administratori nuk donte të shkëputej nga ky i lakuriqëve të natës. Versioni tjetër ishte se kjo sëmundje, ishte shpikur prej njeriut. Kinezët, e kishin blerë mikrobin nga Kanadaja për ta përdorur kundër armikut në rrastë lufte. Thuhej gjithashtu se njëri prej shkencëtarëve kinez u tregua i pakujdesshëm duke bartur bakterin jashtë laboratorit. - Marrëzira,- shfryu përsëri administratori dhe për shkak të versionit të dytë jo logjik, justifikoi disi të parin, por fakti që dhe kolera ishte një sëmundje me origjinë aziatike, mendimin e tij e la pezull.
- Ç’ dreqin han,- shtoi pa vetëdije,- ç’ u shijojnë lakuriqtë e natës, minjtë dhe gjarpërinjtë.- Përmendi minjtë dhe mendja i shkoi në fytyrat e verdha disi në të errët të kinezëve me sytë e vegjël, gjysmë të mbyllur të rrahur nga erërat e tre shkretëtirave, që janë dhe më të këqija se erërat e Saharës.
Sa të vështirë e kishte administratori të psikologjiste një kinez! -Te ne evropianët - mendoi, - çdo fjalë, çdo veprim lë gjurmë në fytyrat tona të ndritshme. E kupton që nga larg tjetrin në se është i mërzitur ose i gëzuar, le pastaj në se është i sëmur, pothuajse s’ ka nevojë për analiza që t’ i përcaktosh diagnozën. - E kuptoj dhe donte të qortonte veten për racizmin e theksuar dhe për tu justifikuar, ndau fajin midis kinezëve dhe sistemit politik ku jetonte.-Mirë këta të pangopurit tanë, po dhe ata na janë bërë si ferrat nëpër këmbë,- mërmëriti; - sidomos shtresës së varfër dhe të mesme po i marrin frymën - dhe mendja i shkoi te e gjora plakë që u lagua nga nikoqirllëku i saj nën mbikëqyrjen e disa njerëzve, vetëm me veshjen e brendshme në duar.
Ca i zemëruar me kinezin dhe ca me njerëzit që nxorën plakën harbutërisht nga shtëpia, doli në trotuarin e gjerë pa e kuptuar. Përgjatë trotuarit për shkak të dimrit të keq që shkoi, punëtorët e bashkisë nën udhëzimin e teknikëve, kishin prerë plepat e lartë dhe të butë me degët gjethe dendura të cilat prodhojnë fara të ngjashme me pambukun dhe që shpërndahen në distanca të gjata. Jo rrallë herë paraqisnin rrezik të madh për kalimtarët. Vetëm një plep nuk kishin prerë krejt punëtorët e bashkisë, atë më të bardhin. Në lëkurën e tij, dikush kishte shkruar: «Ju lutem, mos më prisni!»
Administratori lëmoj faqen e plepit të urtë me aq përkëdhelje, sikur të lëmonte mollëzën e atij ose të asaj që e kish shkruar. Ndoshta është koha mendoi, të dalë prej mërzitjes.
Edhe pse gjendja e pakëndshme mendore e shpirtërore kish lënë gjurmë në fytyrën e tij, do të përpiqej ta hiqte qafe mërzitjen. - Mërzitja është burimi i të gjitha sëmundjeve - mërmëriti dhe pa kuptuar se kish përsëritur një thënie të çmuar të Ipokratit vazhdoi ecjen përgjatë trotuarit të gjerë e të shtruar mirë e bukur .
Donte të kujtonte ndonjë bëmë të zgjuar që të kish pakë humor, por të mos e largonte shumë prej problemit dhe solli ndërmend munxët e plakës. Një pesëshe e thatë si prej thane të egër me gishta tejet të hapur dhe të shtyrë nga mbrapa nga pesëshja e dorës tjetërme gjithë fuqinë e pikëllimit; e lëshuar që lartë nga parajsa dhe e shoqëruar me një klithmë çudie që nuk e ka as një zog i egër. Ndoshta ja lëshoi për trëndafilat e bardhë që administratori do t’ iafronte kinezit në hyrje të ndërtesës. Pa kuptuar, bëri kokën mënjanë që t’ i shpëtonte munxës.
Trotuari zbriste drejt kishës së Shën Paraskevisë por që administratori të arrinte gjer atje, duhej të kalonte disa lokale të mbyllur për shkak të Kovik- 19. I shkoi mendja për një kafe po ku?Më tutje dy të pastrehë që kishin vendosur dyshekët në të dyja anët e trotuareve flisnin me zë të lartë duke e treguar me gishta njëri- tjetrin. Kur administratori u afrua, dëgjoi të pastrehun që kishte në krahun e tij, t’ i thoshte atij të trotuarit matanë: - Më nuk dua të shkelësh në shtëpinë time! Më dëgjon? - Vuri buzën në gaz administratori dhe kur mbërriti në kishën e Shën Paraskevis, bëri kryqin një herë më shumë nga herë të tjera, duke e falënderuar për çastin e pakmëparshëm.
Kish mbaruar tatëpjeta dhe tani më i qet, u kthye për në shtëpi nga trotuari më të djathtë.Papastërtitë rreth dyshekut dhe era e qelbur që shpërndahej përreth, bën që administratori të mos e fuste dorën në xhep për të pastrehun që nderi dorën . - Ndoshta për papastërtinë nuk e pranon në “shtëpinë” e tij ai tjetri, - mendoi dhe nxitoi hapin. E përpjeta e ëmbël sikur ia vështirësoi ecjen. - Duhet tabëj çdo ditë këtë intinerar që ta kem më të lehtë - mendoi dhe solli ndërmend zabelin në fshat ku ngjitej çdo ditë më këmbë dhe kthehej i përtëritur sikur të ishte djalë. Po ç’ donte që e kujtoi zabelin me pemët dhe shkurret që i vështirësonin ecjen? Jo se ishte proliptik, por mendja i shkoi te kinezi që ishte bërë ferrë dhe i vështirësonte rrugën për të arritur te shtëpia. Për çdo pasoj të Kovik- 19, fajin do ta kenë kinezët tha i vendosur duke ngritur zërin për t’ i prerë rrugën çdo justifikimi që mund të nxirrte prej trurit dhe para një lokali, goditi me pëllëmbë portën e mbyllur. Pakë më lartë, afër tavernës, ata të bashkisë nuk kishin zbrazur koshat e plehrave dhe era e mbeturinave të peshkut shkonte gjer te këndi i lojnave që dhe ato për hir të Kovik- 19 nuk do të funksiononin. Donte të kthehej prapa për te kisha, të lutej që të mbaronte këtu e keqja dhe do të kthehej sikur më tutje të mos ndeshej me një krim të natyrës:
Masakër qiellore. Në sheshin e lagjes, dhjetëra dallëndyshe të vdekura. Po aq të tjera përpëliteshin nga që s’ mundeshin tëhapnin krahët. Ashtu ,të lodhura nga fluturimi mbi Mesdhe, shtegtaret nuk mundën të përballonin shtresat e ftohta që ndeshën gjatë uljes. Re të zeza, të ftohta, të ardhura nga veriperëndimi, u kishin zënë prit shumë afër tokës.- Dikush na ka mallkuar - belbëzoi administratori dhe kur e kuptoi se fjalët i kish nxjerrë nga goja me ndërprerje dhe të cunguara, kaloi shaminë rreth buzëve, sikur të ishte aty pengesa për fjalët jo mirë të shqiptuara. Ndërkohë kish marr dita dhe dielli,sikur ta dinte që dallëndyshet kishin nevojë për ngrohtësinë e tij u lëshua drejt qiellit më shpejtë se ditët e tjera. Njerëzit, e paktë që guxuan të dalin prej ndërtesave, kur panë administratorin të ngrohte me frymën e tij në foletë e duarve dallëndyshet e pamundura, u afruan për të ndihmuar. - Ç’ e keqe do të më dali akoma përpara,- pëshpëriti pasi kish fshirë buzët me shami dhe duke falënderuar bashkëqytetarët për atë veprim human, vazhdoi ecjen pa ditur se po shkonte drejt një ndijimi.
Pas pakë, duhej të dilte prej rrugës së madhe. Pranë kalimit për këmbësorët sikur ta kishin bërë me fjalë, fanari ndizte ngjyrën jeshile për tramvajin që atë ditë si asnjëherë tjetër nuk kishte fare njerëz. Vetëm, drejtuesi i tramvajit kishte vënë maskë përpara hundës dhe gojës.- Zoti të na ruaj!- Tha gati me zë administratori dhe kaloi vijat e bardha.
Rruga përpara ndërtesës ishte akoma e heshtur, pothuajse si në mëngjesin e herët. Portat elektrike të garazheve ishin po të mbyllura. Një mace rinte e tulatur ndanë një ulliri. Në hyrje të ndërtesës dy burra, njëri i gjatë dhe i kuq në fytyrë, ndërsa tjetri i shkurtër dhe i verdhë pasi shtrënguan duart njëri-tjetrit thanë fjalë nga të cilat administratori mundi të dëgjoi vetëm ato më të fundit: ..Dhe tani, shkojmë te vila në Peloponez.
Përditshmëria me motivet dhe personazhet e saj. Dhe kinezi i kudogjithmonëndodhur vetëm si ankth, që të përfytyrohet si mizëri lakuriqësh-simbol i errësirës e vdekjes. Ankthi kinez (si një ndëshkim hyjnor), i cili helmon e ngatërron rrymat qiellore dhe plagos e vret dallandyshet -gëzimet tona, por që njeriu di t'i shëroi ato e me siguri do t'ia dalë , na kumton e qetëson ky tregim i mjeshtërisë të Vasil Klironomit.
Mos t'u shterofshin kurrë shëndeti dhe energjia krijuese i dashur mik!
Kozma Gjergji